VENDIME TË ERRËTA PËR KOHËRA TË HERSHME

nga Tinka Kurti (*)

Muret këtu janë ngritur për të ndarë dhe ura nuk është bërë për të bashkuar. Kujtimet e fëmijërisë ndodhen aty, pas një muri me portë të mbyllur. Para luftës, ne fëmijët që kemi kaluar rritën tonë në këtë vend – afër burimit me ujë të gazuar në Deçan – jemi afruar deri te Manastiri. Brenda s’kemi guxuar të hyjmë. Tash rrimë qindra metra larg saj për shkak të ngritjes së murit vitet e fundit. Për ne ky manastir s’ishte as kështjellë e as fortesë. Ishte burim i ideve të mistershme. Po ta lëshonim imagjinatën, ajo do të vazhdonte në lemeri. Aty përfytyronim forcat e errëta, sepse i lidhnim ato me të keqen e madhe, Serbinë. Ajo ishte gjysmëhija jonë kaotike. Ishte imagjinata jonë e limituar. Aty lidhen shumë gjëra, përfshirë ndonjë copë tregimi se ky manastir u përkiste shqiptarëve. Sot nën kontrollin ushtarak, me muret e mëdha, është e vështirë të bëhet lidhja mes kujtesës dhe vazhdimësisë së ekzistencës. Vitet e pasluftës as nuk e patëm mundësinë që të afrohemi e të rrëqethemi prej së afërmi. Ta rimendonim se si ndryshoi përdhunshëm jeta jonë. Të afroheshim aty për t’i matur humbjet e dhimbshme dhe fitoren e madhe.

Viteve të pasluftës, disa herë në kolona veturash, pasi pritnim me orë për të shkuar të manastiri, na kthenin mbrapsht. Ne ktheheshim në shkretëtirat tona të reja duke u munduar të sajojmë ëndrra e plane të cilat pengoheshin nga reklamat që në formë petku të dominimit tregtar, po pushtonin pamjet e qyteteve në atmosferë paslufte. Mandej do të dëgjonim për Pakon e Ahtisarit. Në atë kuti ndodhej edhe manastiri. Aty ishin edhe zonat përreth tij. Turbullt kuptonim se na e kishin futur atdheun në kuti. Copë–copë. Kështu, do të na i përhumbin çështjet që na ndodhin para syve. Të kaluarën dhe sidomos të ardhmen. Ata na i shesin ëndrrat e para në tezga, me demek stabiliteti. Marrin vendime të mëdha për kohërat tona të hershme. Shkojnë në kryeqendra evropiane që të flasin për qytetet tona të vocrra. Herë nga Vjena, herë nga Brukseli sjellin marrëveshje që as s’i merrnim vesh.

Kësilloj, nga Vjena kishte ardhur edhe marrëveshja që kishave e manastireve u jepej territor shtesë dhe ato nuk do të ishin më pjesë e trashëgimisë kulturore, por 44 sosh do t’i jepeshin Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Manastiri i Deçanit ishte i pari në listën e 44 monumenteve që do t’i takonte Kishës Ortodokse Serbe. Manastiri nuk do t’i takonte Deçanit. Ai do të sundohej prej Beogradit. Ndoshta edhe bashkëmoshatarët e mi, e kanë pasur vështirë ta kuptojnë fjalën ‘eksterritorialitet’ atëbotë. Edhe fjalën ‘decentralizim’. Por, a nuk është përhumbja, moskuptimi dhe vështirësia vetë qëllim, kur dikush negocion për gjërat tua të afërta në vende të largëta? Vështirë ta kuptoje saktë se ç’po ndodhte. E vështirë është shkëputja nga kujtimet e fëmijërisë. Shumë mendje që kanë tronditur botën besojnë se vitet e para të jetës janë themeli dhe përcaktuese për shumë gjëra në jetë më tej.

Natyrisht, qenia nuk e ndalon zhvillimin (ose degradimin) kurrë, por për të vazhduar tej, duhet interpretimi i së shkuarës. Kuptimi i drejtë i saj. Kur disa vështirësi bëhen bashkë, ato kalojnë në një përkufizim tjetër. Në dhunë. Këta të negociatave shpërfillëse, ngjashëm me metaforat e shteteve totalitare të cilat i kontrollojnë ëndrrat, t’i ndalojnë kujtimet prej së cilave ishim ndarë si tufë ankthesh. Ndarje, pa pasur mundësi rikuptimësimi.

Shënim i autores: Ky shkrim është shkruar në shtator 2016, por po botohet tash pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë që i jep të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën në pronësi, në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.


(*) Tinka Kurti është aktiviste politike dhe gazetare në Prishtinë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin