… AD VITAM AETERNAM

nga Eda Derhemi

Nuk dua të ligjëroj për prindërit e mi kur të vdesin. Dua t’u flas tani që janë gjallë. Kur të vdesin nuk dua të them asgjë. Nuk besoj në eulogji. Dhe e di që s’do vë lajmërime në facebook. E kam të turbullt por të egër vdekjen e tyre në kokë për lajmërime apo për adete formale. Besoj se adeti e vdes intimitetin, mendimin pa fillim e fund, e shpërfill dhimbjen. Ndoshta pikërisht për këtë del gjithnjë fitimtar. Adeti i mashtron njerëzit me ritual, lëvizje dhe vëmendje formale e sipërfaqësore, i nxit t’i binden një rregulli të domosdoshëm vendosur jashtë tyre, i bën të venë maskën e vet sociale përgatitur për mijëravjeçarë, e, tamam kështu, i largon nga kompulsioni i dijes për një vdekje njeriu, nga kobi i largimit të pakëmbyeshëm e pa kthim të kujt duan fort. Gjithsesi, kush i bën, fort i zoti është, e po ashtu, me mënyrën e vet, do të respektojë kë ikën. Ditët pasi prindët e mi të jenë bërë frymë, kujtim, do bjerë shi prej hiri jete të djegur, hi që e ringjall veç duke e mbajtur thellë brenda, privatisht e në vetmi; hi që e mbruj me lotë që rrjedhin nga përbrenda qepallave dhe e ngjesh me duar që dhembin, që s’binden.

Kam një turp para-adoleshent që t’i ngjyej me formalizma ata të dy. Nuk do isha unë po t’i jepja rëndësi varrimit. E di që do jem aty në mort, sepse vendi dhe kultura ime e kërkojnë; ime motër e im vëlla do më bëjnë të shkoj. Ata kanë mënyrën e vet të nderimit. Dhe do shkoj, se të shkoja do donin edhe prindërit e mi. Por e vërteta është se nuk dua të jem atje. Do i pres në varreza kur t’i sjellin. Stoike disi, dhe më fort egoiste që lë të tjerët të merren me banalitetin funebër të një vdekjeje që ndoshta askush nuk e ndjen aq fort sa ata që më shumë do merren me varrimin; dhe unë. Do përpëlitem kur të arrijnë. Do më mbajë drejtpeshimin dheu që do kem në thonj. Pastaj, kur njerëzit të ikin, do rri me ata të dy, e do pi raki si në këngët e dashurive tragjike që këndonin dikur jevgjit zemërthyer të lënduar e pështyrë nga jeta; do ulem mbi dheun e varrit që ata e kanë bërë gati prej kohe që mos u rëndohen as për atë kalamajve. Do pi raki, jo verë, se dua diçka që përvëlon kur bie në stomak, diçka që dhemb edhe pasi ta kem gëlltitur; dhe që turbullon shpejt. Si u shkoi jeta kështu prindërve … kalamajtë në sy, ata në krenime e ëndrra! Pa atë ndarjen e distancën shëndetshme! Pastaj, kalamajtë e kalamajve! Deri ditën e fundit! Çfarë lloj fare ishin që s’patën VETE?! Kështu lindën a u bënë? I mësoi kush a kishin një gen që pas tyre u tha?

“Mother died today. Or maybe yesterday; I can’t be sure.”

Vdekja që nuk ka fillim. Momenti kur na shfaqet dhe e përshëndesim, është më i lehti. Por deri atëherë e pas atij momenti, grija me peshë por pa trup, është vdekja. Na godet secilin fort, por larmishëm; ata që ikin e ata që mbeten.

Tim atë e kam fiksuar në kujtesë së pari kur isha rreth katër vjeç. Nuk e kam të qartë si dukej, por mbaj mend bisedën. Unë kisha bërë diçka që s’duhej ta bëja atë ditë. Normalisht nuk më çonin në kopsht. Rrija në shtëpi me nonën. E provova veçse pak javë vitin e fundit para se të hyja e vogël në shkollë, kur lindi vëllai e kur në shtëpi të gjithë të rriturit u zunë paq me dy fëmijë më të vegjël se unë. Ndaj më çonin mëngjeseve në ndonjë kopsht afër shkollave ku mami jepte mësim. Ky kopshti mbaj mend që thoshin se ishte afër Dervish Hatixhesë, që s’e merrja vesh si ishte dervish e kish emër gruaje. Dervish Hekalin e kam pasur më të qartë. Njëlloj si rasti i kundërt që s’e kuptoja: teta Nozi. E përkëdhelur jashtë mase nga babagjyshi, nuk dija t’u bindesha rregullave. Atë mëngjes u zura me një shoqe në kopsht, dhe nga oborri me kalldrëm, duke e kërkuar me kokën ulur dhe vendosmëri, mbaj mend që gjeta pa roje portën gjigante të kopshtit; dola në rrugë dhe u nisa për në shtëpi me hap të shpejtë se mos më ndiqte edukatorja a shihte kush që po arratisesha. E kujtoj sikletin që s’po gjeja dot shtëpinë. Besoj jam endur gjatë nëpër rrugën e Barrikadave, deri sa kuptova se duhet të kthehesha në rrugën e Muzeut të Luftës; s’di se si, po, pas ngatërresash, e gjeta shtëpinë time afër Shkollës së Kuqe. Porta jonë rrinte hapur gjithë ditën. Hyra tinëz nonës që bënte gjellën në oborr, u futa në krevat në kat të dytë, dhe mbulova kokën për orë të tëra të gjata me zemrën që më dridhej. Pastaj dëgjova shkallët dhe hapat e tim eti që u kthye nga puna. Duhet të ishte ora një. Babi hyri në dhomë e më puthi. Hapa sytë, dhe ai më dha një stemë kineze në formë ylli aq të shndritshëm e të lëmuar! Pastaj më tha, fli, fli tani se gjumi i drekës të bën mirë. E mbaj mend që rifuta kokën nën çarçaf dhe qava nga ndjesia e fajit. E para herë që ndihesha fajtore, thellësisht në aktin e gabuar! Nuk doja të isha. Kështu kuptova që isha.

Si ishin kur linda? E para figurë e gjallë e sime mëje që më vjen e paringjallur prej fotosh të hershme, është kur ajo qe 29 vjeç. Po rrija në gjunjë mbi kolltukun afër dritares së katit të dytë që të shihja nga dritarja kush po luante jashtë tek Rrugica e Policit. Mami po fshinte pluhurat e asaj që ishte dhoma e mamit dhe e babit, dhe njëkohësisht edhe dhomë pritjeje. Gjithmonë merrte pluhurat; mua më dukej sikur e bënte disa herë në ditë. Ndoshta ishte hera e parë kur e pashë ndryshe, dhe nisa të gjykoj për time më si njeri, jo si mama. I shihja dorën që lëvizte shpejt e vrullshëm mbi gjithë krahët me dru të llustruar të kolltukëve, pastaj mbi tavolinën e mesit me një çentro akoma më në mes. I kundroja me vëmendje nishanin blu mu në mes të dorës së majtë. Sa vjeç je ti, mami? – e pyeta. Mami kur merrej me punë nuk ma varte fort, por mesa duket pyetja ime i bëri përshtypje. Ndërpreu lëvizjen e dorës, më pa, qeshi dhe tha: 29. Pastaj, po duke nënqeshur vazhdoi punën. Ndërsa unë kalova pjesën tjetër të mbasdites dhe mbrëmjes duke menduar numrin e përbindshëm të vjetëve të sime mëje. Nuk e kisha ditur sa plakë paskësh qenë; s’e kisha menduar kurrë që mund të ishte aq e vjetër! Dhe nisa të mendoja atëherë si lidhesha me të tjerët dhe me kohën; si isha ndryshe.

Kur ishte hera e fundit që më morën hopa? Ai çasti i bekuar kur, pasi kishe ecur e ecur nëpër trotuare dhe s’e kuptoje as vetë më ku të dhimbte, njëri prej tyre vendoste të të merrte hopa! Më duket sikur më ka ndodhur dje, sido që s’di as vetë si mund ta kem kaq të gjallë këtë ndjesi. Është kuintesencë lumturie ajo që provon fëmija që e marrin hopa pasi është qarë nga lodhja. Ah sikur ta dije që tamam ajo ishte e fundit herë hopa! Si do i gëzoheshe asaj cope rruge, copës së fundit në të cilën ishe lart, e nuk kishe peshë. Herën e fundit që mbaj mend hopa, pashë një hoxhë. Kisha vënë kokën mbi supin e babit dhe pashë qiellin e zi, dhe pastaj gjeta hoxhën në të. Hoxha po këndonte, ndaj e gjeta; e kisha shumë frikë sa herë këndonte. Kam idenë që edhe e pashë duke u sjellë në majë të minares. Por cilës minare? M’u duk sikur ishte Sahati i Madh i Tiranës. Ose afër. Nuk besoj të ketë qenë ëndërr. Pastaj ula sytë që ashtu e keqja të ikte. Dhe prapë, nën supin e babit, pashë poshtë vetes, time më, që prapë më buzëqeshi. Pastaj nisën fishekzjarrët. Edhe ata vinin nga qielli i zi. Edhe ata i kisha frikë dhe zhurma e tyre më bezdiste. Edhe era. Të kenë qenë të dy momentet në të njëjtën shëtitje darke, apo ishin dy netë të ndryshme? Festa Nëntori përzierë me hoxhë? Ishte ftohtë dhe kisha pallto. Por, ende isha hopa, me kokën në supin e tim eti, e keqja hollohej si kripë në ujë. Isha rehat. E lehtë e në harmoni me gjithçka, me mungesën e idesë për kohën e hapësirën. Edhe hoxha apo fishekzjarrët, fap, sapo më frikësonin, iknin si vegime që kurrë nuk materializoheshin. Një paqe që nuk mbaj mend ta kem ndjerë më pas.

Pastaj i rigjeta prindët e mi rishtas nga klasa e pestë a e gjashtë, në një kuti kartoni futur mes rrobash e stofrash që mbanin erë të mirë fshehjeje, ruajtjeje; nga ato të “dyqanit të valutës”, që rrinin në fund të “gardiropit”, siç i thoshim dollapit të rrobave. Lexova letrat e tyre të dashurisë në periudha të trazuara, e pashë foto ditësh që m’i kishin fshehur; mua; a ndoshta edhe i kishin harruar fare. Zbulimet më trazuan krejt botën e më njohën me dy prindër të rinj, dhe me një vete në të bërë. Mbeta pa prindër dhe pa vete aq e re. Duhet të jem endur si në jerm atyre ditëve, se mbaj mend që më digjte truri brenda. Ishte një nga rinisjet e shumta të lidhjeve që kemi me prindët e që na çojnë me këmbët që tërheqim zvarrë nga adoleshenca në moshën e pjekur. I kam gjetur herë të tjera më pas, e çdo herë ka përkuar me një hop në jetën e mendimet e mia.

Mami, m’u rishfaq si fatë e mirë në një moment kur e kisha zemrën e mendjen plot tallaze të ndrydhura adoleshenteje që as nuk kupton gjë dhe as i shpjegojnë gjë, dhe që sillet mirë nga jashtë, por e gjen veten të pasjellshme brenda. E di që e mundoja mamin në ato kohë, kundërshtuese e mospajtuese në gjithçka. Një mëngjes dimri nga fundi i gjimnazit do zgjohesha në tre për të studiuar për një provim fizike. Mami ish zgjuar para meje, me hundën dhe duart të skuqura nga të ftohtët nga që kish çarë në oborr ca ashkla për të nisur zjarrin; e kish ndezur sobën e më kish bërë një kakao me qumësht që avullonte e më këndellte. Pasi zura vend në tavolinën e bukës ku po punoja, mami, me dy triko të vjetra veshur njëra mbi tjetrën, shkoi lart e më solli një batanije leshi, e më mbështolli të gjithën butë-butë. Ndenji edhe pak sa u sigurua se zjarri kish marrë mirë, i futi edhe një kërcu shtrembak nga rrathët e sipërm të sobës që të mbante, më puthi flokët nga pas pa guxuar të më puthte në faqe, dhe iku duke u kollitur. Mbeta me kërcitjet e ëmbla të druve që digjeshin dhe një ndjesi gëzimi të qetë e të thellë që mbushte ajrin ku ajo kish lëvizur; ndoshta do kotej gjysmë e shtrirë edhe pak, sa të shkonte ora gjashtë e të niste ditën e zakonshme të punëve të shtëpisë, do i hidhte edhe një sy ditarit shkollor të bërë të mbrëmshmen, e do nisej për në orët e mësimit që e prisnin. Çdo ditë kështu bënte, për dhjetëra vjet.

Ndërsa im atë, njeriu më i zot e kokëshkretë, burri më i bukur e argëtues, modeli i njeriut zemërbardhë, udhëtari më i paepur që njihja, m’u shfaros papritur e pa potere një mbasdite në një fund vere nga ‘74 apo ‘75. Duhet të isha nja 11 vjeç. Po dilnim shëtitje me babin, siç ndodhte shpesh pasi e kishin hequr nga puna në Televizion. Flisnim si dy të rritur bashkë. Ishin kohë të këqia kur në shtëpi mezi rregulloheshim të hanim, dhe im atë kërkonte punë ku mundej. Ishim në trotuar në anën lindore të shkallëve ballore të Pallatit të Kulturës, kur babi pa një burrë të shkurtër e të rrumbullaktë, me kostum të errët e xhaketë që e mbante hedhur krahëve, që zbriste shkallët e Pallatit të Kulturës. Babi më tha: nxitojmë… duhet ta takoj këtë, se ka në dorë punën time. Thashë me vete sa me fat paskëshim qenë që tamam ai njeri që mund të zgjidhte të keqen e tim eti, u gjend para nesh. Nuk kisha parë kurrë njeri që të shtrembëronte fytyrën direkt sa shihte tim atë. Por ai ishte vetëm fillimi. Im atë e pyeti, pasi e thirri “shoku diçka”, gati duke e ndjekur nga pas, me mua që ndiqja pas tim atë: do doja të vija të diskutoja në zyrë çështjen time, shoku diçka, por nuk kam mundur të hyj. Ik, ik, i tha shoku diçka, si nëpër dhëmbë e me përçmim, duke i treguar me dorën e tij të vogël e të fryrë rrugën para vetes. S’ke hiç çfarë diskuton ti. Partia të çoi të mbash dru. Shko mbaj drutë, se atë meriton! Punova për një vit me dru, shoku diçka, ia ktheu im atë, por kam krisur një vertebër e nuk punoj dot më. Unë kam nevojë të gjej punë. Partia nuk më hoqi për gjithnjë nga Televizioni; më çoi për riedukim. Shoku diçka iu gafrrua me pamje të inatosur por gjithnjë pa e parë në sy: e di ti vetë çfarë meritoje, po ik, ik ore tani; dashke rikthim ti! Dhe na ktheu krejt shpinën. Jeta nuk lëvizte më. Dhe bota kish ndaluar. Askush deri atëherë s’e kish fyer tim atë. Unë kisha qejf t’i vija rrotull tim eti se ngordhja për miqtë e tij, e si e trajtonte kushdo, që nga Radioja e Vjetër e më pas e Reja, dhe Televizioni. Tipin ogurzi topolak nga komiteti ekzekutiv apo ai i Partisë i Tiranës, unë s’e kisha hasur kurrë më parë ndër njerëzit që njihja a që frekuentonim. Bëmë një mbrapakthehu të rëndë, e babi, që të më lehtësonte, më tha se duhet të fliste ndoshta me xhaxhi Syrjain që njihte dikë diku. Ky këtu, veç mund të më prishë punë, foli pezmatueshëm im atë. Nuk shihja dot asgjë para meje nga perdja e trashë e lotëve që rrinte mbi sy pa rrjedhur. Pa qarë, kapa tim atë për krahu të mos bija. Nuk flisja. Koka po më pëlciste. Ma kishin hedhur e shkelur me këmbë më të zotin e njerëzve. E s’e ngrija dot, dhe as e shihja dot në sy.

Më duket sikur historia u qëlloi e vrazhdë dhe i trajtoi si orendi pa vlerë që kurrë në fakt s’i hynë kujt tamam në punë. U futën në socializëm fëmijë, një rend që nuk i la të ishin zot të vetes e i bëri rob të domosdoshmërive të së përditshmes meskine. Jam e sigurtë që ka plot gjëra që i kujtojnë me turp e siklet. Kish pak rëndësi se çfarë pune bënin, sa shkollë kishin e sa të mençur ishin: duhet të jetonin për të qenë gjithnjë në rresht, të binin a ngriheshin nga forca të padrejta e joracionale. Duhet të harronin çfarë dinin e donin të bënin, dhe të futeshin në ingranazhe sistemi. I bindën se jetonin mirë e me dinjitet. I çuan në punët e ditës si kope. Mote pa ngjyra. Stinë me jetë të mundimshme e me një varfëri të frikshme. Harruan të ëndërronin, e se çfarë donin të bënin me jetën e vet. I hoqën vijë vetes – ndoshta është kështu që u kthyen nga fëmijët dhe jetuan për ta. Ishte ndoshta vlera që nuk ia forconte e as kontrollonte kush. Shpëtimi, ndoshta.

Nuk e gëzuan dot edukimin apo personalitetin e vet që të ndërtonin profilin e prindit të vërtetë, të mikes apo mikut spontan, të punëtorit krenar e të sinqertë, të atij që ishte zot i punës së vet. Nuk i lanë të rriten, siç të rrit dija e pavarësimi ekonomik. Kaluan nëpër presa e kallëpë që i ndryshuan, i ridemensionuan, u prenë krahët e rinj, u transformuan buzëqeshjet natyrore, i mësuan të bëjnë sikur dhe të harrojnë që po bënin sikur. Dhe fati i tyre qe i tillë që, kur diktatura ra, nuk ua zbukuroi ditët. Atyre u vunë prangat e një varfërie të re. Shpesh, të pamësuar me rendin e ri zullap e mizor të sendeve dhe ideve, rijetuan mbi vete harbutërinë e të kamurit dhe të paskrupullit. U vunë në rresht intelektualët e vegjël të djeshëm, të shisnin cigare kontrabandë rrugëve të shtrembëta, e të merrnin kurbetin kur u kish ardhur koha e pensionit. Socializmi i nxorri pa asgjë, me pensione qesharake, kokulur, jo si ai që ka punuar gjithë jetën. Sytë për tokë në ditët e pleqërisë që u kish arrirë; prapë në rreshtin e atyre që nuk duhen; duke rrëmuar ku e si mundeshin mjetet e mbijetesës.

Vetë pleqëria të nxjerr natyrshëm mënjanë, dhe çfarë të bën të ndihesh i sigurtë e ballëlartë, është sa ke ndërtuar, sa i pavarur je, sa përballon të mos ngelesh në dorë të kujt. Por prindërit tanë luftojnë ende për pavarësinë e vet ekonomike, u ushqen prehje veç inercia, ideja se kanë njerëz për “tjeta!”, ecejaket e ditëve të vogla kur numërojnë paret e kafes apo të biletës së autobusit, kafeneja e “çunave” tashmë mbi 80-vjeçarë dhe kujtimi i atyre që kanë ikur, e ndonjë telenovelë e çaj me ish-shoqet e punës a me ato të lagjes . Shumë presin të shkojnë nga fëmijët nëpër botë; dhe kur s’ndodh, i mbajnë sytë kah qielli me shpresë; të mitë duan Tiranën dhe s’e ndërrojnë me gjë. Rrallëherë i kujtojnë mediat për rolin që dikur patën, si për t’i lënduar edhe më keq e për t’ua bërë më të qartë honin ku janë duke shtyrë të sprasmet ditë. Vdekja ka nisur t’i kositë. Vdekja që i merr nga një jetë, zot të së cilës nuk qenë. Skype si një mur fizik që s’më lë t’i prek, ma përgatit vdekjen e tyre. Të dy, kokë më kokë para ekranit duke pritur që të më flasin. Presin si fëmijë të ëmbël. Tani jam vazhdimisht me imazhet e tyre në ekran, deformuar disi nga tekat e Internetit. I them vetes që, ama, janë diku realisht. I hipi avionit dhe i gjej. I përqafoj po desha. Tani janë. Tani s’janë. Imazhet e tyre – pak të deformuara – prapë i kam pranë. Edhe zërat. Njëlloj si i kisha prej Skype-it. Veçse avioni s’më çon më askund.

Po shkruaj sikur do vdisnin të dy në një ditë. Nuk kanë qenë çifti më miqësor e i pafjalë prindët e mi; por, në mbi 50 vjet që janë me mua, kanë qenë gjithnjë krejt të ngatërruar nëpër njëri-tjetrin, si të ishin një gjë e vetme; bashkë në sherre e halle të mëdha, edhe në gëzime e fitore të vogla; dhe bashkë në shumë, shumë festa e bredhje, nëpër pushime të çmendura të varfëra të bukura. Se nuk jam mësuar t’i shoh veç, a se nuk kuptoj vdekjen, nuk i ndaj dot as tani që u shkruaj mortin. Dhe s’kemi qenë as bashkë gjithnjë siç mund t’i duket lexuesit të shpejtë: ja edhe një pamje idilike lidhjesh fëmijë-prind. Me tim atë s’kam folur për vjet. Time më e kam trazuar në shpirt pa të drejtë. E jemi zënë. Të dy kam dashur të mos i kem disa herë, ose s’kam dashur të jem hiç përderisa më qëlloi t’i kisha prindër. Sot jam rritur përtej këtyre halleve, e ata janw plakur përtej. Tani jemi në Tokën e Paqes. Po. Përtej. Dhe, përtej, sot dalloj ca gjëra që ua çmoj shumë. Prindët e mi nuk dinë të kursejnë as të bëjnë tregti as të pasurohen; japin më shumë se marrin; [unë s’di as vetë pse vdes për këtë tipar te njerëzit]; prindët e mi gjithë jetën kanë adhuruar dijen e shkollimin pa e marrë kurrë në pyetje; prindët e mi nuk shtiren; duan njerëzit dhe jetën; janë të ndershëm e punëtorë, jo nga frika dhe as nga librat, por se s’dinë të jenë ndryshe; prindët e mi janë mëkatarë natyrorë, dhe pa dashur na mësuan edhe ne prej tij të mos tutemi, se mëkati e njeriu nuk ndahen; prindët e mi si pleq mësuan të ndryshojnë mendje dhe të respektojnë të ndryshuarit e mendjes; prindët e mi mbështesin njerëzit gay; prindët e mi më duan pa kusht pa kufi pa arsye; tani që jam unë prind, di se kjo lloj dashurie ka vetëm një kah e nuk u kthehet kurrë atyre që ta dhanë atë herën e vetme që të jepet në jetë. Dhe u përulem për të gjitha këto.

“My mother is a fish.”

Më ka trazuar gjithnjë kjo fjali e Faulkner-it. Ai kapitull. Më ra rëndë sapo e lexova. Dhe s’e kam tretur kurrë. Por edhe e dua shumë. Mamaja ime është si kërpudhë e bardhë e butë topolake e freskët njomcake. Ndoshta mendër e pazbutur krejt. Ka diçka gjithnjë të freskët në natyrën e saj. Gjithnjë gati për humor. Gjithnjë e lumtur të shkojë në restorant apo të marrë një dhuratë të vogël. Është sikur një copë e saj të vazhdojë të jetojë fëmijën, ndërkohë që pjesa tjetër plaket. Dhe ka shumë frikë nga vdekja. Nuk e do varrin tani, dhe as të rrijë brenda tij më pas. Ka mëngjese kur e lodhur më thotë në skype: Për Zotin; ndoshta s’është edhe aq keq të vdesësh. S’kam më takat, më beso!

“Life is that little thing that prepares us to the never ending greatness of death”

Nothing makes me feel death as “As I lay dying”; death surrounds these people the same way it surrounds animals; their lack of education makes death and nature equally powerful over them.

Tani kanë ardhur vitet që rrimë e përgjojmë. Kadare thotë diku për të atin plak, se vdekja i dallohej tashmë te hapat. Unë i këqyr hapat tim eti me frymë pezull sa herë e shoh. U them të dyve që do jetojnë edhe 10 vjet së paku; por brenda vetes nuk e di sa. Nuk mund ta di. Ajo që di është vetëm frika që do ikin. Do ikin një ditë kur unë të jem mijëra milje larg duke parë një ëndërr me hurma. Hurma nga të oborrit, që një herë nga vitet 70 hyri një hajdut që t’i vidhte natën me hënë. Kapërceu murin me xhama dhe vidhte hurma e i fuste në thes. Im atë e zuri aty dhe e rrahu; në oborr. E mbaj mend e tmerruar. Mami i tha pse e rrahu. Babi tha që të mos futet më në shtëpi të huaj. Tha se derisa nuk thirri policin duhet ta ndëshkonte vetë. I përgjoja të gjitha nga dritarja e katit të dytë që shihte nga oborri me kumblla, rrush, fiq dhe hurma. Tani jam në dy kate njëkohësisht. Përgjoj veten time nga kati i dytë, por jam edhe në oborr vetëm fare. Është vjeshtë dhe gri. Një hurmë lluqe më rri mbi kokë. I kam sytë lart. Por as e arrij dhe as përpiqem ta arrij. Por hurma lë degën vetë, yshtur nga vështrimi im i ngulur, ashtu e butë dhe e plasaritur nga pjekja dhe bie ngadalë mu mbi sytë e mi. Më zgërlaqet mbi fytyrëqetësisht. Më mbulon edhe veshët. Nuk dëgjoj asgjë veç zhurmave të hurmës. Mezi marr frymë. Hurma është e rëndë. Një zog nis ta hajë mu mbi fytyrën time. Do më çukisë sytë. Por, ah, shkon tek veshët. Liron kanalin e dëgjimit. Dhe unë dëgjoj zilen e telefonit. Zilja që unë kam frikë dhe s’dua ta dëgjoj. Por e përgjoj. Dua të kthehem në ëndërr. Dua që zogu të më çukisë sytë. Trurin.

Dies irae, dies illa.

Ingemisco.

Requiem.


(c) Autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim i autores: Ka raste kur presjet mungojnë; kam zgjedhur të jetë kështu. Po i tillë është edhe përdorimi i shpeshtë i pikëpresjes, si dhe i shkrimit korsiv, herë në thonjëza e herë jo, sipas prodhuesit të tekstit. Thonjëzat janë kur autore nuk jam unë. Së fundmi, edhe përdorimi i shumësit “prindët” krahas “prindërit” ështe zgjedhje e imja.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

11 Komente

  1. Po folur per vlerat letrare, zoterimin deri ne miligramë te ngarkeses emicionale te verbit, kurre nuk e kam ndeshur ne leterat shqipe nje sensibilitet dhe sinqeritet te tille. Te shkon te ftohtet ne kurriz kur mendon se ngjarje te jetuara bashkarisht perceptohen ne nje game aq te ndryshme emicionale nga femijet qe terheqim shkujdesur perdore pas vetes. Harrojme shpesh se terheqim deshmite e vetme qe do te mbijetojne e, mbase, me te vertetat e jetes sone. Por edhe ne mos qofshin ashtu, dikur nuk do te jemi me ketu per t’u bere ndonje korrigjim te rastit… ato do te mbesin, gjithsesi.
    Kete e dija disi, por nuk e dija se ato mund te percaktohen qe ne gjalljen tone dhe ne te jemi perseri te pafuqishem per t’i ndryshuar…

  2. Dy fjale vetem per ceremonialin mortor tek ne shqiptaret: tradita e respektimit te te vdekurit dhe familjareve te tij , ku mblidhrn te aferm, fisi, miqesia, te njohur, lagjia a katundi, vazhdon.
    Kjo prani kaq e madhe lehteson familjaret dhe mpin perkohesisht dhimbjen e thelle.
    Por gjithmone me eshte dukur absurd fakti qe ne mort vijne njerez te cilet as jane kujtuar nje here te vetme per nje telefonate per te vdekurin.
    Bota e qyteteruar ceremonialin mortor e ben vetem me familjen. Prania e te tjereve te larget eshte respektim i zakonit por jo dhimbje.

    Me tej nuk mund te komentoj.
    Eshte kaq personale, prekese dhe intime kjo persiatje.Nje elegji per se gjalli.
    Ne kulturen tone nuk flitet per vdekjen si fenomen dhe as per te vdekurit.
    Por nganjehere ose, mbase , gjithenje, perjetimet tona, mirenjohjet tona, dashurine tone per prinderit , tashme pleq, nuk i shprehim. Ose fjalet e thena para tyre duket sikur do me tingellojne patetike. Perhere mbetet pengu i te pathenes.

  3. Me pelqeu shume shume. Mu duk sikur isha ulur prane teje ne nje gjeresi e horizont te pamate nordik ne nje perendim ku dielli vetem sa prekte buzen e horizontit e ti tregoje e tregoje dhe imazhet dhe ndjesite ngaterroheshin ishte perendim apo lindje.

  4. Me mirenjohje qe me ndieni e me ndjeni, te dashur! Ishte i veshtire shkrimi; e kam mbajtur ne mendje e ne dore per dite e nete te gjata. Pastaj vendosa te le te tjere te vendosnin nese duhej botuar. Por edhe mua me pelqen. Nga nje ane me rendon e prek, nga tjetra e ndiej si katarsis. Kisha nevoje ta shkruaja.

  5. Më erdhi zor kur e lexova, kaq më preku. E megjithatë, pavarësisht se rrëfime të tilla më drithërojnë, parapëlqej më shumë objektivitet. Uroj të mos e marrësh këtë për kritikë e të më kuptosh. Për ta saktësuar: një nga tronditjet më të çuditshme të jetës sime prej fëmije ka qenë një çast kur u hap dera e banjos e pashë për një thërrime kohe tim atë të lagur nën dush e zogun e tij të shpëlarë nga ujët, mu si ca tusha nën shi, të shpupulosura e ai më buzëqeshi, im atë.
    Doja të kuptoja pse më erdh’ ashtu, parë që çdo mashkull e ka një tillë, një tushë, e kam dhe unë, e kjo ndjesi më ka përshoqëruar me dekada, gjersa erdh’ edhe dita ime të kuptoj se nuk duhen bërë fëmijë.

    1. Edhe sikur te ishte kritike…
      Por ne fakt te kuptoj. Eshte ajo arsyeja qe ne nje fare menyre ndiej qe lexuesve duhet edhe t’u kerkoj ndjese.
      Ti hap nje teme shume interesante me ate qe thua, jo thjesht per shijen tende a te dikujt tjeter qe pranon apo jo nje personalizim rrenjesor te te treguarit, por per vleren ose jo qe kjo menyre te treguari ka. Besoj se pergjigja duhet bazuar ne funksionin shoqeror te copes se jetes qe tregon te cilit do i sherbente edhe shprehja estetike. Ne rastin e tregimit tim, me duket se ai i ploteson kushtet per faktin qe sjell nje varg problemesh shoqerore qe jane ne themel te shume traumave qe ka jetuar e jeton shoqeria jone. Gjithashtu do kish vlere edhe per nje arsye tjeter: perpiqet te hedhe drite ne nje konflikt te brendshem te individit qe ose e zgjidhim me shume veshtiresi dhe pa vetedije, ose e mbajme si harar me peshe ne qafe per gjithe jeten. Ne fund te fundit a nuk eshte letersia nje tjeter menyre qe te ndihmoje njeriun te shpjegoje e kuptoje veten, shoqerine e kohen? ndoshta mjet shume me efikas se shkencat.
      Pasi kam thene edhe kete, vij prape tek dilema ime dhe e jotja: sa shume-personalizim nuk behet teper-personalizim?

      1. Haha. Mjafton ta shkruash personalizimin në një formë të tillë që ta kuptojnë (dot) vetëm ata që ia dalin ta kuptojnë. Pasi gjithsekush lexon ndryshe. Mendoj unë.

  6. …Mengjeseve ende te pa zbardhura mire,cuar me kujdes milingone nga shtrati per te mos u prishur rehatine symbyllur ”gjakut te gjakut tim”,me buzet ende te ngrohta te thara nga endrrat e para pak oreve,puth ballin dhe faqkat e tyre dhe buzet e asaj qe ne te ardhmen e larget e shoh qe tani te me rrije prane ne momentet e kalimit tim ”pertej”…..kepucet ne dore dhe kercitjet e minimizuara te celesit qe hap e mbyll deren e blinduar qe ndan ”botezen time nga boteza e fqinjve” me shoqeruan edhe sot……..Parandjeva sic shpesh ndodh,nje dite te qete monotone,nje frymemarje pa adrenaline e shpirt trazuar……ma prishe rutinen Eda!

  7. Eshte fat tu shkruash ketij brezi te vuajtur, aq me teper kur jane akoma gjalle (sa pak prej tyre!), e lwre mw kur jane prinderit e tu, qe eshte fat edhe me i madh! Duket, duhet te jesh femer (bije) tu shkruash prinderve sa jane gjalle!

  8. Ne jemi popull (njerez) oriental (Orienti fillon në Marok dhe mbaron në Japoni).
    Dmth: jemi pudique (kemi turp).
    Por nuk jemi timidë.
    Oksidentalët janë e kunderta (Frojdi dhe Lakani ishin oksidentalë).

    Shkrimi yt eshte prova e kesaj qe them.

    ps: nuk e kam mundesine e shkrimit korsiv. Perdorimi i ‘oksidental’ eshte zgjedhje imja

  9. Kuptohet që s’më jepet për poezi
    4, 29, 3, 11, 80, 50,
    nuk po bëj numra, janë numra që dhe ti (ju Eda).
    Tashmë disa do jenë lutur për të paktën 10 vjet
    një dekadë jetë për prindërit e tu përtej oqeanit me det.
    Këto ditë/netë të shoqëruan me trishtim
    me fjalë si një lloj luleje të lënë për kujtim
    e nëse kjo temë do kish qenë ndërtesë
    do kishin parë njerëz të mërzitur, ndonje lot e qarje me dënesë.
    Për ne është e lehtë, i tillë Requiem desh guxim,
    një dëshmi shpirtërore e lënë me pak paralajmërim
    një ceremoni me shumë jetë, mendim e mundim.
    Ajo që dihet quhet transformim, liria për të qenë e për të shprehur vetveten
    e tani edhe vargjet do merrnin tjetër kuptim… sfidë, rivlerësim.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin