MENDJE-KRISURIT

Atyre që e kanë lexuar, do t’u kujtohet mirë – besoj – portreti që ia ka bërë I. Kadareja L. Poradecit, në librin “Ftesë në studio.”[1] Në komunikim, Lasgushi ishte bizar, irracional, ndonjëherë absurd ndonjëherë thjesht i habitshëm,  “një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria,” shkruan Kadareja. Edhe Lasgushi vetë e pranonte se që në rini e quanin të krisur “madje për këtë e kishin çuar në Manastirin e Shën-Naumit.”

“Një ditë nguli këmbë se studimet e tij në Austri kishin vazhduar dyzet vjet”… “Një vit, gjatë gjithë pranverës, ngatërronte një ngjarje të jetës së tij me atë të Gëtes. Ishte fjala për një ballo, në Korçë ose në Vjenë, ku ai ose Gëte u zemërua pa të drejtë me mikeshën e vet.” Herë tjetër, fliste për të fejuarën e tij të parë, “një piktore që ishte leshverdhë sa qe e fejuara ime, dhe pastaj u bë e zeshkët kur u ndamë.”

Një herë tjetër, Lasgushi krejt seriozisht e pat pyetur Kadarenë: “Në ç’regjim jetojmë?” (Nuk e dinte? E kishte harruar?) Dhe Kadareja, tashmë i mësuar me rolin që duhej të luante: “Në socializëm, zoti Lasgush.”

“Nganjëherë bëhej aq i padepërtueshëm sa të fuste frikën,” shkruan Kadareja. Pastaj rrëfen si, duke biseduar me të për një portret të vetin që mbante në shtëpi dhe që ia kish bërë një piktor gjerman, Lasgushi pat thënë: “Këtë portret nuk e ka bërë asnjë gjerman, por e kam bërë vetë.” Dhe kur e bija e kundërshtoi, ai iu afrua portretit si për ta verifikuar, tregoi me gisht emrin e autorit që dukej fare qartë dhe tha: “Ja ku shkruan: Lasgush Poradeci. U bindët tani?”

Çfarë të thuash për këto sjellje? Nuk ka nevojë të jesh meskin, por as mjek psikiatër, për të dyshuar se Lasgushi vuante nga një psikozë e butë, kronike ose kushedi e kronicizuar, që ia vështirësonte marrëdhëniet me realitetin, njerëzit e tjerë, kohën dhe hapësirën.

Sërish Kadareja:

“Ndonëse i mënjanuar, e quante veten njeri kryesor të Shqipërisë, pra përgjegjës për gjithçka që ndodhte në vend. Mund të dukej më se e çuditshme, por nga biseda dilte se ai së brendshmi e quante veten udhëheqës, ministër, peshkop, prokuror, komandant ushtrie, etj.”

Mani e madhështisë?

Por Kadareja vëren edhe diçka tjetër, që më duket veçanërisht me interes:

“Ajo që më habiste më shumë se çdo gjë, ishte ndjenja sovrane që kishte për veten. Çdo poeti tjetër në vend të tij do t’i pëlqente që në rrethin intim të miqve të qahej për mënjanimin, të ankohej për shtetin, t’i quante “ata” zyrtarët e lartë e kështu me radhë. Mirëpo ai, duke qenë antikonformisti më i madh, nuk ngashënjehej kurrë nga kjo lloj disidence.”

Lasgushi i lënë mënjanë nga regjimi, apo Lasgushi i mënjanuar me vullnetin e vet, nga një regjim dhe një shoqëri me të cilët nuk arrinte të komunikonte?

Sepse, nëse vlen ky interpretim i dytë, atëherë “krisjen” e Lasgushit, edhe pse reale dhe madje serioze, paranojën e tij, psikozën e tij nëse duam ta quajmë kështu, do të mund ta shpjegonim si çrregullim në mos të shkaktuar, të paktën të acaruar nga jetërsimi social dhe ideologjik. Në kuptimin që Lasgushi, mendje e hollë dhe e rrallë, mirëfilli nuk ndihej pjesë e “kësaj bote”; dhe për kompensim, elaboronte fantazi të komplikuara dhe të shkëputura nga faktet.

Për t’i shkuar më tej argumentit që dua të shtjelloj, po sjell më poshtë çfarë ka shkruar shkrimtari rus Sergei Dovlatov për Josip Brodskin[2]:

Brodsky kish krijuar një model sjelljeje të pabesueshëm. Nuk jetonte në shtetin e proletarëve, por në një manastir të mendjes së vet. Nuk e luftonte regjimin. Thjesht nuk e vinte re. Madje nuk ish as i sigurt për ekzistencën e tij.

Shpërfillja e tij për hollësitë e jetës sovjetike dukej gati si pozë. Për shembull, ai ishte i sigurt se Xherxhinski ishte gjallë dhe se Komintern ish emri i një grupi të muzikës pop. Nuk i njihte fytyrat e anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Kur fasadën e pallatit ku jetonte e mbuluan me një portret gjigand të Mzhavanadze-s, Brodsky tha: – Kush është ky? I ngjaka William Blake-ut.”

Sërish Dovlatov-i:

Siç shkroi Brodski në esenë e vet për Mandelstam-in, “kur një njeri krijon një botë të vetën, ai bëhet një trup i huaj, të cilin e vënë në shënjestër të gjitha ligjet: graviteti, ngjeshja, refuzimi, asgjësimi.”

Për t’i vënë në kontekst pandehmat e çuditshme të Brodsky-t, po lejohem të shtoj se Xherxhinski, një bolshevik i vjetër dhe drejtori i parë i Çeka-s, pat vdekur që në vitin 1926; dhe se Kominterni ishte shkurtim për Internacionalen e Tretë Komuniste. Të dy këta, Xherxhinski dhe Kominterni, ishin të kudogjendur në bashkëkohësinë sovjetike të Brodskit, i cili ishte 32 vjeç, kur u largua nga atdheu (praktikisht, e urdhëruan të emigronte). Nuk mund të shkoje në shkollë, në Bashkimin Sovjetik e atyre viteve, pa mësuar për njërin dhe për tjetrin, madje në hollësi. Kur i mësonim ne në Tiranë këto gjëra, nuk mbetet veç të përfytyrojmë sa të familjarizuar ishin fëmijët dhe të rinjtë sovjetikë me to.

Vërtet të mos e dinte Brodski se ç’kish qenë Kominterni? Vërtet të mos e dinte Lasgushi se kush ia kish pikturuar portretin? Burimet që i sjellin këto dëshmi janë të besueshme – e megjithatë, kjo mospërputhje ose “krisje”, siç e quan Kadareja, në marrëdhëniet e Lasgushit (ose të Brodskit) me realitetin kërkon një shpjegim që të shkojë përtej mistifikimit të poetit, ose një likuidimi të tipit “ai është tip më vete.”

Dhe nëse Lasgushi mund të ketë qenë vërtet mendërisht i lënduar, në kohën kur e ka njohur Kadareja, këtë nuk e thua dot për Brodskin, i cili shkëlqeu artistikisht aq shumë pasi emigroi në SHBA, sa i dhanë deri edhe Nobelin letrar.

Prandaj edhe ndoshta ka arsye që, brenda asaj që quajmë disidencë në Shqipëri, ose distancimit kritik të disa intelektualëve dhe artistëve nga regjimi, të dallojmë kundërvënien e mirëfilltë nga prishja e marrëdhënies njohëse të mendjes me realitetin – ose marrëzia si mekanizëm për t’u mbrojtur kundër terrorit ideologjik shtetëror. Le ta quajmë këtë të dytën skizo-disidencë, duke iu referuar me skizo jo aq skizofrenisë, sa kuptimit “ndarje, çarje, krisje” që ka kjo parashtesë në një numër termash të psikiatrisë, të psikologjisë dhe të filozofisë.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këtij libri, në botimin e vitit 2012 nga Onufri, do t’i referohem rregullisht në citimet e mëposhtme. Materiali gjendet edhe te kjo faqe online, por nuk garantoj se është i njëjtë me atë të librit që kam shfrytëzuar unë.

[2] Cituar sipas Alexey Kaplan, “The Philosophy of Exile in the Art of Joseph Brodsky”, New York, Columbia University, 1994.

2 Comments

  1. Duke qenë e njohur me veprimtarinë letrare dhe publicistike të Kadaresë, sikurse me qëndrimet e tij publike në të dyja regjimet, qëndrime që përkojnë më shumë me një marrëdhënie flirtuese me cilindo pushtet udhëheqës, kam prirjen të besoj se mënyra se si Lasgushi trajtohet në veprën “Ftesë në studio”, i kontribuon pikërisht kësaj marrëdhënie problematike të Kadaresë me lart. Këtu mund të shquajmë ende lloj mënyrë për t’u distancuar nga personalitete si Lasgushi, që rrezikonin t’ia njollosnin biografinë Kadaresë, në një shoqëri ku asgjë s’ishte akoma e sigurt, në një shoqëri ku s’ishin pjekur akoma kushtet si vite më vonë, që Kadareje ta paraqeste veten si disident e të fliste nga kjo pozitë imagjinare…

    Libri është shkruar në vitet 1989-1990, teksa filizat e para të trazirave kishin nisur të zhvilloheshin, megjithatë, më shumë se katër dekada diktaturë nuk zhbëhen kollaj nga mendja.

    Kadare nuk na thotë realisht diçka për Lasgushin, përpos se rreket të ruajë një marrëdhënie diplomatike ndaj figurës së tij, lehtësisht të interpretueshme sipas ëndjes së gjithsekujt.

    Siç e citon Kadarenë Vehbiu në artikullin pasues të këtij shkrimi:

    “Të shkoje tek ai [Lasgushi], ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës, për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kish qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur.”

    Mua më duket se shquaj një lloj droje e po aq, justifikim prej Kadaresë në fjalët e tij për Lasgushin? Gjithashtu, më duket sikur ai gjatë gjithë kohës mundohet të jetë politikisht korrekt me shtetin e kohës, cilidoqoftë ky i fundit…

  2. Lasgushi në botën e tij të pandarë me të tjerë, s’di pse më kujton Rainer Maria Rilke, një vetmitar i përkushtuar, në mos i dashuruar me vetminë e vet, pa të cilën ndoshta s’do të mund të krijonte aq sa ka krijuar.

    Lasgushi përveçse ka lënë pas një trashëgimi të pasur, kam mësuar rastësisht këto ditë se edhe pikturonte vetë -një arsye më shumë për të këmbëngulur se e kishte bërë vetë autoportretin!! 🙂

    Një nga pikturat e tij gjendet e ekspozuar në ambjentet e Rezidencës Italiane në Tiranë: https://ambtirana.esteri.it/ambasciata_tirana/it/ambasciata/news/dall_ambasciata/2019/02/mostra-l-eterno-femminino-la-rappresentazione.html

    Gjithsesi, një proverb i lashtë thotë se është më mirë të kesh pranë vetes një diamant pakëz të krisur, sesa një gur të rëndomtë, por të lëmuar përsosmërisht.

Comments are closed.