SHYTI E MBAN MENDJEN TE DEMOKRACIA ATHINJOTE

Këta deputetë kot e kanë që marrin fjalën në seancat plenare dhe i sheh gjithë dynjaja të dridhen, të spërdridhen e të thyhen më dysh, në role për të cilat nuk kanë as talent as këllqe, tha z. Shyti, duke mbuluar me panxhë librin që po lexonte[1]. Sa herë që më qëllon të ndjek ndonjë shfaqje të tillë të ububushme, kur këta i turren shoku-shokut me batutat e filmave të Xhamfisesë, a kur duan të tregojnë ndonjë barceletë por nuk arrijnë, sepse u vjen pa pushim për të qeshur, aq sa duket sikur barceleta ishte vetëm pretekst që t’i shihte mileti të zgërdhihen; apo kur hedhin romuze me aludime erotike të ngjethshme, të cilat duhej t’ua ngrinin qimet përpjetë doktorëve që kujdesen për ta dhe janë përgjegjës për normalitetin e tyre dhe të demokracisë përfaqësimtare në Shqipëri – e pra, se herë që i shoh të performojnë kështu, edhe pse e dinë që janë para kamerave, them me vete: këta mund të jenë ligjvënës të mirë, por ama si aktorë lënë shumë për të dëshiruar. Shqipëria tradicionalisht ka nxjerrë aktorë të klasit të parë, që u kanë rrëzuar tavanet teatrove, por me këta të Parlamentit nuk kemi gjë në vijë. Atëherë më vjen t’i shkoj ndonjërit që ka gjëra në dorë, ose që ua luan fijet kukullave; ta kap nga mënga dhe t’i them: ore zotëri, pse nuk i zëvendësoni deputetët, të paktën në seancat plenare të Kuvendit, me aktorë profesionistë, njerëz që dinë të dalin në pazar, që kanë zë të bukur e kumbues dhe mimikë të gjallë e komunikuese dhe gjestikulacion të rrjedhshëm dhe harmoni trupore; njerëz që ua dinë të fshehtat fjalive dhe intonacionit dhe mënyrës si i flitet tjetrit në log; njerëz që vënë mjeshtërisht në punë çdo tik nervoz, çdo të kollur dhe rrufitje hundësh, çdo lemzë dhe lotim sysh, çdo dridhje duarsh dhe këputje gjunjësh; burra dhe gra në gjendje të përçojnë saktë mesazhe me porosi, t’u binden udhëzimeve deri në detaje, të mësojnë tekste përmendsh brenda pak minutash dhe pastaj t’i përsëritin ato para publikut a thua se i kanë përtypur në mendje qëkur kanë ardhur në botë: bindshëm, me seriozitet maksimal, duke e ngritur zërin atje ku duhet ngritur dhe duke e ulur zërin atje ku duhet ulur; duke bërë pauzat e duhura, herë dramatike e herë për të ftuar sallën që të duartrokasë, të brohorasë; ose përkundrazi, për të pritur, me stoicizëm, fishkëllimat, kakarisjet, fyerjet; aktorë profesionistë të mirëpaguar, tha z. Shyti, njerëz që ke qejf t’i shohësh e t’i dëgjosh, që vishen me gusto dhe arrijnë të nxjerrin selfie mahnitëse; të tillë që t’ia rikthejnë dinjitetin e humbur Kuvendit dhe vetë Republikës, në një kohë që edhe të edukojnë, me aq sa munden, të gjithë ata që i shohin në televizion; burra dhe gra të stërvitur me konfliktin skenik, me dramën, komedinë dhe farsën, tha z. Shyti; që dinë të rrëzohen përdhé, kur dikush i godet me kamë, pasi të bërtasin Et tu, Brute?, sikurse dinë edhe të ngrihen sërish në këmbë, pa iu dridhur qerpiku; specialistë për të përcjellë mendimet dhe emocionet e një teksti që nuk e kanë hartuar as e kanë menduar vetë, por që ua kanë dhënë të gatshëm, së bashku me udhëzimet se kë të qesëndisin, kë të sulmojnë, dhe kë të bëjnë fërtele, ashtu si vetëm një hero i skenës mund ta bëjë, ose në një mënyrë të tillë që të duket sikur bota u përmbys, por në fakt në fund të shfaqjes publiku ta kuptojë se e gjitha ka qenë një lojë, edhe pse askush nuk ka dashur të luajë me të; dhe pastaj salla të shpërthejë në duartrokitje të zjarrta, të cilat sot vlejnë më shumë se votat e arsyetuara, në bursën e vlerave politike. Një demokraci teatrale, tha z. Shyti, kjo do të ishte një fazë e avancuar e demokracisë, në epokën e mass mediave; kur fëmijët i marrin nocionet elementare të dialogut nga telenovelat dhe të rriturit janë mësuar tashmë që ta përfytyrojnë historinë, por edhe aktualitetin, nëpërmjet pozës. Një demokraci teatrale, ku do të shpallet hapur se çdo aktor i njohur do të përfaqësojë aksh deputet – duke e shndërruar kështu përfaqësuesin në të përfaqësuar, çfarë është edhe një magji e politikës në një epokë si kjo e tanishmja, kur çfarë jemi nuk ngre shumë kandar, në krahasim me çfarë na urdhërojnë të jemi; dhe ku ndërveprimi publik, nëpërmjet një kthese 360-gradëshe, do të kthehet në teatër, ose te shëmbëlltyra e vet primordiale, në Athinën e Perikliut. Pa folur pastaj që ky angazhim i plotë, full time, i aktorëve më të mëdhenj të trevave shqiptare në jetën parlamentare, si përfaqësues të përfaqësuesve, lajmëtarë që nuk i vret dot; a si role elementare në atë dramë morale e cila u intereson të gjithëve; ky angazhim pra, sipas të gjitha rregullave të punësimit në administratën e shtetit, do t’i çlirojë edhe ata vetë, aktorët që të gjithë ne i duam, nga nevoja për të mbijetuar, e cila i mban sot larg skenave ku luhen dramat dhe komeditë e vërteta të jetës shqiptare, tha z. Shyti. Pa folur pastaj edhe për deputetët, që i kemi si ujët e paktë, dhe që më në fund do të munden edhe ata t’i ndjekin seancat plenare të Kuvendit nga shtëpitë e tyre ose nga lokalet e tyre të preferuara, si gjithë populli, dhe të kënaqen me ato batuta, ngërdheshje dhe skërmitje që deri-dje mund t’i shijonin vetëm të regjistruara darkave, ose pasi ta kishin dhënë efektin. Madje, madje, meqë këtyre deputetëve edhe sot e kësaj dite fjalimet u vijnë zakonisht gati dhe këtyre nuk u mbetet vetëm t’i plotësojnë e t’i hijeshojnë, ashtu si munden, me improvizimet, ornamentet dhe kadencat e rastit, atëherë fjalimet fare mirë mund t’u dorëzohen aktorëve përkatës drejtpërdrejt dhe deputetët vetë t’i dëgjojnë fjalët e tyre për herë të parë në momentin kur shqiptohen në publik, me tonin dhe krenarinë e duhur, nga njerëz si aktorët, të cilëve publiku, ndryshe prej politikanëve, ende u beson. Të gjithë përfitojmë nga ky dramatizim formal i Kuvendit dhe i jetës parlamentare publike, përfundo z. Shyti, madje edhe vetë teatri.

(Marrë nga vëllimi Kusuret e zotit Shyti, Dudaj 2017.)


[1] Më pas arritëm ta zbulojmë që ky libër paskësh qenë romani i Idlir Azizit me titull “Gazetarja e kulturës vet[ë]vritet, shpirti i saj në drejtim të paditur.”

3 Komente

  1. Ne te vertete tentativa per te vene ne jete idene e zotit Shyti jane bere. Vazhdon nje liste e aktoreve-deputete apo deputeteve=aktore:

    Robert Ndrenika
    Xhevdet Ferri
    Rajmonda Bulku
    Luiza Xhuvani
    Zef Bushati
    Arben Imami

    mbeshtetur vetem ne kujtese. Mund te kete edhe te tjere/

  2. Ai zoti Shyti i para ndonje viti ketu tek PTF (ndoshta i vell. I), sikur ishte me i lezecem, me i thjeshte, me naiv, keshtu edhe me i afert me mua lexuesin, ndersa ky zoti i tanishem (ndoshta i vell. II) qenka me intelektual, me i racional, me i perpikte, sikur te kete dashur ti perngjaje autorit, -kjo me duket e largon nga lexuesi.

    1. Nga z. Shyti i të dy vëllimeve mund të kem botuar te Peizazhet jo më shumë se 2-3 pjesë. Tani, i nderuar r.th., dilema që ngre ti për dallimet mes Shytit I dhe Shytit II mund të jetë me interes të madh, por librat për fat të mirë gjenden ende lirisht në Tiranë (nuk them dot në Shqipëri); prandaj të lutem lexoji dhe eja të flasim sërish. Më ndihmo që të të marr seriozisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin