SAMITI I DIASPORËS – KUR, PËR ÇFARË E PËR KË?

Do kisha preferuar kuvend ose tubim ose edhe konferencë qoftë a kongres, se “samiti” pra takimi i krerëve lart për të zgjidhur tensione të nivelit po lart, nuk më duket i gjetur, veçse po të synonte të fryhej me formë pa përmbajtje. Në nëntor 2016 duhet të mblidhet samiti i diasporës shqiptare! Dhe shpresojmë që mbjellja e datës në media, kësaj radhe të jetë pararendëse e ngjarjes reale. Në fakt data e parë duhet të ishte mars 2016, por me mençuri ajo nuk u raportua fort, dhe as u shpërnda mjaftueshëm, që, nëse marsi nuk na vinte për mbarë, të mund ta shtynim. Dhe, shyqyr! Se marsi u bë nëntor. Me padurim e priste gazetari Afrim Krasniqi samitin efemer të marsit 2016, dhe mençurisht ngre shumë pyetje si për mungesën e kujdesit të shtetit shqiptar për diasporën, si për problemet kushtetuese që dalin nga injorimi dhe abuzimi i emigrantëve prej shtetit shqiptar, si për shtyrjen në kalendat greke të përfshirjes formale të këtij segmenti prej një milioni e gjysmë shqiptarësh të ikur pas 1990-ës.

Më 28 shtator 2015 në faqen e vet FB kryeministri njofton se

Qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë të interesuarit për organizimin e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare, në marsin e vitit të ardhshëm në Tiranë.

Disa gazeta e ndjekin. E kuptoj që samiti nuk u krye kur u tha se do kryhej, dhe as u kërkua ndjesë a u dhanë shpjegime për shtyrjen, por unë do doja të dija se çfarë do të thotë kryeministri me “qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë të interesuarit”. Unë jam e interesuar, dhe kam kërkuar sa kam mundur info si një pjesë e publikut shqiptar. Por s’kam mundur të gjej asgjë të qartë. Përse duhet që unë si qytetare e interesuar, si emigrante, si studiuese e diasporës, pra si SHUMË e interesuar, të mos marr dot informacion më të plotë e transparent në sajte që bëjnë thirrje racionale dhe të mbarështuara për pjesëmarrje në kuvend, për seancat themelore të kuvendit, për temat e trajtuara në secilën seancë, për misionin, qëllimet, pyetjet dhe objektivat e të parit mes shumë grumbullimeve të tjera që duhet të ndjekin, për përzgjedhjen e folësve, për të ftuarit, për mundësitë e pjesëmarrjes së të interesuarve, për kohëzgjatjen, për venynë e mbledhjeve dhe ditëve, e sidomos për vetë organizimin e një aktiviteti të tillë.

Me mundim gjej informacion të dhënë me pikatore, konfuz, sipërfaqësor ose retorik. Përfundoj me gjykimin se, ose unë i kam mbushur mendjen vetes se jam një ndër të interesuarit pa qenë e tillë, ose qeveria mua nuk më quan të interesuar. Por e sigurtë është që në këtë pikë, në kohë unë jam e djegur si një ndër ata që do donin të ishin pjesë e kuvendit dhe e diskutimit për ndryshim pozitiv. Sepse, që të mund të merrja pjesë në të, duhet të kisha marrë informacionin e duhur që të përgatisja udhëtimin dhe të kompensoja për detyrat familjare, të organizoja zëvendësimin tim në punë, dhe para këtyre hapave praktike, të peshoja vlerën dhe përmbajtjen e asaj që propozohej si tematikë dhe qëllim dhe të kuptoja nëse ia vlente apo jo të kthehesha nga vendi i kurbetit për në atdhe për ndërgjegje civile e publike.

Kontributi im nuk do të ishte domosdoshmërisht i domosdoshëm, por fakti që kur unë, e mësuar me aplikime e procedura pjesëmarrjesh në konferenca, nuk ia dola të merrja vesh si merrej pjesë në samit, besoj se segmente shumë më të mëdha emigrantësh kanë ngelur pa përfaqësim aty. Sepse, po qe se japim dy paragrafë të bukur krenimi që do mbledhim samitin nën kujdesin e këtij apo atij, për mediat apo për sitet zyrtare, por pastaj tradhtojmë diasporën me procedurat me lista të njohurish, organizmash të vetëzgjedhur dhe megalomanë, apo me lista hartuar nga burokratë që duan të mbarojnë punë shpejt e të plotësojnë numrin e kërkuar të pjesëmarrësve apo të vendeve pjesëmarrëse, atëherë diaspora është tradhtuar që pa ia mbledhur ende samitin.

Por nisma, qoftë edhe e vonuar siç është, është e brohoritshme, sepse akute dhe shumë e rëndësishme për shqiptarët. Dhe, sado e lodhur të jem me dështime institucionale të mbledhjeve dhe aktiviteteve fasada që kryhen për ekranin dhe për rrjetet sociale, më shumë sesa për të ndihmuar njerëzit që më fort kanë nevojë, një kuvend i tillë do mjete financiare dhe kapacitete organizuese të nivelit shtetëror. Ndaj unë jam për shtetin, ministritë apo kryeministrinë si organizues parësorë të tij. Por realizimi i këtij organizimi dhe kushtet ku e shoh të jetë në këtë moment vetëm dy muaj para datës së mbledhjes së madhe, më bëjnë dyshuese dhe nervoze për qëllimet serioze të Kryeministrisë apo Ministrisë së Jashtme. Do ta shkojmë kot edhe këtë mundësi dhe energji, edhe një tufë tjetër me para, siç u shkuan kot ato për ekzagjerimet dhe farsat me emigrantët për 100-vjetorin e Pavarësisë? Apo do i përdorim paratë publike (e paçim edhe ca donacione private, inshallah, sido që donatorët tanë “biznesmenë” i kemi dorështrënguar dhe me synime të mprehta politike, pra që e hapin qesen veç e ekskluzivisht për fushata zgjedhore) që të diskutohet se si shteti të mund të ndihmojë emigracionin shqiptar?

Ja pjesa më informuese e lajmit në faqen e Ministrisë së Jashtme në Prill 2016. Prilli i shkuar rimerr lajmet e shtatorit ’15 dhe i përforcon pak ato, pa shtuar fort info, gjithsesi.

Kryeministri Rama çmoi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, duke nënvizuar historinë e vështirë të të dy popujve, suksesin e tyre në vendin e lirisë dhe shembullin efikas të rolit të Diasporës hebraike, si model për veprim e organizim të komunitetit shqiptar në SHBA.
Për t’i dhënë një impuls konkret e pozitiv rolit e përpjekjeve të Diasporës për të kontribuar direkt në zhvillimet sociale, ekonomike e politike në Shqipëri dhe organizimin e saj në mbarë botën, Kryeministri Rama njoftoi mbajtjen e Samitit të Parë të Diasporës shqiptare më 13 nëntor në Tiranë.
Ky Samit do të mbledhë në Tiranë shoqata shqiptare, personalitete të shquara dhe anëtarë të thjeshtë bashkëkombës nga të gjitha kontinentet, me synim krijimin e një ure solide bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar në botë, si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet ku ata jetojnë.

Retorikë e përgjithshme, diskurs pozitiv, po pa asnjë element që më bën të kuptoj çfarë do të ndodhë apo si do kryhet konkretisht samiti. Dhe në fakt unë gjërat konkrete nuk po i prisja nga kryeministri dora vetë, por nga vartësit e tij, dhe zyra të tjera, dhe kur s’i gjeta gjëkundi tjetër, iu vërsula referencave që më vinin nga kryeministri. Në një tjetër raportim thuhet se kryeministri parashtron këto synime për samitin:

Samiti i nëntorit do të jetë çasti kur ne do të tregojmë kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të bërë edhe më shumë,

një tjetër fjali opake kjo dhe që duket deklamuese më shumë sesa informuese.

Bën vaki edhe lajmi i nëntorit do na kërcejë hareshëm ose shurdhërisht në një datë tjetër, sepse sado të zhbirilosh, nuk ia del të gjesh të dhëna të sakta se mbi ç’parime është organizuar, si bëhen ftesat, a ka drejtim shkencor në diskutime, sa ditë zgjat, çfarë seancash ka, ku do kryhet, çfarë pritet të ndryshojë. Hiç, asgjë, për be! Po si nuk qarkullon asgjë informuese për këtë samit kaq të rëndësishëm veç deklaratave?! A t’i besoj një lajmi ku fshehur në një rresht del se na qenkësh vendosur të jetë më datën 13 nëntor? Si mundet të dalë vetëm në një instancë në gjithë kërkimet që kam bërë në web? Pastaj si mund të jetë një samit i këtij tipi vetëm njëditor? Lajmet koncize ose përsërisin boshllëkun e njëri-tjetrit, ose janë një jehonë shterpë dhe formale e lajmit vetë.

Lajmet nisën të jehojnë rishtazi që nga muaji prill i këtij viti. Rando Devole në Maj me më shumë dashamirësi sesa kritikë, i mëshon rëndësisë së këtij samiti, por pa lënë mënjanë edhe dilemat dhe dyshimet se qëllimi i këtij tubimi ka fort të ngjarë të jetë formal dhe për t’u dukur e larë gojën, që më në fund edhe për diasporën po mendon politika shqiptare. Pra Edi Rama hyn në histori si i pari kryeministër që nuk shkon në New York thjesht në vizita puthadorëse me të ashtuquajturit “përfaqësues” të komuniteteve shqiptare, por edhe fton në Shqipëri përfaqësuesit “e vërtetë” të komuniteteve kurbetlie. Po Devole i bën një analizë kritike një tjetër konference që lidhet po ashtu me diasporën, një nismë në dukje pozitive e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë e Kosovës, por që gjithashtu duket e paplotë dhe e tipit me të cilin jemi mësuar tashmë: aktivitete shumë të nevojshme e që duhen brohoritur, që kryhen për të plotësuar planin, më shumë se për të zgjidhur problemin.

Kam ndjekur këto dy muajt e fundit edhe lajmet dhe mbledhjet e kategorisë “Jam shqiptar” në Greqi dhe Itali (duhet të ketë edhe një në ShBA) organizuar gjithashtu nga Ministria e Jashtme, dhe nuk jam e qartë se si procedohet në to, dhe si realizohet përfaqësimi i diasporës nëpërmjet tyre për në samit. Mbulimi institucional dhe mediatik i mbledhjeve është minimal; ashtu janë edhe pjesëmarrjet nga sa shoh prej fotove. Duken si deklarata ministrore që synojnë të dëftejnë se po lëvizim, po ndryshojmë, po ecim përpara, meritojmë votat tuaja, më shumë se çfarë problemesh e hallesh keni, si t’i zgjidhim e si t’i sjellim në samit, nëse është kjo rruga e vetme. Kam frikë se jemi para konferencash tipike shqiptare: zgjedhim një lokal të mirë e të dukshëm për konferencën që nuk e dimë me saktësi deri ditën e fundit, por nuk është problem se kemi fuqi dhe njohje, e hapim me figura të njohura të rangut kryeministror, me shumë kamera e media, me pasanikë apo figura martire nga diaspora në rresht të parë, që na presin, sajdisin e duartrokasin kur i vizitojmë nëpër botë e na nderojnë kur i thërrasim që të vijnë këtu. I sjellim që të bëjnë sikur ngrenë probleme, por kryesisht të na admirojnë kurorën e të na falënderojnë për ftesat; dhe pastaj për të mbushur numrin dhe reston e karrigeve, ftojmë kë mundemi e si mundemi, të njohur e ndere-bërës. Dhe pastaj themi “U kry!”.

Nëse ka vërtet punë reale dhe të pastër që po kryhet (fshehurazi) për këtë samit, shpërndani mes njerëzish informacion! Unë gëzueshëm tërheq gjithë dyshimet e mia lart bazuar në eksperiencë. Shumë nuk ndryshon, se ka mbetur pak kohë deri në fatlumin nëntor, por më mirë vonë, thuhet.

Ministri i Jashtëm Bushati kur përmend mbledhjet “Jam shqiptar”, le të kuptohet se qëllim themelor i tyre (dhe i samitit) është angazhimi i Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit. Shpresoj të mos jetë vërtet kështu. Po qe se Diaspora po shihet rishtas si mënyrë për të shpëtuar binanë e lëkundur ekonomike shqiptare dhe si potencial i jashtëzakonshëm votuesish, atëherë qeveria ia ka hipur kalit së prapthi. Shqiptarët e pas-90ës janë braktisur nga shteti, sido që nuk e kanë braktisur në asnjë kuptim atë qe e quajnë vend të tyre. Ata kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet jo veç perëndimore dhe jo veç të pasura ndaj minoriteteve të të njëjtit fis (kin state dhe kin minorities), si edhe ndaj grupeve madje edhe individëve bashkëkombës që ndodhen jashtë për arsye të ndryshme.

Gjuha, identiteti dhe përkatësia nuk janë komoditete luksi dhe as diamante që mbahen prej emigrantëve për të shitur mend nëpër botë. Ato janë premisa themelore të qenies, nevoja dhe të drejta bazale të shqiptarëve që kanë ikur. Këto dimensione janë shumë problematike ndër shqiptarët e mërguar, sidomos ndër ata më të rinjtë në moshë. Pikërisht këto duhet të jenë në themel të çdo samiti a diskutimi për diasporën dhe emigracionin shqiptar.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

5 Komente

  1. Eda, ndonjë ditë duhen shkruar komeditë përkatëse, për këto farsa politike dhe institucionale.

    Që nga emri “samit”, që do t’i jepet këtij festivali të vanitetit patriotik; dhe që, siç e thua ti mirë, nuk ka lidhje me atë që është sugjeruar të mbahet; meqë “samiti” parakupton një takim krerësh, dhe unë vetëm kur i përfytyroj “krerët” e së ashtuquajturës “diasporë” së paku në ShBA pothuajse e kam komedinë gati – aq më tepër që këta janë krerë të një trupi që nuk ekziston; ose koka të prera, në kuptimin që i ka dhënë këtij termi Ismail Kadareja.

    Pa folur pastaj edhe për krahasimin megalomaniak me diasporën hebraike, e cila është unike për nga vetë historia e popullit hebraik dhe statusi delikat i shtetit të Izraelit.

    Do të shtoja vetëm që mungesa e informacionit për këtë ngjarje, sikurse edhe për shumë ngjarje të tjera, është tepër flagrante për të qenë thjesht produkt i një pakujdesie. Tashmë e kemi marrë vesh se ekzekutivi i tanishëm nuk jep informacion për çfarë duhet të jepet informacion, po për çfarë duan ata që të ketë informacion – dy gjëra krejt të ndryshme. Unë e përjetoj këtë thjesht si arrogancë; por të paktën të na kursenin përgjigjen tashmë bajate se “nuk jeni informuar mirë” që praktikisht shoqëron çdo kritikë.

    Për mbledhjen e diasporës besoj nuk janë dhënë informacione për dy arsye: (1) ngaqë nuk është bërë asgjë deri më tash dhe (2) ngaqë gjithçka do të vendoset në momentin e fundit dhe në mënyrë krejt arbitrare.

    Për këto arsye dhe të tjera, unë do të sugjeroja që kjo mbledhje, tubim a intubim i krerëve epikë të shqiptarisë të quhej “Bienalja e diasporës”: ashtu do të mund të tërhiqeshin edhe arkitektë dhe instalacionistë gjithfarësh, që të kontribuonin për vendosjen e tavolinave dhe të ndriçimit dhe t’u jepnin udhëzime fotografëve.

    1. Mendoj tamam ashtu. Ceshtja eshte qe verifikimi i faktit qe grumbullimi eshte kryer keq dhe do jete nje tjeter shans i humbur a fiasko, me ben te ndihem edhe me keq sesa kur dyshoja. Puna eshte qe kjo gjendje lidhur me samitin duhet ndryshuar si nevoje jetike per gjithe emigrantet. Nje samit si ky eshte fyes dhe nuk puqet me nje kuvend te nje shteti human dhe qe ka pergjegjesi ndaj tyre.

  2. Unë jam një nga “krerët”. Më pëlqeu shkrimi. Nuk arrij dot t’jua dërgoj si pdf. U përpoqa me copy/paste. Ja programi:

    (Projekt paraprak)
    Programi i Samitit të Diasporës1
    Tiranë, 18-20 Nëntor 2016
    18 Nëntor 2016
    16:30 Akreditimi (Holli i Pallatit të Kongreseve)
    19:00 Hapja e Samitit, Pallati i Brigadave
    20:00 Pritje, Pallati i Brigadave
    19 Nëntor 2016
    10:00 – 12:30
    Panele diskutimi tematike të njëkohshme nën moton:
    «Së bashku mund të bëjmë më shumë dhe më mirë»
    me pjesëmarrës nga Qeveria dhe Diaspora
    1. Në Pallatin e Kongreseve (Holl): “Ekonomia, Tregtia dhe Investimet në
    Atdhe: Si mund të përfshihet Diaspora? »
    2. Në Galerinë Kombëtare të Arteve: “Ngjyrat tona në botë: arti, kultura,
    imazhi, trashëgimia, identiteti”
    3. Në hollin e Muzeut Kombëtar: “Të organizuar mund të ndikojmë atje ku
    jetojmë por edhe në Atdhe: Është koha për një koncept të ri”.
    4. Në Teatrin Metropolitan: “Dija mbi të gjitha: Si të shfrytëzojmë më mirë
    kapacitetet dhe mundësitë, përfshirë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin”
    5. Në MPJ: “Përfaqësitë Diplomatike dhe Diaspora: të ndërtojmë një
    bashkëveprim efikas dhe modern”
    6. Në Teatrin Kombëtar : “Të shfrytëzojmë me zgjuarësi pasuritë tona:
    Turizmi shqiptar, realiteti dhe perspektiva”
    7. Në Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë: “Mbështetja për
    sipërmarrësit e rinj: kultura e start-up.”
    8. Në Universitetin e Tiranës: “Kapitali njerëzor: Si të ndërtojmë një rrjet
    ndërshqiptar të aftësive?”
    9. Center for Openess and Dialogue (COD): “Roli i Diasporës në zhvillimin
    e Atdheut: Eksperienca nga bota”
    13:00 Drekë tradicionale shqiptare (bufe) – TBD
    16.00 – 18:30 Pallati i Kongreseve
    Seancë plenare – Kaleidoskopi i Diasporës shqiptare
    Seancë plenare me një folës për çdo vend (5 minuta për çdo folës), të alternuara
    nga intermezzo me muzike tradicionale nga vise të ndryshme shqiptare. Kjo
    seancë do të mundësojë që samiti të dëgjojë idetë dhe mendimet e komuniteteve
    shqiptare që jëtojnë në vende të ndrhsme të botës.
    Gjatë ditës do të inugurohen edhe aktivitete të vecanta kulturore kushtuar
    Diaporës.
    19.30 – 21:00 Koncert
    20 Nëntor 2016
    09:00 – 16:00 Vizita
    Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të bëjnë vizita në disa nga qytetet më të afërta

  3. IDL: Me mire qe e mbajne sekret kete program dhe ua japin per konsum vetem krereve, sepse po te shkruaja une nje program karikatural per nje aktivitet qe te trupezonte gjithe dyshimet dhe frikerat e mia ne shkrim per nje “samit” te organizuar keq, me qellime njekaheshe e te dyshimta, pra flluske formale pa shprese suksesi, do ishte tamam keshtu. Jam sinqerisht e trishtuar dhe e renduar te shoh se realiteti luan parodi.
    Programi qe dergove me heq cdo shprese qe kisha. Por te falenderoj per komunikimin.

  4. Unë e mora ftesën, por nuk më kanë lënë mendtë akoma që të paguaj nga xhepi foton e radhës të Fejsbukut të Ramës 🙂

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin