NJË SHUMËS AVENTURIER

Sikurse është vënë re prej kohësh nga studiuesit, ndikimi i turqishtes ndaj shqipes nuk është mjaftuar vetëm në leksik, nëpërmjet huazimeve, por edhe në fjalëformim dhe gramatikë. Kjo duhet kuptuar kështu: huazimet turke (orientalizmat, etj.) kanë sjellë me vete një numër prapashtesash, të cilat pastaj janë “ndier” si të tilla nga intuita gjuhësore popullore dhe janë përdorur edhe me tema jo-turqizma. Për shembull, shqipja ka huazuar nga turqishtja osmane fjalë si teneqexhi, kazanxhi, kallajxhi, jorganxhi, bojaxhi, të cilat emërtojnë njerëzit sipas zanatit ose profesionit. Meqë krahas këtyre emrave të profesionit në shqipe kanë hyrë edhe fjalët teneqe, kazan, kallaj, jorgan, bojë, atëherë folësit janë në gjendje t’i analizojnë emrat e profesionit më lart si teneqe-xhi, kazan-xhi, kallaj-xhi, jorgan-xhi, boja-xhi dhe të dallojnë atje një prapashtesë –xhi, e cila njëfarësoj tregon personin që ka lidhje me objektin e temës (teneqexhi – zejtar që punon me teneqe; kazanxhi – zejtar që prodhon ose riparon kazanë; kallajxhi – zejtar që lyen enët me kallaj; jorganxhi – zejtar që qep jorganë; bojaxhi – zejtar që lyen muret me bojë). Pas kësaj, mjafton që emrat e mësipërm me prapashtesën –xhi­ të qarkullojnë në ligjërim, që prej tyre të abstragohet kjo –xhi dhe të përdoret me tema që nuk janë huazime nga turqishtja – p.sh. mullixhi, furrxhi, plehraxhi, fshesaxhi, arixhi etj.

Kjo për ndikimin në fjalëformim – duke shtuar se veç -xhi, ka edhe prapashtesa të tjera si -çi, -lli, -li, -çe, -qar, -llëk, -sëz, etj., të cilat janë bërë edhe ato produktive madje disa janë specializuar stilistikisht, duke e pasuruar shqipen, veçanërisht shqipen bisedore.

Ngjashëm, por shumë më pak, është ndier edhe ndikimi i turqishtes në morfologji[1]; duke u shprehur kryesisht me prapashtesën -llar/-ler, që shfaqet si morfemë në shumësin e një kategorie të kufizuar emrash. Për t’u shënuar se kjo prapashtesë është standard në turqishte, dhe se distribucioni i saj varet nga cilësia fonetike e emrit: në vija të trasha, emrat që kanë zanore të ulëta në rroken e fundit marrin -llar, ndërsa ata që kanë zanore të larta në rrokjen e fundit marrin -ler (kjo varet nga i ashtuquajtur rregull i harmonisë vokalike).

Sa i përket shqipes, do vënë re se prapashtesa në fjalë kryesisht shfaqet në ata emra që e kanë sjellë, si të thuash me vete, ose që me gjasë kanë hyrë në shqipe me gjithë shumësin: hoxhallarë, agallarë, baballarë, dajallarë, xhaxhallarë, ustallarë, qehajallarë, pashallarë nga njëra anë, bejlerë, kadilerë, efendilerë, shehlerë, të gjithë këta me burim nga turqishtja. Pyetjes nëse kjo prapashtesë shumësi është bërë produktive brenda shqipes, a nëse është përdorur për të formuar shumësin e fjalëve jo-turqizma, mund t’i përgjigjemi kështu: mund të ketë qenë pak produktive në shekujt XVIII-XIX, meqë tek-tuk janë regjistruar forma shumësi fjalësh jo-turqishte si gjyshlerë, mbretlerë, dhespotllarë, qeratallarë; por sot nuk është më e tillë. Dizdari (te Fjalori), nga i cili i kam marrë shembujt më lart (veç qeratallarë), përmend edhe shfaqjen e kësaj “prapashtese” në një numër relativisht të madh emrash familjesh, si Gjokallari, Gjinallari, Xoxallari, Kostallari, Demollari, Qefallari etj. – në shumë raste është pasojë artificiale e një urdhërese qeveritare, të vitit 1939, për të evituar përdorimin e një kategorie emrash në këtë funksion; çfarë çoi në shtimin mekanik të prapashtesës në fjalë, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut.[2] Në toponomastikë, Dizdari përmend fshatra si Gogallar, Nikollarë, Dubullarë, Maqellarë, etj.; kjo dukuri është e lidhur ngushtë me atë të mbiemrave dhe, siç e shënon Dizdari, me një përdorim të prapashtesës për të formuar “emra kolektivë (collectiva)”, i cili nuk ndeshet në turqishte. Megjithatë, është për t’u vënë re që pikërisht në onomastikë, ose në lëmin e emrave të njerëzve, kjo prapashtesë rezulton me “produktivitet” të spikatur brenda shqipes (me gjasë, falë një vendimi burokratik), duke iu bashkuar temave qartësisht jo-turke, si në shembujt më lart, ose në raste të tjera, si Koçollari, Saqellari, Stefanllari, Thomallari, Mihallari[3] etj.; për më tepër, sipas një dinamike që nuk më rezulton të jetë e huazuar. Të krahasohen, në këtë kontekst, shumësit haxhilerë dhe kadilerë, të emrave haxhi dhe kadi, që ende ndeshen; me mbiemrat Haxhillari dhe Kadillari – shembull që tregon se prapashtesa -llar, me funksion patronimik, nuk është përdorur në bashkëlidhje me variantin e saj -ler, por është përgjithësuar, duke e eliminuar variantin. I njëjti shembull tregon edhe se alternanca -llar/-ler, në shumësin shqip, është trashëguar bashkë me emrat përkatës, pa u bërë të vetëdijshëm folësit për rregullsinë e nënvendosur të përdorimit të saj (harmoninë vokalike).

Sikurse shënohet në gramatikat, emrat e shqipes kanë temë të shumësit, të cilën e formojnë zakonisht me prapashtesa specifike ose me mjete të tjera morfonologjike; temë e cila i nënshtrohet eptimit shumës – çfarë i largohet modelit klasik indo-europian. Për shembull, lumë jep në shumës lumenj, dhe pastaj lumenj shërben si temë e shumësit, duke marrë sipas rastit nyjen shquese (lumenj) ose mbaresat rasore (lumenjve, lumenjsh). Megjithatë, prapashtesa turke –llar/-ler, që ka hyrë me emrat përkatës, vërtet mund të jetë perceptuar nga shqipfolësit si formant shumësi, por nuk ka bindur si e tillë deri në fund; sepse të gjithë këtyre emrave shqipja u ka shtuar prapashtesën e vet të shumësit, , çfarë ka përftuar forma si baballarë, pashallarë, shehlerë, etj., dhe një mekanizëm të shumësit që mund të formulohet kështu: baba > baba-llarë, me një prapashtesë shumësi të kombinuar: -llar + . Kjo që ka ngjarë, mund të interpretohet edhe si një përshtatje e formantit turk -llar/-ler nëpërmjet shtimit të një -ë-je, e cila pastaj ruhet në gjithë paradigmën e eptimit (pashallarët, pashallarëve, pashallarësh), njëlloj si të ishte fjala për një temë shumësi të rëndomtë, me (shoferë, shoferët, shoferëve, shoferësh). Po të spekulojmë për arsyet e këtij kombinimi, do të sugjeronim që emrat më -llar/-ler nuk janë ndier mjaftueshëm si tema shumësi nga shqipfolësi.

Ka edhe më. Edhe pse në turqishte -llar/-ler, si prapashtesë shumësi, është universale, në shqipe ajo ka hyrë vetëm me emra që, në njëjës, janë përfshirë në kategorinë gramatikore të gjinisë mashkullore. Kështu, emra si pasha, bej, aga, qehaja, xhaxha, kadi, usta, sheh, etj. janë të gjithë të gjinisë mashkullore. Nuk më rezulton të ketë raste emrash femërorë, që ta formojnë shumësin në -llar/-ler (një formë si penxhereler do të ishte e papranueshme për ndjenjën gjuhësore të shqipes, edhe pse në turqishte është e vetmja formë e shumësit të pencere); edhe pse (1) një pjesë e huazimeve turke të shqipes janë përfshirë në kategorinë e emrave të gjinisë femërore; dhe (2) turqishtes i mungon kategoria gramatikore e gjinisë. Shto këtu edhe faktin tjetër, që me ndonjë përjashtim si atllarë, të gjithë këta emra mashkullorë më -llar(ë)/-ler(ë) shënjojnë njerëz, sipas titujve, profesioneve ose afërive familjare[4]; çfarë tërthorazi gjen konfirmim edhe në përdorimin masiv të prapashtesës -llar(i) në emra familjesh (mbiemrash). Kjo na bën të dyshojmë se mos ky formant shumësi i ardhur me fjalët turke, -llar/-ler, është perceptuar nga shqipfolësit si prapashtesë për formimin e emrave të vepruesit (nomina agentis); pra, -llar është afruar me -ar dhe variantet e saj, p.sh. argjendar, bletar, derrar, stanar, dhenar, kafshar, këpucar, kosar, kumandar, poçar ose edhe fshatar, katundar, korçar, kosovar, etj. (khs. edhe delmer, reshter, toger); të gjithë këta emra e formojnë shumësin me prapashtesën .[5] Këtë hipotezë duket sikur e mbështet, tërthorazi, edhe emri mocional, përndryshe i pazakontë, bejlereshë, ku një prapashtesë mocioni si -eshë, që formon emra të gjinisë femërore nga tema mashkullore (bujkeshë, mbretëreshë, luaneshë, burrneshë, bareshë, murgeshë, mikeshë); dhe, në rastin konkret, i është bashkëngjitur temës bejler-.[6]

Për ta përmbledhur, shqipja ka marrë një prapashtesë shumësi nga turqishtja, duke e “distiluar” nga disa turqizma të përdorur në shumës; por pastaj e ka specializuar (1) duke e kufizuar me një numër të vogël, jo-specifik turqizmash dhe fare pak jo-turqizmash; (2) duke e kufizuar vetëm në emra njerëzish, ndryshe nga turqishtja; (3) duke e kufizuar vetëm në emra të gjinisë mashkullore, ndryshe nga turqishtja, që nuk e ka kategorinë gramatikore të gjinisë; (4) duke e kombinuar me një prapashtesë të mirëfilltë të shumësit shqip (nga -lar/-ler në turqishte, te -llarë/-lerë në shqipe) dhe (5) duke e përdorur variantin -llar gjerësisht në onomastikë (emra familjesh ose mbiemra, si Sulollari, Koçollari) me funksion kolektiv, çfarë nuk ndodh në turqishte. Në këto rrethana, të thuash se prapashtesën -llar/-ler shqipja e ka huazuar nga prapashtesa përkatëse e shumësit në turqishte më shumë krijon probleme, se ndihmon për t’i zgjidhur – meqë në shqipe, kjo prapashtesë, ka humbur disa nga funksionet themelore të simotrës së saj në turqishte, dhe ka marrë funksione të tjera, të reja dhe të pavarura nga origjina e saj. Kjo origjinë, në analizë të fundit, mund të shërbejë për një kronologji të fjalëve që dalin me këtë formant, ose për t’i datuar (si të periudhës osmane); çfarë lidhet më shumë me historinë e fjalëve përkatëse, se me historinë e gjuhës.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për ndikimin e turqishtes osmane në sintaksën e shqipes (duke filluar nga sintaksa e togfjalëshit dhe ndërtimet e tipit bëj derman), besoj se juria është ende në sesion: fusha meriton hulumtim të mëtejshëm.

[2] Do të mirëprisja çdo ndihmë, nga lexuesit, për këtë dekret qeveritar që ka ndryshuar strukturën onomastike të emrit të përveçëm të personit në shqip.

[3] Për t’u shënuar është edhe struktura morfologjike e një mbiemri si Thomallari: edhe pse temës Thoma- i bashkëngjitet një prapashtesë shumësi -llar, kësaj i shtohet edhe një -i që nuk mund të jetë veçse nyja shquese e njëjësit mashkullor. Kombinimi prapashtesë shumësi + nyje njëjësi duket i pazakontë; çfarë për mua provon se ajo -llar tek emrat e përveçëm nuk perceptohej më si prapashtesë shumësi, por si një prapashtesë patronimike, e specializuar për mbiemra (emra familjesh), ngjashëm me -aj, në mbiemra si Et’hemaj, Kalemaj, Sinanaj, Aliaj, etj.

[4] Këtë e vënë në dukje edhe Buchholz-Fiedler, në Albanische Grammatik, f. 264.

[5] Me këtë grup afrohen edhe një numër turqizmash si gjynahqar, hileqar, namusqar, tamahqar, zullmqar nga ku është abstraguar një prapashtesë -qar, me të cilën janë formuar në shqipe fjalë si grabitqar, ziliqar (Xhuvani-Çabej, vep.cit.); dhe, më tej, grupi i madh i emrave dhe mbiemrave më -tar, si gjahtar, gjyqtar, vjershëtar, pjesëtar, udhëtar, derëtar, luftëtar, etj. disa prej të cilëve mjaft të vjetër në gjuhë.

[6] Vetëm se këtu do mbajtur parasysh edhe vëzhgimi tjetër, të cilin e ka dhënë i pari Bopp-i, dhe që e ka përcjellë Xhuvani-Çabej te monografia për prapashtesat e shqipes, se kjo -eshë, si prapashtesë mocionale, u bashkohet ndonjëherë edhe temave të shumësit, si në rastet mbretneshë/mbretëreshë, priftneshë/priftëreshë, robneshë/robëreshë; dhe këtu mund të hyjë edhe bejlereshë, nga tema e shumësit bejler.

3 Komente

  1. Kjo “llar”-i turk (apo “turk”) eshte vertet mjaft interesante; kane shkruar edhe te tjere me pare; pervec Cabejt nuk me kujtohen emrat e tjere ne lidhje me ‘te; ne lidhje me kete “lar”-in, apo dhe ndonje mbarese tjeter turke (ose “turke”) me ka vajtur mendja te shikohen gjuhet e tjera te grupit fino-ugur, si bie fjala hungarishtja dhe finlandezcja, te cilat -nga sa me kujtohet ne ato pak veshtrime amatoreske dhe per qejf te miat- sikur nuk dallojne per kete “llar”-in ne fjalet e tyre. Por mbaresa “ar” “er”, “var”, etj te tilla gjinden edhe ne gjuhe te tjera, ndaj dicka eshte e duhet te jete universale ne mbaresat.
    Vijimi i atij shkrimi tjeter ka humbur rrugen me duket! Apo po fryhet e po fryhet akoma?! Ta shohim c’do na pjelle!

    1. Ky është vijim i atij shkrimit tjetër. Por nuk habitem që s’e paske marrë vesh. Jam kurioz të di ku ke lexuar nga Çabej për këtë prapashtesë shumësi, dhe kushedi të kujtohen edhe ata të tjerët që kanë shkruar “më parë” – edhe pse jam i sigurt që, po të kenë shkruar, do ta kenë bërë para meje, jo më pas (meqë unë e botova këtë gjënë time vetëm pardje). Më tej, kushedi edhe të kujtohet se çfarë kanë shkruar “ata të tjerët më parë” – sepse ashtu do të sillje një kontribut të mirëfilltë në këtë diskutim, në vend të kësaj që ke shkruar (përtej kontributit që ke dhënë në morfologjinë e krahasuar të gjuhëve fino-ugrike). Dhe meqë po tregon një farë interesi për prapashtesat (kujdes: jo mbaresat, që janë gjë tjetër), mbase ia vlen të kesh parasysh se një prapashtesë, si e tillë, është njësi që bashkon në vetvete edhe formën edhe funksionin – prandaj edhe -ar, te fjala dardhar, është prapashtesë; ndërsa te fjalët sirtar dhe litar nuk është.

  2. Sinqerisht qe kam lexuar per “llar”-in nga autore shq. dhe nuk ishte ketu fjala per te te nxjerre ty ne vend te dyte e te trete, se nuk ishte ndonje teme e madhe, por thjesht per te treguar sa interesante eshte kjo prapashtese. Meqe tani nuk po me kujtohen emrat e autorve, se pa le sa vjet ka, (keshtu eshte kur lexon per qejf), pervec kesaj kjo teme referimi ketu nuk perben ndonje gje esenciale ne problemin e “lar”-it, pa llogaritur pastaj mbytjen momentale deri ne gryke me letra administrative dhe gjyqsore me gjoba e gjithfare denimesh, te gjitha keto nuk me lejojne per momentin ti futem kerkimeve te emrave te ketyre autorve; por po gjeta pak kohe dhe kerkoj, dhe po gjeta gje, pa diskutim do ta plotesoj kete deshire.
    Persa i perket lidhjes midis dy artikujve, mund te them qysh tani shkurt, se kjo lidhje nuk duket gjekundi. Une mund te bije dakort me mendimet e shfaqura ne te dy artikujt, por lidhja e tyre me mungon! Nejse, edhe kjo me duket jo fort problem i rendesishem ne temat e tyre rrahese dhe, po u morra me ‘to, do te jap mendimin tim serish.
    Per sa i perket ndryshimit te prapashtesave dhe mbaresave, e po te duash edhe sufikseve, nuk e fsheh qe nuk jam njohes i thelle i tyre! E jo vetem i tyre, por edhe shume kategorive, njesive, problemeve te tjera gramatikore! Por -besoj se- kjo s’do te thote, se kur ke dhene nje mendim ne gjuhesi, apo etimollogji, i gjithe mendimi i shprehur bie poshte, nga fakti se aty ke ngaterruar kundrinorin e zhdrejte me rrethanorin, apo diku nje lidhez nenrenditese qellimore me shkakore! S.d.q. faleminderit per korrigjimin ne shprehjen time te mesiperme entuziaste mbi “llar”-in!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin