Ngatërruar rrënjësh

Pasi u largova nga Shqipëria vite më parë, rrallë do ta vrisja mendjen për atë pjesë të identitetit tim etnik që e sillja me vete si Dranja e Camajt në dhé të huaj; as isha vetvetiu i gatshëm të pranoja se të tjerët do të shihnin në emrin tim shenjën dalluese, nëmos kërcënuese, të Tjetërsisë. Ky lloj diferencimi, edhe kur i mirësjellshëm, i ngjan gjithnjë përnjohjes që i bëjnë ujqit shoku-shokut duke u nuhatur, për t’ia ravijëzuar caqet kopesë dhe bashkësisë së interesave; lidhur aleancat e konfirmuar bashkëfajësitë. Shpesh diferencimi gjen shprehje në shtrembërimin – të ekzagjeruar – të shqiptimit në vetvete të vështirë të emrit tim, shoqëruar me buzëqeshjen përkatëse. Thuase e vetmja marrëdhënie ndërpersonale në një rrethanë të tillë do të duhej të ishte armëpushimi! Ende i pamësuar me instinktet dhe ritualet e grupit në Perëndim, gjithnjë i ngazëllehesha mundësisë për t’u tretur në turmën qytetëse, ose anonimitetit jo si mallkim, por si shfaqje e një përmase aq të nevojshme të lirisë vetjake.

Natyrisht gabohesha. Vitet nëntëdhjetë, e sidomos ky fillim i shekullit të ri janë vite të një ballafaqimi që shumëkush tanimë e ka njëjtësuar me përplasjen e qytetërimeve ose konfliktin e rrënjëve; identiteti i individit përballë u dashka zbuluar nëpërmjet përkatësive historike, kulturore, fetare. Në mbiemrin tim edhe unë mbartkësha identitetin mysliman, në mos oriental, të paraardhësve të mi. Ate identitet ua ekspozoja të tjerëve njëlloj si t’ua varja fotografinë e zverdhur stërgjyshëve në muret e dhomës së miqve, ose të këmbëngulja që ime bijë t’ia risillte emrin ndonjë plake rrudhaqe të larguar nga kjo botë prej kohësh. Këtë identitet të imponuar e ndaj me dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë, të cilët tek iu përvodhën limbos kulturore të Shqipërisë totalitare përfunduan të karantinuar, virtualisht, në një limbo tjetër; në pritje të zhdoganimit prej Zotërve të Këtejmë ose thjesht duke ëndërruar për një anonimat edhe më tërësor se ai i turmës metropolitane në Times Square.

Është në natyrën primitive të njeriut të rrijë kurdoherë syçelët ndaj tjetërsisë, sidomos kur kjo i avitet, i shkel në shtëpi e i ulet këmbëkryq në vatër. Megjithatë, ne shqiptarët rritur nën totalitarizëm kishim përsosur të tjera mekanizma mbrojtës – sa kohë që fetarizmin e mendonim tashmë folklorik, të kapërcyer, të muzeifikuar; dhe shekullarizimin e mjedisit si pikënisje edhe për të nesërmen jokomuniste. Deri edhe fenë tonë kombëtare të shqiptarizmit e dinim të përftuar sipas një formule të harresës dhe të shpërfilljes për “kisha e xhamia”. Në Perëndim, kredhur në oqeanin kulturor të një universi që pas vdekjes së ideologjive po i kthehej përsëri fesë si instrument identifikues dhe frymëzues, ne të ardhurit e ndiem kështu veten si ai personazhi i Molière-it, që nuk e paskësh ditur që fliste në prozë. Mysliman? Kurrë nuk kam ditur si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Në Evropë më ka rastisur të zvargem me minuta të tëra për të shpjeguar pse-të shekullore të përgjigjes, meqë identiteti i shqiptarit nuk u përcaktuakësh dot pa një kurs të shkurtër të historisë të Shqipërisë, madje të Ballkanit. Të paktën këtu në SH.B.A. edhe nga shpjegimi kam hequr dorë, për ta zëvendësuar me një ngritje supesh.

Vërshimi i shqiptarëve në Perëndim fatalisht përkoi me një zgjim të vetëdijës së këtejme për rrezikun e fondamentalizmit islamik – ndaj mirëqenies, rendit publik, lirive dhe të drejtave, vetë konceptit të shoqërisë së hapur. Tani kur përballet me amerikanin dhe evropiano-perëndimorin e rrugës, një myslimani në Perëndim i duhet të provojë disesi “pafajësinë” e vet, madje duke u vetëmohuar kulturorisht, ashtu sikurse u duhej ta provonin pafajësinë çifutëve në Mesjetën e Krishterë.

Dalë nga një mjedis krejt i shfetarizuar dhe i çliruar nga çdo lloj irracionalizmi mistik, e kam të vështirë të kuptoj jo vetëm motivimin shpirtëror të të gjithë atyre që janë gati të vrasin ose të vriten në emër të Islamit, por edhe frikën primordiale të Perëndimit ndaj jetërsisë orientale. Sa kohë gjëllija i ngujuar në kafazin totalitar, e përgatisja veten për atë moment kur bota “përtej” do të më pranonte pa më etimologjizuar. Por gaboja kur e mendoja kafazin totalitar si të vetmin kafaz të mundshëm.

Nga ana e vet, Evropa – që e mban në gji Shqipërinë – flirton çdo ditë e më zellshëm me identitetin e vet të krishterë: përtej idealeve iluministe dhe universaliste të revolucionit francez, shekullarizmit dhe humanizmit. Lufta kundër terrorit, shpallur bujshëm nga administrata e Bush-it, u ka dhënë zemër të gjithë atyre që progresin e njerëzimit nuk e ndajnë dot nga diferencimi: të mirë / të ligj, ne / ata, të bardhë / të zinj. Shqiptarët mbeten ende të angështuar nga rreziku – imagjinar dhe real – se mund t’i përfshijnë tek “ata” e t’i lënë jashtë, t’i quajnë kontingjent të armikut e të papërshtatshëm për t’u qasur brenda mureve.

Tani që shkruaj, në forume të ndryshme shqiptare diskutohet se kush do të jetë ministër i Jashtëm i qeverisë dalë rishtas në Tiranë prej zgjedhjeve të qershorit 2005. Shumë diskutantë mendojnë se Nano gaboi kur emëroi në atë detyrë dikë me mbiemrin “Islami”. Po vallë do të na pranojë vërtet Evropa po të përlyhemi me makijazh e të vishemi tepdil si në ditë të Karnavaleve?

Një përgjigje të trishtuar kësaj pyetjeje ia jep fati i shumë Mahmutëve, Nexhmedinëve, Dautëve dhe Abdylëve mërguar gjatë viteve nëntëdhjetë në Greqinë fqinje, ku i shtrënguan të riformatohen sipas parametrave qytetërues të atjeshëm, duke u vënë emra grekë të kulluar. Madje, më shumë sesa prej shtrëngimit, tanët i pranuan emrat vullnetarisht, të bindur se identiteti i ri do t’ua hapte dyert e shoqërisë greke – përndryshe mbyllur me dryn për “myslimanët”. Ky lloj evangjelizimi post-modern është edhe riprodhim i një raporti të përçudnuar midis një identiteti që e mendon veten zot, dhe një identiteti tjetër, që duhet ta mendojë veten skllav; ose një kryqëzatë politike madje ekonomike, fryt i një mendësie vjetërane që rreket të dëbojë nga e sotmja iluminizmin dhe modelin humanist të zhvillimit.

“Nuk ke pse të shqetësohesh kaq shumë për farsën e ndërrimit të emrave ndër mërgimtarët shqiptarë në Greqi,” më thoshte një i njohuri im grek. “Tek e fundit, për të gjithë ju ky ripagëzim është edhe kthim në origjinë, meqë të krishterë ishit edhe para se t’ju konvertonin me pahir turqit osmanë.” Në këtë rast, historia i vjen në ndihmë paturpësisë, por nuk di pse përgjigjes m’i ngatërrohen fjalët në gojën prej ballkanasi.

Më kujtohet edhe si dikur, teksa hanim darkë me miq italianë të rastit në Napoli të Italisë, njëri prej tyre kërkoi të dinte nëse ime bijë Flavia (emër relativisht i përdorur nga të krishterët latinë) ishte pagëzuar në Shqipëri, apo në Itali. I thamë që nuk e kishim pagëzuar, as kishim në plan që ta pagëzonim. Heshtja në tryezë u ngriu të gjithëve në mollëza si brymë. Ma allora è un animale![1] u dëgjua të thoshte një vajzë e mitur duke kërkuar me sy miratimin e prindërve. Çuditërisht, bash në ato çaste – megjithë dekadat kaluar nën absurditetin e diktaturës dhe padomethënien metafizike të Shqipërisë së vogël në rendin planetar të sendeve – m’u përhi vetja aq superior, si shqiptar. Superior pse falë një kombinimi të rastësisë historike dhe të urtësisë së të parëve të mi, unë shqiptari i isha larguar kaq shumë Mesjetës, obskurantizmit, shpirtngushtësisë dhe fanatizmit religjioz, sa mund të buzëqeshja përballë këtij spektakli shokues mu në zemër të Evropës plakë.

Që nga ajo ditë metafora e zooparkut nuk më shqitet prej përfytyrimit, edhe pse nuk i jap dot dum se nga cila anë e hekurave gjendem.

[2005]


[1] Ital.: Qenka kafshë, atëherë!

1 Koment

  1. Cdo ishte Europa pa Krishterimin pervecse nje vend barbaresh?

    Hiq vendet e Perandorise Romake, ku Roma coi civilizimin, si psh France apo Angli, gjithe pjesa tjeter e Europes ishte barbarike ne kuptimin me te plote te fjales, njerez te eger qe vrisnin e prisnin ctu dilte para, gra,femije e pleq, me zakone egersirash qe vinin edhe si pasoje e perdorimit te tepruar te alkolit ashtu si e perdorin edhe sot.

    Termi vandalizem vjen prej vandaleve nje prej ketyre fiseve gjermanike, nderkaq sllavet kane qene me afer me mongolet e me tribute e stepave qe kishin fqinje deri ne shek 17.

    Cndodhi ne Europe? Ndodhi qe anglia u barbarizua nga anglo-saksonet, qe shkaterruan cdo gje te mire qe Roma kish mbjelle ne ate vend. Atehere misionaret irlandeze me durim e kthyen perseri ate vend te barbarizuar ne gjirin e vendeve me njefare civilizimi.

    Franket u kristianizuan e keshtu shpetoi dicka nga civilizimi i meparshem. Jo vetem kaq, po fale Karlit te madh , tribute ende barbare te Gjermanise si saksonet apo turinget ne fillim te shek 9 filluan te dalin nga barbaria, me prerjen e Irminsulit dhe ngritjen e Kishes se Krishtit.

    Fiset sllave ne stadin e barbarise(pervec ballkanit ku ndikimi bizantin ishte i qarte si tek bullgaret ashtu edhe tek serbet apo ai katolik tek kroatet) shtriheshin nga Elba e Hollshtejni danez deri ne Vollge.

    Aty ne shek 10 u punua gjeresisht nga kisha qe keto vende te dilnin nga stadi i barbarise e keshtu polake , ceke e sllovake u futen nen kujdesin e Vatikanit ndersa ata te Rusise ne kujdesin e Bizantit.

    Si Vatikani ashtu edhe Kostandinopoja , ndertuan kisha, i hoqen nga poligamia, nga mentaliteti barbarik i ‘shiko e shkaterro’ etj e i hoqen perfundimisht nga barbaria.

    Te fundit ishin Vikinget, keta barbare te tmerrshem qe terrorizuan per 2 shekuj gjithe europen perendimore e u futen edhe ne mesdhe e kudo kalonin, linin prapa vetem zjarr e shkaterrim. Nuk po flas per vikinget e televizorit por per ata te realitetit. Arabet e Spanjes sado te fuqishem nen Kalifatin e Kordobes (Kordoba kishte 500 mije banore) perseri u terrorizuan nga keta ‘njerez’.

    Ne shek 11 u kristianizuan edhe keta e me ne fund dolen nga barbaria per tu futur ne kopene e krishtere.
    Po ashtu me hungarezet, ky fis i tmerrshem i stepave, qe shkaterroi gjysmen e ballkanit dhe Europes qendrore, pas 150 vjet shkaterrimesh pa fund u fut ne udhen e Zotit e me ne fund ne shek 11 pas 8 shekujsh shkaterrimesh barbarike Europa e vjeter ndihej e sigurte pasi Europa e re gjermano-sllave me ne fund hoqi dore nga barbarizmat.

    Europa si ide e si realitet ka lindur nga Roma e Kostandinopoja, revolucioni francez eshte nje ngaterrese apo pengese pergjate rruges.

    Pax cristiana i dha europes 5 shekuj qetesi, gjate te ciles u civilizuan ish-barbaret si nga ana materiale ashtu edhe moralo-spirituale,
    Ne shek 16 Europa kishte mbledhur aq fuqi fale kristianizmit saqe tani mund te ecte me kembet e veta, krimbi u be flutur, luani i ri u rrit e duhet te deboje luanin e vjeter e te marre ne dore fatet e kopese. Krishterimi asfiksues u be pengese, duhej nje krishterim me i hapur me tolerant.

    Zhdukja e fese eshte nje ide moderne dhe e majte , e hedhur nga jakobinet franceze, marksi e bolsheviket, keshtu qe detyrimisht e gabuar.

    Europa e sotme po kerkon rrenjet e saj te verteta, po kerkon te vetmet rrenje qe mund te ushqejne nje identitet mbareeuropian, po kerkojne nje ‘Pax cristiana’ te koheve moderne.

    Ne shqiptaret duhet te thirremi jashte , Europa mjafton si ide ekonomike e familjes se degjeneruar dhe e jetes se shthurur e detyrimisht,individit te stresuar, vendi ku dopohen tek individi shpresa e pritshmeri qe jane jashte mundesive te tij e pse jo jashte vete realitetit .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin