TJETRI JE TI

Një lider politik dhe i opinionit në Shqipëri, i jepte këtë këshillë publikut, që nga rrjetet sociale:

“Lani duart dhe mbani distancë nga kollitjet dhe teshtimat e të tjerëve.”

Porosi e thjeshtë dhe e arsyeshme, por edhe provë që tregon pse jemi ende kaq të rrezikuar dhe të ekspozuar ndaj Covid-19 – iluzioni ngushëllues, mbase deluzioni, që infeksionin e kanë Të tjerët.

Lexojeni edhe një herë këshillën më lart: u drejtohet të shëndetshmëve duke i quajtur “ju”, për t’i mbrojtur nga “ata” që kolliten dhe teshtijnë.

Edhe pse, siç e ka treguar historia e infeksionit deri më sot dhe siç e nënkuptojnë edhe vetë masat e karantinës dhe izolimit kolektiv anembanë, të sëmurët jemi ne.

Dhe kjo, jo thjesht ngaqë virusi mund të përhapet nga bartës pa simptoma (mundësi reale); por edhe ngaqë edhe të sëmurët, ata që kolliten dhe teshtijnë, kanë nevojë për t’u përfshirë seriozisht në muhabet.

Vërtet, sëmundjen e sjell tek ti Tjetri; por që nga momenti kur infeksioni përhapet dhe virusi shndërrohet në “armikun publik”, gjithkush nga ne mund të jetë vektor. Tjetri do të jesh ti.

Madje edhe më: gjasat janë që virusi yt të vrasë dikë tjetër.

Instinkti na shtyn të mbrohemi nga teshtima dhe kollitja e Tjetrit; por qytetaria duhet të na shtyjë të mbrojmë të tjerët nga teshtima dhe kollitja jonë.

“Lufta” po ndërmerret kundër virusit, jo kundër bartësve të virusit.

Dhe karantina ka marrë tashmë kuptim të dyfishtë: nëse deri dje mbanim në karantinë të sëmurët (të infektuarit), sot po na kërkohet të mbajmë në karantinë të moshuarit – për t’i ruajtur.

Sa kohë që nuk testohemi dot, le të mësohemi me idenë se virusin po e përhapim ne vetë.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejat të rezervuara. Kopjojeni, por mos ua ngjitni të tjerëve.

4 Komente

  1. Ju keni vënë në dukje një moment psikologjik jashtzakonisht delikat, atë të parjes “së të ligës”,dmth prezencës së virusit edhe tek vehtja, diçka e papërfytyrueshme për politikanët tanë. Të arrish të shikosh të keqen edhe tek vehtja është një gjë jo vetëm që kërkon mund dhe përpjekje, por mendoj se brënda saj ka pa tjetër edhe diçka gjenetike. Parja e një problemi jo vetëm në një drejtim, por edhe nga ana e kundërt është një nga rrugët që çojnë në zgjidhjen e problemi të caktuar. Veçanërisht në informatikë, të gjithë atyre që ju është dashur të zgjidhin një problem me anën e një gjuhe programimi, e kanë vënë re, se parja e një problemi edhe nga ana e kundërt është në shumë raste e vetmja mundësi që të çonë tek zgjidhja e tij. Pikërisht, mendoj se ky është një nga shkaqet (në mos më kryesori) që politikanët tanë nuk arrijnë të shkojnë në zgjidhje të drejta dhe të arsyeshme. Ata nuk e shohin kurrë vehten pjesë të problemit, e kërkojnë zgjidhjen vetëm në atë drejtim që u intereson, gjë që ju errëson përfundimisht arsyen dhe shikimin, dy kushtet më të nevojshëm për të shkuar drejt zgjidhjes së një problemi të caktuar.

  2. Kot per muhabet se jemi te gjithe pa pune, po analiza e fjalise me duket pak e sforcuar. P. Sh a mendon ti se fjalia do ishte me e kuptimshme dhe me pak diskriminuese nese do te ishte: laju duart te tjereve dhe distancohu ose mbrohu nga kollitjet e teshtimat e tua. Apo ne frymen e parrullave shendetesore te feminise te tipit “Mos peshty pertoke” dhe thirrjet duhet te jene “Laj duart dhe mbaje teshtimen brenda mer legen”

Lini një Përgjigje te PFAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin