DEBUSSY ME NGADALË

Pjesët e vogla të Debussy-së për piano gjithnjë më kanë tërhequr – se ç’kanë një magji, një gjë shumë “franceze”, një elegancë, një cilësi prej “të pambaruare”, “të lëne përgjysmë”, një si hezitim ose psherëtimë ose lemzë, një papërcaktueshmëri që me siguri lidhet me kromatizmin, një shkëlqim që çuditërisht të kujton se ti nuk i përket dot, se ajo botë nuk është jotja as do të jetë ndonjëherë; një aluzion se muzika vetë është gjithnjë pak më tutje aftësisë sate për ta rrokur krejtësisht, si një përkujtesë për limitet e tua, vonesat në edukim, kohën që ke humbur në rini, ose edhe thjesht faktin banal që nuk ke jetuar në Paris; dhe një sugjerim tjetër, gjithnjë me mirësjellje të tepruar, se kjo lloj muzike ka një publik të vetin, më të stërholluar, në gjendje që ta kuptojë dhe madje të gjendet aty në elementin e vet, njëlloj siç gjendesh ti në elementin tënd, kur dëgjon e ngazëllehesh aq natyrshëm me “Ra Faja prej fikut!” – pak a shumë. Për ta arritur këtë efekt, nuk ka nevojë të jesh snob, që një muzikë e tillë të përvijojë, si rrudhat e brishta që vizaton era në sipërfaqen e një pellgu në park, hijen e murrme të snobit brenda teje; duke të tunduar, teksa të mrekullon.

Prandaj u habita sot kur lexova, në një recension te The Spectator për një biografi të kompozitorit nga Stephen Walsh (Debussy: the musical genius who erupted out of nowhere), se për autorin e atij shkrimi, pjesa La plus que lente, të cilën unë e njoh mirë dhe e pëlqej dhe madje e mbaj si të kategorisë së përshkruar më sipër, paskësh qenë një “vals i ngadalshëm vulgar”, të cilin mund ta shpëtojë nga harresa vetëm mundësia – e pagjasë – që ky të ketë qenë një parodi shpirtligë e modës së kabareve të kohës.

Vals i ngadalshëm vulgar? Me të shpejtë shkova të konfirmoj emrat e të gjithë atyre të famshmëve që e kanë interpretuar, por edhe ky ushtrim i strukjes pas një autoriteti nuk ma hoqi dot ankthin “estetik”, ose më mirë ndjenjën e dështimit tim të radhës në fushën e muzikës serioze dhe konfirmimin e virtytit tim vikar prej ndjekësi të shijeve të kanonit dhe rekomandimeve të tekstit Classical French Piano for Dummies (ose më mirë akoma, An Idiot’s Guide to French Piano Elegance).

Vals i ngadalshëm vulgar? Prit njëherë, xhanëm. Dakord, ca lexime që bëra tani – pas pilafi – më informuan se ky vals nuk mund të “kuptohet” jashtë referencave intertekstuale të Francës së fillimshekullit XX, muzikës së orkestrave cigane (Romany), foyer-eve të hoteleve varur pezull midis dekadencës dhe luksit, kitsch-it parizian dhe një fryme të trazuar sifilitike-tuberkulare, që alternohej si e kuqe ekzantematike dhe e verdhë prej dylli në fytyrat e artistëve të vdekur urie. Kromatizëm, pra, por si rimodelim i tonalitetit sentimental, që po shkërmoqej së bashku me shumë garanci të tjera, borgjeze dhe mikroborgjeze, në vigjilje të Luftës I Botërore. Shkurt, gjëra që unë s’mund t’i dija, kur e pëlqeja valsin – dhe që tani m’i kanë futur edhe mua pasuritë muzikore të patundshme në krizë.

Tani mësoj edhe se ky titull, La plus que lente, nuk u përktheka si “më se e ngadalshmja” (as frëngjishten…), por vetëm si “më i miri i valseve të ngadalshme”, duke pasë qenë këto të fundit standard në kabaretë dhe dancingjet e kohës; deri në atë shkallë sa të përcaktonin vetë atmosferën sociale në Francën e asaj kohe dhe t’ia sillnin kompozitorit në majë të hundës. Sikurse mësoj edhe që Debussy-ja mund ta ketë gjetur frymëzimin, për këtë grimcë muzikore, nga një skulpturë e vogël, të titulluar Valsi, që e mbante tek oxhaku (kitsch?); çfarë nuk e përjashton komponentin e fortë Romany në melodinë e pjesës – i cili gjithashtu më kish shpëtuar, por që tani po më duket lehtësisht e dallueshme, sidomos në marrëdhënie me stilemat e gypsy jazz që do të pasonte. E gjitha në trajtat e një loje marramendëse në sintaksë, por duke ia lënë semantikën në dorë dëgjuesit.

Edhe një dyshim tjetër, meqë vështirë se do t’i kthehem më kësaj teme: po sikur snobi të mos kem qenë unë, që e kam pëlqyer La plus que lente ndoshta ngaqë e kam ditur se është kompozim i një gjeniu; por autori i atij shkrimi te The Spectator, i cili nuk gjen dot mënyrë tjetër për ta shprehur super-kompetencën e vet muzikologjike, përveçse duke ua rrëzuar idhujt e obeliskët të tjerëve, më pak të diturve, atyre që rrinë përjashta, atyre që e dëgjojnë muzikën me kufje të prishura, atyre që u bien pianove të çakorduara, kur nuk u bien tastierave CASIO?

Mes gjithë këtyre dyshimeve e mëdyshjeve, një konkretësi e vetme: pjesa La plus que lente, që po e sjell këtu në interpretimin e Daniel Berman, mu siç ma rekomandon Google-i:

1 Koment

  1. Maje vedin A.Vehbiu he burr!Pertej shakase Debussy pse eshte i ngadalte,eshte shume i veshtire per tu luajtur,pasi eshte ndjenje e kulluar mbreslenese,impresioniste,e lidhur me agsholet&perendimet detare,valzimet e buta,me shkume te bardhe qe shkrihet ne moment gjate zbaticave,ndersa kundron koderzat e voçka te fundshtrojes se detit te terhequr,ndersa uji te ledhaton kembet,puhiza e ngrohte lehtaz,te puprron shtatin,ndersa me endje dhe nge mbledh yje deti, guacka te myrretyera,kermij deti,guralece ngjyre mjalti,e koha e hapesira lakohen bute,puqen puthen perqafojen,dhe ti shkrihesh ne kte mjedis te pazakonte,sa perditesia e rendomte avullon,ndersa ti pluskon duke sfiduar forcen e rendeses.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin