TË BËSH MIRË DHE SI

Një bisedë u zgjerua, te profili im në Facebook, në vazhdim – nuk po them përgjigje – të një pyetjeje prej meje: A jepni para për bamirësi?

Më pas u drejtohesha miqve të mi kështu:

Shumë nga ju janë në gjendje të mirë ekonomike dhe as që do ta ndienin financiarisht, sikur të dhuronin një pjesë të vogël të së ardhurave të tyre mujore, atje ku ta shohin të arsyeshme.

Pse nuk e provoni, pa i thënë njeriu?

Kjo pyetje më lindi gati padashur, në kontekstin e një dileme personale që kisha atë mëngjes. Përndryshe, gjithnjë e kam debatuar, me vete dhe me njerëzit e mi të afërm, nevojën për bamirësi.

Përvoja ime jetësore vjen në këtë pikë e dyzuar: vij nga një Shqipëri ku bamirësia praktikisht nuk ka ekzistuar; jetoj në SHBA, ku bamirësia është një nga themelet e bashkëjetesës civile.

Por edhe nuk jam i pari që e vë re sa mungon praktika e ndihmës dhe solidaritetit për Tjetrin, në Shqipërinë e sotme.

Nga reagimet e miqve, mësova shumë më tepër nga ç’prisja – disa nga refleksionet që pasuan po i përcjell këtu të përmbledhura, me komentet e mia.

Statusi im parakuptonte nevojën për ta lënë mënjanë teatrin e bamirësisë – i cili shpesh u shërben egove të inflacionuara të milionerëve.

Kështu edhe m’u përgjigjën, duke më përmendur një shprehje popullore edhe për mua shumë të vyer: bëje të mirën dhe hidhe në det.

Kjo përkon edhe me një precept të krishterë: “Kur jep me të djathtën, të mos shohë e majta.”

Nga ana tjetër, disa diskutantë më kujtuan se është e nevojshme që, herë pas here, aktet e bamirësisë të bëhen publike, për t’u dhënë të tjerëve një nxitje, nëpërmjet shembullit. Si të thuash, edhe bamirësia ka nevojë për reklamë.

Tek e fundit, edhe filantropia anonime mund të motivohet nga arsye mirëfilli egoiste.

Fetë e organizuara, në Shqipëri dhe gjetiu, janë në ballë të përpjekjeve për bamirësi, falë një tradite edhe në Perëndim edhe në Lindje, për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Jam në dijeni dhe i admiroj përpjekjet që bëjnë organizatat dhe individët, edhe të krishterë edhe myslimanë, për të dhënë për Tjetrin.

Por njëkohësisht mendoj se bamirësia nuk mund dhe nuk duhet kushtëzuar nga besimi në Zot, sepse shkon përtej këtij besimi.

Solidariteti me tjetrin nuk ka arsye pse të jetë solidaritet nën një qenie supreme, qoftë kjo edhe burimi absolut i së mirës.

Shumë nga ne e përjetojmë të mirën (mirësinë) dhe e ushqejmë, pa e lidhur doemos me Zotin.

Tek e fundit, nëse ti jep për bamirësi, dhe e bën këtë me shpresë se për këtë do të shpërblehesh nga Zoti, nuk po jep për bamirësi, por për të blerë mirënjohjen hyjnore.

Dhe nëse ti jep për bamirësi, ngaqë kështu porosit fjala e Zotit, duhet të pranosh se ka të tjerë që mund të japin të shtyrë nga motive të tjera. Madje – le të mos harrohet – nëse disa prej nesh japin rregullisht thjesht e vetëm sepse kujtojnë se ashtu përmbushin një porosi hyjnore (ose duke u bindur) duhet ta kuptojnë se ka të tjerë që japin pa u ndier gjë të urdhëruar nga lart.

Kyçi këtu është empatia, ose aftësia për të përjetuar dhimbjen dhe vuajtjen e Tjetrit.

U tha, në diskutim e sipër, se në Shqipëri këtë lloj dispozicioni e ka shkatërruar fryma e sotme e materializmit, egoizmit dhe lakmisë për t’u pasuruar me çdo kusht; sikurse u tha se në Shqipëri këtë lloj dispozicioni e ka shkatërruar eksperienca totalitare.

Ka shumë të vërtetë në dyja qëndrimet: shoqëria shqiptare është shoqëri moralisht e sëmurë, ku virtyti jo vetëm që nuk vlerësohet, por edhe mezi mbijeton.

Është një shoqëri e sunduar nga individë të pasur materialisht, por pa kapital dhe kapacitet moral.

Ndalimi i institucioneve dhe i praktikave fetare nën totalitarizëm ka luajtur rol në këtë shëmtim; por ky rol nuk duhet parë i veçuar nga faktorë të tjerë – përfshi këtu edhe bashkëjetesën fetare dhe specializimin e përkatësisë fetare si përkatësi identitare.

Një tjetër rrejshmëri, që e kemi trashëguar edhe atë nga e kaluara totalitare, është besimi se raportet me Tjetrin, përfshi edhe ato të empatisë, solidaritetit dhe ndihmës, duhen ndërmjetësuar nga Shteti.

Pa e stërholluar shumë argumentin, unë shoh këtu një prirje për ta zëvendësuar Zotin e feve tradicionale me Shtetin, përballë të cilit jemi të gjithë (ende) fëmijë.

Po të vazhdohej ky fill debati, do të mbërrinim herët a vonë te koncepti i welfare state. Gjithsesi, një debat i tillë do të ishte shterpë, po të kemi parasysh sa larg jemi nga realizimi i këtij welfare state në Shqipëri.

Të tjerë diskutantë e kombinuan nevojën për bamirësi me nevojën për drejtësi sociale – duke vënë në dukje, ndonjëri, se një shoqëri e drejtë e zbeh nevojën për bamirësi individuale, ose private.

I artikuluar në skaj, ky pozicion na çon tek ideja se bamirësia është gjithnjë paljative dhe nuk arrin t’i adresojë problemet (plagët) kryesore të një shoqërie.

Pa i paragjykuar kolegët që mendojnë kështu, kam përshtypjen se nevoja për bamirësi nuk duhet kushtëzuar, as lidhur me nevojën për drejtësi sociale dhe institucione të shëndetshme të shoqërisë civile dhe të shtetit.

Në fakt, demokraci shumë të zhvilluara, si SHBA, Australia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Zelanda e Re, Holanda, Norvegjia etj., janë në krye të listës së vendeve, qytetarët e të cilave “japin” më shumë – në filantropi, në ndihmë për Tjetrin dhe në vullnetarizëm.

Pa përmendur pastaj që bamirësi të theksuar gjen edhe brenda organizatave politike radikale – si grupet revolucionare; ose organizatave para-kriminale dhe kriminale, si Mafia.

Me fjalë të tjera – ata që nuk japin, sepse nuk janë mësuar, ose nuk e shohin të nevojshme – do të gjejnë arsye pse nuk japin; por këto janë arsye gjithnjë sekondare.

A mund të kompensojë bamirësia për mangësitë e politikave shtetërore të solidaritetit dhe barazisë sociale? Unë besoj se po, siç e tregojnë edhe shembujt më të mirë anembanë botës. A mund të ndërtohet një model i organizimit social mbi themelet e bamirësisë vetëm? Vështirë të thuash po.

Bamirësia dhe altruizmi shpesh diskutohen në të njëjtat kontekste; por sot altruizmin e sheh shpesh të debatuar brenda psikologjisë evolucionare, teorisë së lojërave dhe modeleve kompjuterike ose etologjike (të sjelljes së kafshëve).

Qëndrimi i kundërt, ose besimi se njeriu është vetvetiu i mirë, u lihet zakonisht feve. Çfarë edhe më duket të paktën e ekzagjeruar. Pa qenë besimtar, unë besoj se prirja drejt së mirës dhe empatisë është pjesë konstitutive e të qenit njeri.

Mes shqiptarëve, pavarësisht nga feja, ka pasur një traditë spontane të bamirësisë – të ushtruar nga të kamurit, drejt të skamurve. Kjo lloj ndihme dhe solidariteti kontribuonte vërtet për ruajtjen e strukturave sociale ekzistuese, por edhe i zbuste pasojat e varfërisë, gjithë pa i adresuar shkaqet e saj.

Për arsye fare kontingjente, të pasurit e sotëm, të përfshirë edhe në konsum të spikatur për të konsoliduar pozitën e tyre sociale ende të brishtë, shihen nga poshtë si moralisht të korruptuar: një kombinim ky i realizmit social, egalitarizmit totalitar dhe, të mos harrojmë, egalitarizmit fetar të krishterë.

Problemi është që shpesh këta të pasur janë të tillë, jo që nuk janë të tillë.

Gjithsesi, mua nuk më duket ky konstatim i mjaftueshëm, për ta diskredituar bamirësinë, madje edhe kur kjo është pjesë e teatrit filantropik, ose e konsumit të spikatur.

Bamirësia nuk mund të jetë kurrë pastrim parash.

E mira e një dhurate personale, është se ajo lejon anashkalimin (bypass) të regjimit të rishpërndarjes, të kontrolluar nga shteti; ose një farë izolimi sado simbolik të padrejtësisë sociale.

Kaq vetëm si fillim…

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin