TË VRAPOSH ME THEMRA

Ja Paradoksi i Zenonit, i njohur si “Akili dhe breshka”: Akili fton në garë vrapimi breshkën dhe, i vetëdijshëm për epërsinë që ka ndaj rivales, i lejon kësaj një avantazh fillestar prej 100 metrash. Por duke vepruar kështu, thoshte Zenoni, Akili nuk do ta arrijë dot më kurrë breshkën: kur t’i ketë përshkuar 100 metrat, breshka do të ketë bërë përpara, të themi, 10 metra; kur t’i ketë përshkuar edhe këto 10 metra, breshka do të ketë avancuar edhe 1 metër. Sa herë që Akili e mbulon distancën që e ndante nga breshka, kjo e fundit do të ketë bërë përpara edhe pak. Këtë paradoks e ka përmendur pastaj edhe Aristoteli.

Zenoni pat qëlluar fatlum; paradokset e tij për lëvizjen u ruajtën dhe kanë mbërritur deri në kohën tonë. Më pak fat kanë pasur disa filozofë bashkëkohës të Zenonit, të cilët patën folur edhe ata për pamundësinë që Akili të fitojë në garë kundër breshkës, nëse gabohet dhe i jep kësaj ndonjë avantazh fillestar.

Paradoksi i Zenunit: Akili e arrin breshkën menjëherë, të themi brenda 15 sekondash, por nuk e kalon dot, sepse pista është e ngushtë dhe breshka i ka zënë rrugën. Prandaj Akili herët a vonë detyrohet të vrapojë me shpejtësinë e rivales së tij natyrshëm më të ngadalshme.

Paradoksi i Zamirës: Pista është rrethore (lakore) dhe Akili vërtet e arrin dhe e kalon breshkën një pafundësi herësh, por në momentin e parakalimit, gjithnjë befasohet kur i del përpara sërish shpina e rivales, derisa ligështohet, ose luan mendsh si Ajaksi dhe vihet të shfarosë të gjithë sehirxhinjtë.

Paradoksi i Xanonit: Në këtë botë, objektet nuk mund të zhvendosen veçse me shpejtësi konstante – le të themi c. Duke qenë shpejtësia e pandryshueshme, edhe distanca fillestare midis breshkës dhe Akilit do të mbetet e pandryshueshme, deri në fund të garës.

Paradoksi i Zanushës: Me të filluar gara, Akili i avitet breshkës me të shpejtë, por nuk e parakalon dot, sepse pista e vrapimit është funksion i breshkës: kjo e sekreton pistën siç e sekreton merimanga fillin e pezhishkës. Shih edhe Paradoksi i Zenunit.

Paradoksi i Zejnepit: Akili, madhosh e me muskulaturë prej gorille, vrapon shumë shpejt, por por inercia e nxjerr menjëherë nga pista olimpike në trajtë ovale, sapo t’i duhet të marrë kthesat.

Paradoksi i Zihniut: Meqë është pafundësisht masiv, Akilit i duhet të djegë energji po aq të pafund, për të filluar vrapimin. Duke qenë kjo energji e barabartë me produktin e masës së Akilit me katrorin e shpejtësisë së dritës, atleti mirmidon zhduket nga universi pasi arrin singularitetin, fill pasi shkrep pistoleta e starterit.

Paradoksi i Zenelit: Në këtë botë ku nuk ekziston fërkimi, as breshka as Akili nuk bëjnë dot përpara, por mbeten në vend numëro. Nëse lëviz pista, vija e finishit arrin më parë te breshka.

Paradoksi i Zylihasë: Duke qenë Akili objekt tejet masiv, aq më tepër edhe i fryrë me anabolizantë, ai e deformon keqazi edhe hapësirën edhe kohën përreth, në mënyrë të tillë që ta shkatërrojë gjeometrinë e garës. Shih edhe Paradoksi i Zihniut.

Paradoksi i Xanonit: duke qenë rreze drite, Akili e arrin breshkën në çast, por kjo mban në kurriz një pasqyrë, e cila e reflekton Akilin, për ta dërguar sakaq andej nga erdhi.

Paradoksi i Zyhrasë: Në këtë botë, Akili nuk do të mund ta arrijë breshkën në kohë, para se universit t’i ndodhë vdekja termike dhe çdo lloj lëvizjeje të ngrijë.

 

Shumë kohë pas Aristotelit, një filozof popullor nga Pindi, i njohur edhe si Risto Teli, thuhet se i studioi të gjitha këto variante të paradoksit të Zenonit, për t’i ri-interpretuar si alegori të dukurive dhe dilemave morale të ditëve tona. Risto Teli nuk dinte shkrim e këndim, por prolegomenat e tij kanë mbijetuar në gojën e popullit:

Paradoksi i Zenonit: Për shkak të avantazhit prej 100 metrash, breshka gjithnjë do të mbetet para Akilit; sepse meritokracia nuk funksionon dot në një shoqëri të rregulluar nga parimi i pabarazisë absolute.

Paradoksi i Zenunit: Akili e arrin breshkën menjëherë, por nuk e parakalon dot, sepse rruga është e ngushtë dhe breshka nuk ia hap krahun. Që këtej vjen edhe proverbi i njohur kinez: pensioni është politika më e mirë e kuadrit.

Paradoksi i Zamirës: Duke pasur pista – dhe ndoshta vetë hapësira – formë lakore, sa herë që e parakalon breshkën, Akilit i rishfaqet në sy shpina e saj. Mundet që gara të jetë e trukuar dhe atje të marrin pjesë shumë breshka njëherësh; mundet që Akilin ta kenë droguar.

Paradoksi i Xanonit: Në këtë botë, objektet mund të zhvendosen me një shpejtësi të vetme – le të themi c. Për shkak të avantazhit fillestar prej 100 metrash, breshka gjithnjë do të mbetet para Akilit; sepse meritokracia nuk funksionon dot në një shoqëri të disiplinuar nga parimi i barazisë absolute. Shih edhe Paradoksi i Zenonit.

Paradoksi i Zanushës: Akili e arrin breshkën menjëherë, por nuk ka si ta parakalojë, sepse gjithë karrierën e vet ia detyron dhe do t’ia detyrojë breshkës. Shih edhe Paradoksi i Zenunit.

Paradoksi i Zejnepit: Akili, madhosh e me muskulaturë prej gorille, vrapon shumë shpejt, por inercia e nxjerr menjëherë nga pista olimpike në trajtë ovale, sapo t’i duhet të marrë kthesën. Në këtë botë, ai që ecën veç në vijë të drejtë arrin i fundit. Ky paradoks njihet edhe me emrin “dridhe moj Zejnep, dridhe.”

Paradoksi i Zihniut: Akili beson se fillimi i mbarë është gjysma e punës, por breshka beson se qesh mirë kush qesh i fundit.

Paradoksi i Zenelit: Ngaqë në këtë botë nuk ekziston fërkimi, as breshka as Akili nuk bëjnë dot përpara, por mbeten në vend numëro: nuk ka zhvillim, pa fërkime dhe kontradikta.

Paradoksi i Zylihasë: Për shkak të masës së pakufishme që ka zhvilluar posaçërisht si atlet, Akili e deformon edhe hapësirën edhe kohën që ka përreth, derisa mbyllet i tëri në kullën e fildishtë të vrimës së vet të zezë (vëreni këtu metaforën e keqe) dhe vetë-përjashtohet edhe nga gara, edhe nga universi.

Paradoksi i Xanonit: si gjithnjë i rrufeshëm, Akili e arrin në çast shefen e vet, breshkën, por kjo sakaq e urdhëron të kthehet andej nga erdhi. Për disa, edhe zbythja i shërben më së miri karrierës.

Paradoksi i Zyhrasë: Në këtë botë, Akili nuk do ta arrijë dot breshkën para të se vendoset një sistem politik-shoqëror i tillë që t’i censurojë garat dhe fitoret, duke i dënuar si praktika imorale. Shih edhe Paradoksi i Xanonit.

 

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin