NË KËRKIM TË VIRUSIT TË HUMBUR

nga Idlir Azizaj

Dhe Hitleri i ngrefur hyri në Teatrin Chaillot
në Parisin e izoluar ; por shpejt u bezdis nga ky triumf bosh …

                                                                                                                           Vercors, Heshtja e detit

Sa herë mbyllen kufijtë, shpejt bëhen ndërkombëtarë, të gjithkundshëm. Asnjëri s’i ngjan tjetrit, sajë kokëfortësisë përkatëse e vendit nga vjen. Dhe nga mënyra si nuk lejojnë asesi të penetrohen. Biles as gishtin – si polici në pasaportë – s’e fut dot në ta, sado i pacipë me qenë. Kështu ngjanë ata diç me lozonjaret, që imitojnë Don Zhuanin pikërisht duke bërë të kundërtën e tij, e ngazëllehen në lojë pranë çezmës ku nuk të jep ujë. Ose dhe me fanatiket e hekurta (iron maiden), e kohëve që mendoheshin të papërsëritshme. Aq anti-semite ato, në kuptimin e mosdaljes kurrsesi nga Trupi i vet. Pjesë të ndonjë Urdhërate të Peshkut.

Duhet diçka e fortë t’i bëjë të njëllojtë këta kufij kaq abstinentë, më vete. Përderisa e tillë është kokëngjeshja e tyre e hallakatur, e kudondodhshme. Diçka aq e fortë, sa e tejkalon fytyrën e vet, e trupin e ngre në rangun e të padukshmes ; pa gjini, pa seks, e të heshtur në ekstrem.

Një virus atëherë e merr përsipër këtë rol bashkimi. I vetmi shkelës kufiri, që i hyn atij pa u ndier, i futet ngadalë, sa thika në gjalpin gjysmë të shkrirë të breakfastit në hotel pushimesh në bregdet.

***

Unë, Corovid-19, që bart në vete shifrën simbolike të Unicitetit të Zotit, nuk, shihem me sy të lirë. Retinat njerëzore s’më thithin dot, sepse jam në fakt … gjithkund. Tashmë s’u ka mbetur njerëzve veç të më marrin nëpër gojë. E për të mos më lënë të dal nga goja e secilit, secili ka vënë para gojës një maskë. Për ta fjala tani është e pandashme nga teshtima e kolla. Në imitim të kufijve të mëdhenj, secili i ka vënë kufij lokalë gojës së vet.

Pa trup unë s’jam as mbret, as pasha, as … gjë ! As fizik, as metafizik, unë hyra një ditë, dhe kaq. Si kam dalë në dritë, këtë as e di. Ndoshta nga ndonjë laborator, gabimisht e pa dashje. Por s’di detaje shumë, ndryshe do isha komplotist. Si çdo virus s’kam as kujtesë, as të ardhme. E ndërsa pres shuarjen time, të afërt a të largët, veç rri e shullëhem. Mes njerëzve. Sepse virusi është përherë i vetmuar, si qielli, si Historia në vetvete. Kam nevojë për një trup, e për këtë më duhen njerëzit konkretë. E në tërësi, sepse nuk njoh regjim, e s’kam për ngarkesë të rri e të zgjedh.

Këtë çast jam në gojën e gjithsecilit. Unë thjesht ndodh, pa ekzistoj.

Ekzistoj saje kujtesës së shkëlqyer të frikës njerëzore. Që mes tyre quhet thjesht « jetë ». Duket kjo frikë i ka rrënjët te ajo kujtesë sublime, që i ndan njerëzit veç gjithë krijesave përreth. Kujtesë veçse pjesore, interesaxhije, si çdo gjë në histori.

Ndoshta lidhet kjo me faktin se gjithë ajo kujtesë « fenomenale » njerëzore veç një virusi të vockël 400 million vjeçar i detyrohet (1). I cili, sikundër SIDA, bëri këtë furi të njeriu, e solli kujtesën gigande që sot i përket.

Krejt ndryshe meje ai virus afatgjatë ; sepse unë jam si Timurlengu, veç vij, plaçkis, e iki. Nga universi i proteinave erdhi e u vendos, s’dihet si, në tru njerëzor, një depo kaq gjigante e imcake njëkohësisht. Dhe prej miliona vjetësh jeton e punon brenda Njeriut.

Të « infektuar » me këtë virus të lashtë, njerëzit e kujtojnë frikën ndaj meje ; rrezikun ndaj sivëllezërve të mi, që përherë ndodhin një ditë, e rrinë shullëhen mes njerëzisë. Kështu një ditë të bukur u bëra unë shkelës kufiri. Si i tillë i shoh si ulërijnë në kërkim të maskave, në një teatër të madh, por pa role. Sepse janë të izoluar, e s’kanë si ta dinë rolin përkatës ; veç atë të bindjes ndaj jetës, që kur qasem unë, nis e thërret.

Prandaj kujtesa, si futje virusi që është, u mbetet e shkëputur, fragmentare. Dhe rikthehet kur një nga ne viruset ndodh të dalë. Dhe menjëherë, kujtesa e mjerimeve paraardhëse njerëzore po aq shpejt humbet. Veç kështu bëhem unë eveniment.

Ndoshta kjo frikë e ky panik i sakaqtë është tamam roli, ose teksti i rolit në këtë kohë timen mes tyre. Rol që mësohet në izolim e ndryrje. Sepse druajnë mos më transportojnë mes njëri-tjetrit. Të gjithë viktima të mundshme e të gjithë fajtorë të mundshëm, këtë rol luaj unë pa dashje, pa e ditur. Sikundër as nuk dihet roli i ecejakeve mes neuroneve, që virusi i lashtë pat lojtur në krijimin e kujtesës njerëzore.

Dhe njerëzit mësojnë diç prej meje, në rrethinat e kujtesës : kështu ia lanë dikur për « hise » SIDA-n veç një pjese të popullsisë (2).

Por me mua « s’ka numra ». Domethënë unë shtoj numrin e viktimave ; por, nga ana tjetër, ndaj me thikë brezat. Të rinjtë bëj sikur s’i kap në grackë, ndërsa pleqtë i bëj gërmadha. Luaj dhe unë me progresin. Kjo i miklon disa të izoluar të zgjedhur. Sepse ka të tillë dhe në pandemi.

Po prapë droja ndaj meje është e plotë. Madje dhe qeveritë më druhen. Para meje ato dalin, si macja Qeshire lënë në TV buzëqeshjen e zbrazët, e tërheqin mandej fytyrën e vërtetë në frikën e padijes totale se ku është fundi i gjithçkaje, pra dhe fundi i tyre vetë.

Si i vetmi shkelës i pafytyrë i kufijve, frikën ma kanë të gjithë. Mes kësaj frike po hartoj dhe Memuaret e kalimit tim mes tyre, para shfarosjes sime të ardhshme. Ja një pjesë e tyre, e cunguar nga kufijshkeljet :

Paris 

Pesë herë ra këmbana e luftës këtu, që kur Kuazimodo u dogj brenda Notre Dameit. Dhe ra me shumë forcë, siç dingëllin egër këmbana e tundur prej frikës e mosbesimit. Kur e ardhmja s’është më aq shtojcë e sotit. Nuk dëgjoheshin as të shtëna ; madje as marshe apo këngë lufte. Marsejezat e dedikuara betejave sanitare ishin ende të ndaluara, por pa ligj. Ashtu si mbetjet e retrovirusit të kujtesës dikur, afishet e festës së fundit të Shën Valentinit rridhnin nëpër muret e metrosë. Aty tregohej si do fshihej e do varrosej çdo traditë e çdo e shkuar. Dhe se jeta, sidomos ajo seksuale, niste pikërisht atë ditë. Makina policie, të fabrikuara enkas për kohë epidemie, qarkonin nëpër rrugë krejt bosh. Nga bezdia e këtij triumfi të vokët, pa rend, ato arrinin detektonin ndonjë fakir që dilte të merrte ajër. Dhe me ngazëllim i bërtisnin : – Imbecile!, me të gjitha teneqetë bardhë e blu. Si në rrëfenjat e lashta, Vdekja në shpirt kish shkaktuar njëfarë dhembshurie rrethanore, sidomos ndaj pleqve e të moshuarve. Por e ushtruar detyrimisht në distancë. Kjo e fundit ishte bërë masa e gjithë marrëdhënies kolektive. Paçka se është e tepruar të thuash që e solla unë këtë largim mes « robve » ; njëlloj kjo si të vesh leukoplast mbi kocka me frakturë. Izolimin mes njerëzve unë veç sa e konfirmova. Kështu dhe komplotistët planetarë i zhgënjeva ; por me mua i zhgënjyer është kushdo ! Te furra e bukës, 1 metër distancë mbahej strikt mes blerësve. Blerësit shkelës të distancës i tregohej vendi, si i tregohet vendi armikut. Edhe në këtë periudhë kinse pa klasa, që paskam shkaktuar unë. Një metër distancë mbajti dhe një burrë 70-vjeçar, i lodhur nga izolimi në shtëpi : ai veshi pallton, doli nga dera, bëri tri hapa, doli te dritarja e shtëpisë së vet, ku rrinte bashkëshortja e tij ; i porositi asaj një kafe, me të njëjtën sjellje si në kafene, bëri rolin e klientit, 1 metër distancë para gruas që bënte rolin e banakieres ; e piu kafen, i la gruas 1 euro, dhe hyri në shtëpi. Si në çdo banesë tjetër, kish filluar përshtatja ndaj kësaj norme të re jetese. Urtë e butë nga shtëpia në izolim mësuesja jepte leksione virtuale nxënësve virtualë. Një grua e mbetur me fëmijët në ngarkim, organizonte një ditëlindje përmes whatsapp me ish-burrin në qytet tjetër. Të gjithë mandej u qepën nëpër ballkone, dhe fiks në orën 20 duartrokitën në distancë punën e palodhur të personelit mjekësor të qytetit. Ndoshta për të shuar sadopak panikun e këtij të fundit, lidhur me mungesën e maskave mbrojtëse gjatë servisit. Ofshama « Ce putain de masque ! » e infermieres numër 19 të qytetit jehoi aq gjatë, sa çdo spital u ul në bisht, të dërrmuar dhe nga grevat e protestat para ardhjes sime, tashmë të pezulluara pa afat. Një atlet amator, por këmbëngulës, kreu maratonën 20 km brenda apartamentit 20 metra katrore, dhe i lodhur nga vrapi e nga ndryrja ende s’vendoste ta kalonte natën me rrëfimin anarkist « Vetmia e maratonistit » të Alan Sillitoe, apo me aventurën « Udhëtim brenda dhome » të reaksionarit Xavier de Maistre, që shpejt po ia merte në shitje dhe vetë Murtajës së Camus-së.

Prishtinë

Këtu dallova po kalimthi si përkonte paq çelja e sythave pranverore me rrëzimin e maskuar të qeverisë. Dukej sikur çdo sythi e çdo petali në çelje dikush a diçka i kish blatuar një zhurmë, njëfarë zëri jo dhe aq anonim ; e natyra kopjonte me pahir artin kadent të puçit politik. Për karshillëk kësaj natyre të irrituar nga aplikimi i ligjeve të huaja për të, banorët kishin dalë në ballkone e iu binin tenxhereve e kusive me forcë. Gjë që s’kishte ndodhur më qysh nga fillimi i viteve 90-të pas ardhjes së Milosheviçit në pushtet. Për herë të parë vetë enët e kuzhinës shprehnin hapur urinë. Ne vend të detit, që këtu s’ka ekzistuar kurrë, hapej tallaz batica e gjendjes së jashtëzonshme. Në horizont larg, anija fantomë « Thaçi fluturues » dukej;  e thuhej se kish këputur e harruar spirancën diku në SHBA. « Fake » apo jo ky lajm, mbetej gjithsesi fakt endja përmbi sipërfaqen e këtij deti inekzistent i një amerikani të qetë në sipërfaqe. Ai çapitej e fliste e fliste pa pushim. Ai ankohej për numrin aq të madh të liberatorëve në vendin e tij. Ankohej se sa e vështirë qe atje të ndaje njërin prej tyre, të veçoje një forcë që bën të ndryshojë disi politikëbërjen, ndërsa këtu nuk ish dhe aq mundim një veçim i tillë. Ai fliste, e njerëzit e ndiqnin pa u përgjigjur një herë. Por i mësuar me rreziqe e kërcënime, edhe nga viruset (nëpër filma), edhe nga heshtja, amerikani vazhdonte fliste e fliste ; prandaj dukej sikur ndërhynte ca si shumë në punët e brendshme. Gjuha e tij ngjante diç me atë « gjuhën-virus », tek e cila poeti po amerikan Burroughs shihte origjinën e krejt problemeve njerëzore. Pas tij çapitej dhe një ish-ministër, që mbante një sirenë në kokë. Para heshtjes së njerëzve, ai iu afrua amerikanit dhe i propozoi zgjidhjen efikase : t’i bënte mocion mosbesimi krejt popullsisë. Ai madje i kërkoi ndjesë amerikanit për këtë guxim të marrë, që në kohë pandemie fryhej dhe më si faj : kjo impromptu politike e tij mund të rrezikonte marrëdhëniet mes dy vendeve, aq të pabarabarta në realitet, aq të barabartë tani para meje. Si të gjithë puçistët, as ai nuk e ndjente pavlefshmërinë e imunitetit politik para qasjes gjenetike, që tashmë i impononte botës sërish prania ime gjithëpërfshirëse. E as amerikanit shtetar s’i shkonte (ende) ndërmend që po merrte pjesë në ndërtimin e një të ardhmeje tashmë të kontaminuar (3). Atë çast, sapo u fut në qytet dhe kamioni i parë me mallra serbe.

Vlorë

Kur i pashë edhe këtu njerëzit të dalë në dritare e në ballkone, u sigurova sërish për ubikuitetin tim të padukshëm. E kuptova sesi kisha humbur, aq bukur, mes njerëzve, që më deklaronin rrezik të qartë. Po aq dukshëm hapej aty deti, para ballkoneve, i vetmi që s’pyeste fare për mua. Kudo ku ndodhesha, në rrafshin e spastruar bregdetar të Pedonales, para hotel Bologna, vakëfit të qeverisë, te sheshi i Flamurit etj, shihja vetëm dritare e ballkone. E këtu hasa atë që s’e kisha hasur kurrë vend tjetër : njerëzit majë ballkoneve po më shanin në kor për nënë e motër ! Ky aktivitet atipik, këto munxa e sharje s’më kishin ndodhur. Të gjithë me tërsëllëm m’u drejtuan, ngado isha, kudo trupin mund ta kisha, me sharje plumb. Në fund të rrebeshit, ajo nëma : -Të bëftë Kina nënën!, për pak sa nuk më shkaktoi njëfarë nostalgjie të origjinës !

© 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënime :

(1)Kërkime të fundit shkencore provojnë se një proteinë-virus, e quajtur tashmë Arc, besohet se ka penetruar organizmat e gjallë 350-400 milionë vjet më parë, e ka lojtur rol vendimtar në krijimin e kujtesës te njeriu. Kërkuesit vërejnë se kapsida e këtij virusi riprodhohet e operon krejt ngjashëm me virusin HIV, dhe bën të mundur që në trurin tonë të hapen « dritare kohore » (time windows), pa të cilat kujtimet tona nuk mund të bëhen solide. Pa atë virus nuk paska qenë i mundur magazinimi i kujtesës te njeriu. Ndërkohë që shkenca ka pranuar ndikimin e këtij virusi në formimin e kujtesës, pra kalimi, transporti lëndor mes neuroneve, ende s’dihet roli që ky kalim luan në kujtesë.

(2) Bestytnia sociale në mbarë botën e pat kufizuar (në mënyrën më joracionale) virusin HIV dhe SIDA-n si sëmundje ekskluzive të homoseksualëve. E mandej si komplot. Kjo marrëzi kulmoi kur një pjesë e shtypit francez e etiketoi « sëmundje e turpshme » shkakun e vdekjes së filozofit Michel Foucault, që vdiq prej SIDA-s në 1984. Çka solli reagimin e fortë publik të shumë intelektualëve.

(3) Frymëzuar kjo frazë nga opinioni i Karl Kraus, i cili thekson : « Mëshirë për këta pushtetmëdhenj kaq të shkarthur ! Zoti i ndriçoftë në gjumë e sipër ! Dhe mirë është ta pranojnë, ashtu në panikun e makthit të së ardhmes tashmë të ndëshkuar … në çastin kur u zhvoshket ajo ndërgjegjja e tyre politike, e kur dingdongu i lavdisë së tyre rresht … ».

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin