KOSTALLARI BARDHEZI

Dje mora pjesë në një aktivitet – mbledhje jubilare – të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, kushtuar Androkli Kostallarit, “figurë e shquar e albanologjisë shqiptare”, me rastin e 95-vjetorit të lindjes.

Prof. Kostallari ka qenë drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë kur unë fillova punën atje (1982); ishte ai vetë që më kërkoi. Më ka ndihmuar që të formohem si gjuhëtar, më ka dhënë liri të madhe për të studiuar, më ka mësuar si të trajtoj një argument, në një artikull hulumtues. I detyrohem për shumë.

Megjithatë, unë kam arritur shumë vonë në Institut, për të përjetuar bëmat, dramat dhe peripecitë e gjuhësisë shqiptare dhe të Kostallarit vetë si një nga drejtuesit e saj kryesorë dhe autoritetet e saj.

Çfarë mund ta them me siguri, është se Kostallari ka qenë një nga specialistët më të zotë, në çdo pikëpamje, në leksikologji, leksikografi dhe politikë gjuhësore, përveçse organizator me aftësi të pashembullta, njohës i rrallë i gjuhës shqipe dhe punëtor i madh. Sikurse ka qenë edhe stalinist i bindur dhe një nga zbatuesit më të zellshëm të politikave totalitare dhe të vijës së PPSH-së ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj gjuhësisë në Shqipëri.

Edhe pse e organizuar me kujdes dhe me seriozitet të madh, mbledhja jubilare e djeshme më la shije të keqe, sepse të pranishmit u kujdesën kryesisht që ta vlerësojnë Kostallarin për arritjet e tij në projektimin dhe hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), në mirëmbajtjen dhe sidomos pasurimin e Kartotekës së leksikut të shqipes dhe sidomos për punën e tij drejtuese në konsolidimin e gjuhës shqipe të njësuar dhe në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.

Edhe pse meritat e Kostallarit në leksikografi dhe në organizimin e punës mbarëkombëtare për njohjen e leksikut popullor të shqipes nuk mund të diskutohen, mbetet shumë ende për t’u thënë në lidhje me rolin e tij në politikat gjuhësore në Shqipërinë e viteve 1950-1970. Çdo përpjekje e sotme, për vlerësimin e përgjithshëm të kësaj figure qendrore të dijes akademike dhe universitare në Shqipëri, nuk mund të shpërfillë dritëhijet e saj.

Nga mbledhja e djeshme, m’u krijua përshtypja se opinioni për Kostallarin i shprehur në mënyrë të përsëritur nga folësit ishte ndikuar madje kushtëzuar në mënyrë vendimtare nga përplasjet e sotme midis atyre që e sulmojnë standardin si efekt anësor të politikave totalitare ndaj gjuhës së shkruar dhe atyre të tjerëve që standardin e mbrojnë si arritje të kulturës kombëtare dhe kurorëzim të përpjekjeve të nisura që me Rilindjen kombëtare.

Në një farë kuptimi, mbledhja ishte vazhdim i kësaj përplasjeje që tashmë vazhdon prej vitesh; dhe figura e Kostallarit përfundoi e përdorur si armë nga njëra prej palëve ndërluftuese. Për ta thënë me një shprehje të anglishtes, Kostallari was weaponized. Nëse para 1990-ës ai dhe sistemi akademik kujdeseshin që rezultatet e politikave gjuhësore në Shqipëri t’i shihnin si suksese të vijës së PPSH-së në shkencë, sot theksi u vu tek aspekti mirëfilli kombëtarist i së njëjtave arritje. Enverizmi (stalinizmi) i lëshoi vend kombëtarizmit.

Meqë kjo mbledhje i kushtohej pikërisht Kostallarit si dijetar, organizator, mësues por edhe njeri, do të ishte me interes të madh të trajtohej më gjerë drama e tij – thellësisht njerëzore – si një nga ata intelektualë dhe specialistë shqiptarë të përgatitur në Bashkimin Sovjetik, që më pas u persekutuan në forma të ndryshme për filo-sovjetizmin e tyre; dhe aq më tepër në rastin e Kostallarit, i cili ishte i martuar dhe kish krijuar familje me një grua ruse, me të cilën jetoi deri sa vdiq (ashtu si jetoi); dhe ai e vuajti gjithë jetën kërcënimin – shpesh në trajtë shantazhi – se fare lehtë mund të dënohej për këtë, si shumë kolegë të tij në rrethana të ngjashme.

Kompleksiteti i kësaj figure shfaqet edhe në atë që, gjithë duke qenë përçues i bindur i vijës së PPSH-së dhe i politikave staliniste në gjuhësi, Kostallari ishte edhe vetë viktimë e drejtpërdrejtë e këtyre politikave. Si dëshmitar i vonë, unë mund të them vetëm se prapa krekosjeve, entuziazmit të shtirur, citateve nga Stalini dhe mitralimit propagandistik të fjalimeve, nuk ishte e vështirë të dalloje, tek njeriu, hijen e një trishtimi të përhershëm.

Si promovues kryesor dhe si enforcer i njësimit të shqipes letrare – dhe jo thjesht të drejtshkrimit siç thuhet ndonjëherë – Kostallari nuk mund të çlirohet nga përgjegjësia për mënyrën si u trajtua, në vitet 1960-1970, gegërishtja letrare, e traditës dhe e praktikuar rishtas: një pasuri kulturore e pashembullt, e cila u sakrifikua për hir të një politike homogjenizimi kulturor të egër dhe krejt të panevojshme. Nëse mbledhja e djeshme heshti për këtë, faji kryesor besoj unë i mbetet polarizimit të çështjes sot, instrumentalizimit të saj nga grupe partikulariste dhe përçarjes së thellë që ka ndodhur në gjuhësinë shqiptare.

Por kjo heshtje – që nuk dua ta quaj shpërfillje – nuk i shërben kujtimit as vlerësimit të Kostallarit, as rishqyrtimit të pozitës së tij prej dijetari sot, kur arritjet praktike të shkollës kostallariane (Fjalori, kartoteka e shqipes) na duken tërësisht të pamundura për t’u përsëritur, pa çka se ideologjia që dje frymëzonte Kostallarin dhe kostallarianët nuk vepron më.

Çfarë i mungoi mbledhjes së djeshme ishte kritika – jo në kuptimin e sulmeve ndaj një monumenti për ta rrëzuar, por në kuptimin e një qasjeje problematizuese ndaj një figure dikur qendrore të dijes albanologjike dhe të gjuhësisë së zbatuar, që veproi herë me zell e herë me detyrim në një kontekst ideologjik totalitar, nën shantazhin e persekutimit familjar. Ngaqë Kostallari është demonizuar nga pala le ta quajmë “kundërshtare”, që kërkon rishikimin e të gjitha arritjeve të politikës gjuhësore të viteve 1945-1990, por në mënyrë tejet të politizuar, madje ndonjëherë krahiniste dhe amatoriale, ata të tjerët, që identifikohen me të dhe gjakimet e tij, vazhdojnë që problematizimin ta shohin gjithashtu si sulm ndaj jo thjesht Kostallarit, por edhe politikave dhe qëndrimeve që i bashkojnë sot e kësaj dite.

(c) Peizazhe të fjalës. Lutem mos e vidhni këtë shkrim.

3 Komente

  1. Kam pershtypjen se ne nje mbledhje jubilare kushtuar kujtimit te personit dhe kontributeve te tij si personalitet i gjuhesise, gjerat rrumbullakosen dhe nxirren vetem meritat. Plus ndarje sipas vijave ideologjike qe ju bukur fort e shpjegoni , do ta kthente jubileun ne nje perplasje te kreshnikeve te Jutbines .
    Pa dale nga skena brezi bashkekohes i Kostallarit dhe pa u fashitur mllefet jashte shkencore, situata do jete kjo, laj dhe lule.
    Qasja pa ditirambe dhe me sy kritik per kontributin e Kostallarit dhe ustallare te tjere, behet ne studime integrale, pertej podiumeve dhe jubileve si ky.
    Por edhe e mirekuptoj qendrimin refraktar te mbrojtesve te Kostallarit dhe standardid. Jetojme kohen e shkalafitjeve te medha. Ndersa gjithe forcat e reja i jane qepur cmitizimit dhe shqepjes se kostumeve te trasheguara, gjithegjeja rrezikon te mbetet lakuriq, perderi sa nuk do te jene riformesuar institucionet e qendrueshme, te pergjegjeshme dhe te orientuara kah prodhimi vlerave te reja e jo thjesht nihilizmi asgjesues.

  2. Per Kostallarin e kostallaret ka tre qendrime, tre ngjyra, njera pale qe i mburr per patriotizem e/o nacionalizem, pala tjeter qe i akuzon per patriotizem e/o nacionalizem dhe pala e trete qe i akuzon per komunizem, stalinizem, enverizem dhe krahinizem.
    Nga gjithe -izmat mungon profesionalizmi, i cili merret i nenkuptuar tek mburresit dhe i munguar tek akuzuesit,

    Duke bere nje kombinim akuzash si behet me barishtet mjekesore ose barnat, del akuza per nacional-komunizem toskocentrik, qe do te thote se mburresit jane kryesisht toske e ne nivele te ndryshme nostalgjike te periudhes komuniste ose qe riprodhohen fale individeve te tille, keshtu qe aktrojne.

    Meqenese gjerat nuk jane te thjeshta edhe publiku nuk kupton shume, aq me teper kur vete kultura shqiptare, si gjithe kulturat e tjera, operon me kategorite e idealizimit dhe demonizimit te se shkuares. Publiku thjesht pret nese duhet ta idealizoje apo demonizoje kostallarizmin ne gjuhesi.

    Ti thua t’i japim hakun profesionistit, por duhet ndriçuar qendrimi ndaj gegerishtes, gje qe te pozicionon qartazi.

    Nderkaq, ose per arsye moshe rinore ose shkollimi te manget e jocilesor te delegateve (kishte mesues me te mesme), Kongresi i 1972-shit, ngjan me te teper si spektakli ”Dilettanti allo sbaraglio” sesa si nje konference prej njerezish te shkences gjuhesore. Ne fund te fundit, rezultati i atij Kongresi ishte paranxjerre nga duart e atyre pak specialisteve te mirefillte e me eksperience, te cilet pikerisht pse ishin pak nuk ishin te mjaftueshem.

    Them se para se te merremi me stalinizmin, nacionalizmin e toskocentrizmin, te çmitizojme njehere kompetencat shkencore te eterve te standartit, se shume -izma e gjejne shpesh forcen tek mungesa e izmes se profesionalizmes.

  3. mungesa e kombëtarizmit si ideologji shetërore,bën që sot të mos kemi institucione përkatëse. pse ne kemi mungesë të kësaj fryme,ndërsa të gjithë rreth e rrotull e kanë me bollëk? për mendimin tim,vendet fqinje,nuk e duan ekzistencën e shqiptarëve. u treguan të shkathët dhe financuan që elitat reja të jenë të zhveshura nga ndjenja kombëtare. kjo u paraqit me mjeshtëri si ”evropianizëm” dhe po me sukses u bë njësimi i komunizmit me kombëtarizmin. kjo pati efektet e duhura edhe në politikë,dhe për pasojë të studioje gjuhën dhe përkatesinë kombëtare cilësoheshe komunist. me kalimin e viteve,boshllëku kombëtar do të mbushej me diçka. kjo diçka ishte krahinarizmi dhe fetarizmi që binin ndesh kombëtarizmin. pra nuk është dhe aq mungesë kapacitetesh sesa fitore e antishqiptarizmit mbi shqiptarizmin. të tjerat pastaj janë muhabete

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin