TË BESOJMË

nga Dardan Konjufca*

Këto ditë shumica e fakulteteve të universiteteve publike të Tiranës po gëlojnë nga studentët dhe aktivistët në mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin drejtuar Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Kësaj radhe mund të vërejmë shumë qartë një frymë progresiste: studentët më vullnetplotë po punojnë me besimin për t’ia dalë mbanë.

Pavarësisht kësaj fryme, akoma jemi, ose së paku kemi qenë deri sot, në fazën e pajtimit. Për çfarë? Pajtimit në masë se kemi të drejtë për këto kërkesa. Po ta shohim me vëmendje, studentët në Shqipëri janë disi të hutuar, të stresuar dhe nuk duket të jenë fort të angazhuar për kauzat e përbashkëta. Kjo ka ardhur për shkak të jetës aspak studentore që bëhet këtu, sigurisht për arsye sistemore. Ky sistem e pamundëson banimin e universitetit nga studentët. Ata universitetin dhe fakultetin e shohin si diçka të huaj që nuk u ngjall aspak emocion, sepse ndërkohë kanë qenë duke punuar në pjesën më të madhe të ditës – nëpër qendrat kolektive të shfrytëzimit të njohura në masë si call center, ndoshta si kamerierë apo çfarëdolloj pune tjetër, që në fund të ditës t’u sigurojë të paktën ushqimin apo të kursejnë ndonjë lek për pagesën e tarifave të larta. Mirëpo, pas takimeve e bisedave me ta, studentët pranojnë çmendurinë e ekzistencës së këtyre kritereve paralizuese për arsimimin, kritere që mbahen në taban veç prej idesë konsumero-klienteliste. Pra ata pajtohen se kërkesat e peticionit janë më se të drejta.

Janë të drejta sepse kemi tarifat më të larta në rajon, ndërkohë standardin e jetesës gati më të ulëtin në Evropë. Në Gjermani, Francë, Slloveni, vendet skandinave, Greqi e vende të tjera të Evropës ka universitete publike falas ose lehtësisht të përballueshme, kurse te ne arsimimi po shndërrohet në privilegj të gjithnjë e më pak vetëve.

Faza e dytë është besimi. Në diskutim e sipër me studentët mund të dëgjosh fraza të tilla si: “po ne nuk mundemi”, “jemi pak”, “nuk kemi për të zgjidhur asgjë” etj. Arsyeja pse mungon besimi gjendet ndoshta te mospasja e një shembulli të mirëfilltë suksesi. Sidoqoftë, asnjëherë ngjarjet ose kauzat e mëdha nuk kanë nisur medoemos nga shumica. Shembuj të tillë ka me bollëk. P.sh. nisma ”suffragette” për të drejtën e votës për gratë nisi nga disa gra që punonin në fasoneri dhe u përhap pastaj në të gjitha vendet e botës. Sot gruaja konsiderohet e barabartë me burrin në të gjitha aspektet, ndonëse ka ende vend për t’u përpjekur në sferën publike dhe jo vetëm. Njerëzit me ngjyrë në Amerikë u nxitën të këmbëngulin për barazi dhe të drejta në momentin kur një grua refuzoi të ulej në sediljen e prapme të autobusit, sepse të parat ishin të rezervuara për njerëzit e bardhë, ose kur disa burra afro-amerikanë refuzuan të ngriheshin nga banaku i një lokali edhe pse u sulmuan dhe u keqtrajtuan fizikisht nga “të bardhët”. Kjo lëvizje shkoi deri në atë që njihet si marshi më masiv i bërë ndonjëherë për të drejtat civile, i udhëhequr nga Martin Luther King Jr-i, dhe sot njerëzit me ngjyrë kanë fituar një pjesë të konsiderueshme të të drejtave që u takojnë. Le të vijmë më pranë vetes. Në vitin 2014 studentët e Universitetit të Prishtinës zaptuan rektoratin për më shumë se dhjetë ditë. Kërkonin shkarkimin e rektorit për shkak se kishte publikuar punime shkencore në revista shkencore të rreme. Përpjekja nisi me 20-30 studentë dhe do të përfundonte me dhjetëra mijëra studentë, qytetarë dhe prindër në sheshet e Prishtinës, derisa rektori u shkarkua. Sa i përket Shqipërisë, vlen për t’u nënvizuar greva e studentëve të dhjetorit të vitit 1990, e nisur po ashtu nga një numër i vogël studentësh, por që gjeti pastaj mbështetje mbarëpopullore. Suksesi dihet: rrëzuan një sistem. Andaj edhe ne duhet të besojmë se mund t’ia dalim.

Duhet të besojmë sepse kemi potencial jo vetëm për këto kërkesa, por edhe për shumëçka tjetër. E duke besuar në to dhe në të vërtetën, do të rezistojmë më shumë dhe do ta çojmë deri në fund kauzën. Të mërkurën e datës 24 nevojitet një pjesëmarrje sa më masive. Edhe skeptikët më të mëdhenj do duhej të bashkoheshin. Jo vetëm studentët, por edhe prindërit e tyre. Pedagogët, gjithashtu, jo vetëm që duhet ta nënshkruajnë peticionin për t’iu kundërvënë praktikës së marrjes së rrogës nga tarifat studentore, por është e nevojshme që ditën e protestës ta pezullonin mësimin dhe të na bashkoheshin në marshin paqësor drejt kryeministrisë. Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për të treguar integritetin e tyre të lartë intelektual. Kështu do të bëhemi shumë. Vetëm të tillë e me besim në fuqitë tona do t’i fitojmë të drejtat që na takojnë. Masiviteti ynë do të shërbente edhe si frymëzim për të rinjtë që do të vijnë pas nesh.

Ka nga ata që thonë “unë nuk dal sepse nuk dua të konfrontohem me policinë”. Ajo që duhet kuptuar është se studentët nuk kanë qenë të prirë ndonjëherë nga ideja e dhunës në vetvete. Është pushteti ai i cili i çon kauzat serioze drejt dhunës sepse vetëm kështu do të justifikohej dhe do të shmangte vëmendjen nga ideja kryesore. Prandaj, të mërkurën e 24 janarit ejani në protestë jo për hatër të shokut apo shoqes, as për hir të profesorit! Bëjeni për vete, për prindërit tuaj, për të ardhmen, për shoqërinë! Vetëm duke pasur një masë kritike studentësh e pedagogësh brenda e jashtë universitetit, do të ketë universitet, do të ketë cilësi më të madhe të arsimit dhe, pse jo, të ardhme. Luftojmë bashkë! Për universitetin! Për shoqërinë!

(c) 2018, autori


*student dhe aktivist i Lëvizjes Për Universitetin

2 Komente

  1. nuk me duken serioze se jane perjashtues. I ftova te vine te flasin ne nje universitet privat, disa organizatore i njoh personalisht, dhe nuk erdhen. Pa gjykuar per motivet personale te organizatoreve, nuk eshte te drejte te injorohen studentet ne shkollat private, qe kane te njejtat probleme si edhe ata ne publike.

  2. Titull i gabuar ne nje levizje te drejte! Ndoshta duhet: solidarizim, ose bashkim, apo kundershtim!?
    Me te degjuar e kam, qe tarifat shteterore jane ngritur, sidoqofte jane akoma shume me te ulta se te universiteteve private. Gjithashtu me te degjuar e kam, mesimdhenia ne uni. shteterore eshte paksa me mire se ne ato private. Por nese tarifat vazhdojne e ngrihen pa asnje kriter, dhe ngrihen nga viti ne vit, duhet levizur, kundershtuar, protestuar, etj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin