STEMAT E DËSHIRËS

Emblemat e qyteteve supozohet të përfshijnë dhe të tregojnë, në mënyrë tejet të stilizuar dhe mundësisht sipas rregullave formale të heraldikës, ato elemente dhe tipare që janë karakteristike dhe përfaqësuese për qytetin përkatës.

Mirëpo ja, emblema e Bashkisë së Tiranës, e njohur edhe si Emblema e qytetit të Tiranës, lë shteg për diskutim. E miratuar më 14 nëntor 2000, kjo emblemë shfaq stemën e Skurajve, si familja feudale që “sundonte Tiranën” në Mesjetë; Kullën e Sahatit, e cila e sundon skenografinë popullore të Tiranës sot e kësaj dite; dhe një kurorë me tre kulla (corona turrita), të vendosur sipër shqytit, e cila sundon stemën vetë e që thuhet se u dashka të funksionojë si element i përbashkët i emblemave të së gjitha qyteteve të Shqipërisë.

Stema e Skurajve, e cila ekziston vërtet dhe ruhet në Muzeun Historik Kombëtar, i jep emblemës një pamje tradicionale “perëndimore”, për shkak të shenjave heraldike rutinë, si ujku dhe zambaku. Megjithatë, kjo familje feudale e periudhës bizantine të Arbrit nuk ka ndonjë lidhje me qytetin e Tiranës dhe as ka lënë ndonjë gjurmë në kujtesën kolektive dhe profilin e qytetit vetë. Kur është themeluar Tirana, në vitin 1614, Skurajve u kish perënduar ylli dhe u ish tharë pylli, bashkë me zambakët dhe ujqërit.

Dhe nëse është kështu, atëherë emblema e Tiranës, e quajtur në Wikipedian anglisht si Weapon of Tirana nuk i përgjigjet veçse pjesërisht asaj çfarë është Tirana sot dhe historisë së Tiranës, por kërkon ta zëvendësojë historinë reale të qytetit me një histori të imagjinuar, kushedi me synimin për ta afruar kryeqytetin tonë me qytete të tjera të Europës Perëndimore, të cilat kanë pasur marrëdhënie të rëndësishme me familjet feudale. (Ndoshta ujku i Skurajve mund t’u kujtojë qytetarëve sot qentë e rrugëve.)

Vetë shenja emblemë, si e tillë, i ka rrënjët në feudalizëm dhe kërkon të organizojë, në hapësirë dhe sipas një kodi shumë strikt, elemente të origjinës dhe të historisë të asaj çfarë përfaqësohet (një familje, një institucion, një organizatë, një qytet, një shtet, etj.). Mirëpo emblema e Tiranës lë jashtë – sa për të sjellë një shembull – atë çfarë mund të ketë qenë ndoshta ngjarja kryesore në historinë e këtij qyteti: shpalljen e tij kryeqytet. Në krahasim me këtë të fundit, familja e Skurajve është irrelevante; dhe stema e kësaj familjeje vetëm sa e vulos karakterin kitsch të emblemës.

Një filozofi e ngjashme i nënvendoset edhe emblemës së Durrësit, të miratuar në vitin 1995. Na thuhet se ajo paraqet tre momente të rëndësishme të zhvillimit historik të qytetit: anijen liburne, murin rrethues të kohës së Perandor Anastasit (491-518) dhe luanin e stemës së Karl Topisë, që i dha pavarësi politike qytetit të Durrësit.

Sërish i jepet përparësi lashtësisë, pa çka se kjo lashtësi e Durrësit nuk ka shumë lidhje me atë çfarë është dhe çfarë përfaqëson sot ky qytet, për qytetarët e vet dhe të tjerët. Liburnët, një fis i lashtësisë që mund të ketë qenë ilir (por mund edhe të mos ketë qenë), gjëllinte në pjesën veriore të Adriatikut, diku në zonën e Istrias. Sipas një legjende të diskutuar, këta mund ta kenë pushtuar përkohësisht Epidamnin herët në antikitet, por kjo nuk është arsye për t’i përfshirë në emblemën e Durrësit, sepse gjurmët që ata kanë lënë atje janë të papërfillshme. Përndryshe liburnët me piraterinë e tyre kronike dhe Durrësi, si port kryesor dhe terminal i via Egnatia-s, janë në skaje të përkundërta të historisë së bregdetit lindor të Adriatikut.

Karl Topia, që i ka blatuar emblemës bujarisht luanin, sërish mbahet mend ngaqë i dëboi anzhuinët nga Durrësi dhe krejt Shqipëria; por ky akt nuk pati ndonjë pasojë largvajtëse në statusin e Durrësit, si port bizantin më parë dhe zotërim i Venedikut më pas; dhe gjithsesi jo aq sa të përligjë përjetësimin e Topisë në emblemën e bashkisë së Durrësit të sotëm. Njëlloj domethënëse do të ishte sikur të gjendej një mënyrë për të vendosur në emblemë tërmetet që shkatërruan qytetin! Edhe këtu, elementet simbolike të emblemës i referohen një historie “të sajuar”, pa çka se historia e Durrësit është nga më të njohurat dhe më të pasurat e qyteteve të Shqipërisë.

Nga Durrësi në Shkodër: emblema zyrtare e këtij qyteti, na thuhet, i përket “fisit të Balshajve”; çfarë do të thotë se, gjithë çfarë përfaqëson Shkodra në historinë e saj mijëravjeçare dhe në vetëdijen kolektive të qytetarëve të saj u dashka reduktuar te Balshajt, të cilët njëlloj si Skurajt për Tiranën dhe Topiajt për Durrësin kanë luajtur rol relativisht margjinal në jetën e qytetit.

Përkundrazi, emblema e bashkisë Vlorë sundohet nga imazhi i Flamurtarit, si simbol i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare; mbi bazamentin e kalasë së qytetit dhe dy kullave anësore për të cilat thuhet se “janë shenjat që ia ka vënë qytetit Ptolemeu në shekullin II të erës sonë”.

Në fakt, emblema paraqet një riprodhim jo të aktit të shpalljes së Pavarësisë, por të monumentit të Pavarësisë në Vlorë, me një luftëtarin-komit që ka hipur mbi një shkëmb me lëvizjet prej valltari folkloristik; edhe pse Pavarësia e Shqipërisë u shpall nga një politikan dhe burrë shteti si Ismail Qemali, i cili nuk hipi mbi shkëmb, por doli në një ballkon. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë është vepër e realizmit socialist, propagandistike dhe tejet e ideologjizuar, e cila i mëshon idesë se Pavarësia u fitua me “kryengritje popullore”; një ide prekëse dhe vjershë-nxitëse, por që nuk u përgjigjet saktë zhvillimeve historike. Vetë ai monument, sot, përfaqëson më shumë periudhën kur u ndërtua (vitin 1972) dhe ideologjinë historike përkatëse, sesa vetë ngjarjen. Ironikisht, përfshirja e imazherisë së monumentit në Emblemën e Vlorës lë të kuptohet se, për qytetin, festimi i 60-vjetorit të Pavarësisë në 1972 paska qenë ngjarje historike e denjë për t’u përjetësuar në heraldikë.

Edhe dy kullat që tërheqin vëmendjen, ato janë historikisht irrelevante; dhe aq më shumë irrelevante për Vlorën e sotme. Ndërsa për kështjellën, na thuhet se ajo “presupozon simbolin e një historie luftërash, qëndrese dhe aspiratave për liri”, edhe pse nuk më rezulton që të jetë përfshirë ndonjëherë në luftëra të tilla; dhe gjasat janë që të jetë ndërtuar dhe shfrytëzuar si fortifikim nga ushtritë dhe fuqitë që kanë kontrolluar qytetin në shekuj: Roma, Bizanti, normanët, serbët, osmanët dhe kushedi kush tjetër. Jo çdo kështjellë dhe aq më pak kala në Shqipëri mund të pretendojë të ketë pasur historinë e lavdishme të atyre të Krujës dhe të Shkodrës.

Stema e Bashkisë së Mirditës ka në qendër shqiponjën e Arbrit, në një version tejet të stilizuar; dhe përdor si kurorë kalanë me tri kulla, me kompanjelin (sic!) e kishës së Oroshit në qendër, si simbol të përpjekjeve të klerikëve katolikë dhe të krejt komunitetit katolik të Mirditës për të mbrojtur dhe riprodhuar identitetin kombëtar dhe shqiptarizmin. Këtë emblemë e kanë kritikuar për simbolikën fetare (kryqin, të verdhën e Vatikanit) dhe për ngjashmërinë e shqiponjës me atë të Reich-ut; por edhe për kyçjen e saj në histori dhe papërshkueshmërinë ndaj të sotmes.

Mund të vazhdohet edhe më – por veç për të përsëritur. Duket sikur bashkitë e qyteteve kryesore të Shqipërisë kanë zgjedhur njëzëri të përfaqësohen nëpërmjet Mesjetës së tyre: stema familjesh feudale, kështjella dhe fustanella, shqiponja, luanë dhe ujq, shtiza dhe shpata. Edhe pse këto qytete, që nga Tirana e Durrësi te Korça e Vlora janë produkt i kohëve moderne, sërish pushtetet lokale duan të hiqen sikur i mbajnë sytë të kthyer nga e kaluara. Dhe meqë pushtetet, qendrore dhe lokale, punojnë zakonisht për të ardhmen, atëherë kjo e kaluar nuk mund të veprojë veçse si një program restaurimi i një Mesjete më të shumtën të imagjinuar, ose të rindërtuar sipas projektit ideologjik kombëtarist; ose një gjest vetë-lëndues, që fshin vullnetarisht shekuj të tërë, breza dhe përpjekje nga historia e këtyre qyteteve.

Shumë qytete në Shqipërinë e sotme vijojnë të sundohen vizualisht nga kështjellat – Berati dhe Gjirokastra, Shkodra dhe Lezha, Kruja dhe Tepelena, e kështu me radhë. Deri edhe në Tiranë kanë gjetur disa mure, rreth të cilave rrëmojnë arkeologët. Fakti që këto fortifikime, duke qenë prej guri, u kanë rezistuar kohëve, ndryshe nga ndërtime të tjera më të lehta, p.sh. prej druri, nuk vihet shumë re; përkundrazi, kultura zyrtare i trajnon qytetarët ta përfytyrojnë të shkuarën si epokë të kështjellave dhe të rrethimeve (ose nëpërmjet një aberracioni logjik që njihet si selection bias). Dhe këtu anashkalohet edhe e vërteta tjetër, që shumë ndërtime të tilla kanë shërbyer si garnizone, burgje dhe seli administratash ushtarake; jo për gjë tjetër. Prandaj kremtimi i kështjellave në simbolikat qytetare, përfshi edhe emblemat, dhe aq më tepër konsakrimi i tyre në kurorat me kulla është qesharak në rastin më të keq, dhe kitsch në rastin më të mirë.

Emblemat kremtojnë edhe luftën – që nga feudalët komandantë ushtarakë me gjithfarë shpezësh dhe shtazësh grabitqare, te shpatat dhe armë të tjera të ftohta, flamujt valëvitës dhe kështu me radhë; pa çka se qytetet zakonisht rriten dhe mbrothësohen në kohë paqeje dhe pa çka se imazhi i së kaluarës historike si luftë është edhe ai i rremë, ideologjik, madje pedagogjik; aq më tepër që gjatë pesë shekujve të sundimit osman, kur edhe qytetet e Shqipërisë ia dolën të rriten dhe të konsolidohen, lufta ka qenë më shumë përjashtim se rregull. Kësisoj, muret e fortifikuara, bedenat, kullat dhe frëngjitë, që shfaqen në një pjesë të mirë të emblemave qytetare nuk përfaqësojnë qytetet vetë në përditshmërinë e tyre, por një ideologji kombëtariste e cila ende kërkon ta paraqitë të sotmen qytetare në Shqipëri si produkt dhe efekt të “luftërave për mbijetesë, mbrojtje dhe liri”.

Vetë obsesioni me Mesjetën para-osmane nuk mund të interpretohet thjesht si imitim i praktikave heraldike të qyteteve gjetiu në Europë, të cilat kanë stema që përnjëmend u vijnë nga ajo periudhë; dhe as produkt aksidental i faktit që emblemat, si të tilla, janë simbolikë e trashëguar nga Mesjeta dhe rendi feudal. Arbrit kanë qenë dikur pjesë e kësaj Mesjete specifike, por kjo traditë pas pushtimit osman nuk mundi të kultivohej më; prandaj u ndërpre dhe u harrua, për t’u zëvendësuar nga tradita të tjera të paraqitjes simbolike të pushtetit. Dhe pesha kulturore e emblemave është e tillë, që ato nuk mund të pretendojnë të restaurojnë përnjëmend atë kontekst social që i përgjigjet heraldikës mesjetare, por vetëm të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë ndërkohë, në kuptimin që Erion Veliaj dhe familja feudale e Skurajve i përkasin së njëjtës përmasë krono-historike.

Prandaj emblemat e bashkive marrin pjesë, sado modestisht, në procesin e krijimit të një vetëdijeje kolektive të rreme, e cila i mbivendoset realitetit bashkëkohor, njëlloj siç i mbivendoset maska fytyrës. Dekontekstualizimi i shenjave të hiperkodifikuara të heraldikës së fisnikëve feudalë të Arbërisë mesjetare, kontribuon kështu në vjetrimin e rremë të fytyrës së qyteteve, sipas një teknike të mirënjohur të kitsch-it. Në kuptimin që këto emblema, në pjesën më të madhe (sepse ka edhe përjashtime[1]) nuk i simbolizojnë qytetet tona siç janë, por qytetet siç rrëfehen në mitet kombëtariste.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.


 

[1] E tillë më duket emblema e bashkisë së Elbasanit, e cila vërtet ka edhe ajo kalanë në qendër, por pa e rënduar natyrën e saj prej guri; por duke e zbutur paranojën e mureve mbrojtëse me një portë të madhe të hapur, e cila i përgjigjet vërtet Portës së Kalasë, që simbolizon hapjen dhe komunikimin. Një libër i hapur si bazament i qytetit shënjon traditën e lëvrimit të arsimit dhe të dijes në Elbasan, ndërsa ngjyra e gjelbër kopshtet e lulëzuara dhe bujqësinë e begatë përreth.

10 Komente

  1. Meqë shkrimi nxit një shikim kritik të shumicës së emblemave edhe ajo e Elbasanit vështirë e ka të shpëtojë.

    P.sh.: Mos ndoshta brenda saj kemi të vendosur simbolin e perëndeshës Vesta?

  2. Liburnet jane interesante sepse perfaqesojne fisin me te vjeter ilir qe permendet ne histori, qe ka lidhje me ngjarje ne Korfuzin e shek 8 p.l.k, kur kolonizatoret greke te Eubese e me vone Korinthit e kolonizuan ishullin.
    Dy nenfiset liburne qe permenden edhe ne jug te Liburnise jane peuketet dhe enkelejte. Peuketet u vendosen ne Pulje dhe ne Epir, ndersa enkelejte ne bregdetin malazez dhe me vone ne liqenin e Ohrit. Ne fakt talasokracia liburne ne Adriatik ishte e pashpjegueshme pa vendodhjen e peuketeve ne Epir dhe Pulje e te enkelejve ne Malin e Zi.

    Nje anije liburne ne stemen e Durresit vertet qe nuk perkon me peshen historike te liburneve ne qytet, por portin e pare ne Durres mund ta kene ndertuar dhe perdorur liburnet, meqenese porti ekzistonte para kolonizimit grek dhe dy emrat e qytetit jane ilire.
    Nga ana tjeter, mund ta nenkuptojme edhe si simbol trashegimie te Adriatikut, dikur ”mare nostrum” dhe me mire se Durresi nuk besoj se mund ta perfaqesoje ndonje port tjeter shqiptar.

    Pastaj historia e bregdetit tone dhe Durresit si qytet eshte e trazuar me kolonizime dhe pushtime, deri tek pushtimi italian dhe kolonet italiane qe u vendosen ne 1939, por mund ta themi me nje fjale popullore, qe me ne fund shkoi haka tek i zoti.

    Mendoj se simbolika ne rastet e qyteteve bregdetare apo ultesires bregdetare me shume se te perfaqesoje historine duket te perfaqesoje pronesine e perkatesine dhe keshtu besoj se mund te kuptohen edhe shumica e ketyre stemave.
    Trashegimia duhet nenkuptuar me se pari ne kuptimin material e hapesinor, sepse ky eshte edhe shqetesimi i pare i pronarit te cilit i eshte kthyer me hir a me pahir, prona e stergjyshit. Pronari ne fjale nuk e ka legjitimitetin nga perdorimi dhe kujtimet e tij (ndoshta inekzistente) ne ato prona, por nga pronesia,perkatesia.

    Ne kete kuptim, konfirmimi simbolik i pronesise e perkatesise eshte me i rendesishem per brezat e ardhshem sesa historiku i disa dhjetera brezave qe iken.
    Njerezit vriten per pronen e babait, kur kjo eshte me plus, nuk para sheh njerez qe vriten per pronen e babait kur kjo ka si barre borxhe qe tejkalojne vleren e mallit qe trashegohet; nuk behet çdo gje per shpirt e nder te babait. Le te jemi edhe ne caze me praktike me pronat dhe historine e te pareve, se nuk ben dem.

  3. Keto percapje ne graphic design jane treguese te nje aspirate kolektive e shqiptareve per te qene pjese e arealit perendimor, sic jane edhe ato belbezimet faux latine te univeversiteteve tona.
    Nuk duhen pare me aq ashpersi.
    Madje, une do shtoja qe mungesa e kundershtimit masiv ndaj nje kosmologjie vizualisht perendimore, eshte nje shenje ” ne rrugen e gjate drejt civilizimit” qe te citojme nje shkrimtar tone te dashur.
    Kujtoj me kete rast kundershtimin ndaj godines se parlamentit te pare shqiptar qe u kundershtua fort sepse kishte formen e kryqit.
    kshu, kshu…

  4. Arbrit kanë qenë dikur pjesë e kësaj Mesjete specifike, por kjo traditë pas pushtimit osman nuk mundi të kultivohej
    Emblemat e qyteteve te Europës mbisundohen nga hieraldika mesjetare, me kulla, kalorës, mburoja, shpata, luanë, shqiponja. Pra edhe emblemat e tyre evokojnë Mesjetën dhe ndoshta fare pak atë se çfarë “janë sot” këto qytete. Kjo ështê përshtypja ime e përgjithshme dhe shëmbuj përgënjeshtrues mund të gjenden.
    Pra nuk është se vetëm ne alipokojmë këtë teknikë ( kitsch)

    A .V
    “Arbrit kanë qenë dikur pjesë e kësaj Mesjete specifike, por kjo traditë pas pushtimit osman nuk mundi të kultivohej ”

    Ndryshimi me perëndimin sigurisht është tek fakti që me pushtimin osman, tradita e arbërisë mesjetare u ndërpre.
    Meqë ndodhi kështu, si do të duhej të ishin emblemat e qyteteve tona, që të jemi korrekt me historinë ? Të shtohej një gjysëm hënë, një imazh xhamie dhe hamami?
    Edhe grekët e prag të pavarësisë nuk kishin asnjë shenjë nga helenët dhe peisazhi Athinës dominohej nga xhamitë islame. Por pa u tutur nga akuzat se po kultivonin ” një vetëdije kolektive dhe histori të rremë” , restauruan monumentet dhe sitet arkeologjike të antikitetit.
    Sigurisht që emblemat kanë teprime me përdorimin pa kriter të imazhit të kështjellave (simbol i qëndresës !) dhe elementë të tjerë anēsorë që mund të ishin më përfaqsues . Por më duket e skajshme që konceptimin e emblemave të qyteteve , në përgjithësi, ta vlerësosh si trukim i historisë së tyre dhe pjesë e ” mitit kombëtarist “.
    Berati, Shkodra, Vlora, Durresi , Elbasani etj kanë historinë e tyre dhe në librat e historisë përshkruen mbishtresat dhe gjurmët që la sundimi osman në arkitekturë, kulturë dhe zakonet popullore.
    Emblemat janë simbolike dhe sintetike. Ndryshe do duhej që për të qënë “korrekt” me historinë e qytetit , emblemat ti ngarkonim me të gjitha shenjat e kohërave. Psh emblema e Tiranës:
    Sulejman pasha , Katunari tirans me shallvare, pusi me carac, xhomia, pazari me qypa dhe kaçile, Zogu I , ylli komunist, dy gishtat e demokracisë, kioskat, kulla e sahatit dhe Kullat e kapitalizmit triumfalist.

  5. Skurajve u kishte perenduar ylli dhe u ishte thare pylli, bashke me zambake the ujqer.Ujku i Skurajve, mund te ju kujtoje qytetareve, qentë endacakë.Erion Veliaj-Skurajt dhe triada e kullave, si vazhdim i krono-historise.E verdha e Vatikanit dhe shqiponja e Reich-ut.Dy kullat qe mendohet “se i vuri Ptolemeu i dyte si shenja emertuese te qytetit, shekulli …p.e.s ,emblema e Balshajve me dy yje tete cepesh,simbol hënor i perdorur nga Aleksandri i Madh, apo Dhulkaneini i thirrur ne Kuran,me S gjarperuese midis,si vija sigmoidale, qe ndan rrethin e Taoismit,me perpjestimet Jin mashkullor dhe Jang femeror.Oh sa kam qesh,riperserita aq sa mu kujtua, ndofta jo me besnikeri, te ketij shkrimi perle, mitrrënues ikonathyes, perjashtuar pjesen fundore mbi emblemen e Balshajve, shtuar si spjegim i imi vetanak.

  6. Pika s. greket nuk me duken nje shembull i mire edhe sepse strategjia e tyre e vetedijes kolektive ne teresi doli deficitare me largimin e 1.5 mln grekeve nga Anadolli dhe me greket e Qipros qe e shogin veten pothuajse si komb me vete.
    Ne thelb, qendrojne forca e perfitimi dhe popujt duhet te dine ne çdo moment se cila eshte forca dhe perfitimi i tyre. Katastrofat vijne sepse heret e vone ndodh nje e tille, por edhe sepse popujt humbin nga radari se cila eshte forca dhe perfitimi i tyre.

    Ne kete kuptim edhe pretendimi i xha xhait per me shume elemente islamike dhe bashkekohore duhet pare me vemendje, sepse perfitimet dhe forca jone nga keto hazdisje europianiste, nuk jane rritur aspak. Eshte thjesht rastesi qe ky shkrim perkon me viziten e Rames ne Turqi, por meqe kemi koincidencen perfitoj nga rasti te them se duhet te shohim me shume modelin turk te zhvillimit.

  7. Hyllin, me shëmbyllin e Greqisë ilustrova idenë sesi shtet- komb konstruktojnë historinë e tyre, si përmbajtje por dhe si imazh , që nga skulpturat monumentale, sitet arkeologjike, librat e historisë e deri tek emblemat, stemat dhe simbolet heraldike .
    Historia , edhe tek kombet që e kanë mjaft të pasur dhe pavarësisht se mbështetet nê një bazë faktike, tek e fundit është një produkt sintetik imagjinar dhe i selektuar i rrjedhës së kohës reale me të gjitha dimensionet e saj, luftrat, kultura, murtajat, ekonomia, institucionet, politika, ndërtimtaria, shkenca, arsimi etj.
    Si e tillë ajo nuk mund të riprodhohet në totalitetin e saj në një emblemë, me gjuhën e simboleve.
    Vehbiun e mbështet kur shtron problemin e stemave me elementë të stisur dhe jo aq domethënës për historinë e një qyteti.
    Por Vehbiu thotë se një nga problemet e mëdha të stemave të qyteteve tona është fakti se ato “janë të zhytura tërësisht në histori ( të trukuara , të rreme)” dhe nuk kanë ASNJE shënjë nga e sotmja e qyteteve.
    Po shikoja stemën e Parisit – një anie me vela të bardha, sfondi kuq e blu dhe stema e Berlinit -një ari i zi me pesë korona a lule të arta lart. Pra dy qytete me aq shumë histori, me kaq shumë simbole nga e sotmja e përsëri ato janë tërësisht të zhytura në Mesjetë.
    I vetmi dallim me stemat tona është se ato vijnë tê dokumentuara si emblema e shenja realisht të përdorura në mesjetë në të dy qytetet.

    1. Diskutimi më duket se vërtitet rreth “paranojës së mbylljes”, dhe asaj që së fundi ka nisur të quhet quhet “pronoja (pronoia) e hapjes”. Të dyja qëndrimet kanë përkrahësit e tyre që identifikohen lehtë kur i pyet nëse janë pro apo kundër globalizmit, shtetit-komb, etj., etj.

  8. Pyetja që bëra unë është e dyfishtë: nga njëra anë, çfarë tregojnë, dhe nga ana tjetër, çfarë përfaqësojnë këto emblema. Për mua, shumë emblema gënjejnë haptazi, duke përfaqësuar një histori të rreme. Për shembull, Skurajt nuk kanë asnjë punë në emblemën e Tiranës, janë përfshirë atje kot, për një arsye banale. Askujt nuk besoj se i vjen në mendje Tirana, kur përmenden Skurajt dhe anasjelltas. I vetmi argument që mund ta përligjte këtë, do të ishte sikur emblema e Tiranës të ish trashëguar nga Mesjeta, bashkë me ujkun e Skurajve – në këtë rast, do të mund të thuhej se po e ruajmë emblemën për hir të traditës. Këtu vjen në vështrim edhe çfarë tha një koleg për emblemat e Parisit dhe të Berlinit. Për shembull, anija në emblemën e Parisit i referohet rëndësisë që kishte tregtia lumore për qytetin, në kohën kur u vendos si do të ishte emblema. Edhe ariu në emblemën e Berlinit është i vjetër, që në shekullin XVIII. Ndërsa Skurajt në emblemën e Tiranës janë të vonë, po aq të vonë sa edhe emblema vetë. Prandaj edhe operacioni është kitsch – sepse ne zgjedhim për kryeqytetin një emblemë e cila duhet “të duket” si e vjetër; duke e vjetruar artificialisht. Në thelb, operacioni është haptazi falsifikues, i një kategorie me falsifikimin e ikonave, për t’i shitur në tregun e zi. Edhe emblema e falsifikuar e Tiranës mund të vlejë për t’u shitur në tregun turistik, ose për të kultivuar një mit kombëtarist naiv. Por kur e them këtë, nuk është se kërkoj zëvendësimin e një takëmi simbolesh të rreme me një takëm tjetër. Sepse do të ishte absurde sikur të pretendoja zëvendësimin e ujkut të Skurajve me një hamam ose me një han të fillimeve të Tiranës gjatë periudhës osmane. Përkundrazi, besoj se në emblema duhen futur ato shenja të qytetit që ngrenë peshë për qytetarët e sotëm, që kanë domethënie, që kanë vlerë – për shembull, për Tiranën fakti që është kryeqytet; ose për Durrësin, fakti që është porti kryesor i vendit, e kështu me radhë. Nëse nuk i kemi pasur emblemat në traditë, kjo nuk do të thotë se duhet të shpikim një traditë me zor: mjafton të adoptojmë emblema me dinjitet. Dhe po i jap rëndësi kësaj pune ndoshta më shumë se ç’meriton ngaqë më duket se kitsch-i i emblemave të qytetit tradhton krejt qasjen tonë kitsch ndaj historisë, ose gatishmërinë për t’u mjaftuar me sajime dhe fantazira, të cilat na përkëdhelin sedrën. Ah Skurajt, ah Topiajt, ah Balshajt… dhe të mendosh se disa poseurs akoma e mbajnë këtë për kulturë!

  9. I bashkohem komentit te Pika.s, duke shtuar vetem qe, sapo i pashe stemat perkatse e perfaqsuese te qyteteve shqiptare, njera me e bukur se tjetra, por -me duket se- nuk u pergjigjeshin aq historikut dhe emrave te rretheve/ qyteteve te tyre perkatese.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin