NUK JU LËMË NË BALTË

Ministria e Kulturës ka lajmëruar nisjen e aplikimeve për “Fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare shqiptare”, një nismë që organizohet për herë të dytë; dhe që këtë vit i jep përparësi “mbështetjes së procesit krijues të autorëve të rinj, deri në moshën 35 vjeçare.”

Meqë “edicioni i parë” i kësaj nisme nuk shoqërohej me ndonjë kufizim ose specifikim moshe – në kuptimin që ishte e hapur për të gjithë; dhe meqë ky edicion cilësohet si “sukses” në vetë njoftimin e tanishëm të Ministrisë së Kulturës, atëherë arsyet e këtij ndryshimi meritojnë vëmendje.

Natyrisht, autorët e rinj mund të aplikonin lirisht edhe dy vjet më parë, sikurse edhe do të kenë aplikuar; dhe mes problemeve dhe shqetësimeve të shumta që ka letërsia në Shqipëri, ky i moshës së krijuesve më duket se nuk renditet mes të parëve; aq më tepër që me kujdesin për moshat e reja merret një ministri tjetër.

Ndihma financiare për krijuesit nën 35 vjeç do të kish ndonjë farë kuptimi specifik në qoftë se realiteti kish dhënë prova se në Shqipëri mund të mbijetosh duke shkruar letërsi – ose si shkrimtar profesionist; mirëpo në Shqipëri sot nuk më rezulton të ketë më shkrimtarë profesionistë.

Atëherë pse u dashkan privilegjiuar autorët e rinj; ose më mirë akoma, pse u dashkan përjashtuar nga kjo mundësi autorët më pak të rinj?

Në thirrjen e lëshuar nga Ministria, arsyeja që sillet për këtë vendim tingëllon kriptike: “duke marrë parasysh vështirësitë që ata hapin [sic!] për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave.”

Nga ana jonë, përgjigjen kësaj pyetjeje nuk ia japim dot pa spekuluar. Mund të mendojmë se Ministria e Kulturës ka dështuar në komunikimin e vet me shkrimtarët dhe, në përgjithësi, me krijuesit e pjekur dhe tani e ka gjetur më të lehtë të komunikojë me të rinjtë; sikurse mund të supozojmë se Ministria e Kulturës mendon se shkrimtarët mbi moshën 35 vjeç nuk ka arsye pse të ndihmohen financiarisht, meqë prej tyre nuk ka ç’të pritet më.

Mund të mendojmë edhe se shuma e akorduar – 150 mijë lekë ose rreth 1300 USD për autor – është tejet e vogël, madje qesharake, edhe për Shqipërinë.[1] Çfarë mund të bëjë një autor, i ri ose i vjetër, me 1300 USD? Si mund ta ndihmojë autorin kjo shumë për ta vazhduar krijimtarinë e vet, ose edhe thjesht për ta bindur që të vazhdojë së shkruari?

Për një autor që përpiqet të gjejë kohë dhe hapësirë për të krijuar, 1300 USD nuk janë ndihmë por vetëm përkujtesë e hidhur për të gjetur ndonjë mënyrë tjetër mbijetese – dhe në këtë kontekst ndihma financiare për shkrimtarët, nga ana e Ministrisë së Kulturës i përket së njëjtës tipologji fasade me lyerjen e pallateve, mbjelljen e filizave rakitikë në zona urbane të degraduara, selfiet me qeleshe në kokë dhe festivalet groteske të fustanellave.

Ky nuk është Fond për “Mbështetjen e Krijimtarisë Letrare Shqiptare,” por Fond për të gënjyer veten dhe ndoshta publikun ende mirëbesues, se po u mbështetka krijimtaria letrare shqiptare; ose një mënyrë përndryshe e konsumuar për të bërë propagandë dhe public relations, me paratë publike.

Aq më tepër që ky obsesion me “të rinjtë” – të cilët qeveria duhej t’i kish ndihmuar në tregun e punës dhe duke u hapur mundësi dhe perspektiva jetese, jo duke u paguar dy-tre kacidhe për vjershat – më duket sikur bashkëtingëllon tani me këtë obsesionin tjetër, për të përfshirë, në listat e deputetëve, njerëz të rinj me fare pak eksperiencë; politike dhe tjetërsoj.

Në të dy herët, krijohet përshtypja se politika nuk po kërkon më partnerë mes qytetarëve dhe shoqërisë civile, por vetëm mënyra për t’u dukur sikur i ka gjetur këta partnerë tek njerëz që ende nuk mbrohen dot ndaj tundimeve të rekrutimit; çfarë do të thotë se, për të riparuar një dialog të ndërprerë dhe të sakatuar, ekzekutivi thjesht është duke zëvendësuar palët që kishte përballë.

Për gjithçka tjetër, kemi Çmimin Kadare.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.


[1] Kjo edhe ngaqë fondi i përgjithshëm i ndihmës për shkrimtarët shqiptarë është ulur nga 3 milion (në 2015) në 1 milion lekë. Në këtë mes, ndoshta ka interes të kujtohet se po kjo Ministri e Kulturës ka shpenzuar 3 milion lekë vetëm për varrimin e Dritero Agollit (pa përmendur një shpenzim prej 30,000 eurosh për “ekipin kuratorial të Bienales së Venezia-s” për vitin 2017. Edhe pak dhe Ministria do të vihet t’u shpërndajë autorëve sheqerka dhe tullumbace (këto të fundit të sponsorizuara nga ndonjë kompani e telefonisë celulare).

5 Komente

  1. Ky fokusim tek te rinjte mund te kishte kuptim nese kjo ministri nuk do te kishte perkrahur financiarisht here pas here projekte qe kane mbeshtetur drejtperdrejt krijimtarine e te rinjve, ne mos me botim te pakten me ekspozim, si per shembull:

    2015
    – Festivali i letërsisësë re ballkanike – Letërsi/Autorë të rinj/Debat ballkanik – Shtëpia botuese “Saras”*
    – Organizimi i festivalit letrar për të rinj “Tiranë 2015” (Edicioni I) – Letërsi/Festival – “Toena”
    – Sabat 2015, “Punëtori mbi mjeshtërinë e shkrimit në prozë dhe poezi” – Letërsi/Edukim – Luljeta Leshanaku
    http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/njoftime/thirrja-per-projekt-propozime-2015-projektet-e-perzgjedhura-per-mbeshtetje-ne-art-kulture&page=7

    2016
    – Organizimi i festivalit letrar për të rinj “Tiranë 2016” (Edicioni II); Letërsi/Festival – “Toena”
    – Sabbat 2016, “Punëtori mbi mjeshtërinë e shkrimit në prozë dhe poezi”/ Letërsi /Krijimtari – Luljeta Leshanaku
    http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/thirrja-per-projekt-propozime-2016-projektet-e-perzgjedhura-per-mbeshtetje-ne-art-kulture

    2017
    – “Andrra” – Letërsi/Inskenim/Edukim – Diana Malaj – Qendra Rinore ATA
    – “SABBAT 2017 – Workshop ndërdisiplinor për shkrimtarët e rinj” – Letërsi/Edukim/Krijimtari – Luljeta Lleshanaku
    – Festivali Letrar për të Rinj “Tirana2017” – Letërsi/Edukim/Festival – Shtëpia Botuese Toena
    http://www.kultura.gov.al/al/newsroom/lajme/shpallen-14-fituesit-e-fondit-te-perkthimit-letrar-per-vitin-2017

    Propozimi i fundit i Ministrise per te mbeshtetur me mundesi botimi te rinjte mbase do te perligjej nese organizatoret e aktiviteteve me lart do te kishin vene ne dukje se ka letersi cilesore ne kete grupmoshe qe ia vlen te perkrahet nepermjet botimit.

    Jam kurioze te di, bie fjala, sa te nga te rinjte qe kane perfituar nga keto aktivitete kane siguruar pastaj te drejten e botimit keto tre vite nga Toena.

    *Rezulton qe ky festival nuk i ka shfrytezuar fondet e thirrjes per mbeshtetje nga Ministria.

  2. Ardian, faleminderit shume qe na njoftove per kete nisme te Ministrise se Kultures. Problemin kryesor nuk e shikoj tek fakti se cmimi jepet vetem per njerezit nen moshen 35 vjec. Tek e fundit, vetem burra e gra mbi moshen 35 vjec jane duke u botuar. Te jesh nen moshen 35 vjec ne Shqiperi do te thote qe ke me pak miq dhe ke pune qe paguhet keq. Ne vecanti nese je njeri qe nuk je futur neper parti politike dhe do te merresh me letersi.

    Problemi kryesor ketu eshte se shkrimtaret e rinj duhet te lidhin nje kontrate me botuesit. Me pak fjale, shkrimtaret e rinj duhet ti luten e ti shkojne nga pas botuesve. Atyre botuesve qe nuk deshin ta botonin sepse nuk kishte prezence te mjaftueshme mediatike apo se nuk kishte leke. Mos harro qe ne Shqiperi shume pak shtepi botuese botojne shkrimtar te rinj. Edhe ato pak shtepi botuese qe i botojne shkrimtaret e rinj i kerkojne nga 1 mij dollar per tu botuar. Ku mund ti gjej nje shqiptar i ndershem nen 35 vjec 1 mij dollar? Ti ruaj nga rroga 300 mij leke qe nuk i dalin as per te ngrene buke? Posikur te kete familje ky nen 35 vjecari? A mendon se do ishte me mire te rriste femijet keq per te ruajtur leke per te botuar libra?

    Para ca kohesh Fatos Kongoli tha: nese deshironi te beheni shkrimatare, martohuni me biznesmen. Te gjithe u cmenden dhe filluan ta kritikonin. Por, e verteta eshte se ka dhene keshillen me te mire. Po te jesh i varfer dhe pa miq, udha e shkrimit ne Shqiperi eshte nje torture.

    1. Konteksti ekonomik në Shqipëri është i tillë që ta shkurajojë, në maksimum, çdo të ri që kërkon të merret me letërsi ose me art. Konteksti ekonomik në Shqipëri është i tillë që ta shkurajojë, në maksimum, çdo të ri që kërkon të merret me çdo lloj aktiviteti krijues të pavarur. Me përjashtim të partive politike, të cilat kërkojnë t’i angazhojnë të rinjtë me mënyra nga më të ndryshmet në veprimtaritë e tyre, madje pa kursyer as shpenzimet. Mua edhe ky fond që ka caktuar Ministria e Kulturës për shkrimtarët e rinj më duket se bën pjesë në këtë përpjekje për të mikluar – me sheqerka dhe xhingla – të rinjtë dhe për t’i rekrutuar në kohortat politike që do t’u shërbejnë pastaj liderëve. Qofsha i gabuar, por kështu më duket. Të rinjtë nuk kanë nevojë për 1300 USD, aq më tepër kur e dinë se bëhet fjalë për një “una tantum”, ose një shpërblim që nuk do ta marrin më, të llojit “zuri qeni një lepur.” Të rinjtë kanë nevojë për një atmosferë të tillë ekonomike dhe kulturore, brenda së cilës mund të merresh me letërsi pa qenë pjesë e nomenklaturave partiake dhe pa qenë i martuar me një biznesmen; me fjalë të tjera, ta ushtrosh letërsinë në liri. Këtë e them i bindur se askush nuk do të mundet, sot e tutje, të jetojë duke shkruar libra – edhe pse ende mund të jetosh, të paktën në Shqipëri, duke shkruar parulla. Edhe vetë modeli i botimit të librit me pagesë – të cilën e ofron autori vetë ose një institucion bamirës, p.sh. Ministria e Kulturës – nuk funksionon; libri i një autori të ri duhet të botohet në qoftë se shtëpia botuese sheh atje POTENCIAL, çfarë përfshin edhe KULTIVIMIN e këtij autori të ri, nga ana e entit botues. Përndryshe, në kushtet kur shkrimtarët në Shqipëri përgjithësisht janë shtresë e përbuzur, madje më e përbuzur edhe se instaluesit e prozhektorëve në mitingjet politike, ndihma (kinse-ndihma) për shkrimtarë të rinj ka vetëm efekt politik të çastit. Ministria e Kulturës mund të kish bërë diçka për të ndihmuar LEXUESIN e ri, duke subvencionuar çmimin e shitjes së librit shqip – sepse nga ky lexues do të dalë nesër edhe shkrimtari; përndryshe, të siguroj se në moshë të re mund ta shkruash romanin edhe natën, por me kalimin e viteve kjo të bëhet gjithnjë e më e pamundur.

  3. Pa dashur, (ose dhe me dashje, -shpresoj qe jo), me kete shkrim Ardiani ne vend te kritikoje apo evidentoje ndonje fenomen negativ, perkundrazi i ka bere ata te Min. Kul. te kendershellohen me mornica gezimi per kujtesen qe u ka kushtuar! Pse jo te ndjehen edhe krenare per kritiken (kuptohet, ne thonjza) qe kane marre.
    Pa diskutim, si shuma ashtu dhe mosha kane arsyet e veta; nje vend si Shqiperia aq e ka takatin, biles eshte per tu lavderuar qe kujtohet per krijuesit letrare, (panvarsisht filmave qe behen pas perdes me miq e shoke), dhe sa per moshen mendoj se ky kusht vihet shpesh nga donatoret e huaj, te cilet i japin parate Shqiperise per kete e ate projekt.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: