KOMANDANT, NA MORI MALLI (II)

Derri macSe pse i janë kthyer masat e shqiptarëve – dhe mass mediat e Tiranës – adhurimit të Enver Hoxhës, kjo nuk është nga ato çështje që mund t’i zgjidhim me një shkrim në blog; por që gjithnjë ia vlen të diskutohen.

Midis viteve 1985 dhe 1991, Tirana i shërbeu si teatër një spektakli të përsëritur – edhe pse të dy herët si dramë. Në prill të vitit 1985, populli vërshoi rrugëve të kryeqytetit, për të përcjellë në varr Udhëheqësin; i përfshirë nga një ngashërim i thellë e i sinqertë, si kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Lotët e derdhura ato ditë rrugëve dhe ekraneve ishin lotët e fëmijëve të mbetur pa baba, ose të perandorisë të mbetur pa Sulltan.

Më pak se gjashtë vjet më vonë, po ai popull do të dilte rrugëve e shesheve, por këtë herë për t’u përfshirë në ritualin e përmbysur, ose karnivalesk, të rrëzimit të statujës së Enverit në qendër të Tiranës; ritual që u përcoll me po aq entuziazëm festiv, sa ç’ishte përcjellë me pikëllim mortor varrimi i paradokohshëm i të njëjtit njeri.

U plotësuan kështu stadet e tezës dhe të antitezës, për të mbetur e paplotësuar vetëm sinteza.

E vërteta është që gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit shqiptarët nuk arritën dot të krijojnë institucionet e tyre të shtetit e të shoqërisë civile, për të dalë nga statusi përdhés i turmës vulgare, ku i kish katandisur totalitarizmi. Pasi e kish mohuar me solemnitet liderin e saj, turma e rrugëve kryesisht u fermentua në instinktet, pasionet dhe veset e veta të zakonshme, derisa u ri-identifikua pashmangshëm me dëshirën e vet për lider e për barí.

Kjo shpjegon, së paku pjesërisht, edhe pse turma në Shqipëri nuk do të heqë dot kurrë dorë nga adhurimi i figurës së Enver Hoxhës; sepse vetëm Enver Hoxha, tashmë si kryeshenjues ose prani e rrëshqitshme, ia garanton turmës ekzistencën.

Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1980, një numër ish të përndjekurish politikë dhe intelektualësh shpresonin se do të arrinin ta çrrënjosnin, nga kultura politika shqiptare, jo vetëm Enverin, por edhe nevojën për babá autokrat, diktator despotik e satrap, që ndër shqiptarët është ku e ku më e vjetër se Enveri.

Ironikisht, vetë Enver Hoxha, si figurë historike por edhe si hero mitologjik i shqiptarisë amorfe, nuk është veçse krijesë e turmës; madje forca e tij reale, në krye të punëve; arbitrariteti i tij absolut dhe vendosmëria për t’u qëndruar dilemave në skajet; energjia me të cilën e përballonte krimin politik; vendosmëria me të cilën e izoloi Shqipërinë dhe ia sakrifikoi paranojës së vet mikroborgjeze, buronin të gjitha nga turma që merrte prej tij dritë e i jepte “ditë nga ditët e veta”.

Për këtë arsye, këta ish të përndjekur politikë dhe intelektualë, të vetmit disidentë që i mbijetuan Shqipërisë në kapërcyellin midis dy epokave, u përpoqën jo vetëm të ndërtojnë institucione të shoqërisë civile, të tilla që të ndihmonin shkërmoqjen e turmës në persona individualë dhe pastaj koagulimin e këtyre personave në komunitete organike dhe qytetare; por edhe të ndërmarrin një fushatë të gjerë edukative të masave për dëmet e hatashme që i kishte sjellë Shqipërisë regjimi komunist dhe Enver Hoxha vetë – me shpresë se njerëzit do të mund të rehabilitoheshin nga statusi blegtoral ku i kishte katandisur totalitarizmi.

Pjesë e këtij edukimi do të kish qenë edhe një fushatë kapilare dhe e qytetëruar për zbardhjen sistematike të krimeve të diktaturës – e cila të procedonte jo nëpërmjet gjesteve spektakolare por në thelb të zbrazëta politikisht, si burgosja e Nexhmije Hoxhës për shpërdorime me kafetë; por nëpërmjet një angazhimi civil të gjithanshëm për demaskimin e autorëve të krimeve, sqarimin e mekanizmave të këtyre krimeve, përmendjen e viktimave dhe nderimin e tyre sado simbolik e më në fund drenimin e plotë të plagës së thellë e gangrenoze që i kishte shkaktuar komunizmi Shqipërisë.

Natyrisht asgjë e tillë nuk ndodhi; regjimi komunist mbeti atje ku ishte, kufomë e vdekur dhe e pakallur, në mes të qytetarisë dhe të jetës politike shqiptare; brezat e rinj e përvetësuan të djeshmen në mënyrë mitike, nëpërmjet atyre pak monumenteve dhe legjendave të mbijetuara (“atëherë kishte rregull”); shoqëria civile dështoi në përpjekjet e veta për t’i shpërbërë turmat, ndërsa politika madje i ruajti, pse ashtu do t’i manipulonte më lehtë, madje edhe nëpërmjet mass mediave.

Si përfundim, turma e rrugëve duket se i mbijetoi të gjitha reformave dhe shndërrimeve gjatë njëzet vjetëve të fundit; dhe duket afërmendsh që kjo turmë, rregullisht e zhgënjyer nga Enverët surrogato që do t’i propozonte politika e korruptuar e Tiranës, do të vazhdonte ta riprodhonte, edhe pse në trajta gjithnjë e më simbolike, mitin e Enverit si autoritet, udhëheqës dhe babá.

16 Comments

  1. Nuk e di se pse shikohet si kulmi i së keqes së turmës, dëshira e saj për “sulltan” apo për një figurë që të mishërojë gjithçka të mirë që ajo dëshiron prej tij.
    Egzaltimi i turmës shqiptare pas liderit nuk më duket rast i rrallë apo i izoluar.
    Nuk e kam fjalën për faqe të tëra, të historisë botërore, të mbushura me raste ku, një popull ka ndjekur liderin/mbretin/hajdutin apo cilindoqoftë prej tyre, që ka mundur të punojë në emër të aspiratave të tij.
    Flitet për këtë dëshirë të popullit për sulltan, kur kjo dëshirë vërehet edhe sot në të gjithë popujt e tjerë… mjafton, me pak sens realist, të shikohen fushatat elektorale kudo në botë dhe mund të vëresh edhe amerikanë të brohorasin për partinë apo Obamën si njëherë e një kohë për Enverin.

    Liria ime mbaron aty ku cënoj lirinë e tjetrit… kjo thënie, për mendimin tim, është maksimumi i ekspresionit të një demokracie të vërtetë… por që, sado që të përpiqemi, vazhdojmë të mendojmë se vetëm ne kemi të drejtë… ndërsa “ata” janë maksimumi i së keqes.
    Enveri mendonte se, liria e “atyre” mbaronte atje ku cënonte” lirinë tonë… bile për të qënë brënda, ja u kufizonte akoma edhe më tepër atë liri “atyre”.
    Nëse Enveri kishte arsye (rrëzimi i pushtetit popullor, ishte prerogativë e gjithkujt prej atyre që e vuajtën atë sistem) për të kufizuar liritë e atyre (si rrezik që mund të cënonte lirinë e shumicës)… nuk mund të kuptoj/justifikoj të drejtën e ndokujt, për të mohuar të drejtën e dikujt tjetër për të besuar/ndjekur “idhullin” e tij. Nuk shikoj asnjë dallim mes Enverit dhe atyre që shikojnë shtrembër ithtarët e tij.

    Sot, me pak sforcim intelektual, do të mund ta shikonit/krahasonit luftën e kllasave me të famshmen luftë preventive… përse sot u dashka justifikuar, kjo e dyta, në emër të një sigurie mbarëbotërore (ose edhe vetëm për Amerikën) dhe nuk paska patur sens/kuptim kur atë e bënte Enveri për mbrojtjen e pushtetit popullor???

  2. Analize e sakte.
    Por duhen shtuar fakte te tjera, siç jane: semundjet e reja (te vjetra per Perendimin, te panjohura per shoqerine mbyllur shqiptare), si: prostitucioni, droga, SIDA, armet ne duart e pupullsise dhe vrasjet me shpesh te pazbuluara (“autori u zhduk pa lene gjurme”), ringjallja e gjakmarrjes se fashitur, semundjet veneriane, te malarjes etj., polarizimi i skajshem ekonomik i shoqerise, papunesia, ligjerimi i korrupsionit dhe vjedhjes se pasurive publike, trafikimi i qenieve njerezore, relativizimi i vlerave pozitive, si ndershmeria, e drejta, parimet dhe idealet (ne perceptimin e shumices si te zevendesuara nga antivlera ose mungesa e tyre, ose si pasoja te pragmatizmit), ‘zbehja’ e patriotizmit (ne fakt synohej riformulimi i tij), mberritja e kontigjenteve te krimit ne stadin e ‘krimit te organizuar’ dhe lidhja e tyre me politiken, zhvleresimi i jetes se njeriut te thjeshte, i dinjitetit dhe respektit per te (kthimi ne vipa i mediokerve dhe te ‘pamoralshmeve’, mjafton qe kane para) etj., etj.

    Te gjitha keto, ishin ‘paralajmeruar’ nga propaganda e sistemit te kaluar, sipas gjykimit dhe analizes se saj klasore, ideologjike e politike, sigurisht.
    Pse nuk ndryshoi kriteri i ‘turmes’ per gjykimin e ketyre dukurive? Jo se nuk iu dha / propozua nje ose disa kritere analize, qe do te conin me prane se vertetes (e drejta per te pasur disa variante te saj)? Por sepse realisht (jo me llafe), ne keto 20 vjet, vijoi te perdoret edhe nga politika, edhe nga institucionet, edhe nga shoqeria civile i njejti kriter (nje dhe i vetem), qe nuk ndryshonte fare nga kriteri i ‘luftes se klasave’, pavaresisht se ishte kriteri i klanit, i korrupsionit, i partise – qe ligjeronte padrejtesine, mashtrimin, paaftesine e korrupsionin, pasurimin me çdo kusht – dhe qe duket se do te mbetet i pandeshkuar ne jete te jeteve, pa shprese per sherim, ndersa shihet se as Perendimi nuk eshte i imunizuar prej tyre.

    Ne keto kushte, ia “kemi bere gati” vete piedestalin rikthimit te nostalgjise per te kaluaren. Jemi fajtore perpara brezave qe u rriten ne demokraci, sepse ne u dhame variantin me te deformuar te shtetit ligjor qe mund te ekzistoje. Viktimat e tranzicionit jane vajzat dhe djemte e njerezve te thjeshte (te vraret, te mbyturit, te droguarit, te vetevarurit, te zhdukurit), jo femijet e politikaneve, qe sot jane trashegimtare te pasurive te dyshimta te baballareve. Dhe kjo nuk ka kthim.
    Do te duhen disa breza te ketyre fiseve qe sundojne sot jeten shqiptare, per te pastruar llumin e krimit dhe mashtrimit nga gjaku (ndergjegja) e tyre, deri ne stadin e reflektimit per vetveten (te pakten sipas pervojave ne vende te tjera, thone). Atehere mund te shpresohet se do t’u rikthehet ndergjegja e humbur (brezit te trete ose te katert, geni i tyre mund te jete degraduar, shih T. Mann -nga “semundja fizike” ose vetmia ekzistenciale) dhe atehere mund te shpresohet se klasa udheheqese do te kuptoje se nuk mund te jete e qendrueshme nje bote e cila e mbeshtet lumturine e vet mbi fatkeqesine e gjithe te tjereve.
    Por nderkaq, do te jene pjekur kushtet per te dale ne pah nje brez tjeter sunduesish (jo doemos nga fiset e sotme), energjike, pa skrupuj dhe te ftohte, te gatshem per gjithçka. Dhe historia do rinise nga e para… Turmes do t’i linde nostalgjia per padronet e vjeter, qe “ishin me fisnike se keta te sotmit”…

    Tablo e vjeter, por gjithnje e re…

  3. Nuk besoj se kemi te bejme me ‘turme’ te nenkuptuar si perfaqesuese publike e humorit te masave, plus qe nuk kemi te bejme me ndergjegje te perbashket, por ndergjegje individuale, secili sheh nje faktor personal, dikush shqetesohet per rregullin, dikush per papunesine e zgjatur, tjetri per prestigjin e humbur e keshtu me radhe.

    Nga keta qe kritika ndaj te sotmes perzihet me nostalgjine per te djeshmen, pjesa me e madhe as qe e do fare rikthimin e diktatures, vetem ajo pjese qe ra nga fiku dhe perfituesit me te medhenj ( fshataret me te keputur te kohes se Zogut qe arriten te beheshin qytetare e te shkollonin femijet) e duan rikthimin.

    Pothuaj te gjithe keta ndodhen tek PS-ja.
    Komunizmi ne Shqiperi, ka vepruar me te shumten e kohes nen emer tjeter.
    Gjate luftes vepronte nen emrin e Frontit Nacional Clirimtar, biles pavaresisht logjeve historike, bashkepunonte me zogistet, Abaz Kupi ka qene perfaqesues i Frontit ne Konf. e Mukjes.

    Edhe kur u bene votimet paslufte, u zgjodhen perfaqesuesit e Frontit e jo te Partise Komuniste.

    Vetem ne 1948 kur vendi ishte i sigurte doli ne shesh Partia Komuniste, por sapo filloi ngritja e kooperativave mori emrin Partia e Punes, ne 1961.

    Ne 1991, komunistet moren emer tjeter, Partia Socialiste.
    Kjo aktualisht mban brenda pothuaj te gjithe nostalgjiket e komunizmit.

    Pra ne Shqiperi komunizmi ka vepruar me emrin Partia Komuniste, vetem per 13 vjet, gjithe periudha tjeter mbulohet nga Fronti, Partia e Punes e Partia Socialiste.
    Shpresa eshte qe Partia Socialiste ne nje te ardhme ti largoje nga postet drejtuese te partise, te gjithe nostalgjiket, vetem keshtu mund te behet perfaqesuese e social-demokracise europiane ne Shqiperi.

    Historia e komunizmit ne Shqiperi, tregon qarte qe komunistet kane vepruar puthuaj perhere nen nje emer tjeter; politika e komisareve prane cetave partizane me komandante nacionaliste, duket se eshte politika ku komunistet jane me te zote.

    Sot e praktikojne sa munden ne PS, le ti leme jashte turmat e baballaret e kombit, po ti futemi ekspertizes se PS-se, nese vertet duam te kuptojme se ckuptim kane letrat e Enverit.
    Gjithsesi komunistet e sotem shqiptare, kane nje vecori te rendesishme qe i dallon nga komunistet e Europes, nuk kane pike idealizmi, pas idealizmit fshehin dhe jo aq mire, pragmatizmin me te eger.
    Keta pak komuniste qe kane ngelur jane thjesht reaksionare, nuk dallojne hic nga zogistet e vjeter; kane humbur pushtetin e privilegjet dhe i duan prape.
    Cdo argument moral i tyre vjen ere te keqe.
    Nuk mund ti pranoj si dot ‘turme’, si perfaqesues te masave, te popullit shqiptar, sepse nuk jane perfaqesues as te masave e as te ndonje gjeje specifikisht shqiptare.

    1. Hyllin, unë kam bindjen se, brenda turmës, psikologjia individuale është funksion i psikologjisë kolektive.

  4. Xha Xha, lejomeni te bej nja dy verejtje ne dy shkrimet tuaja.

    1. Qe te jemi te sinqerte duhet thene se se pari te gjithe ne ketu jemi duke hamendesuar sepse bazohemi tek sondazhi rus dhe jo ne ndonje sonazh te bere ne Shqiperi.
    Persa i perket situates ne Shqiperi ne bazohemi kryesisht ne te degjuarit e njerezve lart e poshte dhe tek perqasja e shtypit (te zoteruar pergjithesisht nga njerez te atij sistemi).
    Tjeter gje jane theniet e njerezve te frustruar ne Shqiperi me njeri-tjetrin e tjeter gje do te ishte nese do te pergjigjeshin ne nje sondazh. Pse? Sondazhi eshte me i ftohte, kerkon njefare analize e ftohtesi ne arsyetim. Ndersa bisedat me njeri-tjetrin jane njesoj si ajo nena e cila e inatosur nga gabimet e te birit ne nerva e siper e shan “rrace muti!”.

    2. Por edhe nese do te kishim nje fare perqindjeje (ta zeme 20 perqind) e cila do te ishte nostalgjike, pastaj cfare? Sigurisht se do te na shqetesonte si fenomen dhe prandaj diskutojme por duke kerkuar 100 perqind uniformizim te opinionit per cfaredo ceshtje rrezikojme te behemi pikerisht percues te nje kulture totalitare. Ne c’do shoqeri ka grupe konformistesh e rebelesh, njerez qe jane te prirur ndaj kontrollit e te tjere qe jane te prirur ndaj lirise.

    3. Nese e kuptoj mire ju e shikoni problemin e sotem te rikthimit te imazhit te Enver Hoxhes kryesisht nga pikveshtrimi psikoanalitik. Pra me figuren e Babait. Me pas ju kaloni tek psikologjia sociale duke thene

    “Me fjalë të tjera, njëlloj si në atë sondazhin për Stalinin në Rusi, problemi mund të ketë të bëjë me psikologjinë sociale, jo me atmosferën politike konkrete.”- Xha xhai

    Deri diku jam dakort me ju. Por si kaluat nga psikaanaliza tek psikologjia sociale? Lidhja midis te dyjave nuk behet kollaj sot ne fushen e psikologjise. Per me teper psikologjia socale si perkufizim studion njeriun ne ambient social, pra rrjedhimisht edhe ne ambient politik. Ndersa ju thoni se problemi nuk eshte aq politik. Te gjithe e dime se sa faktor ndikues eshte politika ne ambientin social sot ne Shqiperi (dhe e anasjellta).
    Dhe e fundit per kete pike; psikologjia sociale ne vetvete eshte shumefaktoriale. Pra jane shume faktore qe ndikojne sot ne kete fare nostalgjie per Enver Hoxhen.

    4. Per ta mbyllur mendoj se kjo nostalgji eshte shumfaktoriale dhe jo vetem psikoanalitike (me te cilat bie dakort gjithashtu). Pa dashur te perseris arsyet e tjera qe i kane permendur te tjere ketu, po jap vetem nje shembull permbledhes. Sic e kane thene edhe disa analiste Shqiperia po rrokulliset ngadale drejt nje shembulli latino-amerikan te qeverisjes (me hendek ekonomik, elita te korruptuara etj). Askush, e perseris askush kur u nderrua sistemi “komunist” nuk kishte nder mend kete fare bataku. Prandaj eshte mese normale njefare nostalgjie nga nje perqindje e caktuar.

  5. Dum babën!, jam dakord me ty. Prandaj edhe e hapa këtë diskutim, me shpresë se të tjerë kolegë do të sjellin prurjet e tyre, sipas fushave ku ndihen më të sigurt ose ku besojnë se kanë diçka për të shtuar. Vetëm ashtu besoj se mund ta ndriçojmë sado pak këtë çështje të raporteve që duan të vendosin shqiptarët me liderët e tyre, duke përfshirë këtu edhe nostalgjinë për Enver Hoxhën.

  6. Xha Xha,

    Dyshoj shume qe ka qene “i njejti popull” qe qau dhe e rrexoi Enverin. Kam bindjen se numri i shqiptareve qe s’kane patur asnjehere, asnje lloj iluzioni per Enverin dhe regjimin e tij eshte shume me i madh sec mund te gjykohet nga arkivat e TVSH.

    Edrus,

    1. Mua nuk me bindin fare ato krahasimet e Obames (ose cdo lideri ne demokraci) me Enverin (ose cdo lideri ne diktature). Ndryshimi i madh dhe thelbesor eshte se nese nje pakice ose edhe shumice e atyre qe brohorasin sot per Obamen, vendosin te mos brohorasin me per te, madje te shkojne e te brohorasin per kundershtarin e tij, asgje nuk ndodh. Thjesht Obama humbet ca perkrahes, bie ca pike neper sondazhe. Personave vete asgje nuk ju ndodh. Ne ndryshim shume te madh me cfare ndodhte ne kohen e Enverit po te guxoje te mos brohorisje per te, pale te enderroje brohoritje per kundershtaret. Ka liri te zgjedhesh pra.

    2. Kur krahason luften preemptive me luften e klasave, dua te besoj qe ke parasysh pasojat e doktrines se luftes kunder terrorizmit dhe Patriot Act. Perndryshe nuk mund te krahasosh luften e Amerikes ne Irak, me luften e klasave ne Shqiperi. S’kane lidhje.

    Ndersa po te flasim per gjithe politikat qe ndjek Amerika dhe vende te tjera nen justifikimin e luftes kunder terrorizmit, edhe ka vend per nje lloj krahasimi, por me shume mundim intelektual. Dhe perseri mbetet ne fuqi argumenti i te drejtes per te kundershtuar. Prandaj edhe ka reagim ndaj ketyre politikave, ka grupe e organizma, media etj. qe nuk pushojne se beri presion ndaj qeverise. Gje qe as imagjinohej me luften e klasave.

    3. Ne parim, nuk jam dakord me reaksione te tipit “po francezet/amerikanet/gjermanet nuk kane/bejne?” si argument per te justifikuar mangesite tona. Por ne raste si analiza qe beni ju, me keqardhje, them se eshte me shume se justifikim: eshte nje mbrojtje e hapur e nje sistemi diktatorial me justifikimin se po “mbronte lirine nga cenimi.” Enveri nuk beri kurre zgjedhje te lira, pra, nuk kishte mandat te mbronte lirite e askujt.

    1. LG… shumë presidentë do kalojnë në Amerikë, por, për amerikanët, Xhorxh Washington do të ngelet një nga emrat që do kujtohet më me “nostalgji” nga turmat (xhaxhai më ngjall një urrejtje instiktivisht të kondicionuar sa herë përdor këtë term).
      Arsyeja???
      Ndoshta ngaqë konsiderohet si babai i atij bashkimi të shteteve amerikane?
      Nëse do të bënim një krahasim, nuk mund të themi që një gjeneral i luftës indipendentiste si ai, të mos i kishte lyer duart me gjak po aq sa Enveri.

      Ndoshta dhe ky shëmbull mund t’ju duket irracional… por janë gjëra që bota ika parë e provuar më parë se ne…

      Është kaq patetike nga ana juaj t’i qani hallin atyre që vërtet kanë qënë xhveshur nga çdo liri prej Enverit… të paktën ata njihnin forcën e fituesit dhe ju nënshtruan si mundën fatit…

      1. Ndoshta dhe ky shëmbull mund t’ju duket irracional… por janë gjëra që bota ika parë e provuar më parë se ne…

        Edrus, nuk m’u duk se po perdorje te njejtin argument, kur flisje per martesat e homoseksualeve te cilat bota i ka provuar dhe pranuar.

        Dhe as mos pretendo qe kritika te tilla nuk i drejtohen Xhorxhit… me vjen ne mendje protesta qe Xhorxhi te mos quhet me “babai i kombit” si skllavopronar qe ishte.

        1. Nuk e di se në ç’botë jetoni ju, por pjesa më e madhe e ksaj botës ku jetoj unë, edhe pse mjaft e emancipuar për të mos i diskriminuar ata, nuk pranon që të ndryshojë kuadrin ligjor përsa i përket asaj që, kjo pjesë e botës, quan familje… pra, akoma dhe një herë, s’kemi pse të hiqemi më katolikë se papa.

  7. ””’Hyllin, unë kam bindjen se, brenda turmës, psikologjia individuale është funksion i psikologjisë kolektive.””

    Jam dakort qe turma ne kuptimin e perfaqesuesit te popullit ne shesh/ mejdan, formohet kur ndergjegja kolektive ushtron fuqi mbi ndergjegjen individuale dhe e shtyn edhe ate qe s’eshte i bindur te marre pjese.

    Por ne rastin tone, kemi nje teresi ndergjegjesh individuale te orientuara jo nga ideja per nje te mire te perbashket, por per nje te mire qe humbi, pra aspekti egoist sundon fuqishem mbi ate altruist ; nga ana tjeter kjo teresi eshte me shume matematikore, sesa socio-politike. Po te mos ishte keshtu sot do ishim si Moldavia ku Partia Komuniste fiton rreth 50% te votave.

    Nderkaq nuk dua as ta mendoj se 40% i PS, eshte i krahasueshem me 47% te P. Komuniste Moldave.

    Enveri duhet te harrohet si figure historike, por duhet futur si figure mitike ne ndonje perralle me kucedra.
    Kucedra zaptoi krahinen, hante njerez , u ndihmua nga shume njerez te keqinj, te cilet per kucedren e per vete bene edhe bunkere, por me ne fund Trimi e vrau Kucedren dhe e cliroi krahinen. Trimi shume njerez te keqinj i vrau bashke me Kucedren e ca i fali.

    Del pak ters se mungon Trimi,se kucedra su vra e se asnje njeri i keq su vra, po ska gje, se perralle eshte, rendesi ka ideja.

  8. “…unë kam bindjen se, brenda turmës, psikologjia individuale është funksion i psikologjisë kolektive.”
    Ne kete kontekst, te gjitheve, mbase ju kujtohet patetizmi i shemtuar dhe degjenerimi i ndergjegjes individuale te asaj “shoqes” se partise ne nje mbledhje ne Berat, para disa viteve, kur, per turp te Zotit, u “lutej”….Kujt??!!
    “O, shoku Fatos, o, shoku Ilir, ne nuk duam as uje e as drita (e paimagjinueshme!!), vetem ju te mos ziheni..te shkoni si vellezer..!” Dhe, ndergjegjia kolektive,e duartroket me zjarr e pathos ne sallen e mbushur dinga. Dje, per ata te dy, sot, kerkojne dhe mbeshtesin Tjetrin, edhe pse i “tradhetoi” e i la me gisht ne goje.. Ishin e jane vetem..shqiptare, ne kerkim te babait apo Sulltanit???!!!

  9. Edrus,

    Ma nxorre mallin….!

    Nuk krahasohen mollet me dardhat, zoteri. Washingtoni vrau ne lufte, edhe Enveri vrau ne lufte, te gjithe vrasin ne lufte. E kishim fjalen per qeverisjen ne paqe, ne krahasimin qe deshe te beje me brohoritjet per Obamen dhe brohoritjet per Enverin, ne “cenimin e lirise se tjetrit” ne demokraci qe per pak na e shite si ekuivalent te diktatures.

    Ajo puna e patetikes eshte si ai qe tha “emo mire dhe ti boll bertite, sikur c’te beri komunizmi, ja babane te vrau, s’u be qameti.” Varet nga kendveshtrimi.

    1. LG, po flitej për të shkuarit pas dhe adhurimin e “sulltanit” kur u përmënd Obama… lexo mirë!

      P.s: Im gjysh ka vdekur në 28 tetor të 1976… Ka qënë nga të paktët që, pas 30 vjetësh Shqipëri të lirë, të mos kishte triskat e frontit… prandaj MBYLLE GOJËN kur do të më tregosh të persekutuarit… ose nëse ke për të folur, fol për vehten tënde.

  10. Edrus, im gjysh u VRA nga ai regjim, i biri u internua dhe e shoqja kaloi vuajtje qe nuk pershkruhen, prandaj MBYLLE GOJEN dhe mos fyej ndjenjat e atyre qe kane vuajtur prej verteti.

    1. Mos vallë LG (apo të tjerët që i djeg barku për të vuajturit e regjimit), apo ndonjë parti e djathtë e ka kujtuar ndonjëherë tët gjysh apo tim gjysh???

      Mos vallë të kanë dhënë gjë ty???
      Jo për të të shpërblyer për ç’ke (dhe ç’kam) hequr, por nga pasuritë e tyre?
      Nuk e di arsyen se pse dhe qysh e kanë vrarë tët gjysh… por im gjysh vdiq nga pleqëria… edhe pse gjatë luftës kishte 50 burra nën vehte dhe luftonte kundër komunizmit.

Comments are closed.