UJË I NDENJUR

Enver Robelli tek gazeta “Tema” kishte komentuar mbi ngjashmërinë e deklaratave të Sali Berishës në vitin 1997 në revistën “Spiegel” dhe atyre të Ministrisë së Jashtme së Shqipërisë mbi nismën e Vetëvendosjes për bllokimin e pikave doganore për mallrat serbe në datë 14 Janar 2012.

Më poshtë po japim intervistën e shkurtuar, me të vetmin ndryshim që problematikat janë aktualizuar. Përndryshe intervista është përshtatur në shqip siç është transmetuar nga Spiegel (http://www.spiegel.de/spiegel/print/d-8672181.html).

Ndoshta ishte mafia

Flottau, Renate

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mbi skandalin e arsimit të lartë, revoltat kundër qeverisë së tij dhe mundësisë për dorëheqje

SPIEGEL: Zoti Kryeministër, Shqipëria është zhytur në një nga krizat më të thella që nga viti 1997. Qindra mijëra qytetarë janë mashtruar me diploma të arsimit të lartë dhe i kundërvihen qeverisë suaj nëpër rrugë. Shqiptarët  ju fajësojnë se jeni bërë nyje me pronarët privatëve apo rektorët e universiteteve publike. Ndiheni ndopak përgjegjës, keni menduar mbi pasojat?

BERISHA: Të gjithë politikanët mbajnë përgjegjësi, edhe unë. Dhe është e vërtetë, që ne reaguam me shumë vonesë. Por më lejoni të sqaroj: Këtu ishin dy ligje në kundërshtim me njëri-tjetrin. Ligji i shoqërive tregtare lejonte veprimtarinë e lirë, ndërsa ligji i arsimit të lartë vendoste standarde për institucionet e arsimit të lartë, por pa sanksione në rast shkeljesh. Pra këto sipërmarrje praktikisht i kishin shpëtuar kontrollit tonë. Zgjatja e mandatit të rektorëve në universitetet publike solli më pas katastrofën. E për më tepër, për ne, gjithë kjo nuk ishte aq e thjeshtë për t’u kuptuar.  Lulëzuan disa sisteme piramidash, si në Indi, Nigeri, Rumani …

SPIEGEL: … por sidoqoftë për shumë pak kohë, përpara se këto të rrëzoheshin detyrimisht. Patjetër që ju duhet t’i dinit pasojat shkatërruese të këtyre sistemeve mashtruese nga Rumania, Bullgaria, Maqedonia, Kosova apo nga të tjera shtete fqinjë. Madje edhe Banka Botërore ju paralajmëroi me kohë.

BERISHA: E çfarë ndodhi? Ndërkohë që fill pas zgjedhjeve ne nisëm hetimet, shkollat e larta, publike dhe private, ulën tarifat e studimit, rritën kuotat për doktoraturë, e më shumë njerëz vrapuan me kursimet e kohën e tyre për një diplomë të dyshimtë.

SPIEGEL: Ca më keq, që ata nuk u paralajmëruan. Studentët kërkojnë tani me greva urie dorëheqjen e qeverisë, dhe sikur edhe në Kosovë, këmbëngulin me demonstrata të vazhdueshme. “Të larguar” nga partia juaj kërkojnë të njëjtën gjë në një peticion. Zv/Kryeministri Meta këcënon në të kundërtën me zbulime – me një Watërgate shqiptar, e cila ndoshta do t’ju dëmtonte edhe ju. Prandaj nuk e hiqni zv/Kryeministrin?

BERISHA: Ne nuk mund ta largojmë qeverinë, por do të vendosim nga brenda për këto çështje. Do ta vendosim në votë shumice, për të mos shkatuar  krisje në parti. Por më përpara duhet të sqarohet çështja e përgjegjësisë personale të popullit shqiptar. Nëse pasojat për vendimet e gabuara i vishen të tjerëve, atëherë ta harrojmë demokracinë dhe ekonominë e tregut. Mos vallë duhet të bëhet qëveria përgjegjës nëse vlera e aksioneve bie?

SPIEGEL: “Vendimi personal”, mbi të cilën flisni ju, ka si kusht njohje bazike të sistemit të arsimit dhe të punësimit. Prandaj edhe shumë i besuan institucioneve, pasiqë panë sesa të afërt ishin ata me Partinë tuaj Demokratike. Këto ndërmarrje kanë financuar fushatat tuaja elektorale.

BERISHA: Ata kanë financuar të gjitha partitë, dhe kjo sipas ligjit shqiptar është e ligjshme. Nuk ka shoqëri sipërmarrëse, të huaj apo shqiptare, që nuk ka mbështetur Partinë Demokratike. Përse? Sepse tetë muaj përpara zgjedhjeve, komunistët e dikurshëm, që sot vetëquhen socialistë, nuk aprovuan ligjet e reformës. Prandaj të gjithë investitorët u trembën dhe frikësuan për paratë e tyre në rast se socialistët fitonin.

SPIEGEL: Si duhet të kompensohen tani të dëmtuarit – do t’u njihen diplomat?

BERISHA: Nuk do të njohim asnjë diplomë, e as do të paguajmë asnjë qindarkë. Kurrë. Do të njohim vetëm diplomat e para viteve 2008.

SPIEGEL: Ky drejtim i patundur  bie ndesh me atë të parlamentit, i cili premtoi se të varfërve do t’u njihet së paku doktoratura.

BERISHA: Shumica e popullsisë, që ka investuar në këto institucione, kanë të njëjtin mendim. Flasin për demonstrata – por gjithsesi vetëm 10% e të diplomuarëve protestojnë.

SPIEGEL: Kjo është shifra juaj. Mbikqyrës të pavarur besojnë se, kjo përqindje është shumë më e madhe. Dhe do të ketë me siguri më shumë demonstrues, nëse – siç edhe pritet – institucionet e tjera si Universiteti i Shkodrës, Kristal apo Albanian University do të akuzohen nga prokuroria. A do të vendosni gjendjen e jashtëzakonshme apo do të mobilizoni ushtrinë?

BERISHA: Këto institucione që ju përmendet kanë filiale të ndryshme prodhimi diplomash, dhe unë besoj, që do të qëndrojnë në treg. Por nëse do të vinte një rrënim i tillë, shoqëruar dhe me protesta më të mëdha në rrugë, atëherë për çdo rast ne do të përgjigjemi me metoda politike.

SPIEGEL: E këto do të ishin?

BERISHA: Unë them, nëse do të shkojë puna deri aty. Në trazirat e deritanishme  forcat e rendit janë sjellë në mënyrë shumë korrekte. U goditën vetëm 4 vetë, dhe ne kemi ndërmarrë hetime të posaçme për të gjetur përgjegjësit e vdekjes së tyre.

SPIEGEL: Rrahjen brutale të demonstruesve ju e quani “sjellje korrekte”?

BERISHA: Më falni këtu, por veç dje pashë në televizor, sesi policia gjermane rrihte demonstruesit. Kjo ndodh në çdo vend të botës. Këtu këta demonstrues i vunë flakën godinave publike.

SPIEGEL: A do të ishin zgjedhjet e reja e vetmja rrugëdalje e përshtatshme nga kriza?

BERISHA: Ne do të fitonim sërish me një shumicë dërmuese. Vitin e kaluar i fituam zgjedhjet me një kapërcim të madh.

………………………………………

SPIEGEL: Shkrimtari i famshëm Ismail Kadare me siguri nuk ishte i pirë, kur jo shumë kohë më parë tha në radion amerikane “Voice of America” se: Shumica dërmuese e politikanëve shqiptarë janë të verbër, të paaftë dhe nuk e meritojnë të përfaqësojnë shqiptarët.

BERISHA: Vitet e fundit kemi bërë përparime gjigande, por sigurisht që demokracia jonë duhet të përmirësohet dhe të forcohet më shumë.

SPIEGEL: Për këtë janë të rëndësishme mediat e lira. Por gazetarët në Shqipëri hidhen përherë në gjyq dhe frikësohen me kërcënime.

BERISHA: E pranoj, disa gazetarë janë përndjekur. Kjo ndodh në të gjithë botën, përfshirë Gjermaninë.

SPIEGEL: Nga e nxorrët këtë përfundim?

BERISHA: I lexoni ju se çfarë të pavërtetash dhe disinformime shpërndajnë gazetarët tek ne. Dhe mëgjithatë unë i kam thënë njëqind herë funksionarëve tonë: mos i hidhni në gjyq shkronjësit, detyrojini të përgënjeshtrojnë, siç është e zakonshme në Perëndim. Por unë nuk mundem dot t’i bind.

SPIEGEL: Në perëndim flitet se institucionet private arsimore janë mbi të gjitha mbulesa për pastrime parash ndërkombëtare – përndryshe nuk do të mundeshin të funksionin për një kohë kaq të gjatë. A keni sinjale për këtë teori, qoftë edhe nga shërbimet sekrete amerikane?

BERISHA: Është e sigurt, që shuma të mëdha parash u nxorrën jashtë. Nëse, siç ndodh zakonisht në pastrimet e parave, këto janë futur sërish brenda, për këtë nuk kam prova. Nuk e përjashtoj, që mafia italiane të jetë përfshirë në këtë punë – gjithsesi qeveria jonë nuk është.

SPIEGEL: Shqipëria sot klasifikohet si vend tranzit në tregtinë e drogës. A mos vallë kjo ju pengon juve hyrjen në Bashkimin Europian, për të cilën ju përpiqeni?

BERISHA: Këto lloj fajësimesh janë absurde. Trajektorët e drogës janë të njohura. Ne kishim disa plantacione të vogla hashashi, të cilat u asgjësuan.

SPIEGEL: Ushtria shqiptare mbështetet nga SHBA dhe nga Gjermania e Turqia. Përse e do Shqipëria ushtrinë, një vend kaq i varfër, ku i shihni ju armiqtë tuaj të mundshëm për vendin tuaj?

BERISHA: Unë besoj, që ideja e Serbisë së Madhe tani për tani është zhdukur nga tavolina, të paktën përsa kohë që trupat paqësore ndërkombëtare të KFOR-it janë vendosur në Kosovë.

SPIEGEL: 90% të popullsisë së Kosovës janë shqiptarë. Por Perëndimi pranon që Kosova është një shtet multietnik me pavarësi të kushtëzuar e të nënshtruar ndaj trupave ndërkombëtare. A i këshilloni ju bashkëkombasit tuaj për qëndrim kritik ndaj EULEX-it, i mbështesni ju lëvizjet e atjeshme për më shumë demokraci dhe vetëvendosje? Apo duhet që Shqiptarët e Kosovës të kënaqen me atë pavarësi të mbikëqyrur?

BERISHA: Natyrisht që  e kuptoj, që shqiptarët e Kosovës janë të zhgënjyer që nuk marrin pjesë në regjimet apo organizatat ndërkombëtare si anëtarë me të drejta të plota. Por sidoqoftë ne kemi qenë gjithmonë të qartë në deklaratat tona: Duhet të gjendet një zgjidhje paqësore – pra një kompromis. Shkeljet e dhunshme të kufirit nuk janë të pranueshme. E për këtë, unë nuk besoj që të ashtuquajtura “grupe destabilizuese” janë shqiptarë. (Shprehet më tej se Shqipëria do të reagonte nëse Serbia do të dhunonte popullatën civile, duke destabilizuar Maqedoninë).

SPIEGEL: Përse të “ashtuquajtura” grupe? Ata e quajnë veten lëvizje qytetare për vetëvendosje, dhe kanë shkaktuar trazira.

BERISHA: Nuk ka prova, që këta kanë qenë shqiptarë; mund të kenë qenë edhe agjentë provokues , ka gjasa të jenë udhëhequr nga i famshmi “Karadzic”.

…………………………………

SPIEGEL: A ëndërroni mbi bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet?

BERISHA: Unë i kam thënë qartë popullit tonë, që integrimi në Europë është e vetmja zgjidhje për ne. Ne duhet të respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare që kemi nënshkruar.

……………………………

SPIEGEL: Serbia kërkon të tërheqë investorë të huaj, gjithashtu edhe Shqipëria. Por shumë ndërmarrje dyshojnë në byrokracinë shqiptare, ndërkohë që fabrika të shumta duhet të mbylleshin, ekonomia është përtokë. Ngase duhet të jetojnë njerëzit tani që i kanë shpenzuar kursimet  e tyre për arsimin e lartë, dhe nëse nuk ka punë?

BERISHA: Unë nuk jam aspak me pesimizmin tuaj; ne kemi një rritje të lartë ekonomike…

SPIEGEL: … gati 2.2 përqind në vitin 2011, jo shumë për vendin më të varfër në Europë…

BERISHA: … ne do të mbjellim ara, ullinj e do të dixhitalizojmë bujqësinë, dhe do të jemi vendi me taksat më të ulëta në Europë. Kjo do të sjelli një zhvillim të madh në investime dhe do të krijojë vende pune.

SPIEGEL: Rizgjedhja juaj për një mandat tjetër katër-vjeçar si  kryeministër i Shqipërisë nëpërmjet parlamentit, duket e sigurt – megjithë protestat në popull. Nuk keni menduar kurrë për t’u tërhequr?

BERISHA: Gjithmonë kur të mos më votojë partia ime , atëherë do të marrë festen e do të largohem duke thënë: Good bye, thank you! Ngase jam njeri me parime.

SPIEGEL: Zoti Kryeministër, ju faleminderit për këtë bisedë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin