ATOMI "PO", ATOMI "JO"

Sot gazeta italiane Corriere della Sera boton artikullin me titull: “Shqipëria Italisë: bëjini këtu centralet tuaja bërthamore” (9.11.2007, f. 27). Në artikull citohet Kryeministri shqiptar, sipas të cilit “Shqipëria synon të bëhet një superfuqi e vogël energjetike e tërë rajonit ballkanik”. Nga pikëpamja e politikës së jashtme ndërhyrja e Berishës duket e volitshme, sepse futet në çastin e duhur në debatet që po zhvillohen aktualisht në Itali.

Rreth 20 vjet më parë Italia i mbylli centralet bërthamore që kishte me anë të një referendumi popullor që e ndaloi përdorimin e kësaj metode për prodhimin e energjisë elektrike. Mirëpo, javët e fundit, në prag të krizës energjetike, ndërkohë që çmimi i naftës po shkon drejt qiellit, zërat pro energjisë bërthamore janë rritur shumë. Mbështetësit e atomit thonë se “jo”-ja e 20 vjetëve më parë nuk ka më kuptim. Nga pikëpamja e rrezikut, në qoftë se ndodh diçka në Francë ose Zvicër, nuk është se Italia del palagur.

Zëri i Shqipërisë dëgjohet tani krej papritur. Në prag të vizitës së Prodit në Shqipëri, ndoshta ka edhe kuptim. Porse, parë nga brenda, propozimi i Berishës duket vërtet si rrufeja në qiell të pastër. Pyetjet janë të shumta, ndërkohë që heshtja e sotme e “analistëve” të Tiranës (deklarata e Kryeministrit është dhënë si lajm edhe nga mediat shqiptare) mbetet e pakuptimtë.

Është e vërtetë që errësira ua ka çuar thikën shqiptarëve deri në kockë. Shumë syresh janë gati të bëjnë çdo gjë, mjaft që të evitojnë depresionin në dritën e qiriut. Tek e fundit francezët, amerikanët, gjermanët, etj. nuk është se janë budallenj. Por a mund të merret një vendim i tillë madhor, pa hapur fillimisht një debat të gjerë publik, brenda dhe jashtë klasës politike të vendit? A përputhet atomi me strategjinë e zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë? E së fundi, a jemi ne gati, flas si shqiptarë, që të administrojmë energjinë atomike, ndoshta më e rrezikshmja në planet? Sepse është më e lehtë ta marrësh kalanë, se sa ta mbash atë. Tha.

13 Komente

  1. “Porse, parë nga brenda, propozimi i Berishës duket vërtet si rrufeja në qiell të pastër.”

    Eh, sa rrufe ne qiell te paster ka leshuar komandant Berisha ne keto 2 vjetet e fundit… kush te ankohet me? e per cfare te ankohen? per Shqiperia 1 euro? per rishkrimin e historise? per blerjen e kompiuterave tek Microsoft? Per termocentralin ne Vlore? Per dritat, mbase, largqofte, te ankohen?

  2. Pishak, mund të diskutojmë për rreziqet dhe për pasojat që mund të lërë për ambjentin një mënyrë e tillë e prodhimit të energjisë, por nuk jam dakord me ty kur thua se kush do ta administrojëëëëëëëëëëë.
    Ka djem dhe vajza Shqipëria që të ta projektojnë nga themelet një çentral të tillë, përse dyshon se a mund të gjëndet personel për ta administruar??
    Aq më tepër që tani është mbushur vëndi pëllëmbë e universitete 🙂

  3. Pishak,

    Me siguri qe ndertimi dhe shfrytezimi i centraleve berthamore eshte nje veprimtari qe vendi yne nuk do te jete gati asnjehere qe ti hyj nje sipermarje te tille. Edhe sikur te doje nuk e le njeri qe ta beje nese nuk do te duan qe ta kthejne ate ne bombe.

    Berisha, mendoj une, po shrytezon rastin qe Shqiperia te behet vendi prites i nje teknologjie te tille; pra vetem te hyje si investim, nderkohe qe ekspertiza dhe venja ne jete e projektit do te jete teresisht pergjegjesia e inverstitorit. Nderkohe Shqiperia me shume gjasa, me kete rast, do te mund te eliminoje krizen energjetike.

    Personalisht nuk shoh asgje te keqe por ashtu si e tha edhe Penari me siper kjo si rregull i bie qe te jete tollombacja e rradhes e aventurierit. Ka kohe qe nuk ka leshuar ndonje brockull; bile eshte vonuar ca.

    MB

  4. deklarata spektakolare te berishes si kjo kemi degjuar dhe here tjeter dhe besoj te gjithe jemi stervitur me kesi vrimash ne uje. I vetmi synim i kesi lloj deklaratash eshte te pushtojne mediat e tiranes disa jave e te zhduket pa lene gjurme.

    Kam pershtypjen qe edhe analistet per kete aresye nuk e kane marre seriozisht e nuk po komentojne per kete teme. Perpara se te nise nje diskutim publik nese duhet lejuar ndertimi i impianteve berthamore ne Shqiperi apo mbi te mirat e te keqijat eventuale te energjise atomike duhet menduar njehere a eshte dicka e tille e mundshme apo eshte dokerr e rradhes. Gjithcka flet per rastin e dyte. 🙂

    Ndertimi i impianteve berthamore ne Shqiperi nuk eshte i mundshem per disa arsye te thjeshta.

    Ne radhe te pare ato jane shume shume te kushtueshme (cmimet variojne nga kapacitetet e tyre dhe shkojne dhjetera miliarda Euro). Per te terhequr nje investim kaq te madh nje vend duhet te ofroje te pakten infrastrukture shume te mire, stabilitet dhe burime njerezore shume te kualifikuara e te lira. Shqiperia nuk ka asnje nga keto.

    Pastaj nuk duhet harruar qe centralet berthamore kerkojne siguri maksimale. Kete siguri Shqiperia perseri nuk e ofron.

    Se fundmi teknologjia berthamore eshte teknologji politikisht shume delikate qe nuk i jepet kujtdo pasi kjo teknologji nese nuk ka kontroll te rrepte mund te eksportohet tek shtete problematike apo te perdoret dhe per arme etj.

  5. …..Ne radhe te pare ato jane shume shume te kushtueshme (cmimet variojne nga kapacitetet e tyre dhe shkojne dhjetera miliarda Euro)….

    Ne te vertete nje central i tille me nje kapacitet 1 mije megawat kushton 1.5 miliard euro. Eshte i kushtueshem (relativisht se me shume se gjysma e kesaj shume po kushton rruga e Kosoves), por shihet nga te gjithe specialistet si nje investim rentabel dhe qe ka ende te ardhme, per shkak te gjendjes dhe cmimeve ne rritje te energjise fosile

    Lyss

  6. Italia ka një problem serioz me burimet e energjisë, sepse tani për tani e importon pjesën më të madhe të naftës dhe të gazit nga tregje gjeopolitikisht të pasigurta: si vendet arabe dhe Rusia.
    Nga ana tjetër, centralet bërthamore në Itali janë ndaluar me ligj, pas një referendumi popullor në vitet tetëdhjetë, në valën e katastrofës së Chernobyl-it.
    Është shumë e vështirë të bindet sot publiku italian për ta ndryshuar ligjin, meqë publiku mbetet shumë i trembur nga kërcënimi i ndotjes radioaktive, edhe si pasojë e zhurmës së madhe që kanë bërë dhe bëjnë mediat.
    Edhe një sondazh i kryer kohët e fundit, tregoi se publiku italian gjithnjë e konsideron energjinë bërthamore si të rrezikshme, të dëmshme për mjedisin dhe kontribuese në ndryshimet klimatike dhe efektin serrë – çka provon sidomos shkallën e dizinformimit të atij publiku.
    Në këto kushte, korporatat e mëdha italiane të energjisë mund ta kenë më të lehtë të ndërtojnë një central bërthamor në Shqipëri, duke përfituar nga fakti që këtu nuk ka ndonjë legjislacion kundër impianteve të tilla.
    Natyrisht, nëse ngrihet një central i tillë, administrimi teknik do t’i besohet krejtësisht personelit të huaj; madje edhe sigurshmëria rutinë dhe mbrojtja e centralit nga ndonjë sulm terrorist. Italia është kaq afër Shqipërisë, saqë çfarëdo incidenti me centralin do ta ekspozonte menjëherë ndaj katastrofës, njëlloj sa edhe Shqipërinë vetë.
    Energjia e prodhuar nga një central bërthamor është e pastër, nuk e ndot fare mjedisin, karburanti bërthamor (uraniumi) kushton relativisht lirë, dhe modelet e reaktorëve janë kolauduar prej kohësh. Shanset që të ndodhë në Shqipëri një aksident i ngjashëm me Çernobilin janë më të vogla se shanset që në Tiranë të bjerë lia e zezë.
    Mbetjet bërthamore fare mirë mund të vulosen dhe të depozitohen në ndonjë nga minierat e shumta tashmë të braktisura në territorin shqiptar.
    Është pak paradoksale që njerëzve t’u dalë gjumi natën për rreziqe të tilla teorike, teksa e pranojnë pa të keq ndotjen e hatashme të ajrit të kryeqytetit nga ndërtimet dhe trafiku i shtuar; ose derdhjen e papenguar të ujërave të zeza në det, gjatë gjithë vijës bregdetare të Adriatikut!
    Por unë nuk besoj që qeveria shqiptare ka këllqe të paguajë për një central të tillë; gjasat janë që ndërtimi i veprës t’i besohet ndonjë firme italiane ose të ndonjë vendi tjetër (amerikane, franceze, austriake), së cilës t’i shlyhen pastaj shpenzimet me energjinë e prodhuar e të shitur në Ballkan ose gjetiu.
    Kompania italiane ENEL, e cila kohët e fundit e ka shtrirë aktivitetin prodhues në disa vende të Europës Lindore (Sllovaki, Bullgari, Rumani), e ka ekspertizën e duhur për të ndërtuar dhe administruar centrale të tilla.
    Për Shqipërinë do të ishte fat i madh të ngrihej një central i tillë nga ENEL; jo vetëm ngaqë do të zgjidhte disa probleme kritike të furnizimit me energji, por edhe nga pikëpamja gjeopolitike – meqë do të fitonte stabilitet e do të përfshihej në skemat prioritare të shpërndarjes së energjisë në Europë dhe në Mesdhe. Edhe ENEL, nga ana e vet, do të përfitonte, duke e stabilizuar rrjetin elektrik të Italisë, sidomos nga pikëpamja strategjike, ose në kushtet e një krize të rëndë në Lindjen e Mesme, ose të presionit politik nga Rusia.
    Në rast se arsyetimi im vlen, dhe Italia vërtet ka interes ta eksplorojë këtë hipotezë, atëherë është në favor të Italisë që centrali t’i besohet asaj kompanie italiane e cila edhe kontrollon tregun e prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike në Itali. Ashtu edhe ENEL vetë mund të përfitonte nga financime të drejtpërdrejta shtetërore dhe të BE.
    Megjithatë, tani për tani ndërtimi i centralit bërthamor më duket ende në duar të politikanëve dhe të negociatorëve politikë, të cilët nuk është çudi që të ngatërrohen me këmbët e tyre e të kërkojnë qiqra në hell, derisa centrali të përfundojë i ndërtuar në Mal të Zi.
    Sa për protestat e Greqisë, atyre nuk u duhet vënë shumë veshi – se unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që të mos protestojë Greqia për ndonjë gjë; kultura politike e atij vendi riprodhohet nëpërmjet protestës. Punë e tyre.

  7. Them se problemi i energjisë bërthamore duhet parë të paktën në dy plane. I pari lidhet me gjeostrategjinë. Nuk ka dyshim se një central bërthamor do t’i sillte Shqipërisë një sërë avantazhesh: stabilitet, investime, integrim, autoritet, energji, zhvillim… I dyti lidhet me teknologjinë. A ia vlen të përdoret teknologjia bërthamore për përftimin e energjisë tani që po shtohen zërat se ka alternativa të tjera? P.sh. shkencëtari Karlo Rubia, nobelist, po projekton ndërtimin në Sicili të një impianti që thith energjinë diellore. Sipas tij kemi të bëjmë me një “energji të pastër, konkurruese, me shumicë dhe të sigurt”. Po sipas këtij shkencëtari, mjafton një hapësirë sa një aeroport për të përftuar të njëjtën energji që merret nga një central bërthamor.

    Pyetja ime është kjo: në qoftë se Shqipëria vendos tani të ndërtojë një central bërthamor, mos i ndodh si puna ime që bleva televizor katodik mu në vigjilje të daljes në treg të ekraneve me kristale të lëngshme? Jo për gjë, por sa herë që shkoj në dyqan më qan zemra që nuk prita edhe pak, por vendosa ta blej gjithë atë “mobilje” kaba 28’. U gënjeva nga “leverdia”. Kurse tani çmimet e televizorëve të rinj po bien dita ditës… Janë kaq të lezetshëm, madje thonë se edhe për shëndetin nuk janë aq të dëmshëm…

    Përndryshe, jam gati të vendos të bëj diçka. Pa pritur duarkryq.

  8. Vërtet që teknologjia tashmë ka bërë të mundur që niveli i sigurisë së impianteve bërthamorë (si dhe magazinimi në siguri i mbetjeve bërthamore), por psikoza këtu është e njëjtë me atë që njerëzit ndjejnë ndaj avionëve… statistikisht ndodhin incidente mijëra herë më pak se në çdo mënyrë tjetër transporti, por kur ndodhin… bëjnë bujë.

    Këto ditë në Rimini (Itali) po zhvillohet një panair ( Ecomondo më duket se quhej), në të cilin mjaft shoqëri nga gjithë bota kanë sjellë “prodhimet” e tyre, të cilat kryesisht ‘ushqehen’ nga dielli (rasti më banal, një tenxhere me një fletë alumini si ato që i vihen xhamave të makinave kur i parkojmë, që duke e pozicionuar në drejtim të diellit, në gjysëm ore arrinte që të çonte ujin në vlim… gati për të hedhur makaronat 😛 ).
    Por ajo që dilte më interesante nga ky panair, ishin kërkesat e shumta të ndërmarrjeve të ndryshme për të gjetur ÇATI të lira që të ndërtojnë impjantet e tyre.
    Bile shumë prej tyre, ofrojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen gratis të impjanteve fotovoltaike si dhe çmim fiks të energjisë për 20 vjetët e ardhshëm (dhe ç’është më e çuditëshmja, nganjëherë ky çmim që ata të kërkojnë, është më i ulët se çmimi i tregut të energjisë sot).

    Natyrisht që fitimi i tyre realizohet dhe nëpërmjet subvencionimeve që qeveria italiane ju ofron atyre që ndërtojnë impjante të tilla si dhe nga shitja e energjisë së tepërt të prodhuar nga impjanti i tyre në rrjetin qëndror.

  9. Po e le njehere menjane diskutimin nese eshte i mundur ndertimi i nje centrali ne Shqiperi apo jo. Nese shihet shkurt menyra se si eshte bere deklarata e berishes atehere mund ta kuptosh qe ajo nuk eshte serioze.

    Deklarata zyrtare mbi energjine atomike ne Shqiperi une deri para asaj te berishes nuk kisha degjuar ndonjehere. Dhe nga sot per neser hidhet bomba:”do ta bej Shqiperine (super)fuqi atomike”. E si nuk mund te gajasesh me te tilla deklarata? Rrjedha normale e veprimit ne keto raste eshte qe ne fillim disa zyrtare me te vegjel te shprehin interes per energjine atomike duke e vene ate ne kontekstin e krizes energjitike boterore. Nderkohe paralelisht mund te fillojne bisedimet me palen italiane nese ata kane interes te ndertojne centrale ne Shqiperi. Dhe vetem pasi te merret pergjigje pozitive nga pala tjeter (italiane) qe ata me te vertete kane interes mund te dale zyrtar i larte si kryeministri e te thote qe jemi ne bisedime per centrale berthamore e te hape nje diskutim publik.

    Berisha si duket i ra per shkurt dhe foli (si gjithnje) para te gjitheve. Po sikur italianet te mos kene interes qe centralet ti ndertojne ne Shqiperi? Cfare i mbetet deklarates se berishes. Ajo do ti shtohej listes se gjate te deklaratave pa lidhje qe ai ka leshuar me pare. Pikerisht nga kjo duket qe deklarata eshte fare e pamenduar. Eshte nje nga ato dokrrat qe kohet e fundit ai i leshon cdo pesembedhjeteditesh.

    Argumentimi i Xha xhait eshte per mendimin tim i drejte. Megjithate ka disa fakte kokeforte ekonomike qe flasin kundra Shqiperise. Investime te medha nga te huajt kerkojne siguri. Dhe siguri nuk do te thote vetem siguri brenda mureve rrethues te centralit por do te thote siguri tokesore e ajrore brenda te gjithe shtetit shqiptar. Siguri do te thote qe ata specilistet e huaj qe vijne per te punuar te jene gjithashtu te sigurte kur shkojne neper shtepia. Siguri do te thote qe tek minierat e braktisura ku futen skorjet radioaktive te jene te ruajtura e te sigurta 100%. Kete lloj sigurie 100% nuk jane ne gjendje ta garantojne as vete shtete te zhvilluara te EU. Ketu ne Gjermani psh. ku energjia atomike perben nje perqindje te rendesishme ne prodhimin e energjise partite jane zotuar qe deri ne 2020 te mbyllin te gjitha centralet atomike. Vetem para pak muajsh ne nje central atomik te koncernit energjitik suedez “Vattenfall” pati nje aksident te vogel e pa pasoja qe sidoqofte beri te qarte se centralet jane akoma shume larg te qenurit 100% te sigurte (http://www.csmonitor.com/2007/0719/p04s02-usgn.html).

    Per me teper pothuaj te gjithe shtetet fqinje tona ofrojne shume me teper se sa Shqiperia qofte ne aspekte ekonomike qofte ne ato te sigurise. Pra mjafton nje “po” e tyre per ta nxjerre Shqiperine jashte cdo loje. Prandaj thenia e berishes duhet pare ne rastin me te mire si krejtesisht e pamenduar. Une personalisht kam shume frike qe ne vend te centraleve berthamore ne Shqiperi do te behet vetem depozitimi i skorjeve. Pasi vetem tek depozitimi i skorjeve ne kemi avantazh te dukshem ndaj konkurences: politikane te korruptuar e te papergjegjshem, vend aq i ndotur sa askush nuk do ta vinte re ndotjen radioaktive etj.

    Ne fund te fundit ketij diskutimi i duhet ti kthehemi pas disa muajsh kur te shohim se cfare eshte bere nga deklarata e guzimshme e berishes.

  10. nje update i vogel mbas nje kerkimi. Lyss kishte te drejte mbi cmimin e centraleve 1000 MW . Sidoqofte centralet berthamore mbeten me te shtrenjtet per tu ndertuar dhe kerkojne me shume kohe se te gjithe llojet e tjera (afersisht 5 vjet).

    Ne artikullin tek (http://news.mongabay.com/2007/0404-nuclear.html) i bazuar ne nje studim shkencor thuhet qe centralet berthamore jane ekonomikisht shume te shtrenjte dhe ne sisteme liberale tregu kane pak shanse. Ne amerike ka rreth 29 vjet qe nuk eshte ndertuar asnje central berthamor pikerisht sepse kane kosto te larta.

    lexojeni artikullin sepse eshte interesant

  11. Pak rendesi ka se c’thote Berisha pasi ai do qe ta perdore kete fakt per te zbutur disi’ zemerimin e popullit per kolapsin energjetik qe ka mbuluar vendin.

    E rendesishme eshte se sa i vertete eshte ky si lajm qe per Shqiperine eshte shume i mire. Kuptohet se gjithe projekti, nese do te kete kalueshmeri, do te drejtohet nga kompania qe do mare edhe financimin qe ne rastin me te mire do ishte ENEL. ENEL ka prani ne KESH qe prej shume vitesh me zyra ne te njejten godine. Pastaj, dhene faktit qe te dyja kompanite kane pjesmarjen e shtetit ne veprimtarine etyre e ben me te besueshme kete nisme.

    Sot ne Itali, si u tha edhe me siper, as qe behet fjale fare per central berthamor per te gjitha arsyet qe u permenden. Shto ketu edhe interesat e gjeneruesve te tjere te energjise elektrike e shtyn Italine qe te kaloje Adriatikun.

    Cfardo qe te beje Italia ne Sicili, ajo ka nevoje deshperimisht per energji elektrike me shumice dhe te pa kushtezuar nga faktoret atmosferik dhe gjeopolitikisht pothuaj te pavarur. Per me teper, kesaj rradhe asaj i vjen nga qendra e jugut; pra ben nje barazpeshim te burimeve te prodhimit ne rrjetin kombetar.

    Sidoqofte, ashtu si e tha edhe Xhaxhai, kam frike se nuk do jemi aq fatlume qe te arihet nje gje e tille. Mbase do fati kesaj rradhe nuk i degjon njeri Klosin dhe Ferunin.

    Personalisht edhe pse e shoh si nje zgjidhje shume te mire kam shume pak besim qe do te realizohet nje projekt i tille. Arsye per te mos u realizuar ka sa te duash.

    MB

  12. Pishak,
    Me pelqeu ajo batuta me televizorin! C’thua per nje iCentral? Shpresoj qe mos t’i lexoje keto komente Berisha apo Klosi se do vrapojne drejt iCentralit si te cmendur, dhe kush rri i degjon. Por seriozisht nuk me duket se natyra e zhvillimit teknologjik (elektronika) eshte e njejte me natyren e zhvillimit te burimeve energjitike. Teknologjise per shfyrtezimin e energjise diellore kam pershtypjen se do t’i duhet kohe per te afirmuar vetveten, dhe kuptohet Shqiperia eshte e fundit ne radhen e atyre qe presin. Megjithate i uroj fat shqiptareve ne endrren e tyre atomike.

  13. Edhe edhe pse e lexoj shpesh Xha Xhain, nuk jam gjithnje dakort me ato qe shkruan.

    Me pelqen stili, edhe pse i gjate per shijet e mia, por jo gjithnje permbajtja.

    Sipas Xha Xhait, Italianet jane budallenj, Greket jane Budallenj, te zgjuar qenkemi vetem ne qe e duam Nuklearin.

    Edhe Amerikanet te cilet e kane nuk e duan me, dhe per kete mjafton te them qe ne 15 vjetet e fundit ne asnje vend Perendimor nuk eshte ndertuar asnje Central Nuklear.

    Pastaj nuk eshte e verete ajo qe thuhet per Italine, qe nuk lejohet te ndertohen Centrale Nukleare.

    Ne ’87 u be nje Referendum qe mbylli Centralet qe ishin ne Itali dhe abrogoi Ligjin, por ama efekti i nje Referendumi sipas Ligjit Italian zgjat vetem 15 vjet, pra tani Centralet nga ana Ligjore nuk kane me asnje pengese ne Itali.

    Por pergjigjen shume bukur ta ka dhene me poshte Pishak Zhgaba, me shembull konkrete.

    Eshte çmenduri qe sot te investojme akoma ne kete lloj Teknologjie, askush ne Evrope nuk po e ben.
    Rubia iku ne Spanje per te punuar dhe po ben mrekullira atje.

    Pozita jone gjeografike me 236 dite diell ne vite na favorizon qe te investojme ne energjite e reja dhe te pastra.
    Nukleari do te jete fitimprures per ENEL por jo per Shqiptaret qe do te semuren dhe do i duhet te Stokojne Skorijet pas 20 vjetesh pse aq eshte jeta e nje Centrali.

    Ne Shqiperi kemi prodhuar gjithnje energji te paster dhe do te mjaftonte te rekuperonim HEC qe kemi dhe nuk do te kishim nevoje te blinim energji madje do te shisnim, por askush nuk ka interes te rivere ne jete HEC sepse biznesi i Ankandeve per te blere energji eshte me fitimprures per Politikanet.

    Kam pasur rastin te flase me Inxhenjere qe punojne ne Koman dhe me tregojne si jane brektisur HEC-et, nga nje vullnet politik, jo sepse jane me nje teknologji te vjeter, aspak.

    Me respekt Reli
    http://www.qeveria.eu

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin