SPITALE, MARRËZI DHE RRËMUJË

Duke lexuar një libër të Zweig-ut për Montaigne-n (Stefan Zweig, Montaigne, 2015 Pushkin Press London), ndesha në një citat nga Essais ku, mes të tjerash thuhej:

[…] in this bedlam in which we have found ourselves for the last thirty years…

Ku më tërhoqi vëmendjen përdorimi i fjalës bedlam – njëfarësoj u befasova që Montaigne-i, edhe i përkthyer anglisht, po më fliste kështu.

I njëjti pasazh i cituar nga një botim i Montaigne-it të përshtatur në frëngjishten moderne, lexon:

[…] dans la confusion où nous nous trouvons depuis trente ans […]

Ndërsa në frëngjishten origjinale të Montaigne-it:

[…] en cette confusion où nous sommes dépuis trente ans

Çfarë më konfirmon se bedlam te citati më lar i përgjigjet frëngjishtes confusion “pështjellim, rrëmujë”.

Tani, përkufizimi standard i bedlam në anglishten e sotme është “a scene of madness, chaos or great confusion”, çfarë në shqipe do të përkthehej ndoshta edhe si “zallahi”, përveçse “rrëmujë, pështjellim.”

Fjala e ka prejardhjen nga emri i një spitali në Londër, “Saint Mary of Bethlehem”, ku trajtoheshin të sëmurët mendorë gjatë shekullit XV.

Në rrjedhë të kohës, teksa shqiptimi i Bethlehem u shndërrua në bedlam, emri vetë u leksikalizua, për të shënjuar çdo situatë të mbizotëruar nga rrëmuja, kaosi, pandemoniumi.

Siç shpjegon Pascal Tréguer në Word Histories, spitali i Shën Mërisë së Betlemit në Londër përmendet për herë të parë në 1330, si spital i zakonshëm; dhe pastaj në 1402 si çmendinë.

Gëzonte në Londrën e atëhershme po aq famë, nam dhe reputacion sa edhe “Pavijoni 17” në Tiranë; në mos edhe më tepër, sa kohë që tërhiqte edhe sehirxhinj nga gjithë Europa.

Emri bedlam zuri kështu të përdorej për çdo strehë të sëmurësh mendorë; ndërkohë, dhe për metonimi, e njëjta fjalë filloi të shënjojë një vend a hapësirë të sunduar nga “të marrët” dhe të braktisur nga autoritetet.

Si emër dhe mbiemër me kuptimin “i çmendur”, fjala figuron në një fjalor të anglishtes të vitit 1611; dhe më pas përdoret edhe nga Shekspiri.

Gjithsesi, historianët e anglishtes besojnë se, kuptimin e figurshëm të “zallahisë, kaosit, pështjellimit” bedlam duhet ta ketë marrë dikur në shekullin XVII (ose në vitet 1600).

Tani, meqë Michel de Montaigne lindi në 1533 dhe vdiq në 1592, gjasat janë që, në kohën e tij, fjala bedlam të mos përdorej në anglishte, me atë kuptim që është përdorur në përkthimin e cituar më lart.

Natyrisht, Montaigne-i shkruante në frëngjisht; prandaj kleçka që më kapi mua syrin – nëse është vërtet kleçkë – ka të bëjë me përkthimin e eseve të tij në anglishte, ose më mirë me njërin prej përkthimeve.

Dhe pikërisht: a mund të përdorim në përkthim një fjalë e cila nuk kish filluar të përdorej, në kohën kur u shkrua (u botua) origjinali?

A mund të thotë Montaigne-i i përkthyer sot në anglishte fjalën bedlam, edhe pse kjo fjalë nuk përdorej në anglishten e kohës kur shkruante Montaigne-i?

Kam frikë se përgjigjja nuk është aq e thjeshtë. Edhe pse shumë anglishtfolës sot mund të mos ia dinë dhe as t’ia perceptojnë origjinën fjalës, sërish prejardhja e saj nga emri i përveçëm një spitali për të sëmurë mendorë nuk mund të shpërfillet, madje është pjesë e intertekstualitetit (konotacionit kulturor) të saj. Pikërisht kjo e dhënë në biografinë e fjalës mund ta shtyjë, përdoruesin e kultivuar, ta preferojë ndaj sinonimeve jo të pakta.

Në fakt, përkthimi standard në anglisht i eseve të Montaigne-it që kam në Kindle, e jep kështu fjalinë e mësipërme:

[…] in the confusion wherein we have been for these thirty years

Ndonëse e kërkova burimin e përkthimit që jepet te libri i Zweig-ut, nuk arrita ta gjej; çfarë më bën të dyshoj se autori i atij përkthimi nuk është mbështetur ndonjë nga versionet ekzistuese të eseve në anglisht, por e ka përkthyer citatin nga gjermanishtja (e Zweig-ut). Jo se kjo do të përligjte doemos praninë e bedlam-it; por mbase mund të shpjegojë një lloj pandjeshmërie tekst-historike të kujt vetëm rastësisht i bie të përkthejë diçka nga Montaigne-i.

Gjithsesi, e përfytyroj si këtë argument mund të ma kundërshtojnë duke më sjellë shembullin e një përkthimi të Dante-s në shqip: a duhet përkthyesi të kujdeset për të shmangur përdorimin e orientalizmave (turqizmave), meqë këto nuk kishin hyrë në shqipe në shekullin kur shkruante Dantja?

Ose, për ta banalizuar argumentin – sa mund t’i lejohet përkthyesit shqip të përdorë, kur po përkthen Gulliver’s Travels të Jonathan Swift-it, shprehjen “si e ëma e Zeqos majë thanës”, sa kohë që bota e Zeqos (dhe e nënës së tij) nuk është e bashkëmatshme me botën e Swift-it (dhe as me atë të Gulliver-it)?

Këtu do të përgjigjesha se bedlam-i ka një status të ndërmjetëm në leksik, si emër i përgjithshëm i ardhur nga një emër i përveçëm, nëpërmjet një metonimie, por që ende i perceptohet origjina nga disa përdorues (përfshi këtu edhe mua që anglishten s’e kam gjuhë amtare); prandaj, çfarë e bën anakronik në përkthimin e lartcituar të Montaigne-t, është lidhja e fjalës me një institucion historik specifik: spitalin Saint Mary of Bethlehem në Londër. Madje edhe historia e trajtimit dhe e kurimit të sëmundjeve mendore në Francë dhe në kulturën franceze ndryshon nga e njëjta histori por në Britaninë e Madhe; aq sa ta nxjerrësh bedlam-in nga konteksti i së dytës, për ta transplantuar si pa të keq tek e para më duket veprim me rrezik për përkthyesin; sidomos sa kohë që “franceziteti” i Montaigne-it (për të përdorur një neologjizëm të shëmtuar por të nevojshme) është pjesë integrale e eseve.

Shkurt, bedlam-i në anglishten e përkthimit të Montaigne-it i shton tekstit një referencë kulturore sa të papritur aq edhe pështjelluese, sa kohë që bedlam-i vërtet shënjon zallahinë dhe pështjellimin, por gjithnjë duke ua ruajtur këtyre lokalizimin në një kohë dhe një hapësirë specifike.

Njëlloj anakronik do të ishte, për të sjellë një shembull të imagjinuar, përdorimi i fjalës kuisling në një përkthim të një romani të Stendhal-it në shqip (ose quisling, në një përkthim në anglishte). Në fakt, ky term i politikës ka hyrë në përdorim në vitet 1940, kur norvegjezi Vidkun Quisling shërbeu si kryeministër i Norvegjisë së pushtuar prej Gjermanisë naziste, ndërsa Stendhal-i është autor i viteve 1800.

Disa fjalë, si të thuash, kanë akoma datëlindje dhe vendlindje; dhe duhen përdorur me kujdes; përndryshe gjithnjë do të ketë lexues që do t’i përjetojnë si anakronizma. Ja një pyetje e fundit ndoshta për lexuesin: a mund ta quajmë Eskilin, qoftë edhe vetëm për efekt, “Shekspiri i kulturës klasike greke?”

5 Komente

  1. Kam një pyetje, në fakt, të cilës nuk di t’i përgjigjem: nëse përkthyesi është ndërmjetësi që sjell librin në kohën e tij, a nuk do t’i lejohej atij t’i përdorte anakronizmat, pasi në kohën e tij këto “anakronizma” janë kuptime të përqafuara të gjuhës dhe e pasurojnë përkthimin, i cili, në fund të fundit, synon të përqafohet në të gjitha drejtimet nga publiku bashkëkohës i përkthyesit. Për të cituar më sipër Danten, druaj se ajo që ta frenon dorën për orientalizma në përkthimin e tij, është çështje stili, se sa konteksti historik. Në një X përkthim, edhe mua ma vret veshin një anakronizëm, po më duket më shumë si tingëllimë e çakorduar në stil, se sa në kontektstin e saj historik (në fakt, s’e kisha parë kurrë me këtë këndvështrim historik të fjalës). Ajo që kam frikë është se sikur ta përqafonim fort kontekstin historik të fjalëve, gjuha e përkthyesit mund të varfërohet e të vjetërohet shumë, sidomos për një gjuhë si shqipja, që është shkruar relativisht vonë. Po prapë, nuk di ta them nëse duhet të ketë dorë të lirë për anakronizmat. Kam përshtypjen se në fund është çështje veshi e shijeje në gjuhë. 🙂

    1. Në fakt, edhe unë nuk është se kam ndonjë recetë dhe as ndonjë qëndrim të prerë – por më depër doja ta vë në dukje si fenomen. Disa fjalë kanë më shumë histori se të tjerat, sidomos ato që në leksikologji i quajnë “historizma”. Por çfarë ndodh kur ndonjë nga këto historizma merr kuptim metaforik dhe shkëputet nga natyra e vet? “Bedlam” me kuptimin “çmendinë” mund të jetë akoma historizëm, por me kuptimin “rrëmujë” jo; e megjithatë, dikush që lexon Montaigne-in do t’ia dijë edhe historinë. Për të njëjtën arsye, mund të gjesh sot shqiptarë që e përdorin shprehjen “je bërë për pavijonin 17”, pa e ditur se çfarë ka qenë ky pavijon dhe ku. Imagjino tani sikur dikush të përkthente nga shqipja në anglisht dhe të thoshte: “you should be locked away in ward 17.”

      1. Sa do të kisha dashur ta shihja këtë të fundit. Për kënaqësinë e një të qeshure me shpirt… pavarësisht se me dhimbje mëlçie 😀

        1. Në mos gaboj, fjalën “betlem” e kam hasur te Koliqi, në përkthim të italishtes “presepe, o scena della natività”. Kanë edhe fjalët fatin e tyre! 😀

  2. “O atë i shenjtë, ti që për hatrin tim…” etj, etj, përkthen Pashko Gjeçi diku te “Parajsa”. Turqizmave s’kemi ç’t’i bëjmë. Aq më mirë bile që të jenë, për sa kohë që po e përkthejmë Danten pas pushtimit Turk. Përkthimi është rikrijim i një vepre të dikujt tjetër i spostuar në kohë. Në një farë mënyre përkthyesi mbart në kurriz krejt historinë e gjuhës. Po unë shoh një problem tjetër te përkthimi në fjalë që përmend Vehbiu: protagonizmin e përkthyesit. Përsa kohë që s’ka ekzigjenca ritmi e rime përkthimi duhet dhënë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Kemi të bëjmë këtu, siç thotë Franco Lucentini, me një: “traduttore che cambia quando non ce ne sarebbe bisogno, e non cambia quando sarebbe indispensabile”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin