POSHTË MIKROFONAT

Pas përplasjes së ashpër të kryeministrit Rama me disa reporterë, ka ardhur një reagim prej gazetarëve – edhe spontan edhe i organizuar – që kërkon bojkotimin e Ramës dhe që konkretizohet në një thirrje të Andi Bejtes për “t’ia hequr mikrofonin” Ramës.

Thirrja më duket se, pa dashur, e redukton gazetarinë në praktikën e intervistimit ose të konferencës për shtyp, ku roli i gazetarit është t’i ofrojë dhe t’i sigurojë një mikrofon politikanit, përfshi këtu edhe kryeministrin Rama. Në fakt, edhe kriza e tanishme në marrëdhëniet e pushtetit me mediat tregon se vetë praktika reduktive dhe ndonjëherë përtace e të zgjaturit të mikrofonit duhet rishikuar me rrënjë.

Këtu nuk është fjala vetëm për reporterin që ia mban mikrofonin te goja një politikani ose një tjetër personi “me rëndësi”, por te krejt modeli që kanë adoptuar mass mediat, sidomos televizioni, për ta përcjellë dhe diskutuar politikën nëpërmjet bisedave dhe intervistave – në studio, në debate, në biseda – me vetë protagonistët e saj.

Nuk kalon mbrëmje pa i parë politikanët të shpërndarë nëpër televizione, duke debatuar të njëjtat çështje dhe duke përsëritur të njëjtat klishe dhe duke hedhur të njëjtat akuza; përballë intervistuesve, të gjithë gazetarë me emër, që u bëjnë në thelb të njëjtat pyetje.

Modeli nuk është i keq në vetvete, por vetëm në formën hipertrofike që ka marrë, ose kur u zë frymën mënyrave të tjera me të cilat mediat komunikojnë me publikun.

Një media që veç i jep “mikrofon” politikanit, nuk e ka bërë punën si duhet; aq më tepër që politikani sot nuk ka më nevojë për gazetarin, që t’ia mbajë mikrofonin përpara – meqë mund ta bëjë këtë vetë, në Facebook, para një publiku masiv.

Një media që e thërret politikanin në studio dhe i kërkon xhevap për të gjitha insinuatat, gjysmë të vërtetat, thashethemet, lajmet e rreme, shpifjet dhe hiperbolat që kanë qarkulluar, ose që ajo media i ka qarkulluar vetë, nuk po ndërmjetëson asgjë, por vetëm po konstituohet si palë në raportet e pushtetit.

Çfarë mungon, në këtë rast, është diskursi i arsyetuar i gazetarëve dhe i ekspertëve përkatës, të cilët t’ia komentojnë dhe t’ia interpretojnë publikut politikën; ose i të gjithë atyre të cilëve publiku ka gjasë t’ua respektojë fjalën.

Vetëm pyetjet, në këtë rast, nuk mjaftojnë, për të konstituuar diskursin mediatik; dhe kur mungon edhe një diskurs refleksiv, pyetjet mund të shndërrohen edhe në marrje në pyetje. Edhe më keq, ndodh që pyetjet të jenë vazhdim i natyrshëm, por jo i logjikshëm, i intrigave që i ka amplifikuar vetë media, për të eksituar publikun; çfarë do të thotë që media, pasi të ketë ngritur gjithfarë akuzash, të qena e të paqena, ose pasi t’u ketë dhënë atyre hapësirë të ekzagjeruar dhe të pamerituar, të marrë përsipër zbardhjen e tyre duke e vënë të akuzuarin me shpatulla pas muri.

Përkundrazi, një diskurs i artikuluar, refleksiv, i arsyetuar, do të ndihmonte gazetarët intervistues dhe drejtuesit e debateve televizive që t’i formulonin pyetjet e tyre më mirë dhe të mos kufizoheshin me “ti dje ke thënë ndërsa sot thua.”

Prandaj, nuk kish pse të ndodhte përplasja e tanishme, midis politikës dhe mediave, që të hapej muhabeti i mikrofonit; sepse, në fakt, mikrofoni ka qenë jo aq mjet pune, sa handikap i gazetarit shqiptar sot, duke i dhënë këtij iluzionin e një rruge të shkurtër drejt lajmit, ose të transparencës mediatike.

Kush merr pjesë në veprimtari publike, do ta ketë vënë re, si unë, dhe do të jetë irrituar, si unë, me mizërinë e mikrofon-mbajtësve që rrethojnë sakaq çdo politikan që i bie udha andej; duke injoruar njëkohësisht gjithkënd tjetër, madje edhe vetë protagonistët e veprimtarisë. Të thuash se publiku në Shqipëri nuk jeton dot asnjë minutë, pa marrë vesh se ç’ka për të thënë Rama për Bashën, Basha për Ramën, dhe të dy ata bashkë për çiftin Meta.

Aq është tepruar me këtë sa, më duket mua, është krijuar bindja se figura e një homo politicus në publik nuk mund të realizohet dot, dhe as të funksionojë politikisht, pa ia bashkëngjitur një mikrofon – i cili vërtet mundëson “radio-përhapjen” e zërit, por shpesh duke dëmtuar pandërmjetësinë, ose komunikimin e drejtpërdrejtë.

Nga ky këndvështrim, shumë gazetarë janë kthyer në sekserë të pushtetit politik, duke i ofruar këtij mikrofonin – në kuptimin e drejtpërdrejtë, si instrument i kapjes së zërit, por edhe në kuptimin metaforik, si pjesën intime, ose “gojore” të megafonit (altoparlantit, bullhorn). Këta gazetarë, që ndonjëherë besojnë se janë “në krye të detyrës”, në fakt janë thjesht ndërmjetësues dhe aftësues të propagandës politike; sepse veç i ndihmojnë “të mëdhenjtë” që të zmadhohen edhe më; dhe ta përdorin mikrofonin si të ishte pasqyrë.

Zëri i politikanit regjistrohet për t’iu përcjellë një publiku sa më të gjerë, por edhe për t’u arkivuar; por as zëri i riprodhuar në radio, në TV dhe në video, as zëri i ruajtur në media elektronike, nuk e zëvendësojnë dot fjalën e shkruar – ose atë që sot praktikisht po i mohohet publikut; dhe po i mohohet jo sepse nuk kanë mbetur njerëz të penës, por thjesht ngaqë mediave të sotme nuk u intereson shumë ai lloj diskursi që mund të kultivojë dhe të katalizojë fjala e shkruar.

Përkundrazi, të kolonizuara nga modeli i reality show-t, mediat parapëlqejnë të krijojnë konflikte dhe drama, të cilat pastaj t’i mbajnë gjallë me debate dhe kundër-debate, të gjitha fjalë në erë, të cilave u skadon afati vetëm pak orë mbasi janë shqiptuar; dhe që qytetari e ka praktikisht të pamundur që t’i arkivojë, sikurse e ka praktikisht të pamundur që të marrë akses në arkivat e mediave vetë. Nuk ka asgjë publike në këtë mes, përtej zotimit për ta mbajtur publikun me sy të ngulur në ekran.

Prandaj refuzimi për t’ia zgjatur mikrofonit politikanit nuk duhet parë si masë e përkohshme, reaktive, protestuese ekstreme, por si një hap përpara, për mediat dhe për vetë gazetarët, drejt një gazetarie më profesioniste, më të vetëdijshme për rolin e vet dhe sidomos për përgjegjësinë e vet ndaj publiku, si dhe drejt një modeli të ri të së bërit gazetari. Sikur të vazhdohej kështu, ndryshimet për mirë nuk do të vononin.

1 Koment

  1. Per kete arsye shume njerez i shohin sot gazetat me ralle se para 1-2 vjetesh, cfare dallohet edhe nga komentet. Biles mua me ndodh shpesh, qe ti marr vesh nga kjo faqe se cfar ka ndodhur ne Shqiperi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin