Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LXVI)

(nga Stanislaw Lec*)

Disa shkallare të karrierës të çojnë tek trekëmbëshi.

Mungesën e talentit e kompenson me mungesë personaliteti.

Poetët janë si fëmijët; kur ulen në tryezën e punës, nuk e prekin tokën me këmbë.

Një vepër flet për veten, po të ketë kujt t’i flasë.

Atje ku ligjet janë mizore, populli kërkon t’i shfuqizojë të gjitha ligjet.

Liria është perverse, u dorëzohet kundërshtarëve të vet.

Poeti peshkon në lumin që i rrjedh mes për mes.

Kur rrëzohen kokat përdhe, mos e ul tënden.

Ka tek ai një boshllëk të madh, të mbushur me erudicion.

Të gjitha tragjeditë e mëdha mbarojnë me një happy end, po kush duron vallë deri në fund?

Ai tipi? Gjithnjë shfaqet si njeri tjetër, prandaj ka të drejtë që ta përsëritë veten.

Poeti i këqyr fjalët e veta me dyshim: cila prej tyre do t’ia hijeshojë varrin?

Gjuaje gurin i pari, përndryshe do të të quajnë epigon.

Epokën po e paraqitin si të pasur në gjenij. Shpresojmë që ca prej tyre të kenë talent.

Papagajtë e stërvitur nuk përsëritin asgjë.

Të ringjallësh dikë pa lejen e vrasësve: çfarë guximi!

Atje ku të gjithë këndojnë me të njëjtin ton, fjalët nuk kanë më kuptim.

Të bëhesh i famshëm, që të mund t’ia lejosh vetes incognito-n!

Vetëm kur u fut në karrocë, e kuptuam se ishte karrocier.

Hijet janë më të zonjat: bëjnë të njëjtën gjë, por pa u lodhur.

Një fjalë e vetme mjafton: të tjerat janë veç fjalë.

Krimi: muza e predikuesve dhe e moralistëve.

Dobësia personale është po aq e rrezikshme sa dhuna e tjetrit.

Mos zgjidh ta kalosh natën atje ku edhe pleshtat nuk i zë gjumi.

Ëndrra e skllevërve: një treg ku mund të blesh padronë.

Idetë vijnë në kokë nga përbrenda.

Askush nuk është aq kafshë, sa të mos hiqet herë pas here sikur është kafshë.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading