HIJA E BIEMMI-T

Mes burimeve tradicionale të historiografisë për Skënderbeun, vend të rëndësishëm zë vepra e priftit italian Giammaria Biemmi, me titullin Istoria di Giorgio Castrioto Scander-Begh, e botuar në Brescia të Italisë më 1742 dhe e ribotuar po aty pak vite më vonë (kjo vepër mund të shfletohet e tëra falas në këtë lidhje). Në hyrje të këtij libri, mes sqarimeve për burimet që kish shfrytëzuar, Biemmi pat përmendur një histori të Skënderbeut të shkruar latinisht dhe të botuar në Venedik më 1480 (30 vjet para Barletit), dhe që e pat zbuluar ai vetë. Kjo vepër, e cila Biemmi-t i kish rënë në dorë e dëmtuar dhe pa disa fletë në fillim dhe në fund, dukej se ish hartuar nga një shqiptar nga Tivari të cilit nuk i dilte gjëkundi emri (dhe që më pas do të njihej si “Antivarino” ose “Tivarasi”), në bazë të rrëfimeve të vëllait të vet, oficer i gardës së Skënderbeut. Gjithnjë sipas një informacioni që kish parë Biemmi në atë vepër, libri ishte botuar “nën kujdesin dhe nën shpenzimet e Erhard Radoltit nga Augsburg-u”. Sikurse shumë mund ta dinë, Biemmi thotë se e shfrytëzoi gjerësisht në librin e Tivarasit, por vetë libri i këtij të fundit nuk është gjetur gjëkundi ndonjëherë. Megjithatë, nga veprat historike më të njohura dhe më me ndikim në kulturën shqiptare, “Historia e Skënderbeut” e Nolit, e botuar në Boston në 1921 (dhe që mund të shfletohet falas këtu), mbështetet haptazi dhe gjerësisht te Biemmi; madje Noli shpall se e çmonte më shumë këtë të fundit ndaj Barletit, meqë i ka këmbët në tokë dhe nuk fluturon si i dyti, duke përmendur pastaj edhe që Fallmerayer-i “është i mendjes që Anonimi Tivarás s’qé tjatër veç kardinali Pal Engjëlli, kryepeshkóp i Dúrësit”, meqë edhe ky ishte nga dera e princëve të Tivarit dhe kishte një vëlla oficer pranë Skënderbeut.

Më parë markezi Grimaldi në 1906 dhe më pas, në vitet 1930 të shekullit XX, tre historianë dhe filologë në bashkëpunim mes tyre – F. Baninger, K. Ohly dhe F. Pall – patën dyshuar fort se historia e Biemmi-t mbështetej mbi një vepër të paqenë, në kuptimin që trajtesa historike e Tivarasit nuk kish ekzistuar kurrë. Veçanërisht Ohly, specialist i librave të rrallë (inkunabulave), kish verifikuar që asnjë vepër e tillë nuk figuronte në katalogët e arkivuar të punishtes-shtypshkronjë të Radolt-it në Venedik, ndërsa Pall-i pat vënë re se informacioni i Tivarasit ishte, në fakt, një ndërthurje emrash dhe të dhënash të nxjerra nga burime të ndryshme ose thjesht të trilluara.

Në disertacionin e vet me titull George Castrioti Scanderbeg që mbrojti në Universitetin e Bostonit, në 1947, Noli mbajti qëndrim ndaj këtij zbulimi filologjik, që në thelb ia zhvlerësonte historinë e vitit 1921. Për fat të keq, siç vëren Kristo Frashëri dhe të tjerë (FRASHËRI, f. 14-15; PLASARI, f. 32), ai njihte vetëm një punim të hershëm të Babinger-it dhe jo atë më të rëndësishmin e Ohly-t; dhe argumentet e Babinger-it nuk e patën bindur. Për pasojë, edhe historia “e dytë” e Nolit, e botuar disa herë në shqip, nuk e merr parasysh në mos faktin, të paktën mundësinë që Biemmi të kishte sajuar njoftimin për veprën e Tivarasit dhe të dhënat që thotë se i ka nxjerrë që andej.

Gjithnjë sipas Kristo Frashërit, Aleks Buda – një tjetër skënderbegolog i rëndësishëm i shekullit XX – u bashkua me tezën e Babinger-it, Ohly-t dhe Pall-it, e pranoi që vepra e Biemmi-t mbështetej mbi një burim të sajuar dhe se Tivarasi nuk ekzistonte; dhe kujtoi edhe që Biemmi njihej tashmë si falsifikator, meqë kish falsifikuar edhe dy kronika mesjetare të qytetit të Brescia-s, ndërsa një falsifikim i tretë i ish gjetur pas vdekjes, i papërfunduar. “Njoftimet e Anonimit Tivaras duhen mënjanuar nga burimet e Historisë së Skënderbeut” ka shkruar Aleks Buda, në vitet 1980 (FRASHËRI, f. 16-17).

Vetë Kristo Frashëri, te monografia e tij Skënderbeu, Jeta dhe Vepra, e pranon se në punimet e tij të mëparshme është bazuar shpesh te Biemmi; por se në këtë punim të mëvonshëm gjykon se është e mundshme të trajtohet një histori e Skënderbeut  “duke u mbështetur vetëm në burimet dokumentare bashkëkohore, pa shfrytëzuar dy biografët e diskutueshëm” (d.m.th. Barletin dhe Biemmi-n), përveçse “me përjashtime të rralla dhe për ndonjë hollësi të dorës së dytë” (FRASHËRI, f. 18-20).

Mirëpo mjafton një kontroll i indeksit të emrave të veprës së Frashërit për të verifikuar se Biemmi atje përmendet në 36 faqe të ndryshme dhe jo për t’u distancuar prej tij a për ta përgënjeshtruar. Sipas Schmitt-it, Kristo Frashëri “edhe pse është i vetëdijshëm për këtë falsifikim, prapëseprapë e përdor atë meqë disa elemente thelbësore të tij janë bërë tashmë një traditë e dashur”, çka “pasqyron karakterin e një pjese të madhe të shkencës shqiptare (SCHMITT, f. 481).[1] Schmitt-i citon edhe një vërejtje të Aleks Budës (nëpërmjet Ghetti-t), që sikur të hiqej dorë nga Biemmi, shoqëria shqiptare do të duhej të hiqte dorë nga elemente shumë familjare të historisë së Skënderbeut – e për këtë gjë nuk ekziston gatishmëria deri më sot. Shkruan Schmitt-i:

Fati i falsifikimit biemmian tregon se ç’forcë të çuditshme mund të ushtrojnë rrëfime të caktuara kur ekziston një vullnet politik dhe kulturor për t’i besuar ato. Sado që historianë profesionistë të Ballkanit janë distancuar nga Biemmi, në shtresa të gjera të popullsisë por edhe në kulturën shtetërore të kujtesës (psh. në muzetë e Krujës dhe të Lezhës) fantazitë e priftit të talentuar lombard vazhdojnë të jetojnë si fakte historike. (Schmitt, f. 482)

Aurel Plasari, te “Skënderbeu një histori politike” adopton një qëndrim më të moderuar, duke theksuar se edhe dokumenteve “të rreme” nuk është e thënë se u mungon krejt vlera historike dhe kulturore; dhe jo vetëm ngaqë mund të përmbajnë edhe të vërteta, por edhe ngaqë hedhin dritë mbi motivet e “falsifikatorit” dhe më në fund, për vetë “ndikimin që falsi mund të ketë pasur mbi historiografi”. Plasari thekson edhe se “si të gjitha falset historike të mirëfillta, edhe Historia e Biemmi-t […] nuk mund të lindej nga ‘hiçi’ dhe se prifti breshian ka pasur në duar “burime historike të dorës së parë” dhe ndoshta edhe “akte të humbura” (PLASARI, f. 35). Sipas Plasarit, Biemmi duhet llogaritur “si njëri ndër autorët më të informuar për historinë e Skënderbeut dhe njëherësh njëri nga historianët më të rëndësishëm të tij.” (PLASARI, f. 36). Prandaj Historia e tij ruan vlerat e veta si burim për historinë e Skënderbeut, pavarësisht nga statusi i Tivarasit dhe veprës së tij fantazmë. Shkruan Plasari (PLASARI, f. 37):

Ndërsa Historia e “Antivarinos” mund të jetë një fantomë, teksti i Biemmi-t është një realitet dhe leximi i tij “në shkallë të dytë” mbetet i pashmangshëm.

Ky qëndrim mund të artikulohet edhe më thellë, duke paravenduar se Tivarasi dhe vepra e tij mund të jenë vërtet gënjeshtra (sajime) të Biemmi-t, por kjo nuk e bën vetvetiu të rreme historinë e tij të Skënderbeut. Në çdo rrethanë, vërtetësia e historisë së Biemmi-t duhet verifikuar nëpërmjet krahasimit me informacionin e marrë nga burime të tjera; dhe sajimi i Tivarasit dhe i “veprës” së tij prej Biemmi-t mund të shihen, të paktën hipotetikisht, edhe si një formë reklame që ky i bënte veprës së tij, për ta paraqitur si më autentike se ajo e Barletit, dhe prandaj edhe të denjë për vëmendje.

Për ta kthjelluar më tej supozimin tonë, le të vëmë menjëherë në dukje se cilësimi “falsifikim” për historinë e Biemmi-t nuk është i saktë. Ose më mirë, do të ishte i saktë, vetëm sikur ky historian të ish ulur dhe të kish krijuar një vepër të rreme, për ta paraqitur atë si të Tivarasit; dhe këtë vepër t’ia kish shitur, ta zëmë, ndonjë koleksionisti ose biblioteke të kohës. Përndryshe, nëse do të pranojmë se historinë e Tivarasit nuk e ka parë kush dhe se, në fakt, ajo ekziston vetëm në imagjinatën e Biemmi-t, atëherë falsifikimi nuk është “konsumuar.” Duke e paraqitur këtë vepër imagjinare si burim të historisë së vet, Biemmi gënjen publikun (lexuesin), por vetëm kaq.

Le ta krahasojmë këtë me çfarë ndodhi para disa vjetësh kur një historian, Musa Ahmeti, lajmëroi publikun se kish zbuluar një dorëshkrim shqip më të vjetrin që njihej, të vitit 1210 – nga një Teodor Shkodrani; madje edhe bëri të njohur një paragraf nga teksti i atij dorëshkrimi (më tepër këtu). Dorëshkrimi nuk doli ndonjëherë në dritë dhe as e pa kush dhe as u botuan gjëkundi faksimile të faqeve të tij; aq sa sot kemi të drejtë të gjykojmë se Ahmeti gënjeu publikun, duke i dhënë informacion të rremë. Por edhe këtë herë nuk është se pati ndonjë falsifikim të mirëfilltë; sa kohë që asnjë dorëshkrim nuk iu tregua publikut a specialistëve të fushës.

Përkundrazi, në qoftë se vërtetohet me ndonjë mënyrë dyshimi i shprehur nga ndonjë filolog, se Formula e Pagëzimit, përndryshe e njohur si dokumenti i parë i shqipes së shkruar, në fakt është produkt i një shekulli më pas i shtuar më vonë në një dorëshkrim autentik të shekullit XV, atëherë do të kishim të bënim me një falsifikim; meqë formula, ashtu siç e njohim, ka ekzistencë reale, materiale; mund të shihet me sy.[2]

Tani, për t’u kthyer te Biemmi dhe Tivarasi, debati nëse ky i fundit ka ekzistuar apo jo më duket se ka errësuar një problem tjetër më të mprehtë, të lidhur me të, por gjithsesi që duhet bërë veçan – dhe pikërisht, përgjigjen e pyetjes nëse historia e Biemmi-t thotë apo jo gjëra të paqena. Kjo pyetje kërkon përgjigje të pavarur nga statusi i Tivarasit; sepse mund të ndodhë – teorikisht – që Tivarasi të jetë tërësisht i sajuar nga Biemmi, por historia e këtij pak a shumë e saktë dhe e konfirmueshme me rrugë të treta; sikurse mund të ndodhë – sërish teorikisht – që Tivarasi të ketë ekzistuar vërtet, por vepra e tij të ketë pasur sajime dhe gënjeshtra të cilat i janë përcjellë pastaj Biemmi-t. Sa i përket gjasës së parë, kujtoj që përftesa për ta paraqitur një vepër si të bazuar mbi një tjetër më të hershme, të gjetur ose zbuluar, etj., njihet në letërsinë europiane; kujtoj këtu Don Kishotin, për të cilin Cervantesi pat thënë se kapitujt e parë ishin marrë nga “Arkivi i Mançës” ndërsa pjesa tjetër ish përkthyer nga arabishtja prej autorit maur Cide Hamete Benengeli. Kjo përftesë metafiksionale natyrisht nuk ka vend në historiografi, por në një rast të skajshëm mund të merret edhe si manierizëm e një historiani disi të paskrupullt, që kërkon t’ia ngrejë vlerën veprës së vet, duke shpikur një burim të hershëm.

Prandaj nuk është aq Tivarasi, si burim a personazh, që shqetëson historiografinë; sa rreziku që Biemmi, nëpërmjet Tivarasit ose me pretekstin e këtij, të ketë futur në vepër gjëra të sajuara, të paqena, ose të pakonfirmuara nga asnjë burim i besueshëm. Për krahasim, diçka të ngjashme mendohet të ketë bërë edhe Barleti, sa kohë që fjalimet e shumta me të cilat e ka zbukuruar veprën dhe letrat e riprodhuara nuk kanë zakonisht vlerë dokumentare, por janë fiktive dhe retorike, siç i kërkonte zhanri dhe koha (stili historiografik humanist, me referime të forta ndaj historiografisë klasike greke dhe latine). Gjithsesi, edhe në qofshin të sajuara, letrat dhe fjalimet nuk e rrezikojnë vërtetësinë e një narrative historike ose të një kronologjie, sa kohë që tekstet përkatëse nuk sjellin fakte “të reja” dhe nuk përgënjeshtrojnë faktet e njohura (me fjalë të tjera, sa kohë që letrat e sajuara nuk e gënjejnë lexuesin).

Teksti i Biemmi-t është akuzuar për shpikje, sajime dhe shtrembërime, të cilat pastaj kanë gjetur vend në vepra historianësh për ne të rëndësishëm – si Noli. Kështu, sipas historianit rumun F. Pall që ka shkruar për këtë, të dhënat për Kuvendin e Lezhës (1444), betejën e Torviollit (1444), betejën e Drinit me venedikasit (1447), paqen me sulltan Mehmetin (1451), incidentin në dasmën e Mamicës (1447), tradhtinë e Gjergj Stres Balshës (1456) e plot të tjera duhen konsideruar si fantazira të Biemmi-t (FRASHËRI, f. 14).

Tani, nëse konfirmohet si rrenë e dhëna e Biemmi-t (nëpërmjet Tivárasit) se fill pas fitores së Albulenës Skënderbeu i dërgoi Alfonsit, së bashku me Hamza Kastriotin rob lufte, edhe “12 kuaj, 4 flámure të Turqisë dhe tendën madhështore të Isák Daút Pashës” (NOLI f. 222, shih edhe PLASARI, f. 535), kjo nuk i sjell ndonjë dëm “strukturor” narrativës historike dhe as të kuptuarit të Skënderbeut prej nesh. Por jo të gjitha sajimet e breshianit janë kaq të pafajshme.

Nuk më rezulton që të jetë bërë ndonjë shoshitje sistematike e ndikimit të Biemmi-t, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në historiografinë pasuese për Skënderbeun, dhe aq më pak në kulturën dhe mitologjinë skënderbejane, si pjesë e narrativës kombëtariste dhe ideologjisë përkatëse. Kjo shoshitje më parë do të identifikonte ato gjëra që gjenden te Biemmi, por që nuk konfirmohen gjëkundi tjetër; dhe pastaj do të vlerësonte peshën e tyre në narrativën historike të Skënderbeut. Më poshtë do të përpiqem të jap ndonjë shembull që hedh dritë mbi problemin.

Le të marrim Tanush Topinë, i njohur si një nga bashkëluftëtarët kryesorë të Skënderbeut, kryesisht për meritë të Nolit. Kur flet për rrethimin e Krujës në vitin 1466, Noli shkruan, për Skënderbeun, se ky “[n]ë Krujë la një garnizón prej 4,400 ushtarësh gegë, toskë dhe venecianë nënë kryekumandën e Tanúsh Thopisë, i cili ishte gjenerali i tij m’i zoti, që i kish mbetur, dhe të cilit i kishte besim të plotë.” Pastaj ulet të citojë, në një fusnotë, paragrafin përkatës nga Biemmi: “In Croja pose di guarnigione quattro mila e quattro cento soldati; e ne diede il governo a Tanusio Topia, ch’era il piú accreditato Uffiziale delle sue truppe ed in cui maggiormente confidava.” Mirëpo kjo bie ndesh me çfarë thotë Barleti dhe pikërisht që “kumandën e Krujës e kish një Venecián, i qúajtur Balthasar Perducci.” Vazhdon Noli: “Këtó dëshmime munt të pajtohen lehtë: Kryekumandár ish Tanúsh Thopía; Baltasár Perduçi ish kumandár i artileristëve venecianë, nga zotësia e të cilit varrej mprojtja e Krujës.” Edhe Kristo Frashëri e vendos Tanush Thopinë në komandë të mbrojtësve të garnizonit të Krujës në 1466 (FRASHËRI, f. 462). Schmitt-i, nga ana e vet, Tanush Topinë as që e zë në gojë, në kontekstin e rrethimit të dytë të Krujës; por shënon se “Kështjellën e tij, Krujën, ai [Skënderbeu] ia dorëzoi venedikasit Baltassare Perduzzi” (SCHMITT, f. 372). Edhe Plasari nuk e merr fare në konsideratë këtë informacion të Biemmi-t.

Përkundrazi, gjasat janë që Skënderbeu t’ua kish dorëzuar Krujën venedikasve, që para rrethimit të dytë të kështjellës. Plasari vëren se “nga dy burime të ndryshme venedike rezulton që, në rrethanat e krijuara, Skënderbeu t’ia kishte lënë në mos Krujën, së paku mbrojtjen e saj, Sinjorisë.” Ai citon venedikasin Domenico Malipiero i cili shkruan se “këtë vit vendi dhe nënshtetasit e Skënderbeut u keqtrajtuan aq shumë nga turqit, sa Skënderbeu vetë e humbi shpresën, sidomos duke parë arbërit t’i largohen, edhe ua dorëzoi Krujën, kështjellë me rëndësi të madhe për Arbërinë, administratorëve të Republikës.” Plasari citon pastaj edhe Fallmerayer-in, i cili shkruan se “Dorëzimi ushtarak i Krujës Venedikut është fakt që askush nuk e vë në dyshim” dhe më në fund Barletin, nga Rrethimi i Shkodrës: “Dhe kur u plak [Skënderbeu A.V.], nga frika se mos binte edhe një herë ai qytet [Kruja] nën zgjedhën e turqve, ia dorëzoi vullnetarisht dogjës së Venedikut.” (PLASARI, f. 668-669). Praktikisht, që prej verës së vitit 1466, Skënderbeu nuk do të shkelte më në kryeqytetin e vet. (PLASARI, po aty).

Këtu merr domethënie të re edhe një incident që e rrëfejnë edhe Schmitt-i, edhe Plasari, në bazë të një relacioni të milanezit De Collis nga Venediku, të datës 27 korrik 1467: Kur në verën e vitit 1467 zbarkoi në Arbëri një njësi napolitane prej 200 vetësh “Skënderbeu u vu në krye të tyre […] Mirëpo komandanti venedikas i Krujës nuk ia hapi portat.” (SCHMITT, f. 406, PLASARI f. 733). Po të kish qenë në krye të punëve Tanush Topia, kjo doemos nuk do të kish ndodhur. Natyrisht, refuzimi i venedikasve të Krujës për ta lënë Skënderbeun të hynte në qytet nuk kish aq lidhje me atë vetë, sa me kontingjentin napolitan, meqë Serenissima kish fërkime dhe mosmarrëveshje me Napolin aso kohe, madje ish hapur fjala, në Venedik, se Ferrante-ja i Napolit paskej lidhur një aleancë me Mehmetin II dhe Skënderbeu, i ngarkuar nga mbreti, donte t’ua dorëzonte Krujën osmanëve. Aq të acaruara ishin marrëdhëniet midis dy aleatëve italianë të Skënderbeut, sa “komandanti venedikas i Krujës, Baldassare Pedruzzi, dha urdhër që mercenarët napolitanë pjesërisht të vriteshin, pjesërisht të dëboheshin.” (SCHMITT, f. 407)

Sa më lart, ilustron një të vërtetë problematike, e cila ka mbetur deri më sot jashtë – nuk po them është lënë qëllimisht – narrativës historike zyrtare për Skënderbeun; në një kohë që në tekstet e historisë së shkollave flitet akoma për Tanush Topinë dhe jepet si ilustrim portreti i tij i mirënjohur. Po a duhet përfshirë në tekstet e historisë gjasa, përndryshe mjaft e madhe, që Skënderbeu t’ua kish dorëzuar Krujën venedikasve që dy vjet para se të vdiste? Dhe që, për pasojë të këtij dorëzimi, venedikasit do të arrinin deri atje sa Skënderbeut të mos ia hapnin portat e kështjellës; me një fjalë, ta linin jashtë në shi si të ishte ndonjë endacak çfarëdo?

Përgjigjja kësaj pyetjeje lidhet jo vetëm me jetëgjatësinë dhe mbijetesën e “rrenës” historike, por edhe me mënyrën si duhet trajtuar sot, në kontekstin e të dhënave të reja dokumentare, trashëgimia historiografike e Biemmi-t, e cila është integruar mirë në narrativën historike zyrtare dhe mbrohet me mjete dhe motive ideologjike. E megjithatë, a nuk do të ishte ky vit jubilar i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, momenti më i mirë për të organizuar një simpozium a konferencë ku të debatohej sa gjurma – ende e thellë – e veprës së Biemmi-t në historiografinë moderne shqiptare, aq edhe mënyra si do të duhej organizuar dhe kryer ai lexim “në shkallë të dytë” i kësaj vepre, sipas kanonit historiografik bashkëkohor?


Bibliografi e shkurtër:

FRASHËRI, Kristo, Skënderbeu, Jeta dhe vepra, Botimet Toena, Tiranë 2002.

PLASARI, Aurel, Skënderbeu, Një histori politike, Instituti i Studimeve Shqiptare “Gjergj Fishta”, Tiranë 2010.

SCHMITT, Oliver Jens, Skënderbeu, K&B, Tiranë 2008.

© 2018, Peizazhe të fjalës. Lutemi mos e vidhni.


[1] Sikurse vëren Schmitt-i, nga historianët shqiptarë bashkëkohorë vetëm Kasem Biçoku ka vendosur ta shpërfillë krejt Biemmi-n. Nuk dimë nëse do të kish futur në këtë kategori edhe Aurel Plasarin, vepra e të cilit u botua pas asaj të Schmitt-it.

[2] Meqë jemi në kontekst, akuzën për falsifikim e kanë sjellë edhe në lidhje me armët e Skënderbeut, të ekspozuara në Vjenë. Edhe këtë herë armët mund të damkosen si të rreme ngaqë ekzistojnë si objekte dhe mosha e tyre, vendi i prodhimit, cilësia, faktura, etj. mund të diskutohen objektivisht. Është thënë, për shembull, se mbishkrimi arabisht në njërën prej shpatave ka gabime dhe vështirë se do të pranohej nga një prijës i kalibrit të Skënderbeut; mishkrimi është real dhe gabimet mund të verifikohen nga ekspertët – përkundrazi, debati nëse Skënderbeu do të pranonte apo jo të mbante dhe të përdorte një shpatë me gabime në mbishkrim, i përket një rrafshi tjetër, subjektiv.

39 Komente

  1. “Ndërsa Historia e “Antivarinos” mund të jetë një fantomë, teksti i Biemmi-t është një realitet dhe leximi i tij “në shkallë të dytë” mbetet i pashmangshëm.”

    kjo me duket mua si leximi qe i behet ndonjehere protokolleve te zionit nga konspiratoret anembane globit. pra, nuk ka rendesi qe ato jane fallsifikime, thone keta, pasi cifutet sillen ne menyre sikur ato te ishin origjinale.

    keshtu edhe plasari, nuk ka rendesi nese biemmi fallsifikon, pasi skenderbeu vepron, ashtu sic thote historia e tij.

  2. Kjo me sjell nder mend nje episod nga historia angleze. Ne qender qe Uot Tejlori, nje kryengritse i pas deshtimit te kryengritjes dhe mbylljes ne Tower e Londres, u vu te shkruaje historine e Anglise. Por hoqi dore pas nje takimi me nje mikun e tij qe kish ardhur ta vizitonte dhe ra fjala per nje zenke te ndodhur ato dite dhe te dy qene deshmitare – Tejlor nga burgu dhe miku i tij ne liri nga rruga. Thelbi qe pas ketij diskutimi per shkakun e zenkes, te dy nuk rane dakord ndonese vezhgues okulare te se njejtes ngjarje. Rezultati qe nderprerja e shkrimit te historise pasi Tejlori arsyetoi se do te qe e veshtire te shkruhej nje dicka kaq madhore, kur nuk bihej dakord edhe per nje ngjarje banale..

  3. Edhe kjo ndodhi rreth Uot Tejlorit eshte treguar ne disa versione. Nje monument i vertete i vleres se pacmuar te historiografise ku te kuqte e duan te kuqe, te verdhet e duan te verdhe dhe sado qe mundohen portokallinjte qe t’i pajtojne, rrengun ua punon e zeza. Nejse te gjithe do ta hane nga nje kafshate.

    1. Prandaj edhe historiografia nuk konsiderohet shkence ekzakte nga studiuesit serioze dhe ajo qe quhet “e verteta historike” s’eshte gje tjeter veçse nje shumatore burimesh, qendrimesh dhe interpretimesh krejt subjektive.

  4. Gjithesesi nuk jam dakord me kete relativizem a zhvlersim qe i behet Historiografise , nuk eshte shkence egzakte , kjo eshte e qarte.Por ky fakt nuk na jep te drejten te shperfillim ato aspekte te hulumtimit historiografik qe kane karakter te mirfillte shkencore . Psh ,rregulli i treshit ( versioni ne Historiografi),qe e permendi edhe Pr.Xhufi gjate nje emisioni, kur tre burime te pavarura pohojne te njejten te dhene ,a.t.h mund te deduktojme , e t’a cilesojme kete te dhene si te mireqene/besueshme ,ose te pakten te peraferte me te verteten historike (verosimile).Ose prape sefte ne nje emision Pr.Plasari vuri ne dukje perkimin numerik te betejave ( arberore-osmane nen udheheqjen e Kastriotit ), qe rezultojne ne baze te burimeve veneciane ,ne ballafaqim me ato te vepres se M.Barletit.Per ceshtjen ne fjale ( Biemmi-t) , edhe Willy Gjon Kamsi ka shkruajtur nje materiale interesante !

    1. Andrea, kur thua “nuk jam dakord me këtë relativizëm a zhvlerësim që i bëhet historisë”, për çfarë e ke fjalën pikërisht? Për shkrimin më lart? Aty bëhet fjalë për diçka shumë konkrete: mundësinë që Biemmi të ketë shpikur gjëra për Skënderbeun, të cilat ne edhe sot e kësaj dite i kemi bërë pjesë e narrativës zyrtare. Këtë nuk mund ta kundërshtosh me argumente – si ato që sjell ti – të cilat u përkasin debateve të tjera. Që Biemmi mund të ketë gënjyer, kjo nuk do të thotë që as Barleti nuk ka vlerë. Ose më mirë, nuk mund të shpëtohet Biemmi, duke thënë që “po ja edhe Barleti…” Nuk më duket serioze.

      1. Ardian verejtja i drejtoheshe diskutanteve me siper , dhe nuk kishte te bente me ceshtjen qe ti me te drejt po e parashtron . Madje per kete arsye permenda edhe kumtesen e W.Kamsi-it , qe praktikishte , tumir perfundimet e tua .Pra nuk kam as gje kunder shkrimit tend, perkundrazi ..sinqerishte shpresoj qe ne te ardhmen te behen konferenca a simpoziume ku te behet ndopak ‘katharsis’ ne kete Lemi Shkencore , ne mynyre qe te perftoj objektivitetin e prestigjin qe i takon !! Kaq.

        1. Të kërkoj ndjesë për keqkuptimin.

          Mua as ajo rregulla e treshit nuk po më bind shumë: po sikur një informacion të mbështetet nga tre burime të pavarura dhe të hidhet poshtë nga tre burime të tjera, edhe ato të pavarura?

  5. Pyetje me vend ..por me lejo te “pergjigjem” me nje tjeter pyetje , nderkohe te me ndjesh per banalizimin .Ti ke do konsideroje si burim me te besueshem Barletin,Segonin,Muzaken,Mihajlovic,Halkokondiles etj ( autore bashkekohor , te ndodhur ne mjedise e rrethana te ndryshme ) qe thone te njejten gje ( duke pasur parasysh nje marxhine te caktuar te papajtueshmerise..).Apo autoret e mevonshem qe i thone gjerat ndryshe !?

    1. Unë nuk jam historian, por si rregull, do të preferoja burimet e drejtpërdrejta, ose dokumentet e kohës. Një raport i një ambasadori më duket më i besueshëm se një pasazh panegjirik te një historian humanist. Historianëve të asaj kohe do t’u besoja me kusht që të dhënat e tyre të gjenin mbështetje në dokumentet.

  6. As une nuk jam Historian , dhe jam dakord , ne lidhje me kategorine me te besueshme te Dokumentave .Kjo eshte njera nga gjerat qe me pelqeu te Schmitt-i , shtojcat ne fund , raportet origjinale Veneciane e Napoletane .Por edhe ato , nuk jane koncize 100% ( psh 50.000 te vrare e shperngulur ..) ?! Pra duhet te ‘kenaqemi’ me te verteta te pjesshme , dhe te skartojme sa te mundim shtremberimet ordinere.

  7. ambasador vs historian humanist.
    Dakord, por me kusht qe raporti ambasadorit te mos jete si ai i ambasadoreve te Shmitit. Se , nese panegjiriku mund te lihet menjane, raporti i ambasadorit , i konsideruar si e dhene burimore, kur eshte i pavertete te merr ne qafe. Sic e pesoi i ngrati Shmit , qe me nje raport ambasadoresh si leter bakalli ndertoi nje kulle qerpici…, per te hedhur ca balte.

    1. Fatma, si eshte percaktuar qe raporti i ambasadoreve te Schmidtit qe i pavertete?

      1. Raporti nuk permbante fakte, por opinione, interpretime motivesh. Si mund te thuhet nese ishte i vertete apo i pavertete? Sot degjojme te thuhet, p.sh. se Enver Hoxha ka qene homoseksual dhe se per kete arsye i vrau disa nga bashkepunetoret e vet te hershem, qe te mos ia nxirrnin sekretin. Mendo sikur pas 1000 vjetesh historianet te gjejne ndonje “raport” te tille. A duhet ta marrin per te vertete? Historianet profesioniste e dine mire se nuk mund te marrin si te mireqena te gjitha burimet, por duhet t’ia nenshtrojne ato analizes kritike. Pikerisht ketu çalon puna e Schmitt-it. Permes nje fature te vetme nga del se nje malesor shqiptar ia shiti lekuret e bagetive tregtarit me nje çmim me te ulet se ai i tregut, nuk mund te dilet ne perfundimin se te gjithe shqiptaret nuk dinin te benin tregti dhe se nuk ia njihnin vleren parase. Ketu jemi ne nivele diletantesh.

  8. Thjesht fare, mjafton te arsyetosh me logjiken e njeriut te zakonshem, pa paragjykime.
    Keta ambasadoret milaneze te asaj kohe duket se merreshin ca si shume me thashetheme. Plasari permend nje tjeter si keta tipat e Shmitit, nje fare De Collisi.
    Gjithsesi po te duash detaje, mund te sjell nje analize origjinale te raportit, vecse eshte pakez e gjate dhe duhet miratimi i Vebiut.

    1. Ne pritje te analizes tende te raportit, une nderkohe po them se Ambasadori i Schmitt-it i kishte me te degjuar nga te tjere ato qe shkroi. Ai nuk e kishte fort idene se kush ishte Skenderbeu, aq sa gjetke fliste per nje Skanderbek dhe nje Kastriot sikur te ishin dy persona te ndryshem, pra nuk e dinte se ishte i njejti.

    2. Te lutem, jam shume i interesuar!!! nese Vehbiu e lejon padyshim!!

    3. Fatma, mund ta publikosh këtu pa merak; ose nëse e gjykon të përshtatshëm për të dalë si shkrim më vete (do të preferoja ashtu), dërgoje në adresën email peizazhe at gmail dot com.

  9. Nqs Skenderbeu do i kish dorezuar Krujen Venedikut, atehere ushtria mbrojtese i bie te kete qene venedikase. Mirepo Venediku kish nje front qe shkonte prej Egjeut ne Arberi dhe te merrte persiper dergimin e nje garnizoni ta zeme prej 1500-2000 ushtaresh ne nje keshtjelle te brendshme (dmth jobregdetare) eshte totalisht e pabesueshme dhe sikur burimet t’u japin emer mbiemer gjithe ushtareve.
    Analiza duhet te merret me domethenien e dorezimit, meqe nje dorezim te tille Skenderbeu ua ka bere me pare edhe napolitaneve.
    Pastaj kur vazhdohet me Skenderbe te penduar qe me forcat napolitane donte te merrte keshtjellen, keto jane bullshite te pashembullta, meqenese Skenderbeu nuk kishte nevoje per 200 napolitane per te marre Krujen se kishte me bollek ushtare te vetet, po edhe 200 ushtare napolitane qe u punojne nga brenda prapashpine venedikasve nuk arrijne dot te mposhtin nje garnizon te madh si supozohet se ka qene ne vitet 1466-1467, meqe ka perballuar 2 rrethime, i pari i pergatitur mire me artileri, ushtare e sulltan, qe pushtuan Kostandinopojen.
    Ne çdo rast 200 ushtare jane nje shifer e paperfillshme per nje garnizon qe duhet t’i rezistoje sulmit te gjithe ushtrise turke me ne krye Sulltan.
    Per t’i hapur portat ushtrise turke do te mjaftonin 2 tradhtare, si ka ndodhur rendom ne histori, nuk eshte fare e nevojshme te zhvendosen 200 tradhtare.

    Keto informacione nuk hidhen si lopa bajgen si ben rendom Shmiti.

    Problemi i burimeve eshte i vjeter sa vete historia, Herodotin psh e perqeshnin ne kohe te vete, si historian qe fantazonte shume e qe s’kishte udhetuar aq sa pretendonte. Megjithate Herodoti ka pasur shume gjera qe qendrojne. Po keshtu edhe historiane te tjere, i vetmi etalon qe kam hasur deri me sot eshte Tuqiditi. Nqs Tuqiditi ka nje version ndryshe nga nje historian tjeter per te njejten ngjarje, 1vs1, versioni i Tuqiditit fiton. Madje mund te fitoje edhe me 1vs shume, nqs ata shume jane nga e njejta ”gjelle”.

    Principi i racionalitetit te ngjarjes nuk mund te anashkalohet absolutisht ne asnje menyre.

    Marrim psh Polibin, i cili per t’i nxjerre iliret pirate, dmth pa pretendime politike, thjesht plaçkites detesh, i ben te gjitha ngjarjet te duken te pabesueshme, nqs çdokush thote dale nje sekonde, po te kemi projekt politik ?
    Me nje garnizon e flote ne Korkyre/Korfuz e me akarnanet si aleate, shteti ilir kishte ne kontroll pothuaj gjithe tregtine nga Greqia ne Itali, per me teper me Korkyren mbante nen kontroll bregdetin epirot dhe me ane te akarnaneve, kishte ne kontroll hyrjen ne gjirin e Korintit, ku gjendeshin kapacitetet detare si te lidhjes etole si te lidhjes akease, dy grupshtetet me te forta ne Greqine e asaj periudhe.
    Per me teper qe etolet dalloheshin per pirateri, ndersa bregdeti i Mesenise po sidomos i Spartes ishin plot me pirate (me tej edhe kretezet e kohes te shembnin me pirateri).

    Ne terma te sotem, shteti ilir kishte kapur puset e naftes te kohes dhe kishte vene aeroplanmbajteset ne pikat nevralgjike. Qelloi qe Roma i kishte aeroplanmbajteset me te medha.

    Nje nga ngjarjet qe me eshte dukur gjithnje absurde ka qene si nuk u mbrojt Genti prapa mureve te Shkodres po doli ne beteje ne inferioritet numeri 2 me 1, pastaj si te mos mjaftonte nuk ndenji ne kala po u dorezua.
    Mirepo analiza e gjithe ngjarjeve jepte me tablo krejt tjeter.
    Kavet ishin ne rebelim, Rizoni ku gjendeshin 220 anijet, mori mbrojten romake pas lufte sepse e kish tradhtuar Gentin qe para betejes. Karavanti, vellai i Gentit, kish shkuar tek daorset ne veri per te mbledhur forca te reja dhe daorset kalojne me romaket.
    Faqja qe mungon, kur romaket vazhdojne nga Bassania drejt Lezhes, mund te deshmoje qe romaket mbajten nje pjese te trupave ne rrethimin e Lezhes, ose te pakten ne ruajtjen e linjave logjistike ne territor armik ( nje nga arsyet pse ushtrite nuk marshojne dot shpejt eshte zgjatja e linjave logjistike, sa me e gjate behet aq me shume ushtare lihen prapa per t’i ruajtur, aq pak force goditese ka ushtria.
    Me nje flote te tradhtuar, me nje shtet qe po shperbehej e me nje pjese te trupave romake ne rrethimin e Lezhes, veprimi me logjik nuk eshte te rrish prapa mureve te Shkodres, ne pritje te shperberjes se shtetit dhe dezertimit te plote te ushtrise, por t’i hedhesh gjithe guret ne nje beteje.

    Keshtu merr kuptim nje ngjarje qe trasmetohet e atille qe te le me pyetjen po mbreti Gent pse lajthiti ?

    Burimet interpretohen qe personazhet te dalin si racionale, nuk mund te anashkalohet parimi i racionalitetit.

    Skenderbeu u tmerrua, i dhuroi Krujen Venedikut, pastaj u pendua, thirri napolitanet qe ta ndihmonin te merrte Krujen dhe t’ia jepte Sulltanit.
    What the fuck ?! Come on, don’t bullshit me- thone anglosaksonet.

    1. Edhe Schmitt-i edhe Plasari u referohen dokumenteve të kohës. I kam vënë referencat në tekst, mund t’i kontrollosh edhe ti burimet dhe t’ua nxjerrësh fundin. Qejf të kesh. Por të kujtoj se ti, Hyllin, ato që di për Skënderbeun, i ke marrë vesh nga historianët që ke lexuar – që në analizë të fundit shkojnë te Barleti, laj shpëlaj. Në këtë rast, edhe Barleti e pranon shkoqur që dy vjetët e fundit të jetës së Skënderbeut Kruja u ish besuar venedikasve (te “Rrethimi i Shkodrës”). Vështirë për t’u besuar, por edhe jo fare e pamundur. Madje – do të thoja – vështirë për t’u besuar nga NE të sotmit, që e përfytyrojmë Skënderbeun sipas një modeli që na i kanë dhënë. Kam frikë se po të fillojmë me bullshitra, nuk i dihet se ku do të dalim.

      1. Ne fakt ne keto momente kompjuteri ka keto materiale hapur
        http://www.ousia.it/SitoOusia/SitoOusia/TestiDiFilosofia/TestiPDF/Demostene/Filippiche.pdf
        Colony and Mother City in Ancient Greece
        By A. J. Graham
        A History of Macedonia
        By Robert Malcolm Errington
        Livy: Book XXXI-XXXVIII
        By Livy, George Baker

        Nuk jane historia e Skenderbeut, po mund te jene me shume se çke ti hapur.

        Po te shpjegoja gjere e gjate perfshire edhe shembuj, qe nuk eshte çeshtja tek informacioni po tek interpretimi. Cfare e ben dike historian e dike tjeter llogjexhi eshte interpretimi i burimeve, jo sasia e materialit origjinal qe gjen apo sasia e informacionit.
        Historianet duhet te veprojne gjithnje vete i dyte, ai me i zellshmi qe gjen materialet dhe ai qe i kap gjerat. Zor se behen bashke ne nje person keto veti.

        Me siguri Shmiti nuk eshte nga ata qe i kap gjerat meqe fantazon pafund dhe thote gjera pa pike logjike. Me siguri nuk eshte historian i leçitur ose i lexuar, tipiku i profesorit modern ne katedrat europiane, lexon vetem ato qe i sjellin leverdi imediate ne botime.

        1. Po kjo nuk është se lidhet doemos me Schmitt-in (se na e bëtë këtë si burrin e nënës). Schmitt-i është vetëm njëri nga ata që e kanë përmendur dorëzimin e Krujës. Plasari as e zë Schmitt-in fare në gojë, por citon edhe ai burime që më duken shumë të qarta (me sa kuptoj, janë po ato që u referohet Schmitt-i). Le pastaj referencat e tërthorta te Fallmerayer-i dhe te Barleti. Ty pse nuk të pëlqejnë këto? Sepse nuk pajtohen me skemën që ke ti në kokë? Por ky nuk është argument! I gjithë ky muhabet nisi nga Tanush Topia – meqë Biemmi (dhe Noli me Biemmi-n dhe pas tij armata e historianëve të realizmit socialist) e nxjerr këtë komandant të Krujës gjatë dy rrethimeve të fundit. Ndërsa burimet flasin vetëm për atë venecianin. Unë nuk di ç’të them, se nuk jam futur vetë në arkiva – por u besoj syve dhe bon sensit. Dhe sytë e bon sensi më thonë se këtu ka diçka që duhet diskutuar, sepse nuk mund të vazhdojmë me Biemmi-n ngaqë ashtu ta kanë mësuar ty në shkollë. Edhe unë që e hapa këtë temë, e hapa si problem, jo se do ta zgjidhim ne këtu. E shumta që mund të bëjmë, është të sjellim ndonjë informacion. Ti ke ndonjë informacion tjetër për këtë, përveç shembujve nga lashtësia (pa lidhje) dhe interpretimeve që bën ti vetë?

          1. Kete pune e ka zgjidhur Akademia e Shkencave dhe nuk ke çfare informacioni te shtosh apo pakesosh. Shembujt t’i solla per te te thene pikerisht kete, se ketu eshte çeshtje interpretimi, nuk ka te re. Po qe se te duket se ka te re edhe per mua ne çeshtjen e venedikasve, gabohesh, ashtu sikunder gaboheshe edhe kur tunde asokohe flamurin e vasalitetit dhe Krujes napolitane.
            Ta shpjegoj me konkretisht. Sigurisht qe historianet e dine qe ekziston mundesia e dorezimit te Krujes, por ka edhe nje burim qe permend Tanush Topine me 4000 ushtare. Burimi nuk asgjesohet krejtesisht per asnje arsye ne bote, sepse si permend edhe Plasarin, Biemmi nuk e ka pare ne enderr Skenderbeun, por ka pasur burime mbi te cilat ka bere vepren. Jane apo s’jane te Anonimit, kjo eshte çeshtje tjeter.
            Tanush Topia me 4000 ushtaret ploteson nje defiçit logjik, qe si te permenda siper, eshte e pamundur qe Venediku te impenjohej me mbrojten e Krujes duke sjelle 1500-2000 ushtare (ose me shume, po perqendrohemi tek minimumi) , sepse nuk eshte impenjuar asnjehere ne prapatoke, aq me teper qe eshte pakuptim qe Venediku te bente armik te vetmin aleat antiturk ne keto ane, ne nje keshtjelle te pambrojtshme nga deti.

            Mandej ke gjithe varavingon e Skenderbeut ne Itali per ndihma qe te shpetonte Krujen, e cila po mbahej e rrethuar ne dimrin 1466-1467. As aty Venediku nuk kishte ndonje kapacitet ushtarak kushedi per te derguar trupa qe do te shpetonin Krujen nga rrethimi.
            Venediku ishte qartazi i paafte te mbronte Krujen, arsyeja pse ra nga uria ne 1478, pas 2 vjetesh rrethim.

            Burimi ne fjale, per Tanush Topine, i diskutueshem sepse nuk permendet nga burime te tjera, integron rrethimin e dyte te Krujes brenda logjikes se rendit te gjerave, duke u dhene nje koherence logjike gjithe ngjarjeve te viteve 1466-1467 ( big picture).

            Prandaj eshte perzgjedhur nga Akademia e Shkencave dhe kjo pune eshte e bitisur s’ka gje per te diskutuar. Ose s’ka per te diskutuar derisa versioni alternativ, te jape nje tablo ku gjithçka e kryer ka nje koherence logjike.
            Ne ate pike burimi i Biemmit bie poshte. Po jo sepse Biemmi ishte keshtu e ishte ashtu.
            Tit Livi qe te solla me lart eshte mashtues patologjik, po s’mund te behet pa te. Ashtu sikunder Herodotin e mbanin per karagjoz, po as pa te nuk mund te behet.

            Burimet nuk asgjesohen, o gjendet nje version pajtues ose ka preferenca ndaj nje burimi ndaj tjetrit ne varesi te shume faktoreve. Ndoshta ti s’e ke per gje t’i fshish me gome te gjithe ata qe s’te pelqejne ose s’ta mbushin mendjen, por kjo eshte qasja jote ndaj historise.

  10. Nje shkrim terheqes, po dhe i dobishem per shoqerine shqiptare, qe qysh nga titulli e perposht i analizon historite e shkruara dhe dokumentat paanshmerisht, duke lene mjaft dritare hapur per studime, reflektime, analiza te metejshme. Mirpo pyetja qe m’u ngrit mua ne fund -bazuar per me teper edhe nga fjalia e fundit e shkrimit- eshte se kush do te merret me trajtimet e gjurmes se Biemit? Marika? Sofika? Apo Adriani, Aureli dhe Schmidti? Shto dhe ndonje pedagog/e te historise se kohes se mesme. Sepse -jo thjesht- te tjeret kane vdekur, por qe te merresh me Biemin, duhet te merresh edhe me “Historine…” e Nolit! Apo dhe disa “Histori…” te tjera mbi Skenderbeun nga te huaj te shekujve te kaluar! Mire Biemin na e ka sjelle Adriani ketu, por “Historia…” e Nolit (e cila qenka mbeshtetur tek Biemi) ka qene dhe eshte edhe sot e kesaj dite e ndaluar ne Shqiperi! (Edhe ne linkun e mesiperm nuk del libri ne fjale, por thjeshte nje kopertine nga google!) Nese une genjej apo flas marrezira, duhet te me thote ndonjeri ketu se Historia e Skenderbeut e Nolit mund te terhiqet fare kollaj ne Bibl. Komb.! Apo te thote se e ka gjetur ne nje librari ne Shqiperi, -meqe na qenka botuar disa here -sipas Ardianit! Si dje edhe sot, ky liber (sic dhe shume libra te tjere) nuk nxirret per lexuesin nga Bibl. Komb. ne Tirane! Dje si i rezervuar, sot si nje kopje e vetme!
    Prandaj Ardian, ti idene e ke te mire per simpoziume dhe konferenca, por perpara se te bisedosh per catine, i thone nje llafi, fol me pare per themelet dhe shtepine qe nuk i ke te siguruara.

    1. Une kam dy botime te Nolit ne shtepi, njeri botim i ’60 nese s’gaboj dhe nje pas viteve ’90.
      Nuk besoj se nuk gjendet…

      1. Atehere une paskam genjyer! Biles, ca me keq, po tallem, pasi libri i Nolit -sic sqaron edhe Ardiani ne artikullin me lart- duhet te gjindet kollaj ne internet! Dhe, per ta rregulluar kete sjelljen time te pahijshme, une po te lutem ty te me nisesh njeren kopje te librit te Nolit, qofte dhe ne poste elektronike, /robertthomai(et)gmx.de/, meqe libri duket gjindet ne internet por une nuk di si ta nxjerr, dhe une do e nxjerr librin e Nolit tek faqja ime e internetit, qe gjithkush ta kete mundesine ta lexoje e ta terheqe. (Besoj e drejta ekluzive e shperndarjes se ketij libri duhet te jete e pakufizuar, nga shkaku se kane kaluar mbi 70 vjet nga botimi i tij.)

        1. Kontrolloje edhe një herë tek ai linku që kam sjellë unë – por nga një PC ose nga një tabletë. Nuk ka arsye pse të mos të hapet libri. Google Books e ka vënë në dispozicion falas. Pasi të dalë kopertina, kërko për dy shigjeta: > dhe < diku sipër kopertinës, të cilat të ndihmojnë të shfletosh. (Më fal nëse po të them gjëra që dihen)

          1. “Gjera qe dihen!” Qysh ne lindje?
            Nejse, pasi ia kalova problemin nje te rrahuri me vaj e me uthull ne probleme kompjuteri, ai kaloi jo pak por nja 10 minuta me kerkime pas linkut te mesiperm, por nuk gjeti gje. Sefundi kerkoi ne google dhe e gjeti librin e Nolit ne nje biblioteke te Njujorkut. Keshtu, pas 10 minutash te tjera ma nisi librin e Nolit me e-mail.
            Ku qendron problemi, as une nuk e di! Sepse nuk i njoh te gjitha kleckat e kompjuterit! Duhet te me vij turp per kete? Apo te bej harakiri pse nuk e ndjek dot kemba-kembes te gjithe tekniken e sotme!?
            Ndoshta ketu ne Gjermani shume kenge, libra, filma, etj. kane nga nje mbrojtje (filter), kur hidhen nga te dores se dyte ne internet, sepse edhe shume kenge dhe filmime neper gazeta e forume shqiptare dalin ketu te mbrojtura, pra nuk hapen.

            1. Nuk di ç’të them. Librat falas në Google Books unë i kam hapur gjithnjë pa problem, edhe nga Shqipëria (Google Books është burim super i besuar). Mbase duhet të krijosh një llogari në Google? Dhe nëse ka ndonjë koleg tjetër që nuk i hap dot këto lidhje, a mund të më thotë këtu?

            2. r.th., cila është adresa tjetër elektronike ku e gjetët librin e Nolit? A mund ta ndani me të gjithë këtu? Faleminderit.

            3. Është e vërtetë që nuk shkarkohet prej Europës, dhe nuk e dinim që përndryshe në SHBA këto libra shkarkoheshin pa problem. Faleminderi Ardian. 🙂 Si duhet vepruar për ti pasur? Është e thjeshtë: instaloni ndonjë program VPN, siç për shembull Cyberghost VPN. Pastaj kaloni nëpërmjet serverave të SHBA. Në të njëjtën kohë ekziston edhe një faqe tjetër interneti, archive.com, krijuesit e së cilës kanë marrë dhe vënë në dispozicion një nr të madh të librave të Google Books. Aty është edhe Historia e Skënderbeut, e Nolit, megjithëse e botuar në vitin 1945, nëse nuk gabohem.

            4. Se si e gjeti ai shoku librin e Nolit ne nje adrese tjeter, nuk e di, por ai ma dergoi adresen me email, une e hodha -sipas shpjegimeve te tij- lart ne gogle: https:… dhe prej dje mbasdite nisa ta lexoj librin, si dhe sot pasdite; tani sapo e mbarova. Ja dhe adresa qe me ndihmoi ta nxjerr librin e Nolit nga interneti dhe qe besoj duhet te ndihmoje kedo tjeter:
              https://babel.hathitrust.org/cgi/pt?id=nyp.33433082493523;view=1up;seq=5
              Libri i Nolit eshte i bukur dhe interesant, por dhe Noli ka ato te tijat, sic i thone. S.d.q. mendoj se Aleks Buda dhe Kristo Frasheri, qe jane marre me shume me Skenderbeun, i kane sqaruar shumicen e gjerave. Ne te tjeret vetem shtyjme kohen.

            5. Te shkrimi “Hija e Biemmi-t”, atje ku më parë kisha vendosur lidhjen drejt Historisë së Skënderbeut të Nolit në Google Books, tani kam vendosur lidhjen te një PDF që gjendet në arkivën e revistës. Në fakt, Google Books më lejon ta shkarkoj ligjërisht këtë vepër të domenit publik.

  11. Me falni se po risjell prape ne vemendje Scmitt-in ,por lexova qepare intervisten qe i kishte bere Ben Andoni , dhe t’jua them troc me coroditi paksa retorika e tije , lidhur me arsyet e kryengritjes ,etniciteti i Kastriotit , etniciteti i kryengritesve etj .A.t.h meqe doni risi, egzistojne Dokumenta osmane te rreth viteve 1450-te ,qe flasin per disa Timarlinje arberore (te krishter & mysliman , dhe jo nga dyert fisnike arberore te kohes..) nga zona rreth Prilepit ne Maqedoni , qe njesoj si Kastrioti , tradhetojne Osmalinjte e i bashkohen kryengritjes arberore nen komanden e Skenderbeut!!! Si mund te shpjegohet ky veprim , nderkohe qe keta ofiqare po gezonin benefitet e integrimit/nenshtrimit ne aparatin perandorak otoman !?Pastaj Defteret e Maqedonise perendimore deftejne nje hollesi pak te shtjelluar . Renia demografike por sidomos renia e antroponimise arberore qe verehet ne fshatrat e Pollogut,Rekes ,Kercoves etj po te krahasohen te dhenat mes deftereve te vitit 1452 me ate te vitit 1467 , pra ne fshatra si Veshalle, Lumnice, Volkovije, Zajaz etj kemi nje renie te ndjeshme te antroponimise arberore , si mund te shpjegohet kjo dukuri pa marre parasysh betejat arberore-osmane qe zhvillohen ne nje pjese te tyre pikerishte ne keto treva !? Pra me sa duket Pr.Xhufi paska te drejte , u dashka te ‘cmitizoheshka’ edhe Schmitt-i , fatkeqesishte !!

    1. Besoj se keqcitoni autorin. Ja c’thote ai ne artikull.
      “Po. Por më lejoni të përsëris atë që kam shpjeguar në librin tim: domethënë se kryengritja kishte disa motive që janë kryesisht strukturore: rezistenca kundër sistemit fiskal dhe të drejtësisë osmane, kundër sundimit të drejtpërdrejtë osman; në fakt, motive që ne mund t’i zbulojmë edhe në shumicën e kryengritjeve kundër sundimit osman deri në vitin 1912. Vetëqeverisja, mos dhënia e taksave, ruajtja e traditave ligjore rajonale janë kërkesat e zakonshme klasike të shqiptarëve nën sundimin perandorak osman. Në vitin 1443, udhëheqësi i kryengritjes kishte gjithashtu një motiv personal të hakmarrjes. Por ky motiv nuk shpjegon të gjithë kryengritjen, megjithëse shumë njerëz që nuk e kanë lexuar librin ende vazhdojnë dhe e pretendojnë këtë. Pra, ekzistonte një kombinim i ndërlikuar i motiveve”
      Dhe personale kjo, Xhufi me duket teper manipulativ ne argumentat e tij.

      1. Thelbi i argumentit kuptohet thjesht , ishte Halil Inalcik i pari qe e artikulovi , per mua personalishte perben thjeshtezim/kufizim , menjanohet si elementi fetare ashtu edhe ai ‘idealistik’ alias; per Liri .. Per faktet qe permenda nqs mundesh t’i interpretosh !!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin