SKENA E KËRKON TEATRIN

Kur lexoja këto ditë “Contro le elezioni: perchè votare non è più democratico”, të David Van Reybrouck, ndesha në një pasazh ku autori analizonte marrëdhëniet mes politikës dhe mediave sot nëpërmjet konceptit – për mua mjaft produktiv – të incidentalizmit.

Sipas autorit, për shkak të një konfluence faktorësh dhe kushtesh, paaftësia e politikës për t’u përballur me probleme strukturore po nxitet nga “një sistem mediatik që parapëlqen të zmadhojë tej mase konfliktet triviale në vend që të analizojë problemet reale,” sidomos në një periudhë kur mediat po humbin publikun.

Problemin e paska shqyrtuar, tani së voni, edhe parlamenti holandez, dhe komisioni përkatës ka bërë më pas publik një raport ku thuhet, mes të tjerash, se “Ndërveprimi mes botës politike dhe mediave duket të jetë, në fakt, një faktor i rëndësishëm që thekson incidentalizmin në politikë. Mediat ushqehen me lajme. Nëpërmjet intervistimeve të gazetarëve, kemi vënë re se vëmendjen e mediave e tërheqin më lehtë incidentet, sesa debatet cilësore, edhe pse këto të fundit ekzistojnë.”

13215453153_c4b73d5db5_z (1)

(c) Creative Commons https://flic.kr/p/m8NDNz

Van Reybrouck vëren se, “gjatë viteve të fundit, numri i interpelancave me shkrim dhe me gojë, i mocioneve të depozituara ose i debateve urgjente në Parlamentin holandez është rritur në mënyrë eksponenciale, me të njëjtën shpejtësi si edhe publiku i talk shows politikë në televizion, sepse çdo parlamentar i denjë për këtë emër duhet të bjerë në sy në momentin kur po regjistrojnë telekamerat.” Deputetët asnjëherë nuk ngurrojnë që të deklarohen përditë si “të shokuar”, “të tmerruar”, “të befasuar në mënyrë të pakëndshme”…

Termi dhe koncepti përkatës sikur ndezin një dritë që na lejon ta shohim dhe ta kuptojmë më mirë ndërveprimin e politikës me mediat, në Shqipëri. Një sondazh imagjinar, që të eksploronte shkallën e njohjes (recognition) të deputetëve të parlamentit në Tiranë do të jepte rezultate të ngjashme: publiku do të njihte pikërisht ata parlamentarë që janë shquar për skandale, rrahje, batuta, përplasje, insinuata, sharje të rënda, zënie në live TV dhe incidente të tjera të ngjashme – dhe jo parlamentarë të tjerë, që kushedi kanë punuar seriozisht për të përligjur mandatin e tyre. Unë vetë, po t’i përgjigjesha këtij sondazhi, deputetë të tillë do të përmendja – siç m’i kanë prezantuar pamëshirshëm mediat.

Ky incidentalizëm nuk mund të trajtohet thjesht si efekt anësor i spektakularizimit të politikës nga ana e mediave; sepse ai prek procese jetike të demokracisë, duke filluar nga vetë zgjedhjet. Natyrisht, ata parlamentarë, dhe më gjerë, ata politikanë, që nëpërmjet sjelljes së tyre histrionike kanë arritur të fitojnë njohje me publikun, do ta kenë më të lehtë për t’u rizgjedhur në postet e tyre; sepse zgjedhësit do t’ua dallojnë emrat në listat elektorale përkatëse, dhe vetë partitë politike, këto kulshedra që kanë zaptuar burimet ujore të politikës, do t’ua vendosin emrat në listat elektorale pikërisht ngaqë edhe ato ua njohin personave në fjalë popullaritetin.

Ka diçka që nuk shkon, me një demokraci ku të zgjedhurit gëzojnë popullaritetin e klounëve dhe të aktorëve të estradës.

Çfarë e rëndon edhe më këtë efekt anësor të incidentalizmit është mbizotërimi i procesit elektoral në politikë; ose fakti që të gjithë parlamentarët dhe politikanët e tjerë nuk veprojnë dot me afat të gjatë, as e kanë luksin për t’u përqendruar në projekte dhe vizione strategjike, sepse duhet të mendojnë dhe të shqetësohen për zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë gjithnjë duke trokitur në derë.

Dhe nëse ndodh kjo, atëherë vetë veprimtaria politike shndërrohet në fushatë elektorale të përhershme; ose synimi dhe domethënia e çfarë bëjnë politikanët, përfshi këtu edhe ato çfarë thonë, janë të orientuara drejt zgjedhjeve, jo zgjidhjeve.

 

1 Koment

  1. “Çfarë e rëndon edhe më këtë efekt anësor të incidentalizmit është mbizotërimi i procesit elektoral në politikë; ose fakti që të gjithë parlamentarët dhe politikanët e tjerë nuk veprojnë dot me afat të gjatë, as e kanë luksin për t’u përqendruar në projekte dhe vizione strategjike, sepse duhet të mendojnë dhe të shqetësohen për zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë gjithnjë duke trokitur në derë”.

    Ky fragment shpjegon gjithe mekanizmin e funksionimit te politikes!
    Shtrij kembet sa e ke jorganin….

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin