KALENDARI SI ALIBI

Ndoshta edhe ngaqë kam kaluar 30 vjet nën një regjim ku përkujtimi i së kaluarës bëhej sipas kalendarit dhe ku jeta historike dhe kulturore kërcente nga një përvjetor në tjetrin, nga një jubile në tjetrin, nga një datëlindje në tjetrën e kështu me radhë, kam një alergji të madhe ndaj kësaj metode a “teknike” të kremtimit numerologjik të historisë, e cila më duket edhe infantile, edhe përtace.

Këtë vit kemi 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Daut Dauti! Kaq mjafton për të filluar planifikimet, mbledhjet (përfshi edhe mbledhjet e fondeve), shpalljet e programeve, botimi i veprës së plotë (dy fletore me shkrim të dendur), organizimi i konferencave në Tiranë dhe gjetiu, me ftesa dhe profesorë, produksioni dhe shfaqja e një filmi dokumentar kushtuar tërësisht atij, organizimi i një panairi dhe i një koncerti në krahinën që ia dha Shqipërisë Daut Dautin, restaurimi i shtëpisë së tij muze në majë të malit dhe angazhimi i militantëve politikë të hiperventiluar, për ta shndërruar edhe këtë jubile në fitore për kastën në pushtet; por edhe në okazion të paçmuar për riprodhimin e hierarkive të kulturës dhe të akademisë – që nga ata që do të mbajnë fjalimet, referatet dhe bashkëreferatet, tek ata të tjerët që do të japin intervista dhe më në fund tek ata që do t’i shkruajnë parathëniet.

Pak lidhje ka e gjithë kjo me të shkretin Daut Dauti, që nuk e ka lexuar njeri prej dekadash dhe as do ta lexojë kush thjesht pse ia botoi tashmë veprën e plotë, me kapak të fortë, shteti me shpenzimet e veta ose edhe të ambasadës të Katarit a të fondacionit Schweinsteiger a të kësaj apo të asaj organizate europiane, europoide ose eurokratike, për t’ua shitur pastaj institucioneve, për të hijeshuar bibliotekat murale të së gjithë atyre zyrtarëve të lartë dhe dinjitarëve të shtetit, që Daut Dautin e dinë për qendërmbrojtës të Flamurtarit të Vlorës.

Kulti i përvjetorëve është një mjet për të informuar, në mënyrë të padhimbshme dhe sipërfaqësore, një elitë kulturore që, për arsye të tregut, duhet të mbetet në ekspansion të vijueshëm. Është një mënyrë për të konsumuar – jo për të kuptuar – historinë.

Këtë e thotë John Berger-i (About looking, Vintage 1st edition 1992, f. 184); dhe me një fjali të vetme i përmbledh të gjitha: duke e quajtur obsesionin me përvjetorët kult; duke theksuar se ky kult në dukje ‘nuk i bën dëm kujt’, pa çka se është aq sipërfaqësor, sa një libër për ngjyrosje; se këtë kult e kërkon një elitë kulturore, jo kultura vetë; dhe e kërkon sepse vetëm ashtu mund të mbetet në ekspansion të vijueshëm – siç ia kërkon tregu. Prandaj edhe kulti nuk është vetëm i liturgjive që kërkojnë të legjitimojnë pushtetin e kësaj elite, por edhe i tregut, që tregon interes për historinë sa kohë që kjo mund t’u jepet masave, publikut, blerësve për t’u konsumuar.

Shpenzimet e mëdha, edhe me fonde publike të vyera, që shoqërojnë këta përvjetorë përndryshe të kotë, madje të zbrazët nga kuptimi, kanë edhe ato një vlerë rituale, në daçi magjike: shprehja e saktë në këtë kontekst do të ishte “hedhim pará”, e cila e nënkupton edhe shpërdorimin – sa kohë që paratë nuk janë të elitave kulturore, por të gjetura e të zhvatura poshtë e lart; por edhe ritin folklorik të hedhjes, sepse paratë i hidhen personalitetit “të përvjetuar” njëlloj siç i hidhen nuses ose muzikantit që i bie gërnetës; për të treguar bollëkun e festarëve dhe pozicionin e tyre dominant, prej derrash të kënaqun. Antropologëve mbase këtu do t’u shkojë mendja te praktika e potlatch-it, tejet komplekse për t’u përshkruar këtu; por nuk mund të rri pa vërejtur se bëhet fjalë për shkatërrimin masiv të së mirave materiale, për të treguar pushtet dhe pasuri. Çfarë në rrethanat tona mund të përkthehej kështu: “artistët tanë s’kanë bukë të hanë, por ne nuk do të lëmë asnjë shpenzim mangut, për të kremtuar 100 vjetorin e lindjes (apo të vdekjes?) të shkrimtarit tonë të madh Daut Dauti.” Pse? Because we can.

Prej një establishmenti kulturor pritet që të jetë në gjendje t’i përligjë politikat e veta me argumente bindëse: nëse këtë vit do të shpenzojmë gjysmën e buxhetit me Daut Dautin (që i ndrittë shpirti), atëherë duhet të jemi në gjendje ta shpjegojmë pse zgjodhëm pikërisht Daut Dautin dhe çfarë interesi publik ka (ose duhet të ketë) për figurën dhe veprën e tij. Por kur establishmenti kulturor është i hiperventiluar, i përshkuar tejendanë nga ekstaza e operativitetit, dhe nuk ka kohë të reflektojë për kuptimin e aktiviteteve që ka marrë përsipër, atëherë kalendari shndërrohet në aleatin e tij kryesor; ose në alibinë absolute të inkompetencës. Pse pikërisht Daut Dautin? Sepse ka 100 vjetorin e lindjes, pra! Kështu kalendari të lejon edhe të fshehësh subjektivitetin ndonjëherë edhe thjesht klientelist, prapa atij egalitarizmi imbecil që të garantojnë numrat.

Në mënyrën e vet, argumenti kalendarik i bind të gjithë, sepse ka natyrë magjike, jo logjike. Pa çka se po aq bindës do të kish tingëlluar edhe kriteri alfabetik: Pse pikërisht Daut Dautin? Sepse këtë vit po kremtojmë autorë që u fillon emri me D.

Le ta mbyll me një anekdotë. Borges-i ishte shumë i lidhur me nënën e vet dhe kur ajo vdiq, edhe pse në moshën 99-vjeçare, e përjetoi këtë duke mbajtur zi në publik. Kur një gazetare e pyeti, me atë rast, nëse i vinte keq që nëna nuk kish arritur dot, për pak muaj, të mbushte 100 vjetët, Borges-i iu përgjigj: “Qenkeni ithtare e përkushtuar e sistemit decimal.”


Shënim: Ndokush nga ju do ta ketë vënë re ironinë – në mos absurditetin – e kësaj polemike, vetëm pak ditë pasi shënuam (nuk po them “festuam”) 10-vjetorin e faqes sonë Peizazhe të fjalës. As mua nuk më pat shpëtuar, por nuk besoj se ka nevojë për krahasime dhe distinguo.

1 Koment

  1. Kjo pse-ja qe si pergjigja ka ”because we can”, me kujton shprehjen italiane ”c’è chi può e chi non può”.
    Kjo eshte filozofi me vete e pushtetit, ne e kemi te lidhur me ”me pelqen” apo ”keshtu dua” apo me ”ate e di une”. Reklama e famshme ”Amstel, keshtu me pelqen” shprehte ne menyre gazmore konceptin.
    Ne pergjithesi te gjithe pervjetoret kane kuptime pertej ushtrimit pa kurrfare diskutimi te pushtetit qe nenkupton koncepti ne fjale, keshtu qe edhe Dauti i Dautajve ndonje merite do e kete, por çeshtja eshte a justifikon merita e Dautit nje perdorim kaq te pacipe te pushtetit nga ana e organizatoreve. Sepse nqs nje elite vendos te ushtroje kaq haptazi, ne kuptimin e pushtetit si prerogative, e jo si e drejte e deleguar apo detyrim moral, atehere ajo operon pa maska legjitimiteti, sipas parimit topi eshte i imi, penalltine e gjuaj vete.
    Nqs Dauti ne syte e popullit apo shoqerise eshte askushi, atehere elita merr persiper nje rrezik, nqs ka probleme perpjesetimi (pak i njohur, shume shpenzime) serish merr persiper nje rrezik.
    Perndryshe perkujtimi ne vetvete eshte gjest i natyrshem identitar, te gjithe njerezit perkujtojne e te gjitha shoqerite e shtetet perkujtojne, si te thuash eshte prerogative e njeriut si i tille.

    p.s nuk e morem vesh kush ishte Dauti

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin