TË PËRJASHTMIT

Kanë diçka të përbashkët, mes tyre, fituesit e dy edicioneve të deritashme të Çmimit Kadare: edhe Rudolf Marku, që e fitoi çmimin vjet, edhe Shkëlqim Çela, që e fitoi sivjet, nuk jetojnë në Shqipëri: i pari në Britaninë e Madhe, i dyti në ShBA.

Nga autorët në shortlistën e fundit për vitin 2016, ishte edhe Arb Elo, i cili jeton në Gjermani.

Ka edhe shkrimtarë të tjerë, pa lidhje me çmimin Kadare (deri më sot), që ia japin veprën e tyre lexuesit shqip, por që jetojnë larg lexuesit të tyre model: Bashkim Shehu në Spanjë, Ardian Kyçyku në Rumani, Dashnor Kokonozi dhe Ylli Demneri në Francë, Darien Levani, Arben Dedja dhe Astrit Cani në Itali; janë emrat e parë që më vijnë në mendje; pa përmendur Elvira Donesin, Ornela Vorpsin dhe Anilda Ibrahimin, të cilat janë bërë të njohura si të italishtes.

Të gjithë këta janë larguar nga Shqipëria, si pjesë e hemorragjisë katastrofë të këtij një çerek shekulli të fundit, dhe që ende nuk po arrin të ndalet, përkundrazi.

Shkrimtaria qenka, me sa duket, një nga ato fusha ku dheu mëmë dhe diaspora duhet të kenë ndërruar vendet, pa çka se asnjë nga emrat e mësipërm nuk mund të klasifikohen, me ndonjë lloj kriteri socio-letrar ose artistik, si “shkrimtarë të diasporës.”

Njëlloj nuk mund të klasifikohen si “shkrimtarë të diasporës” të gjithë ata që kanë ndërruar gjuhë – jo vetëm Donesi, Vorpsi dhe Ibrahimi, por edhe Gëzim Hajdari, Gaz Kapllani e të tjerë. Të jesh shkrimtar në shqip dhe të jesh shkrimtar shqiptar janë gjëra të ndryshme, edhe pse shumë tundohen që t’i barazojnë.

Jashtë Shqipërisë jetojnë sot edhe Kadareja vetë, por edhe të tjerë të mirënjohur si Pëllumb Kulla, Fatos Kongoli dhe Zija Çela (sa për të sjellë pak emra); vetëm se këta u mbrujtën si autorë në Shqipëri dhe njëfarësoj vazhduan rrugëtimin e nisur edhe pasi gjeografia u ndryshoi, ndryshe nga tjerët që korpusin e tyre e kanë krijuar kryesisht larg vendit të tyre të origjinës.

Nuk kam arsye pse të shkruaj që shkrimtarët e përjashtëm po i japin tonin sot letërsisë shqipe; por edhe thjesht kualiteti dhe pesha e emrave që solla më lart të bëjnë të vrasësh mendjen, për arsyet e kësaj dukurie; aq më tepër që vepra si ato të Shehut, Kyçykut, Markut, Çelës dhe Arb Elos nuk mund të etiketohen dhe as të likuidohen si letërsi e mërgimit.

Dukuria meriton vëmendje edhe thjesht sepse është vetvetiu e kufizuar në kohë; brezi i këtyre shkrimtarëve, që i përkasin një ekzili të vullnetshëm dhe jo detyrimisht politik, vështirë se mund ta riprodhojë dot veten. Apo jo?

Në këto rrethana, deri edhe pyetjen nuk di njeriu si ta shtrojë, dhe pikërisht – të pyesë pse po lulëzon krijimtaria shqip jashtë Shqipërisë dhe larg lexuesve që shënjestrohen prej saj; apo të pyesë se pse është krijimtaria brenda Shqipërisë aq e dobët, sa t’u japë kaq shquarsi autorëve që jetojnë jashtë.

Jashtë letërsisë, diçka e ngjashme ndodh në arte të tjera; me një buqetë emrash të mirënjohur, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu në fushën e muzikës lirike; Elina Duni në fushën e muzikës jazz; ose Sisley Xhafa dhe Anri Sala në artet pamore; por edhe emrash më pak të njohur. I vetmi dallim, edhe pse rrënjësor, është se të gjithë këta artistë komunikojnë lirisht me publikun e huaj; janë vërtet shqiptarë, por jo doemos shqip.

Prandaj edhe historitë e tyre personale të suksesit mund të gjejnë vend në prezantimet PowerPoint të një Kongresi hipotetik të Diasporës, madje edhe t’i paraqiten publikut si “heroike”; ndërsa ato të shkrimtarëve si Bashkim Shehu, Arben Dedja dhe Shkëlqim Çela jo.

Arsyeja kryesore për këtë anomali duhet të lidhet – sipas meje që kam edhe një eksperiencë timen personale ku të mbështetem – me atë që largimi nga Shqipëria ofron atë lloj distancimi ose tërheqjeje nga e përditshmja, që është kusht i parë për krijimtarinë letrare; por që nuk është, megjithatë, ajo kohë e lirë ose nge, që u sigurohet autorëve nga shteti ose mecenatët.

Shumë në mos të gjithë shkrimtarët shqip që njoh unë dhe që jetojnë larg Shqipërisë e nxjerrin bukën me punë të tjera gjithfarësh; dhe kjo detyrimisht do të pasqyrohet në natyrën e letërsisë që bëjnë, edhe pse nuk i ka penguar që të bëjnë megjithatë letërsi, krahas punës tjetër, së përditshmes.

Përkundrazi, kolegët e tyre potencialë në Shqipëri, që mbase kanë edhe më shumë kohë për t’ia kushtuar krijimtarisë, shpesh nuk arrijnë megjithatë të sigurojnë distancimin e nevojshëm, ose tërheqjen nga realiteti.

Por edhe ky shpjegim nuk mjafton, po të supozojmë se autorët jashtë Shqipërisë, këto vite të tranzicionit edhe kulturor të vendit, kanë shkruar letërsi shqipe më mirë se kolegët e tyre në Shqipëri.

Vetëm dy çmimet e fundit Kadare, që iu dhanë autorëve të kësaj kategorie, nuk mjaftojnë, megjithatë, për ta mbështetur supozimin; madje edhe po t’u shtohen këtyre arritjet e padiskutueshme të së tjerëve autorë shqip, që i përkasin të njëjtit grup.

Ka aty një të vërtetë, që megjithatë nuk besoj se mund ta përligjë plotësisht hipotezën.

Shqipërisë, si vatër e komunikimit letrar, nuk i mungojnë autorët e mirë, që s’u lënë gjë mangut atyre që, edhe pse shkruajnë shqip dhe i drejtohen lexuesit të atjeshëm, nuk jetojnë në Shqipëri.

Diferenca cilësore, nëse mund të flasim për diferencë, do të kishte vetëm natyrë statistikore.

Në kuptimin që ky lulëzim i krijimtarisë në letrat shqipe jashtë Shqipërisë (dhe, krahasimisht, jashtë Kosovës) jo si letërsi mërgimi dhe as si letërsi “e diasporës” do të përbënte anomali.

Më lart përsiatëm mundësinë që mjedisi specifik i të jetuarit larg Shqipërisë krijon atë lloj distance që e ndihmon, në mos e nxit shkrimtarinë – një lloj krijimtarie që zakonisht kërkon izolim sistematik nga bota.

A mund të përsiatim atëherë edhe mundësinë tjetër, komplementare, që mjedisi specifik, i të jetuarit sot në Shqipëri, e dekurajon shkrimtarinë?

Qoftë ngaqë ua bën autorëve potencialë të pamundur izolimin ose ua vështirëson shumë; qoftë ngaqë i demotivon; qoftë ngaqë Shqipëria e sotme, me trazirat dhe pasigurinë dhe fluiditetin social dhe politizimin total të elitave, ua ngushton shumë horizontin atyre që duan të shkruajnë dhe, sidomos, atyre që do të duhej të shkruanin?

Në kuptimin që statusi i shkrimtarit sot, në Shqipërinë kulturore të sunduar dhe të administruar nga filistinët, është nga më të ulëtit, në një kohë që, ata që nuk jetojnë atje nuk janë prekur as lënduar nga ky degradim i statusit; dhe as nga ankthi që e shoqëron?

Për ta plotësuar argumentin, nuk lëmë dot jashtë edhe një diçka që mund ta quanim moda ose trendi në letërsi, por që shkon më thellë se moda ose trendi, meqë ka të bëjë drejtpërdrejt me mënyrën si parapëlqen të shprehet letrarisht, ose edhe artistikisht, një shoqëri në një periudhë historike të caktuar.

Vitet e pas-1990-ës ishin vite të rrëfimit antikomunist, ose periudha kur shoqëria shqiptare u orvat ta rikrijonte kujtesën e vet, duke përmbysur idhujt që ia kishin sunduar deri atëherë vetëdijen kolektive, njëlloj siç ua përmbysi statujat liderëve totalitarë në ditët kur u rrëzua regjimi monist.

Gjatë këtyre viteve u bënë të njohur për lexuesin e atjeshëm autorë si Zef Pëllumbi, Fatos Lubonja, Blendi Fevziu, Mero Baze, Maks Velo, Visar Zhiti, Spartak Ngjela; shkrimtarë që, edhe kur lëvruan esenë letrare ose zhanrin e memuaristikës, edhe kur u morën thjesht me publicistikë, synuan të rrëzonin të vërtetat e djeshme, shpesh për t’i zëvendësuar me të vërteta të tjera.

Kjo lloj letërsie, me funksionin kryesor katarsisin, kërkonte jo aq distancim nga realiteti dhe shoqëria, si letërsia tjetër e llojit fiction të mirëfilltë, sesa një distancim nga koha; ajo kohë që, këtë herë, përkonte me vitet e terrorit dhe shtypjes totalitare.

Trendit i mbetën jashtë të larguarit; jo për arsye ideologjike, por thjesht ngaqë nuk merrnin pjesë dot në zhvillimet kontekstuale në dheun mëmë. Këtë mund ta shohësh qartë edhe atëherë kur të njëjtat zhanre u lëvruan edhe prej tyre, si memuaristika nga Bashkim Shehu; ose kur trajtuan të njëjtat tema, duke u angazhuar, për shembull, në çfarë e kanë quajtur “letërsi të burgut.”

Në përgjithësi, kthesa dramatike në letrat shqipe, që filloi menjëherë në vitin 1990, dhe që kish të bënte me nevojën për ta rivizituar periudhën komuniste dhe për ta rimenduar atë, sipas të njëjtit mekanizëm që i nënvendoset kurës psikanalitike, kish për synim rimëkëmbjen shpirtërore të letërsisë në Shqipëri, pas dekadash të realizmit socialist.

Të ikurit, edhe pse do ta kenë përjetuar këtë lloj nevoje viscerale për ta rirrëfyer historinë e vet dhe të vendit të tyre, nuk patën mundësi ta ndanin këtë përjetim me të tjerët; distanca nga Shqipëria i bëri që shkëputjen nga e shkuara ta realizojnë edhe thjesht nëpërmjet largësisë gjeografike.

Në këtë kuptim, edhe pse de-konstruksionin e ideologjisë dhe të dogmës komuniste e gjen në veprën e tyre në po atë masë sa ç’shfaqet edhe në veprën e autorëve vendës, sërish letërsia e tyre nuk merr pjesë në zhvillimet dhe shndërrimet politike, ekonomike dhe sidomos kulturore që kishin përfshirë në atë kohë Shqipërinë.

Duke qenë të larguar nga e tashmja politike e kohës, nga ajo hic et nunc që po i obsedonte të gjithë në atdhe, shkrimtarët e përjashtëm e ndoqën të vërtetën letrare dhe të vërtetën jashtëletrare me mënyra të tjera, pak më “të prapambetura”, më “arkaike”, më “të kapërcyera” në raport me zhvillimet që po ndodhnin në qendër.

Nga ana e tyre, të larguarit – si të gjithë të larguarit – iu nënshtruan një stimulimi kulturor të pazakonshëm, në kontekste kulturore jashtëzakonisht më të pasura se Tirana; jo vetëm më komplekse, por edhe më demokratike. Këtu vlen të përmendet edhe kontakti i përditshëm, për ata që kanë dashur, me rrymat dhe trendet e reja, teknikat dhe ndjeshmëritë e reja dhe sidomos mundësia për të futur një ajër të ri, të freskët në mushkëri; por edhe vetëdija e re për të shkruarit letrar, e lindur dhe e kultivuar në mjedise ku statusi i letërsisë është tjetër nga ai në Shqipëri; dhe ku prej shkrimtarëve nuk kërkohet doemos të jenë instrumente në shërbim të pushteteve, ideologjive dhe miteve.

Çfarë e bën unike dukurinë në fjalë, është fakti që shumë nga të përjashtmit, në mos të gjithë, u larguan nga Shqipëria duke marrë me vete shqipen në nivelin më të sofistikuar; jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe e sidomos si lëndë të vetëdijes ose, për ta thënë me metaforën e Heidegger-it tashmë të kthyer në klishe, si shtëpi të qenies.

Kjo do t’i shquajë nga shumë të tjerë, po aq të talentuar e të frymëzuar, po aq të zotët dhe të mësuar, që janë larguar më pas, por që shqipen nuk e kanë pasur të atij niveli, sa ta ngrenë kulturorisht dhe publikisht folenë në të. Për fat të keq – të letërsisë shqipe – kjo prirje e dytë duket se ka ardhur duke mbizotëruar; në kuptimin që një brez i ri tejet i talentuar të ikurish nga Shqipëria dhe të shkolluarish poshtë e lart nëpër botë, sidomos në Perëndim, nuk arrijnë dot edhe atëherë kur duan dhe e ndiejnë nevojën, që ta përdorin shqipen në atë nivel sa të mund t’i drejtohen publikut lexues me vepra letrare.

Kështu edhe anomalia do të vijë duke u fashitur, së bashku me fashitjen e brezit të së larguarve; por nëse kjo do t’i bëjë mirë apo keq letërsisë shqipe dhe letrave në Shqipëri, këtë është ende herët ta thuash.


Shënim: sa më sipër, nuk është studim shterues, por vetëm një varg mendimesh. Shembujt i kam sjellë siç më kanë ardhur, pa ndonjë shoshitje objektive ose statistikore. U kërkoj të falur të gjithë atyre kolegëve që mund të ndihen të përjashtuar padrejtësisht nga citimet dhe ilustrimet, si dhe atyre të tjerëve për të cilët mund të kem shkruar ndonjë pasaktësi biografike. Nga ana tjetër, i lutem lexuesit të mbajë parasysh edhe se në Shqipërinë e sotme gjen një numër të mirë autorësh të mirënjohur dhe të shquar të së gjitha zhanreve, që nuk mbeten gjë pas kolegëve të tyre “të përjashtëm”; dhe nëse nuk i kam përmendur, kjo vjen ngaqë si prania e tyre si produktiviteti janë dukuri normale për një kulturë me rrënjë gjuhësore, si ajo e letërsisë vendëse dhe, gjithsesi, nuk përbëjnë objekt të kësaj eseje, e cila merret me anomalitë.

1 Koment

  1. Kish ardhur koha te krijohej fjala “i perjashtem”
    Dhe ka ardhur e kaluar koha qe dukuria e krijimtarise se tyre te studiohet sistematikisht dhe shkencerisht.
    Kur punoja per numrin e Perpjekjes per emigracionin kerkova Sa munda dhe nuk gjeta studiues qe t’i perfshija. Dh Shehri kish nje plan ta kryente, por nuk Di nese e ka bere. Por duhet nje kornize teorike. Une nuk jam mike e madhe e postmodernes, por mendoj qe Shqiperia mundet te studiohet ne kete sfere nen nje kombinim teorish post-socialiste e post-koloniale qe pak a shume ne permbajtje diskutohet edhe ne shkrimin tend

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin