MËDITJET E NDERIT

Para pak ditësh, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja paraqiti një ankesë, pranë Urdhrit të Mjekut, kundër dy mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët dhanë deklarata publike të gënjeshtërta në lidhje me vrasjet e 21 janarit 2011.

Në lidhje me këtë gjest të rëndë të këtyre dy profesionistëve shkroi një editorial tani edhe Skënder Minxhozi, tek Tema.

Mjekët në fjalë, dr. Koçeku dhe dr. Gega, ishin në gjendje t’i jepnin publikut, aso kohe, atë pjesë të së vërtetës që mundeshin – por zgjodhën të gënjejnë, sipas çfarë shkruhet dhe thuhet; për të mbrojtur palën vrastare.

Gjunjëzimi i ekspertit para pushtetit nuk habit; sepse eksperti rregullisht i gjunjëzohet pushtetit (kur iu desh pushtetit ndonjë ekspert dhe nuk e gjeti?).

Është e rëndë, megjithatë, kur një mjek luan me pritshmëritë e publikut; sepse mjekun e duam të jetë jo vetëm ekspert dhe rrogëtar, por edhe autoritet moral, me akses të privilegjiuar ndaj së vërtetës.

Po të shohësh tani rolin që luan dhe peshën që ngre fjala e ekspertit në proceset hetimore dhe gjyqësore, e kupton edhe më mirë se çfarë shkatërron pikërisht gënjeshtra e këtyre mjekëve, ose edhe vetëm shpërfillja ndaj realitetit ashtu siç vetëm ai mund ta shohë.

Vetëm pak javë më parë ndodhi aksidenti i rëndë me Olldashin, i cili iu shpjegua publikut përmes fjalës edhe të mjekëve dhe ekspertëve të tjerë.

Pa paragjykuar këta të fundit, gjesti i pandëshkuar i Koçekut dhe i Gegës ka vënë në pikëpyetje çdo ekspertizë të mëpasme; gënjeshtra e djeshme e bën pothuajse të pamundur zbardhjen e së vërtetës të sotme.

Autoriteti, pasi u ka humbur individëve, tani po u humb edhe figurave profesionale.

Çështja mund të duket sikur i përket drejtësisë, por në fakt lidhet e tëra me etikën; meqë gjithnjë mund të pyesim, dhe do të pyesim, nëse ka kuptim ligji në një shoqëri të pamoralshme.

Problemi vjen e zhvendoset, pra, nga moraliteti i ekspertit, te moraliteti i shoqërisë që e ka nxjerrë këtë ekspert dhe që ka nevojë t’ia dëgjojë fjalën.

Mirëpo një mjek që gënjen i shërben jo jetës, por vdekjes.

Në Shqipëri të thonë se, kudo që të shkosh e ngado që të kthehesh, ndesh në njerëz për të cilët etika nuk vlen më shumë se ç’i vlen lëkura e vjetër gjarprit.

Këtyre as familja, as shkolla, as komuniteti, as feja, as republika nuk u kanë edukuar as selitur ndonjë farë vetëdije etike; respekt për të vërtetën dhe ndershmërinë; pa folur pastaj për altruizmin dhe të tjera virtyte të holla.

Vallë ka më rëndësi që të rinjtë të gatiten për tregun e punës, apo të pajisjen me virtytet etike elementare për të qenë qytetarë të mirë?

Dy mjekë gënjejnë për mënyrën si janë vrarë viktimat; një inxhinier gënjen për integritetin e një pallati ose të një dige; një kimist gënjen për shkallën e një ndotjeje kimike; një firmë farmaceutike gënjen për cilësinë e barnave që shet; një laborator bashkiak gënjen për analizën e ujit të pishëm…

Gabimisht, ngaqë kushedi jetojmë në një shoqëri të varur nga teknologjia, ia kemi lënë autoritetin ndaj së vërtetës në dorë ekspertëve si default; pa e kuptuar se në një shtet që e përdor drejtësinë si instrument dhe për një publik që nuk pyet për etikën para pragmatizmit, fjala e ekspertit veç i bën jehonë vullnetit të pushtetit.

Po a mund të mbijetojë një shtet, kur një masë kritike qytetarësh veç mendon e përpiqet si ta vërë “të vërtetën” në shërbim të vet?

Fetarët do të thonë, në këtë rast, se anomia e pakthyeshme është ndëshkim i merituar për një shoqëri që ia ka kthyer shpinën Zotit duke rendur pas të mirave materiale dhe parasë.

Por unë do të doja të pyes, këtu, nëse ka ndonjë farë shprese për ta mbështetur drejtësinë dhe moralitetin, përfshi këtu edhe respektin ndaj së vërtetës, pa iu falur frikës ndaj Zotit.

Në Perëndim shpesh ka ndodhur që shteti dhe ekspertët e tij mashtrues të jenë vënë me shpatulla për muri prej shoqërisë civile; sikurse ka ndodhur që ata pak luftëtarë me profil të lartë etik – të cilët janë të paktë me përkufizim – kanë shfrytëzuar, në betejat e tyre, përplasjet dhe kontradiktat midis pushteteve.

Por edhe kjo zgjidhje mbështetet, siç mund të merret me mend, në integritetin moral të individëve dhe të grupeve.

Prandaj edhe do të doja të pyes sërish: nga do të vijë ky integritet moral kaq i domosdoshëm, në shoqërinë shqiptare të sotme?

Nuk ka komente

  1. Dy gjera dua te theksoj : mjeket ne fjale s’jane eksperte mjeko ligjore, por kirurge prandaj kane dhene nje mendim jo profesional, jo zyrtar dhe jo ligjor, te rembyer ndoshta nga emocionet e situates. Ndersa nderhyrja e ministrit te shendetsise eshte krejt e pavend ndaj nje institucioni te pavarur sic eshte urdhri i mjekut, thjeshte per propagande partiake, per t’i bere qefin familjareve te viktimave, per t’i treguar se qeveria po interesohet.

    1. Mund edhe të mos kishin dhënë mendim – por e dhanë. Zelli për të folur më duket edhe më i dënueshëm se gënjeshtra ose gabimi.

      1. Nuk besoj se eshte zelli per te folur sesa zelli per t’i sherbyer ne kembim te nje favori qe te mban peng gjithe jeten si grepcja ne buzen e ariut qe e terheq arixhiu gjithe jetes pas vetes.Ariu i shkon pas te zotit dhe kercen sa here ai ka nevoje per ‘para’ sipas ritmit te nevojave te atij qe te ka bere dicka.

        Dhe ky akt eshte me shume i denueshem se gjithshka,pasi sherben si ‘ekspertize’ justifikuese e nje akti kriminal,duke i dhene mundesi kriminelit te jete i lire dhe ne ne pritje te nje krimi tjeter,pasi eshte i korracuar nga ekspertiza.Dhe me keq akoma kur keta kane influence ne opinionin publik pa qene ekspert mjeko ligjor,pasi flasin ne media publike duke iu ritrasmetuar kaq shume here sa te te behet e vertete.

        Fati i tyre eshte se merret vetem urdheri i mjekut me ‘falsifikimet e tyre’ dhe jo drejtesia per ‘deshmi te rreme’,dhe nese do te kishte drejtesi do te shihnim sesi do te perfundonin…

        Keshtu ndodh ne kete mehallen tone,kur boll qe te kesh nje diplome dhe mund te flasesh per cdo gje si ekspert,pasi te diplomuarit e tanishem jane te shkolluar me ‘pare’…

        Per mua,dhe mendoj per profesionin e tyre delikat keta jo te denohen por te perjashtohen nga armata e njerezve te betuar ,pasi te vdesin e te ngjallin sipas terheqjes se litarit qe te ka cengelosur prej buze…

  2. Ne kushtet qe jetojme ne vendin tone eshte e pa mundur qe ekspertet apo specialistet te bejne profesionin e tyre.Ata nuk bejne dot pune te pa varur sepse ndikohen shume nga politika apo titullaret.Artikulli me pelqeu shume.

  3. Disa pyetje: Kush e provoi qe mjeket genjyen? Nga ju buron siguria juve Z. Vehbiu qe ajo qe thoni ju eshte e vertete? A pati kunder-ekspertize?

    1. Nga hena vjen ti or zotni?! E provoi gjyqi qe u be dhe percaktoi Prendin e Llupon si vrases ndonse i denoi sikur te kishin vrare ndonje pule pa dashje..

    2. Robert, përgjigjen sapo ta dha Fatma; por më ler të shtoj që, edhe sikur ankesa e ministrit Beqja të mbështetej mbi një kundërfakt të paprovuar, shkrimi im më lart njëlloj do të qëndronte (duke ndryshuar personazhet).

  4. Sic thate edhe ju vete ketu dalin dy raporte te qenesishme experti si individ I pamvarur dhe roli I shoqerise ndaj ketij individi te mesuar e specializuar qe flet ne emer te kesaj njohurie. Ne nje shoqeri ku individi varet teresisht nga shteti per te mbijetuar, nuk mund te behet fjale per ekspertize apolitike, Pasi dihet qe edhe vendet e punes ne spitale ashtu si dhe me pare percaktoheshin e percaktohen nga qenia politike. Se dyti mungesa e plote e organizatave shkencore ose te ekspertizes qe jane te amvarura nga shteti e ben asnjanesine te pa kontrollueshme e te pamundur, kunderexpertiza nuk ekziston. Nga Ana tjeter prrseri shkohet drejt denimit te ketyre mjekeve nga ministria dhe nga shoqeria sic those autori. mbase genjyen por perseri eshte e drejta e tyre, ne fund te fundit. Nese genjeshtra vertetohet dhe demtoi processing gjyqesor atehere le te denohen sipas ligjit. Denimi me opinion nuk eshte I drejte per kedo.

    1. Nuk më duket se ka “dënim nga Ministria” – Ministri Beqja vetëm sa është ankuar.

      Kundër-ekspertizën i bie ta ofrojë shoqëria civile ose, bie fjala, një ekspert i sjellë prej avokatit në gjyq. Nuk më duket e pamundur të gjenden ekspertë të pavarur – tek e fundit, ka një numër të madh mjekësh që punojnë në spitale ose në praktika private.

      Prandaj unë nuk jam dakord me atë që thua: “në një shoqëri ku individi varet tërësisht nga shteti për të mbijetuar…” Nuk më duket se i përgjigjet realitetit. Në Shqipërinë e sotme mjekët nuk është se janë shtresë e rrezikuar për të mbijetuar; dhe pastaj shumë mjekë nuk kanë fare lidhje me shtetin si punëdhënës – meqë punojnë në spitale ose klinika ose praktika private.

      Nuk është nevoja që i bën këta ekspertë të gënjejnë – por gatishmëria për t’i shërbyer autoritetit. U mungon kurajoja civile, pra; jo buka në tryezë.

      Dhe më në fund – jemi duke diskutuar fare anash. Këtu nuk është puna nëse duhen dënuar apo jo ekspertët që mashtrojnë; por tek ekspertët që mashtrojnë.

      1. Mjeku vete mbase punon ne privat por ka apo s’ ka familje ky mjeku ? Apo ky mjeku edhe nese ka familje i ka te gjithe te punesuar tek ndonje privat i huaj, i cili nder te tjera eshte edhe superkorrekt me taksat. Ok ky mjeku ideal mund edhe te gjendet, po mjere ai po pati ndonje pune me shtetin. Kurajoja civile eshte profesion me vete, te hap e mbyll dyer, dhe profesionalizimi kerkon profesioniste jo qytetare dosido. E ka kapur leku kurajon civile; o litarin o dollarin, tha.

        1. Jam dakord: nuk mund t’i kërkosh tjetrit të tregojë kurajo civile. E megjithatë, diku dikush gjithnjë do të gjendet – një kombinim i virtytit me dëshpërimin, por edhe me pak kokëshkretësi.

          Por, si gjithnjë, nuk jemi gjë peng i dy opsioneve vetëm: ose megafon i pushtetit, ose whistleblower. Njeriu mund edhe të heshtë: protestat më të mëdha shprehen me heshtje.

          Mua ata dy mjekët, dhe qindra të tjerë si mjekët, nuk më shqetësojnë ngaqë nuk janë ngritur kundër shtetit – por ngaqë janë ngritur në përkrahje të shtetit, edhe pse shteti sapo kishte vrarë njerëz dhe kufomat e të vrarëve ua kishin sjellë atyre dy mjekëve për t’i parë.

          Të njëjtët lloje njerëzish ishin ata që dje ngriheshin vullnetarisht dhe të akuzonin për armik, në mbledhjen e lagjes ose të kolektivit. Dje e bënin më shumë nga frika, sot më shumë për të përfituar.

          Nuk mund t’i kërkosh tjetrit të tregojë kurajë civile. Mund t’i kërkosh, besoj unë, të tregojë pak dinjitet dhe të mos i dalë zot një dordoleci, por të distancohet me heshtje.

          Sa për kurajën, e kuptoj: vetëm vetes mund t’ia kërkojmë.

          1. Kategoria e skifterave , nese do linim menjane gjykimin moral, mire vs keq. E ka fajin sistemi, jo njerezit do thoshte kryeministri. Paradoksalisht ne Shqiperi njerezit me te lire jane fshataret qe kane pranuar gjendjen e tyre, pasi s’ kane shume pune me shtetin e pushtetin. Ne njefare menyre jane me mire ata qe jane me keq. Duhet me qene liberale te pandreqshem se shteti eshte edhe miku edhe armiku me i madh i shqiptareve.

  5. Me teper se sa tek genjeshtra ne vetvete une e shoh demin me se shumti ne perzierjen e genjeshtres me te verteten qe mendoj se eshte nje nga cilesite me djallezore qe mund te egzistojne. Madje mendoj se ky eshte Djalli autentik jo aq shume ne kuptimin fetar te fjales se sa ne kuptimin e nje fenomeni qe demton njeriun apo komunitetin. Mjafton te imagjinosh se sa e pamundur behet jeta ne nje realitet ku ti nuk arrin te kuptosh se cfare eshte e vertete dhe cfare jo, ku ne cdo moment te dites tende ti duhet te perballesh me njerez dhe pohime, aq me teper profesionale tek te cilat ti nuk arrin dot te kesh sigurine qe jane te tilla. Ne Shqiperi ky eshte nje fenomen mjaft I theksuar. Fillon qe nga mungesa e respektimit te ores se takimit (jo vetem me miq, por edhe me kolege dhe njerez skuadre) dhe deri tek fjala e genjeshtert e nje eksperti si permendet ne artikull.

    Nuk e di nese per kete problem duhet serish t’ja atribuojme fajin regjimit te meparshem diktatorial apo nese ky ka qene I perhapur edhe para ardhjes se regjimit. E vertete eshte se nje vend qe enfatizon shume cilesine e beses ndoshta ndonje problem duhet te kete me kete te fundit.

    Gjithsesi per ta mbyllur me nota positive, une mendoj se shqiptaret nuk duhen pare thjesht si te tille, por mbi te gjitha si njerez dhe eshte ne natyren njerezore instikti per te mbijetuar. Rrjedhimisht nese fenomene si genjeshtra e perzier me te verteten behen pengese per mbijetesen e njeriut dhe te komunitetit atehere une kam besim se gjerat do te ndryshojne per me mire edhe ne vendin tone. Eshte e vertete qe ne vitet e shkuara ne kemi patur nje hemoragji te madhe persa I perket njerezve qe jane larguar nga ky vend/komunitet ndoshta pikerisht sepse nuk perballonin edhe probleme si ky qe po trajtojme, por derisa ende pas gjithe ketyre viteve jemi ende ketu, ndoshta nje shprese ka.

    Olsi

    PS: Eshte hera e pare qe shkruaj ne kete blog edhe pse e lexo here pas here dhe ju pergezoj per layout-in e ri.

  6. U be dy dite qe Mero Baze, ka dale dhe ka thene qe ai Olldashi i ka thene qe ai vete e shpiku historine e makines se mbushur me dinamit qe iu vervit kangjellave te kryebajrakhanes.
    Asnje bubullime shoku dhe revolte nuk erdhi nga media, publiku, pale te interesuar apo qofte edhe ndonje individ nga ato qe bejne derr-derr neper televizionet e Tiranes.
    Kaq per pritshmerite ndaj etikes te popullit tone te dashur.
    As e denoi njeri as e mohoi njeri as ja fershelleu njeri kesaj akuze te Mero Bazes.
    Telha’

    1. Po nuk ka sesi te kete reagim kur te gjithe tashme e dine prej kohesh qe ka qene nje sajese. E dine gjithashtu prej kohesh se personi qe tani del se e nxorri kete sajese ishte ne lartesine e shemtise se sajeses se tij. E aq me shume nuk kane sesi te reagojne ndaj thenieve te nje gazetaruci te cilin e dine prej kohesh se flet si kofini pas te vjeli duke marre rolin e dinjitozit.

      Si te thuash, nuk reagojne se te gjithe e dine…

  7. Scapegoat.

    Ose bjeri samarit per hir te gomarit, ose nuk qitet derri prej bishti, ose premtuam drejtesi per 21 janarin por pervjetori erdhi shpejt dhe kemi bere gje, as kemi ndermend te bejme, keshtu qe ec te bejme nje ankese per mjeket. Pleqeri te mbare Berishes, tha Rama kur erdhi ne pushtet. Dr Mziu u arrestua. Bac u kry.

    Sa per venien e lupes per deklaratat e mjekeve te asaj kohe dhe duke anashkaluar keto te tjerat qe s’na interesojne, ose qe jane ‘te komplikuara’ sic tha Llalla sa per te kaluar radhen dhe ai, mjeket sipas Rames s’kane faj, fajin e kishte sistemi i Berishes; ata sipas Rames dhe amerikane ose gjermane po te ishin ashtu do benin.

    Ceshtja eshte: kur dhe si do filloje ndertimi i “sistemit te ri”. Keto te tjerat jane detaje dhe/ose muhabete.

    1. Xhib, edhe Al Capone-n për ca parregullsi me taksat e mbërthyen. Qeveria e kap lepurin me qerre, tha; me kusht që të ketë qeveri dhe qerre, pa llogaritur lepurin.

      1. Po, po ketu s’behet fjale per mberthime, po thjesht per fleterrufe; nuk eshte se keta po merren ne pyetje si e qysh e pse thane ate qe thane.

        Nderkohe per koincidence, sot News 24 raportoi per skandalin e gestapolleqeve pa shkresa dhe me urdhra verbale nga Kryeministri per te nderhyre naten ne fundjave tek 34 serverat e tatimeve, dhe me pas per te cuar ne polici 22 persona te stafit te IT te cilet refuzuan te bashkepunojne me ekspertin qe shpali videon Meta-Prifti si jo origjinale (Ermal Beqiri, 1 nga 3 ekspertet e famshem) pa formalitete dhe protokolle.

        Kjo po qe ishte mesele me qerre, anipse me gjase pinpongerisht (per cfaredo arsye News 24 vendosi ta beje kete denoncim, duke ditur qe ka qene e bute ndaj Metes), jo keto fleterrufete e Beqes sa per te shenuar nje vije ne leter tek faqja “beme dicka per 21 janarin”.

  8. Qe ankesa e ministrit Beqja te merret si nje reagim ne rrafshin etik, te jete e besueshme dhe mos mbetet thjesht si hakmarrja politike e radhes duhet qe ministri te denoncoje dhe te marre masa se pari per te gjithe mjeket e korruptuar qe e kushtezojne sherbimin ndaj pacienteve me ryshfete.
    Ne spitalin e Tiranes tashme jane bere publike listat me “tarifa” per nderhyrjet kirigjikale: kaq per nje apendicit, kaq per nje hernie diskale, kaq per heqje temthi etj. Nuk e kemi degjuar ndonjehere ministrin te “ankohet” per keto.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin