ËNDRRA A LA CARTE (II)

(Javën që shkoi mora pjesë, si i ftuar, në një seminar të organizuar nga prof. Elisabetta Terragni në The Bernard & Anne Spitzer School of Architecture, The City College of New York, me temën “Viewing and being seen”, ku mes të tjerash studentët paraqitën disa ri-përfytyrime, prej tyre, të një selie Pallat Ëndrrash, të bazuar në leximin e romanit “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Në vijim është pjesa e dytë e një shkrimi të bazuar në ndërhyrjet e mia në seminar; pjesën e parë mund ta lexoni këtu.)

Duke qenë Tabir Saraji jo vetëm institucion, por edhe ndërtesë, një seminar në një shkollë arkitekture afërmendsh do të përqendrohej te ky modus i dytë, për të shkuar disi më tej konceptit banal të një godine për zyra (office building). Variacionet rreth temës, nga panoptikoni te institucioni total, nga kulla te labirinti, nga ndërtesa-qytet te ndërtesa e nëndheshme, mund të ndihmojnë për të interpretuar më mirë romanin.

Modeli kullë i mëshon mbivendosjes së departamenteve të institucionit, duke e lidhur projektimin e bash-ëndrrës me një rrugëtim sipas përmasës vertikale – nga dheu drejt qiellit. Kësisoj, “recepsioni” i ëndrrave gjendet në nivelin e rrugës, ndërsa seksionet e tjera, nga përzgjedhja te sistemimi, interpretimi dhe bash-ëndrra i mbivendosen njëra-tjetrës; për t’ia lënë bodrumet, ose pjesën e nëndheshme, arkivit – ose vendit ku parkohen dosjet e ëndrrave të vjetra. Me seksionet e saj, kulla i përgjigjet konceptualisht, edhe pse në forma të ndryshme, modelit freudian të psyche-s, me id-in (ëndrrat), ego-n (Mark-Alemin si një lloj alter-egoje të autorit) dhe super-egon (pushtetin totalitar të projektuar në psyche-n e çdo nënshtetasi por edhe në atë institucionale) të shtjelluar sipas një aksi që kalon nga pavetëdija te para-vetëdija[1] dhe pastaj te vetëdija. Ky do të ishte aksi edhe i përftimit të ëndrrave, gjithnjë sipas modelit freudian; edhe i interpretimit të tyre; çfarë do ta shndërronte Tabir Sarajin në mishërim arkitektonik të doktrinës së Freud-it. Gjithsesi, i njëjti model do t’i përshtatej edhe vetë Perandorisë në roman. Nga ana tjetër, institucioni në fjalë është edhe një lloj shërbimi psikanalitik kolektiv, ku interpretuesit e ëndrrave përfshihen në aktivitet semiotik, për të dalluar kuptimet e fshehta të ëndrrave.

Pa dalë nga ky model, le të vërejmë se id-i atje pjesërisht artikulohet përmes narrativave (e tekstualizuara) të ëndrrave, të cilat nuk janë veçse copëza ose fragmente diskursive që mbërrijnë në Tabir Saraj për interpretim; ose gjuhë (langage) e Tjetrit tashmë e disektuar, e balsamosur dhe e arkivuar – çfarë do t’i referohej njëfarësoj modelit lakanian për pavetëdijen dhe strukturimin e saj; sidoqë këto narrativa ëndrrash nuk ndërveprojnë mes tyre përveçse në mendjen e interpretuesve. Kjo do ta afronte Tabir Sarajin me një magazinë narrativash “të dekomisionuara”, edhe pse ende toksike në mos radioaktive: ja një arsye më tepër pse ëndrra të tilla ruhen në magazina të nëndheshme. Dhe meqë, në analizë të fundit, vendimet e mëdha politike në Perandori merren në bazë të indicieve nga bash-ëndrrat, në arkiv ruhen jo vetëm mbetjet radioaktive të ligjërimit të pavetëdijes kolektive, por edhe drejtimet alternative që mund të kish marrë historia, ose – si në kabinetin e një natyralisti të çartur – embrione universesh të mundshme në formaldehid.

Nëse modeli lakanian e afron gjuhën (e Tjetrit) me pavetëdijen, atëherë ka vend për një krahasim edhe me modelin linguistik të Chomsky-t për një deep structure që i nënvendoset surface structure të gjuhës; edhe pse psikanaliza merret më shumë me simbole dhe analiza leksiko-semantike, ndërsa Chomsky-t i intereson para së gjithash sintaksa. Brenda këtij krahasimi, psikanaliza do të ndihmonte më shumë për të kuptuar ëndrrën si proces (çfarë ndodh gjatë përftimit të ëndrrës, zhvendosja, kondensimi etj. dhe lloje të tjera të metaforës), ndërsa modeli gjenerativ do të vinte ndoresh për të përshkruar formalisht narrativizimin e ëndrrës, ose çfarë ndodh kur e tregojmë ëndrrën, duke e përkthyer një eksperiencë psikike totale në diskurs gjuhësor (tekst).

Pavetëdija, strukturat e thella, errësira, nëndheu – të gjitha këto i referohen arkivit të Tabir Sarajit, sikurse i referohen krejt shtetit totalitar. Dhe arkivi ka rëndësi kritike jo vetëm ngaqë dokumenton ëndrrat e rrëfyera, në rrjedhë të kohës, nga nënshtetasit e Perandorisë, por edhe ngaqë atje ruhen dëshmitë e tërthorta të deep structures të diskursit onirik. Dhe, natyrisht, këtu nuk është fjala për koleksionet e ëndrrave në vetvete, por për parashikimin e të ardhmes: duke hedhur vështrimin në bodrumet e psikes kolektive, shteti kërkon të shohë të ardhmen e vet. Tek e fundit, nga shoh një ëndërr te shoh të ardhmen ndryshon vetëm objekti, jo folja – që i referohet gjithnjë syrit, të paktën në shqip.

Një nga projektet e praqitura në seminar e përqaste arkivin e Tabir Sarajit me serverët e kompanive të përpunimit të informacionit, si Google, Amazon ose Facebook; me ç’rast në vend të dosjeve të ëndrrave do të kishim chip-et ku magazinohen Big Data të vjela nga Interneti (si mishërim i vetëdijes por edhe i pavetëdijes kolektive në epokën e rrjetëzimit total) ose burime të ngjashme të dhënash. Koincidentalisht, në kulturën pop (romane zhanri, filma), serverë të tillë gjithnjë përfytyrohen si të strehuar në shpella, tunele ose struktura të tjera të nëndheshme. Vërtet, server farms, por që kanë nevojë për errësirë, që të lulëzojnë. Natyrisht, të dhënat kësisoj të ruajtura janë gjithnjë në dispozicion të atyre që munden a duan t’i përdorin; ndryshe nga dosjet me ëndrra të vëna në gjumë (të narkotizuara) në arkivin e Tabir Sarajit, që mund të konsultohen vetëm me autorizim të posaçëm. Por, në vija të trasha, modelet prediktive ngjajnë: nëse pallati i ëndrrave kërkon të parashikojë të ardhmen në bazë të interpretimit të ëndrrave të nënshtetasve, një mega-korporatë e përpunimit të informacionit kërkon të parashikojë të ardhmen në bazë të data analytics, ose analizës edhe të teksteve që u ka vjelë përdoruesve poshtë e lart.

Të gjitha këto modele të Pallatit të Ëndrrave ndjekin, në heshtje, parimin se arkitektura e këtij institucioni duhet t’ia ndjekë njëfarësoj destinacionin – një lloj izomorfizmi i formës me funksionin: në kuptimin që, sa për të sjellë një shembull, është jo vetëm simbolike, por edhe e sidomos më funksionale që arkivi të vendoset nën dhé, ndërsa “recepsioni” në nivelin e rrugës e kështu me radhë. Përtej këtij konstatimi elementar, nëse ka një model a një strukturë arkitektonike elementare që ndërtesa e përshkruar në roman i afrohet më shumë, ky është labirinti, si hapësirë korridoresh dhe kalimesh që nuk kanë për synim t’ia lehtësojnë rrugën vizitorit por, përkundrazi, t’ia vështirësojnë.

Simbolikisht, labirinti lidhet shpesh me sekretin, mbajtjen të fshehtë, kurthin, madje burgosjen: një nga labirintet e parë, i ndërtuar nga Daedalus-i për Mbretin Minos të Kretës në Knossos, mbante në zemër të vet një përbindësh: Minotaurin. Gjithsesi, kjo strukturë nuk është e thënë të ketë një konfigurim të caktuar: mjafton pamundësia për t’u orientuar. Në roman, Pallati i Ëndrrave shpesh i shfaqet personazhit kryesor dhe ndërvepron me të si labirint: Mark-Alemi nuk e gjen dot rrugën, madje rregullisht humbet nëpër korridoret, kur niset për të shkuar nga një seksion në tjetrin. Nga kjo pikëpamje, ai është “i humbur” (lost), si çdo individ tjetër përballë institucionit totalitar. Pa çka se labirinti i Tabir Sarajit nuk synon të kapë në kurth Mark-Alemin dhe as nëpunësit e tjerë të atjeshëm; qëllimi i tij është të ruajë brenda sekretin e madh, që mund të jetë bash-ëndrra, sikurse mund të jetë edhe zyra e fabrikimit të bash-ëndrrës ose seksioni i torturës a i hetuesisë. Ndërtesa konstituohet kështu si rrjetë merimange, duke i kapur të gjithë dhe gjithçka që i kuturiset brenda.

Mund të pyetet nëse ky strukturim prej labirinti i pallatit i përket ndërtesës si të tillë, apo është tipar që ndërtesa e ka fituar në rrjedhë të kohës, krahas me konsolidimin e funksionit të saj si arkiv i pavetëdijes kolektive. Kush ka hyrë në “Tabir Sarajet” e Tiranës totalitare, përgjithësisht godina plaçkë lufte prej së shkuarës dhe të ripërdorura, do ta ketë vënë re se ndjesia e konfuzionit dhe e çorientimit sa induktohet nga konfigurimi djallëzor i hapësirës brenda, aq edhe i detyrohet arsyes ose detyrimit që të pat çuar atje, dhomave dhe zyrave ku sekretohet pushteti, ku merren vendime për të gjithë, zhguajt prej molusku të mandarinëve të regjimit totalitar[2]. Të tilla ndërtesa e vuajnë konfliktin mes strukturës fillestare relativisht të pandryshueshme dhe nevojës së brendshme për rritje – shtimit të zyrave, seksioneve, departamenteve; shtimit të organikave; ndërlikimit të hierarkive. Nëse nga jashtë ndërtesa duket e barabartë me vetveten, brenda ndërkohë i kanë ndodhur transformime dhe përçudnime të frikshme, ndarje, prishje, murime, ridizajnime, bashkime, bypass-e, çarje, vulosje dritaresh… gati sikur hapësira e brendshme të dojë t’i shkëputë lidhjet me formën “ideale” të ndërtesës dhe të fillojë të transformohet në mënyrë organike, ose duke u rritur dhe u ndërlikuar sipas një logjike anti-gjeometrike. Për së brendshmi, seli të tilla institucionale do të vijnë duke u bërë të ngjashme, në rrjedhë të kohës, me foletë e milingonave; çfarë lidhet edhe me nevojën e burokracisë për t’u vetë-organizuar, në emër të instinktit të vetëmbrojtjes, por pa ndonjë përfillje për estetikën. Në kuptimin që, si çdo qenie “e gjallë”, edhe Tabir Saraji synon, para së gjithash, të ruajë dhe të riprodhojë vetveten, mundësisht duke u rritur dhe duke u komplikuar dora-dorës. Çfarë do të thotë që labirinti, me të cilin përballet më se një herë Mark-Alemi, është shenjë e një institucioni që ia ka dalë të ruajë veten edhe në hapësirë edhe në kohë; pra e traditës institucionale burokratike. Të qenët “i humbur” është, për nëpunësin e ri, efekt anësor i “leximit” të tij nga sistemi imunitar i ndërtesës, që refuzon t’ia hapë dyert dhe t’ia ofrojë brendësinë e vet kujtdo.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.


[1] Ky term i përgjigjet gjermanishtes das Vorbewusste dhe, sipas Freud-it, emërton atë pjesë të vetëdijes që mund të jetë e pranishme në një moment të caktuar, por pa qenë e ndrydhur si pavetëdija. Për shembull, unë e di që Beethoven-i është autori i uverturës Egmont, edhe pse para se ta shkruaja këtë, nuk e kisha thirrur faktin në vetëdije për vite.

[2] Këtu kam parasysh atë gaforrez të njohur me emrin ballore (angl. hermit crab), e cila adopton si shtëpi të vetën zhguallin a guaskën e një molusku çfarëdo.

1 Koment

  1. Arkivat jane mbajtur historikisht nentoke per nje arsye shume praktike si klima. Nentoka ofron temperature kostante te fresket, ne rastet e shkembit/shpelles gelqerore edhe lageshti te ulet. Ne kete menyre si dokumentat ne balte, si ne lekure, si ne leter kane jetegjatesi me te madhe. Qe pastaj kjo arsye praktike stimulon metafora te ndryshme, kjo mundesi eshte me shume nje qyl sesa sforcim i autorit/eve. Autori i nje metafore mund ta vendose kantinen e veres apo bodrumin e proshutes e pastermase mbitoke, ne menyre qe te nxise interpretim, se cdo vera e pastermaja mbitoke, po veshtire se e kunderta, normalja, arsyeja praktike, do te gjeje ndonje interes te madh.

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin