Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

SURREALIZËM ADMINISTRATIV

Ca kohë më parë gazeta Ouest-France njoftonte se Qendra e financave publike (taksambledhjes) i kishte nisur dikujt një shkresë me të cilën i kujtonte shumën që i detyrohej shtetit. Personi kishte vdekur dhe këtu nuk ka asgjë origjinale. Ajo që tërhoqi vemëndjen ishte adresa ku drejtohej letra: « Cimetière d’Autheuil – Tombe 19 – 61190 Autheuil”

Titullarët e Qendrës që nuk e kapërdinin dot një marrëzi të tillë të ndonjë punonjësi të tyre, shpjeguan se gjithçka do të kishte ndodhur si pasojë e lojës së ndonjë prej trashëgimtarëve të personit të ndjerë, që nuk ka dashur të paguajë « taxe foncière » taksën e truallit të shtëpisë (që është tjetër nga taksa e shtëpisë).

Sidoqoftë lajmi mori dhenë.

Gazeta Le Figaro tek komentonte një lam të tillë, përmendte edhe një rast tjetër, kur në vitin 2011 administrata e taksave kishte nisur një letër në adresë të dikujt që kishte vdekur në vitin 1949, me te cilën i kerkonte një shumë të prapambetur prej nja 13 eurosh.

Kur të nesërmen shkova në punë dhe ia tregova këtë histori një kolegu, ai më tha se dikur kishte lexuar histori edhe më të forta. Kur të afërmit e dikujt kishin njoftuar Qendrën e financave se babai i tyre kishte vdekur dhe nuk kishte se çfarë takse të paguante tani që ishte në varr, zyra në fjalë nis një shkresë tjetër ku i kërkon të paguajë taksën e … varrit. Pastaj ishte edhe rasti i një gruaje, që 16 vjet pas vdekjes u kërcënua se do t’i sekuestrohej… varri po qe se nuk paguante taksat e prapambetura.

Administrata franceze është një mekanizëm gjigant dhe që në tërësi funksionin në mënyrë të përsosur. Megjithatë lehtësimi i veprimeve administrativë shpesh herë është edhe pjesë e programeve politikë të partive, por edhe të kandidatëve për president të vendit. Por sado që synohet thjeshtëzimi dhe dematerializimi i demarsheve administrative, diku përsëri del nevoja për të formuluar një kërkesë, për të dhënë një përgjigje dhe nje gjë e tillë do të jetë përjetësisht burim çudirash, për të cilat nisa të interesohem pas rastit të freskët që shënova në krye. Dhe ato që gjeta nëpër gazeta dhe libra (ndonjë të tillë, atë të J. Duhamel, e kisha blerë dhe harruar në bibliotekën time) shkojnë tutje çdo imagjinate, sado keqadashëse ndaj saj.

Për të mbetur brenda temës me të cilën filluam, po kufizohem të sjell këtu disa nga mrekullitë që kanë të bëjnë me administratën e financave publike (mbledhjes së taksave):

Data e lindjes suaj nuk është e njëjtë me atë të moshës suaj…

Ne jemi të detyruar t’ju përgjigjemi negativisht në menyrë pohuese.

Duke filluar nga 1 shtatori, sportelet do të jenë të hapura para mbylljes…

Meqë profesioni juaj nuk ekziston në referencat tona, ju lutem gjeni një tjetër…

Emri i familjes suaj duhet të fillojë detyrimisht me dy shifrat e departamentit…

Heshtja juaj përsa i përket pasurisë së patundshme na detyron të aplikojmë rritjen automatike prej 20% mbi pasurinë që nuk ekziston….

Ju lutemi merrni parasysh rritjen e zbritjes.

Blerja e antikiteteve të reja i nënshtrohet të njejtit regjim taksash…

Zotëri, është e kotë që ju të filloni përsëri të na kërkoni një shumë të mbetur që ju detyrohemi. Letra që na dërguat është e shtatëmbëdhjeta në këto dy muajt e fundit dhe zyrat tona nuk janë të prirura të kalojnë kohën duke deshifruar literaturë kontestuese…

Shuma për të cilën ju flisni 2 566 f. duhet interpretuar sikur është një shumë prej 2 566 f…

Shpenzimet e varrimit të një prindi në asnjë rast nuk duhen cilësuar si të shpenzuara për bamirësi (me sa duket, ndokush do të ketë kërkuar të mos i taksohen shpenzimet e varrimit të prindit të tij).

Kafshët e shtëpisë nuk janë fëmijë në ngarkim… (besoj se dikush tjetër do t’i ketë paraqitur qentë e macet si gojë për të ushqyer dhe ka dashur të përfitojë ulje taksash)

Të papunët të mos harrojnë të shtojnë buletinin e rrogës…

3 730 606 franga i janë paguar fiskut (zyrës së taksave) në monedha prej 1 frangshe. Tre kamionë transporti fondesh dhe një gjysmë rimorkio u vunë në punë për një ngarkesë prej 22 tonësh, që detyrohej taksapaguesi.

Eshtë e detyrueshme të shtoni një kopje të certifikatës së lindjes dhe të seksit tuaj…

Firma juaj e palexueshme nuk duket se përkon me emrin tuaj, edhe ai i palexueshëm…

Asnjë gabim nuk na ka kaluar në këtë zbritje, me përjashtim të faktit që shuma totale nuk është 813 f por 227 560 f.

Gratë e martuara duhet të precizojnë seksin e burrit të tyre…

Personat pa banesë kanë detyrimin të saktësojnë adresën e tyre dhe kodin e postës..

Ju lutem na saktësoni nëse edhe seksi i bashkëshortit tuaj është i kombësisë franceze…

Meqë dosja juaj tregon se keni 57 fëmijë në ngarkim, ju lutem vendosni presjen atje ku duhet…

Meqenëse letra juaj është e palexueshme, ne megjithatë po i bëjmë ndryshimet që na kërkoni…

Për një përgjigje më të shpejtë të letrave tuaja, na kontaktoni me telefon…

Në rast mosmarrëveshje, do të gjejmë një marrëveshje…

Ju lutem na sktësoni nëse data e lindjes së bashkëshortit tuaj, është e njëjtë me atë të vdekjes së tij..

Meqë ajo që na kërkoni është plotësisht e papërligjur, ne do t’i kushtojnë studimit të rastit tuaj vëmendjen tonë të plotë.

Pa përgjigje nga ana juaj brenda një jave, ne jemi të detyruar të hedhim poshtë kërkesën tuaj, për t’ju dhënë kënaqësi të plotë…

Nuk e kuptojmë interesin tuaj për të deklaruar shuma të rëndësishme që ju kurrë nuk i keni marrë…

Për çdo ndryshim të seksit të veturës suaj, ju lutem referojuni nyjës f të formularit…

Kërkesa juaj për të shtyrë pagesën nuk është marë parasysh  meqë nuk kemi mundësi ta studiojmë në kohën e duhur…

Ju na thoni se nuk keni të ardhura të mjaftueshme për të shlyer taksat tuaja dhe për këtë kam marrë shënimet e duhura. Ju falënderojmë për përpjekjet e nevojshme që të gjeni të ardhurat që duhen…

Kolona B e formularit është rezervuar për përdoruesit e kolonës C…

Të ecurit e tij ishte aq i çuditshëm, deklaroi viktima, sa unë e mora për një nëpunës të zyrës së taksave…

 

8 Komente

  1. Këtu në Itali thonë që “ne e kemi burokracinë skandal, por francezët janë më keq se ne”. Ndoshta kanë të drejtë. Shembull konkret që më ka ndodhur: një çertifikatë e tim biri, marrë nga Franca, pati gabimin fatal të ne shqiptarëve nëpër letrat e Perëndimit: ngatërrimin e emrit me mbiemrin (akoma bëj habi si mund t’i ngatërrohet mua ose të mive emri me mbiemrin, por mesa duket emrat tanë janë të çuditshëm!). Pasi çertifikata bëri një xhiro deri në Paris na erdhi mbrapsht pas dy vjetve e gjysmë ashtu siç e kishim nisur, shoqëruar me një letër që shpjegonte se megjithëse emri ishte vënë në vend të mbiemrit dhe anasjelltas çertifikata e ruante intakte vlerën e saj legale.

  2. Nga shembujt e sjelle ne shkrim duhet te shtoj se, vec sa analizohet ketu, burokratet franceze kane edhe nje sens te jashtezakonshem humori! 🙂

  3. Humori ne fakt eshte sport kombetar , edhe kur eshte fjala per gjera te renda e serioze, por veç faktit se ne çeshtjet fiskale nuk te falin dhe kontrrollin e shtyjne deri ne marrezi, per te tjerat nuk besoj se eshte fjala me shume per qendrime burokratike se sa per formulime rutine, te cilave, shpesh here nga lodhja, nuk u kthehen t’i kontrrollojne edhe nje here para se tua nisin te interesuarve.
    Mbi te gjitha harrojne se shtypi e mediat rrine nate e dite veshngrehur t’u kapin gafa te tilla.

  4. …” Kanadaja mund te kishte qene nje vend fatlum, nje parajse e vertet mbi toke… tha.
    Mund te kishte pasur nje kulture franceze, nje administrate angleze dhe teknologji amerikane. Por ne vend te ketyre zgjodhi te kishte nje kulture amerikane, nje administrate franceze dhe nje teknologji angleze…”

    Peccato…

  5. Kur vjen puna per te paguar taksat njerezit, sado te ndershem te jene, priren te gjejne te gjitha hilet dhe vrimat per t’iu shmangur atyre. Keshtu qe, me sa duket, taksambledhesit franceze per te mos u djegur nga qulli, zgjedhin t’i fryjne edhe kosit, paçka se ndonjehere mund te behen qesharake.
    Sistemi italian eshte shume me tolerant dhe “racional” se ai francez, e si pasoje Italia eshte nje nga vendet me evazionin fiskal me te larte ne Europe, duke lene prapa vetem Greqine.
    Po te me kerkohej mua te zgjidhja midis “surrealizmit” francez dhe shkrehjes totale shqiptare, do te kisha zgjedhur pa medyshje ate francez.

  6. E verteta eshte se deri tani deklarimi i te ardhurave behet “sur l’honneur”, pra nuk te kerkohet asnje dokument, veç fjales tende per shumen qe ke fituar (rrogen, biznesi etj) e mbi te cilen taksohesh. Kjo nenkupton edhe nje komunikim intensiv me administraten per saktesimin e hollesive. Se shpejti vjelja e taksave do te behet “à la source”, pra drejteperdrejte ne llogarine tende bankare dhe nuk te kerkohet te besh asnje deklarate. Veprimet jane krejt informatike, por fillimisht nuk perjashtohet te dalin probleme te medha, si puna e nje fshtari diku ne nje fshat te humbur rreze Pirenejve, te cilit nje dite i shkoi nje flete gjobe sepse traktori tij (nje dum-dum i pasluftes) ishte flashuar nga radaret automatike, ne nje periferik te Parisit me shpejtesi diku aty te 100 km/ ore.

    1. Nga sa di une, legjislacioni europian e ndalon vjeljen e taksave siç thua ti drejtperdrejt “à la source”, duke futur duart ne llogarite rrjedhese te qytetareve pa pasur paraprakisht nje vendim gjyqesor te formes se prere. Bankat kane detyrimin ligjor t’u ofrojne te dhena autoriteteve fiskale, t’i njoftojne ata per levizje te dyshimta, por jo t’i lejojne te kryejne veprime mbi llogarite bankare automatikisht, pa dijenine e pronareve dhe pa vendime gjyqesore.

      Sa per ate historine e fshatarit me dum-dum, ndodh shpesh qe radaret t’i lexojne gabim targat, sidomos kur keto jane te ndotura, ose te demtuara nga gervishje apo aksidente te lehta. Por besoj se jane raste qe sqarohen lehte.

      1. Ka dashur të thote: në flete-pagen mujore të punes (shuma financiare é të ciles normalisht derdhet në banke cdo fundmuaji)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin