PARTISANSHIP

Mjaft të mendosh dy minuta, për dallimet mes PS-së dhe PD-së në Shqipëri, për të mos thënë pushtetit dhe opozitës dhe, aq më pak, të majtës dhe të djathtës (me LSI-në si variabile impazzita), për të kuptuar se këto dallime, të përkthyera në gjithfarë kundërvëniesh dhe antagonizmash, nuk kanë aq lidhje me programet e tyre, ose arsyet formale të ekzistencës së tyre kushtetuese, sa ç’kanë me interesat private të grupeve të pushtetshme, personalitetet e liderëve, historinë (Luftën Na-Çl dhe luftën e klasave) dhe gjeografinë (tribalizmi, Veriu dhe Jugu).

Përndryshe, fare mirë mund të kish ndodhur që Rama, sa për të sjellë një shembull, të gjendej në krye të PD-së dhe Basha në krye të PS-së; nuk ka asgjë në profilin e këtyre dhe në historinë e tyre politike, që t’ua përcaktojë pozicionimet politike të tanishme.

Lufta politike, që në Tiranë ka marrë trajta groteske, është doemos shprehje konfliktesh të tjera – si kudo gjetiu; por në Shqipëri, vend me ekonomi parazitare, që nuk krijon pasuri, ajo veçanërisht ka të bëjë me kontrollin ndaj parasë publike. Askush nuk mendon se mundimet titanike të krerëve dhe të kupolave të Partive, për të qëndruar në pushtet ose për të marrë pushtetin, kanë ndonjë raport çfarëdo me idealet politike, misionet dhe synimet e palëve.

Partitokracia nuk mjafton, për ta shpjeguar se çfarë po ndodh; aq më tepër që shumica e qytetarëve politikisht të rreshtuar, me opinione gati automatike për të gjitha çështjet në konflikt, nuk janë në fakt të organizuar në partitë politike dhe nuk kanë “jetë partiake”. Për shqiptarin e rrugës, të jesh i PS-së ose i PD-së është çështje identiteti, që shkon më thellë se rutina e përditshme dhe angazhimi qytetar. Në kuptimin që ti je me PS-në jo sepse të bind ajo që thotë, bie fjala, Rama në ERTV; por të bind ajo që thotë Rama në ERTV ngaqë je me PS-në. Ti je militant jo sepse beson në një gjakim politik, por beson në një gjakim politik sepse je militant.

Për këtë arsye, militantët dhe qytetarët “e angazhuar” në përgjithësi i marrin opinionet nga mediat përkatëse si të ishin uniforma të shpërndara falas, nga magazina partiake. Në kuptimin që ti je i PS-së ose i PD-së dhe prandaj qëndrimet e tua duhet t’i mbash ashtu siç të orientojnë vatrat propagandistike të njërës palë ose të tjetrës. Propaganda synon që të mos lërë asnjë hapësirë, tek ti, për mendimin kritik; por, edhe kur dështon, përpiqet të të bindë që çdo stepje e jotja, çdo distancim, çdo zhgënjim i shprehur publikisht shkojnë në favor të anës tjetër.

Në anglisht kanë një fjalë për këtë dukuri: partisanship. Në trajtat e veta ekstreme, partisanship-i i bën njerëzit të parashikueshëm, në mos të mërzitshëm; duke ua anuluar individualitetin dhe duke i kthyer në megafonë të palës së tyre. Njëlloj si me fanatikët fetarë, edhe me këta lloj “partizanësh” nuk mund të flasësh, sepse këta nuk janë pykë, e kanë humbur aftësinë për gjykim moral të pavarur; dhe dallimin mes së mirës dhe së keqes e kanë projektuar mbi dallimin midis grupit të tyre dhe grupit kundërshtar. Kur bëhen bashkë, ata të PS-së nga njëra anë, ata të PD-së nga ana tjetër, përplasjet mes tyre, debatet, mosmarrëveshjet dhe konfliktet vetëm sa i shërbejnë riprodhimit të grupeve.

Dasitë politike kanë marrë me të shpejtë ngjyrime të forta etike; çfarë nuk i lë vend pluralizmit, si faktor plehërues i ideve dhe i debateve. Për militantin, ata të palës tjetër nuk janë thjesht “ndryshe”, por janë edhe të dënueshëm, të papranueshëm, të dëmshëm. Në rrethanat kur konfliktet politike nuk zhvillohen më rreth ideve, alternativave dhe projekteve, por rreth personave në pushtet (liderëve), atëherë e keqja, si hije metafizike, mishërohet dhe funksionon si motivim kryesor, në teatrin e përditshëm të politikës.

Kjo nuk do të thotë se politikë nuk bëhet më; përkundrazi, krerët e forcave politike kanë treguar dhe me siguri do të konfirmojnë edhe më pas se janë gati për kompromiset deri edhe më të paimagjinueshme, për të realizuar synimet e tyre praktike (pushtetin). Por ky lloj komunikimi ndodh gjithnjë në fshehtësi, larg syve të militantëve. Ideja është që konflikti politik në nivelet elitë, edhe kur ndodh vërtet edhe kur vihet në skenë, duhet të ushqejë përçarjen poshtë dhe të riprodhojë mëritë reale të militantëve të secilës palë. Me fjalë të tjera, interesat praktike, pragmatike dhe shpesh meskine të protagonistëve të jetës politike përkthehen si kundërvënie dhe antagonizma reale, ose forma mirëfilli të urrejtjes, poshtë në bazë. Sido që ta rrotullojnë zyrat e public relations, në rrethanat e ndarjes më dysh dhe të partisanship-it total, politika ka më shumë nevojë për urrejtjen që mbahet gjallë poshtë në bazë, se ç’ka nevojë për simpatinë, përkrahjen dhe pjesëmarrjen.

Partisanship ka kudo: unë e kam dëshmuar drejtpërdrejt edhe në Itali edhe këtu në SHBA, ku ndarjet mes së majtës dhe të djathtës, përkatësisht demokratëve dhe republikanëve janë thjesht aksiomatike, në raport me çdo shtjellim të diskursit dhe të komunikimit politik. Ajo çfarë e dallon Shqipërinë, nga këto vende të tjera, është mungesa e buffer-it, ose e shoqërisë civile; ose e idesë se ka jetë edhe përtej konfliktit pseudo-homerik mes Ramës dhe Bashës. Prandaj edhe te ne pluralizmi është ende i dënuar të përjetohet – dhe të realizohet – si antagonizëm; dhe qytetarët të mos mund të komunikojnë dot mes tyre në publik, përveçse në hapësirën primordiale të përçarjes (dasisë); madje e sidomos atëherë kur do të ishte në interesin e tyre absolut, që të bashkëpunonin.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Nuk e di se me ç’kuptim e keni përdorur termin “shoqëri civile” në paragrafin e fundit në shkrim, por shoqëria civile në thelb është institucion privat, qofshin këto sindikata, shoqata të grave, studentëve, etj. Për mendimin tim ajo që i mungon Shqipërisë është “sfera publike” siç është përkufizuar ajo nga Habermas. Në kuptimin që shoqëria cilvile dhe qytetatrët nuk kanë mjete ta influencojnë debatin publik. Ajo që diskutohet këtu tek PF, në rrjetett sociale, në mbledhjete e shoqatave pa numër, etj. nuk ka asnjë ndikim në politikë, për aq kohë sa nuk reflekton/riprodhon propagandën dhe strukturat partiake.

    1. Kam parasysh ato forma organizimi, të së gjitha niveleve, që mund t’i bëjnë dhe t’i mbajnë njerëzit bashkë përtej dasive partiake – për shembull, edhe një galeri arti, edhe një shoqatë tifozësh, edhe një klub gjuetarësh.

      Përndryshe, unë gjithnjë shpresoj se kjo që bëjmë ne këtu te Peizazhet të ketë ndikim të madh jo aq në politikën e ditës, sa në formimin qytetar të atyre që marrin pjesë – si lexues, si komentues dhe si autorë. Ky formim do të ketë pastaj ndikim – shpresoj pozitiv – nesër edhe në politikë.

      1. Sipas medimit tim, nuk është problemi se shoqëria civile nuk egziston në Shqipëri, dhe njërzit nuk interesohen. Problemi është që ndikimi i tyre në sferën politike dhe vendimarrje është i papërfillshëm. Kanë dy vjet artistët që protestojnë për teatrin. Si dëgjon kush. Po ashtu për koncesionet, Valbonën e kështu me radhë. I bien kazanit kot.

        E vërteta, po sipas mendimit tim, është që ne kemi trashëguar një shtet dhe një sferë publike në thelb me mentalitet komunist. Në kuptimin që shteti merr përsipër të bëj çdo gjë, dhe asgjë nuk pritet nga qytetari përveç rreshtimit dhe bindjes. Por edhe qytetatrët janë mësuar me këtë formë organizimi. Në këtë format është gjithmonë shteti që e di më mirë se për çfarë ka nevojë qytetari. Ky lloj shteti nuk ka nevojë për shoqëri civile, përveçse kur e përdor si fasadë. Sepse është i vetëmjaftueshëm, dhe nuk ka ndonjë detyrim tjetër veçse riprodhimin e vetvetes, që nëse nuk garantohet shihet si katastrofë edhe nga vetë qytetatrët që as nuk kanë dhe as nuk njohin alternativë tjetër. Ergo, kriza politike e tanishme.

        Ndaj kur qytetatrët ankohen për mungesën e ujit, është vetëm e llogjikëshme të shihet problemi të qytetarët që lahen çdo ditë, sesa tek shteti i vetëkanaqur. (Sa për të marr një shëmbull. And, can’t make these stuff up!) E njejta gjë me rrugët, shkollat, punësimin. Nuk i vete në mëndje ndokujt që janë taksat e tyre, dhe jo shteti që i garantojnë shërbimet, dhe shteti është thjesht mjeti me të cilën taksat vihen në punë, por jo patjetër sipërmarrësi dhe garantuesi.

  2. Ndonse politika nuk është preokupimi juaj kryesor, në këtë rast, vërtetë Ju keni bërë një shkrim brilant politik. Ajo që e habit njeriun është aftësia juaj intuitive për për tu kapur pas elementëve thelbësor në trajtimin e problemit që i keni ngarkuar vehtes. Pa e tepruar, shkrimi mund të krahasohet fare mirë me një piktur impresioniste.Besoj se mund të jetë ky shkaku, që analizat dhe arritjet tuaja, për mua të jashtëzakonshme, ju bëjnë të siguroni përkrahës dhe lexues të shumtë, nga ata që kërkojnë një ushqim cilsor për shpirtin dhe mëndjen e tyre.
    Tani, për çfarë do t’ju lutesha t’më jepni një mendim tuajin:
    Thënur shkurt dhe pa më të voglën mëdyshje, jam i bindur, se këto që thashë më lartë, nuk më ulin dhe as turpëroj vehten pse i deklarova kaq hapur. Unë fare paturpsisht pranoj se jam një partisan i flakt i mendimeve dhe qëndrimeve tuaja. Por mjerisht, edhe pse deklaroj se jam një mbështetës pa mëdyshje për gjithçka ju thoni e shkruani, përsëri një breng sado të vogël, e kam me vehten, se mos ndoshta jam i ngjashëm me një militant të verbër politik dhe juve, fare padrejtësisht në këtë rast, mund t’ju vendosja në rolin e një udhëheqësi partiak.
    Pra, pa u zgjatur; mos ndoshta të aftët e cdo fushe ndjejnë një lumturi të parrëfyer kur shohin se kanë grumbulluar përkrahës me aftësitë që kanë në një lëmë të caktuar? Dhe më tej, të jetë vallë kjo dëshirë për përkrahës një ligj i brëndshëm për cdo individ të aftë, në çdo lëm të aktivitetit njerëzor? Sepse politikanët, jo për t’u dalë në mbrojtje,në këtë rast duket sikur janë fatkeq, për faktin se ju drejtohen turmave me aftësi inferiore, ose më sakt, atyre që as u shkon nëpër mend se e kanë për detyrë të mendojnë me mëndjen e tyre. Natyrisht, për dikë që e ka të vështirë të qëndrojë për shumë kohë pranë një të paafti, është e kuptueshme të mendojë, se politikanët, duke u marrë me këtë kontigjent, janë vetë përgjegjës për faktin që ulin kaq poshtë stekën duke pranuar të merren me ta, gjë që, jo vetëm jua ul vlerën, por i identifikon dhe pothuaj i bënë të barabartë me ta.
    Natyrisht, për të mos lodhur vehten dhe kursyer kohën, si një përgjigje fare të shkurtër, ju mund t’më drejtonit drejt paragrafit të dytë në përgjigjen e dhënë replikuesit L.A. pak më sipër. Por, për dreq, sinqerisht mendoj se kam nevojë për pak më tepër nga sa keni thënë në mënyrë të koncentruar në atë paragraf. Me shumë respekt!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin