DASMË PA NUSE

Çështjes së vrasjes në Peshkopi i kam dhënë disa herë hapësirë në këtë blog, meqë më është dukur me rëndësi për të kuptuar konceptin e mediave dhe të publikut në Shqipëri për drejtësinë, ligjin dhe ndëshkimin e autorëve të veprave penale.

Natyrisht, aspektet juridike, kriminalistike, sociale dhe psikiatrike të vrasjes nuk duhen ngatërruar me shfrytëzimin e kësaj ngjarjeje nga mediat, e shkruara dhe televizive, për synimet e tyre që nuk janë gjithnjë të kulluara; as ka të bëjë vrasja e kryer me injorancën e frikshme të publikut kur është fjala për fytyrën sociale të sëmundjeve mendore.

Ndërkohë, reagimi emotiv i mediave dhe i publikut pas vrasjes ka risjellë në qendër të vëmendjes çështjen e rivendosjes së dënimit me vdekje, si një alternativë ndaj vetëgjygjësisë ose hakmarrjes të palëve të dëmtuara.

Sot arrita më në fund të ndjek programin televiziv “Top Story” të Top Channel, i cili i kushtohej pikërisht vrasjes dhe problematikave që lidhen me të. Drejtuesi i programit, Sokol Balla, kishte ftuar në studio juristin Kreshnik Spahiu, ish-drejtorin e policisë Mithat Havari, politikanin Murat Basha, drejtorin e burgjeve Saimir Shehri dhe publicistin Mentor Kikia.

Njëkohësisht, emisioni përmbante edhe disa intervista të regjistruara me familjarët e fëmijës së vrarë, shokët e tij të shkollës e dy mjekë psikiatër; si dhe një intervistë telefonike drejtpërdrejt me Kryetarin e Gjykatës në Peshkopi.

Nga të ftuarit, Kikia u orvat të bënte me faj sistemin e drejtësisë që e kish braktisur një të sëmurë si Shpëtim Ziza; ndërsa Spahiu u stërzgjat në argumente dhe shembuj që nuk ishin aq interesantë sa ç’i dukeshin atij vetë. Saimir Shehri – krejt inert e me mendjen tjetërkund – nuk kuptohej pse gjendej aty (thuase për të provuar që ishte gjallë, me gjithë linçimin që i ka bërë “Tema” ditët e fundit), ndërsa Murat Basha u përpoq menjëherë dhe haptazi të argumentonte nevojën për t’i dënuar me vdekje njerëzit si Ziza, me tone dhe gjeste jashtëzakonisht populiste.

Natyrisht emisioni dështoi, dhe nuk kish si të mos dështonte, sa kohë që mungonte, ndër të ftuarit, një mjek psikiatër ose me eksperiencë mjeko-ligjore për raste si ai i Shpëtim Zizës. Asnjë nga të pranishmit nuk e kishte të qartë se, në rrethanat kur një person deklarohet si i papërgjegjshëm nga një organizëm ekspertësh, asnjë vepër e kryer prej tij nuk mund të quhet krim; sepse krime kryejnë vetëm persona të përgjegjshëm.

Mjeku psikiatër me përvojë Anastas Suli, i cili dha disa sqarime teknike për sëmundjen që i ishte diagnostikuar Zizës (prapambetje mendore e ndërlikuar me epilepsi), m’u duk i painformuar për çështjen dhe krejtësisht i pasintonizuar me frymën e emisionit; pa përmendur pastaj ankthin që do t’u jetë shkaktuar me mijëra epileptikëve të mirëfilltë në Shqipëri, të cilët përpiqen të bashkëjetojnë me sëmundjen e tyre dhe e vuajnë si kushdo tjetër identifikimin vulgar që mund t’u bëhet tani me një vrasës e përdhunues fëmijësh.

Nga ana tjetër, autorët e teksteve që shoqëronin materialet filmike i kishin lejuar vetes gabime të rënda, në përshkrimet shkeleshko të sëmundjes që i ishte diagnostikuar Zizës; sikurse mediat që deri dje flisnin për “skizofreni”, edhe tani rastet si ai Peshkopisë iu faturuan njerëzve “me depresione të rënda”; edhe pse dihet që “depresion” përdoret rëndom si eufemizëm nga të gjithë ata që nuk duan të paraqiten si skizofrenë, psikotikë ose me çrregullime të tjera të rënda; në një kohë që depresioni, si çrregullim psikik, nuk ka ndonjë lidhje të veçantë me sjelljet e dhunshme, përveçse kur është fjala për vetëvrasjen.

Vetëm një mjek psikiatër do të mund të kishte sqaruar, për të pranishmit në studio dhe publikun, nëse një vepër e shëmtuar si ajo e Zizës mund të parandalohej apo jo, në bazë të diagnozës që i ishte dhënë atij prej mjekëve lokalë kur e kishin arrestuar më parë për shkelje të ndryshme; diagnozë që merrej me mend edhe duke ndjekur ato pak sekuenca filmike ku Ziza krejt i shpenguar i ngërdheshej kameras, qeshte me punonjësin e policisë që e ruante dhe kontrollonte flokët për morra ose papastërti të ndryshme; por që u përdorën nga autorët e emisionit për të përligjur cilësimin “monstra e Peshkopisë”.

Në mungesë të ekspertit, të gjithë të ftuarit folën, pa doganë, për çështje të cilat nuk i njihnin; me pretekstin se qëllimi i tyre ishte të mbronin publikun nga rreziku i të sëmurëve mendorë të lënë të lirë prej një drejtësie tepër liberale e dorëlëshuar.

Me atë rast, u diskutua edhe rreth mënyrës si mund të zgjidhen çështje të tilla në të ardhmen; ose mundësive konkrete për t’i izoluar të sëmurët mendorë me rrezikshmëri shoqërore. Saimir Shehri shpjegoi se strukturat për t’i mbajtur këta të sëmurë të izoluar ekzistojnë; edhe pse spitali i burgut, të cilit iu referuan hareshëm të gjithë, nuk besoj se është i destinuar për të trajtuar të sëmurë mendorë kronikë, as për të mbajtur të izoluar persona me dëmtime dhe prapambetje mendore.

Mithat Havari përmendi faktin që Spitali Psikiatrik i Elbasanit, i specializuar për trajtime të tilla, ishte mbyllur pas ngjarjeve të vitit 1997; ose për shkak të amortizimit total të infrastrukturës. Këtë fill askush nuk u mundua të ndjekë, edhe pse unë kam përshtypjen se mungesa në Shqipëri e strukturave të posaçme për trajtimin afatgjatë të të sëmurëve mendorë që kanë kryer vepra me rrezikshmëri shoqërore (vrasje, rrahje, përdhunime) është një nga shkaqet kryesore që çuan, ndër të tjera, edhe në ngjarjen e Peshkopisë.

Përndryshe, është pak qesharake të shpresosh se probleme që lidhen me praninë e të sëmurëve me rrezikshmëri shoqërore në komunitet mund të zgjidhen duke e mbushur spitalin e burgut me skizofrenë kronikë, psikotikë, të prapambetur mendërisht e të tjerë të sëmurë, për të mos i lënë të dhunojnë njerëzit që i rrethojnë, duke filluar nga familjarët e tyre.

E meta thelbësore e emisionit ishte se të ftuarit u munduan të trajtojnë nga pikëpamja juridike, me ngjyrime herë-herë politike e me tone populiste, një çështje e cila mbetet në thelb për t’u kthjelluar nga një psikiatër ekspert për trajtimin social dhe nga organet e drejtësisë të këtyre personave.

Përkundrazi, Sokol Balla e pa të udhës të nxirrte në ekran nënën e viktimës fëmijë, e cila kërkoi që vrasësi të varej në mes të qytetit; duke abuzuar në mënyrë të palejueshme me ndjenjat e publikut televiziv – edhe pse, sipas fjalëve të atij vetë, qëllimi i emisionit nuk ishte të bënte trysni për rivendosjen e dënimit me vdekje.

Siç e përmenda në krye, nga të gjithë të ftuarit, i vetmi që u përpoq ta inkuadronte problemin në një kontekst më të gjerë të drejtësisë, të drejtave qytetare dhe përgjegjësisë së organeve të rendit, ishte publicisti Kikia; ndërsa të tjerët m’u dukën të absorbuar në fushat përkatëse dhe, në përgjithësi, të veshur me autoritet të madh për të gjitha ato çështje të cilat, në të vërtetë, nuk i njihnin fare, përveçse si qytetarë (ose viktima potenciale).

Fryma në mbyllje të emisionit ishte se fajtorë të vërtetë për krimin janë organet e drejtësisë; dhe se të sëmurët si Shpëtim Ziza nuk duhen lënë të qarkullojnë të lirë. Edhe pse unë nuk dyshoj që disa të sëmurë mendorë duhen mbajtur pa tjetër të institucionalizuar, për të mbrojtur publikun nga veprat që ata mund të kryejnë, kam frikë se kjo duhet vendosur rast pas rasti, dhe gjithsesi në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët mjeko-ligjorë. Fati i të sëmurëve të tillë varet nga diagnoza që u vihet, dhe diagnoza, megjithë dëshirën e mirë të mediave të Tiranës, nuk mund të vihet në mënyrë demokratike, as për të shuar epshet ose ngushëlluar frikërat e publikut.

 

7 Komente

  1. Nuk eshte cudi qe mund te shohim ne Shqiperi,te fillojne te mbledhin te semuret mendore, t’i quajne ata te pushtuar apo shtriga e djaj,dhe t’i djegin ne turren e druve,si ne mesjete.
    Asgje nuk duket me e cuditshme me atje!

  2. Sot më konfirmuan se, pas mbylljes së spitalit të Elbasanit në 1997, Shqipëria nuk ka më struktura të specializuara për trajtimin e atyre të sëmurëve mendorë që, me vendim të gjykatës, duhen mbajtur në izolim dhe me mjekim të detyruar; meqë edhe një strukturë e përshtatshme në Krujë tashmë po përdoret si azil pleqsh.
    Edhe pse drejtori i burgjeve Saimir Shehri deklaroi në “Top Story” se këta të sëmurë mund të trajtohen në spitalin e burgut, kjo do të ishte, në thelb e paligjshme, meqë spitali i burgut është për trajtimin e atyre të dënuarve me burg që kanë nevojë për trajtim mjekësor spitalor.
    Prandaj edhe nëse një gjykatë vendos që një i sëmurë mendor, pas një vepre me rrezikshmëri shoqërore, të izolohet në spitalin e burgut, cilido avokat mund të argumentonte, me lehtësi të madhe, paligjshmërinë e kësaj mase dhe ta nxirrte klientin e vet nga ai institucion. Dhe jo vetëm kaq: cili gjykatës vallë (për të mos thënë prokuror) do të rekomandonte për të pandehurin një masë e cila është, në thelb, e paligjshme?
    Që në spitalin e burgut mund të ketë vend për këta njerëz, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse edhe në kalanë e Gjirokastrës ka vend, edhe në tunelet e Valiasit; çështja është nëse izolimi i tyre në këtë mënyrë është i ligjshëm apo jo. Për mendimin tim, përgjegjës për ngjarjen e Peshkopisë, si edhe për ngjarje të tjera me protagonistë të sëmurë mendorë, janë ato autoritete të cilat e kanë lënë Shqipërinë pa struktura të specializuara në trajtimin e këtyre të sëmurëve.
    Sa për të bërë një krahasim: nëse dikë e kafshon nepërka në livadh, dhe ky pastaj vdes sepse asnjë spital e farmaci në zonë nuk e kishte antidotin përkatës, kush e mban përgjegjësinë? Nepërka?
    Megjithatë, ndoshta një jurist që i bie rruga këtej mund të më sqaronte më mirë.

  3. Kjo ka të bëjë dhe me atë që disa nga komentuesit e këtij blogu nënkuptojnë me shtresë intelektuale dhe elitë të saj , fatkeqësisht, dhe në atë transmision u dëgjuan fjalët e “elitës” së intelektualëve, kur intelektuali (nëse konsiderohet akoma i tillë) që duhej dëgjuar, ashtu siç thosh xhaxhai, mjeku i specializuar, as që përfillet fare…
    Ka ardhur koha që me intelektualë të nënkuptoni jo vetëm ata që flasin në media, por dhe ata që trurin e kanë shtrydhur për fusha të tjera, por që kanë “fatkeqsinë” që të mos mendojnë për politikën.

  4. Spitali i burgut mund te perdoret per raste ekstreme, meqenese ne nuk paskemi me spitale civile per keta te shkrete. Une per vete kam dy argumente:
    1. Juridikisht, deri sa nje person eshte shpallur i papergjegjshem nga gjykata, dhe “denuar” me “kurim te detyruar”, atehere per kete person nuk ka ndonje ndryshim nese eshte i shtruar ne spital te burgut apo ate civil: ne te dyja rastet pacienti nuk do te lejohet te levize lirisht. Ndryshimi eshte ne kohen qe i semuri do kaloje aty, ne kontrast me kohen qe nje i denuar do te kaloje aty.

    2. Mungesa e nje spitali civil psikiatrik eshte rast EMERGJENT. Situatat jo normale therrasin per masa jo normale. Midis te lenit te lire te nje njeriu te shpallur nga gjykata si i rrezikshem/i papergjegjshem, dhe mbylljes se tij ne spital te burgut, kjo e fundit eshte legale.
    Imagjinoni nese i vetmi CAT SCAN ne Shqiperi te ishte ne spital te burgut. A ka njeri dyshim qe njerez te padenuar do te shkojne aty per diagnostikim pa problem?
    Mos harroni qe spitali i burgut, nuk eshte BURG. Eshte thjeshte spital ku levizjet e pacienteve jane te kufizuara.
    Spitali i burgut nuk eshte si palestra e burgut.

  5. Tabakhone.

    Problemi duhet te shihet nga ana ligjore dhe jo me pasion ashtu si e shtroni ju. Puna qendron se nuk mund te futet njeri ne burg pa nje vendim gjykate ose urdher arresti per ta ndaluar ate person si me rezikshmeri shoqerore. Sepse ju, fillimisht, po kerkoni gardianin qe te hapi kangjellat dhe me pas do therisni psikiatrin qe te kontrolloje pacientin. Spitali i burgut ka vetem nje mjek te pergjithshem dhe te gjithe specailistet thirren nga klinikat e QSU-se.

    Pra, se pari, ai burgoset dhe me pas fillohet te ekzaminohet. Duke filluar nga familjaret, kjo ju tingellon keq dhe eshte shkelje flagrante e te drejtave te njeriut. I semuri psikik, ashtu si e tha edhe Xhaxhai, eshte penalisht individ i pa pergjegjshem dhe si i tille duhet te trajohet ne menyre njerzore me dinjitet.

    Me shume vend se ne Gjirokaster dhe Valias te mare se bashku ka ne Gjader; ler menjane spitalin e burgut. I rendesishem ne kete diskutim eshte psikiatri. Te dalim ta kerkojme qofte edhe per nje interviste.

  6. Huh!!
    Se une nuk dua te nis e te bej debat me boten ketu, por…ku e pe “pasionin” ti Margarit?
    Deri sa ne nuk paskerkemi spital psikik civil, une thjeshte vura ne dukje paradoksin midis te gjetjes “i pafajshem” per arsye kaplloqeje te nje te pandehuri, dhe te lenit te lire te tij, megjithese ne paskerkemi nje spital por vetem se eshte i burgut!! Ne Spital Ushtarak vetem ushtare e oficere kurohen??
    Xha Xhai lypi argument juridik dhe une calltisa dhe i hodha dy qindarkat e mija. Gabim? Mbase! Por jo ” me pasion”!!
    Spitali i burgut eshte nje konvencion, nuk eshte vend ku te denuarit vuajne denimin, nuk eshte burg!
    Ky spital eshte, (ka qene te pakten) brenda ne Spital te Tiranes, dhe jo brenda ne Burg!!
    Pak a shume si puna e varrezes se burgut, qe nuk eshte burg!!

    P.S.
    Sa te shpejte jeni mer daje, me ja gjet’ “boten e mrencme” tjetrit me nje t’lexume t’komentit!!!
    Tck, tck, tck.

  7. Tabakhone,

    Perseri po ngaterrohesh me duket. Kesaj rradhe pa pasion por ndoshta nga qe nuk kupton qe spitali i burgut eshte ne fillim burg pastaj eshte spital. Pikerisht ndodhet brenda QSU-e per ta bere me te thjeshte kurimin e te denuarve. Pastaj duhet te kihet parasysh qe ai spital eshte i destinuar per te burgosur me komplikacione shendetesore qe nuk mund te kurohen nga insititucionet e denimit pasi edhe ato e kane nje sherbim modest shendetsor. Pra nese ka vende te lira spitali i burgut, Saja, drejtori i pergjithshem i burgjve, mundet fare mire qe ne vend qe ta mbush ate me te semure mendore dhe te pa gjykuar (per me teper te pa denuar) me te burgosur nga burgje te tjere te mbi populluar.

    U zgjidh edhe problemi i vendeve vakante ne spitalin e burgut. Te kerkojme vend tjeter per te semuret mendore.

    MB

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: