Reklama

INTERVISTA

nga Umberto Eco

Sa kohë që varet nga televizioni për axhendën e vet, shtypi ka vendosur që ta imitojë këtë edhe në stil. Mënyra më tipike për të dhënë çdo lajm nga politika, letërsia, shkenca është bërë tani intervista. Intervista është e detyrueshme në TV, ku nuk flet dot për dikë pa e nxjerrë në ekran, por sa për shtypin, ka qenë përdorur si instrument me shumë kursim. Të intervistosh, do të thotë t’ia dhurosh hapësirën tënde dikujt, që ky të thotë çfarë dëshiron. Mendoni vetëm për atë që ndodh, kur një autor ka botuar një libër.

Lexuesi pret prej shtypit një gjykim dhe një orientim, dhe i zë besë opinionit të një kritiku të njohur ose seriozitetit të medias përkatëse. Por sot një gazetë ndihet e humbur, nëse nuk arrin të marrë, para gjithçkaje tjetër, një intervistë nga ai autor. Po çfarë është intervista me autorin? Fatalisht, vetë-publicitet. Rrallë ndodh një autori të pranojë se ka shkruar një libër të padenjë. Zakonisht, ftesa për intervistë shoqërohet me një shantazh implicit (dhe kujtoj se kjo ngjan edhe në vende të tjera): “Nëse nuk e jep intervistën, nuk do të bëjmë as recensionin”; por shpesh gazeta, e kënaqur me intervistën, harron për recensionin. Gjithsesi, lexuesin e kanë mashtruar: reklama i ka paraprirë ose e ka zëvendësuar gjykimin kritik dhe kritiku shpesh, kur shkruan, nuk diskuton më librin, por atë ç’ka thënë autori në intervistat që ka dhënë poshtë e lart.

Edhe intervista me politikanin duhej të kishte, parimisht, një farë peshe: këtë ose e kërkon politikani, që dëshiron ta përdorë gazetën si mjet – dhe është gazeta që gjykon nëse do t’ia japë atë hapësirë; ose kërkohet nga gazeta, që dëshiron të merret më në hollësi me një pozicion të caktuar të politikanit. Intervista serioze kërkon shumë kohë dhe i intervistuari (siç ndodh praktikisht kudo në botë) duhet ta shohë pastaj dorëshkrimin, për të shmangur keqkuptime dhe përgënjeshtrime. Por sot gazetat botojnë me dhjetëra intervista në ditë, prodhime të çastit, ku i intervistuari thotë ato që u ka thënë gazetave të tjera; por për të mposhtur konkurrencën, duhet që intervista e asaj gazete të jetë më kundërmuese se te gazeta tjetër. Prandaj marifeti është që t’ia nxjerrësh politikanit atë gjysmë deklarate që, më pas e amplifikuar, do të bëjë që të plasë skandali.

Mos vallë, në këto rrethana, politikani që gjithnjë del në skenë të nesërmen për të përgënjeshtruar çfarë ka thënë një ditë më parë, ka rënë viktimë e shtypit? Mos duhet t’i kërkojmë: “Po pse përzihesh, pse nuk përdor teknikën efikase të no comment?” […] Gazetarët parlamentarë thonë se, në të gjitha rastet e një deklarate të pasuar nga një përgënjeshtrim i vrullshëm, politikani i ka thënë vërtet ato fjalë, pikërisht që gazeta t’i botonte, dhe që ky të mund t’i përgënjeshtronte të nesërmen, duke lëshuar kështu një balonë prove dhe duke përcjellë një insinuatë ose një kërcënim atje ku dëshironte. Ashtu të vjen ta pyesësh kronikanin parlamentar, viktimë e politikanit dinak: “Po ti pse e duron këtë, pse nuk i kërkon që ta kontrollojë dhe ta nënshkruajë intervistën paraprakisht?”

Përgjigjja është e thjeshtë: në këtë lojë të gjithë fitojnë diçka dhe askush nuk humbet. Në atë masë që loja është kaq kaotike dhe deklaratat ndjekin njëra tjetrën, lexuesi e humb fillin dhe harron çfarë është thënë; nga ana e vet, gazeta e vë lajmin në krye dhe politikani nxjerr përfitimin që synonte. Ky është një pactum sceleris në dëm të lexuesit dhe të qytetarit. Është kaq i përhapur dhe i pranuar, se është bërë zakon në prapaskenat e profesionit. Por, si çdo shkelje tjetër, as kjo nuk funksionon mirë deri në fund: si për shtypin, ashtu edhe për politikanin, çmimi që paguhet është pabesueshmëria (inattendibilità) ose reagimi kualunkuist i lexuesit.

Çfarë e bën sot edhe më tërheqëse intervistën është ndryshimi rrënjësor i ligjërimit politik, i cili, duke adoptuar regjimet e debatit dhe të kacafytjes televizive, nuk është më i matur, por piktoresk dhe pandërmjetëm. Për një kohë të gjatë, jemi ankuar për politikanët italianë që lexonin një deklaratë të thukët dhe të pakuptueshme nga një copë letre, dhe kemi admiruar amerikanët, që para mikrofonave dukej sikur flisnin shpenguar, duke improvizuar, madje edhe duke kallur në ligjërim batuta të idhta. Mirëpo nuk paskësh qenë kështu: shumica e këtyre kishin ndjekur kurse në qendrat e oratorisë të universiteteve të tyre; ndiqnin dhe ndjekin sot e kësaj dite rregullat e një oratorie që duket si e improvizuar, por që rregullohet deri në imtësitë; thoshin dhe thonë (me përjashtim të rasteve kur bëjnë gafa) batuta të regjistruara në libërtha të posaçëm, ose që ua kanë përgatitur natën shkruesit e fjalimeve.

I shkëputur nga oratoria famullitare e republikës së parë, politikani i së dytës improvizon vërtet. Flet në mënyrë më të kuptueshme, por shpesh të pakontrolluar.

Nuk ka nevojë të thuhet se ç’vlerë ka kjo për gazetat […] Njëlloj si në pijetoren e fshatit, ku, pasi dikush i ka kthyer ca gota tepër dhe thotë një mufkë, të gjithë ata që ka rrotull do të bëjnë të pamundurën për ta nxitur që të thotë të tjera. Kjo është dinamika e provokimit, që modelohet në talk-show-t, dhe që pastaj edhe në raportin e kronistit me politikanin. Një pjesë e atyre dukurive që sot po i përkufizojmë si “helmim të luftës politike” vijnë nga kjo dinamikë e pakontrollueshme.

Sigurisht, e thashë edhe që, në këtë vorbull, lexuesit e harrojnë këtë apo atë deklaratë specifike; por çfarë mbetet dhe krijon zakon është toni i debatit, bindja që gjithçka lejohet.

 


Marrë nga Umberto Eco, Cinque scritti morali, Bompiani 1997. Pjesa e përkthyer është shkëputur nga një seminar i mbajtur në Senatin italian me senatorë dhe gazetarë nga gazetat më të mëdha në Romë dhe i botuar pastaj në 1995. Përkthimi është imi (A.V.) pa pretendime (dhe me fare pak shkurtime). E ftoj lexuesin të ketë parasysh se këto refleksione të Eco-s kanë për objekt mediat në një epokë kur Interneti ende nuk përdorej në masë dhe rrjetet sociale nuk ekzistonin.

Reklama

1 Koment

  1. Eh, sikur të kishte parë Umbertoja ato talk-show-t shqiptare, me ato gra të serta dhe ata burra telendarë që kërleshen në studio si maçokët te kazanët e plehrave, do ta kishte bërë televizorin siktir njëherë e mirë!

Komentet janë mbyllur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: