Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NGA ETIKA NË MORALIZIM

Tashmë mediat na kanë bindur, të gjithëve, se politikanët në Tiranë janë batakçinj – na kanë bindur sepse i kemi lejuar ne, por edhe me bashkëpunimin e politikanëve vetë, të cilët konfliktin politik gjithnjë duan t’ia paraqitin publikut si luftë midis së mirës dhe së keqes: unë nga ana e së mirës, ai nga ana e të keqes: po ti me cilën anë je?

Kjo do të ishte normale, po të vetë-kufizohej; ose në një kontekst ku të bashkëjetonte edhe me argumentin juridik, edhe me arsyen, edhe me nevojën që ka politika për të kaluar nga një kompromis në tjetrin. Mirëpo asnjë vetë-kufizim nuk po ndodh; dhe diskursi moralist jo vetëm mbizotëron, por edhe shpesh tundohet të kalojë në histeri. Ironikisht, e njëjta histeri moraliste na bën të neveritemi, kur i shohim “armiqtë” e djeshëm të besëlidhen papritur, pasi i kanë ngrënë akuzat e djeshme aq të përbindshme me bukë.

Të përqendruara, siç janë, në personalitetet e kandidatëve dhe sidomos të krerëve partiakë, këto zgjedhje mbeten të dënuara për ta riluajtur në skenë të njëjtën komedi morale: ne themi të vërtetën, ata gënjejnë; ne jemi të pastër, ata janë të korruptuar; ne jemi me ju dhe për ju, ata janë për vete. Zgjedhësit mund të mos i besojnë këto, por gjithsesi votojnë – kur votojnë – me shpresë se ashtu do të nxjerrin ndonjë përfitim vetjak çfarëdo.

Rama dhe të vetët e shndërruan “vetting-un” në leitmotiv të fushatës elektorale; duke ngjallur në disa shpresën e çuditshme se një problem i pikturuar me bojërat e moralitetit, mund të zgjidhet me rrugë formale; në kuptimin që të ligjtë, të korruptuarit, etj. do t’i heqim qafe me dispozita ligjore dhe procedura legale. E megjithatë, deri më sot diskursi për vetting-un ka pasur për efekt madhor që i ka bërë promovuesit e tij të ndihen moralisht superiorë ndaj të tjerëve.

Ndërkohë, zgjedhësit duket sikur e kanë pranuar politikën si zgjedhjen optimale për të gjithë ata që duan ta shkelin ligjin me impunitet dhe për t’u pasuruar, me paranë publike – pa çka se po këta zgjedhës e kanë gjithnjë të vështirë të mbajnë parasysh se kjo para publike është e tyrja; ose me paranë e bizneseve, të cilat ia xhirojnë pastaj këto shpenzime të korrupsionit klientëve.

Kur dëgjon të thuhet, gjatë fushatës, se ky apo ai politikan ka vjedhur me të dy duart, kjo akuzë shpesh pritet të japë efektin e duhur jo duke nxitur indinjatën morale ndaj vjedhjes dhe refuzimin përkatës, por nëpërmjet zilisë. Po ashtu, politikani e ka të qartë se shumë nga ata që e ndjekin prapa dhe që i japin votën – nga biznesmeni milioner te fukaraja i fundit, e bëjnë jo sepse e duan dhe e respektojnë dhe e vlerësojnë, por ngaqë duan ta shfrytëzojnë – për një vend pune a një privilegj tjetër çfarëdo; sa kohë që “populli” i sheh politikanët si “njerëz që kanë në dorë” dhe si “shpërndarës privilegjesh.” Përfaqësimi degradon në mercenarizëm, ku “fitojnë të gjithë.”

Nuk di si do t’i përgjigjeshin, kandidatët e rinj për deputetë, pyetjes se pse vendosën t’i futen politikës – po të thonë se e bëjnë të shtyrë nga dëshira për t’i shërbyer kolektivitetit ose “kombit” ose së ardhmes, kjo do të binte ndesh me procedurën si janë përzgjedhur; po të thonë se e bëjnë për t’i shërbyer partisë së tyre (ose më keq akoma, liderit përkatës), kjo do të binte ndesh me frymën demokratike (përfaqësimin). E megjithatë, në këto zgjedhje askujt nuk duket se i bëhet vonë për shkeljet e kushtetutës, arbitraritetin dhe improvizimet – me pretekstin se duhet shpëtuar vendi nga katastrofa dhe se duhet bërë “vetting-u”, i perceptuar si një lloj higjienizimi i pushteteve.

Çfarë i mungon teatrit politik të tanishëm, përtej pozave morale, selfie-ve, transgresionit të skriptuar, histrionizmit, trash talk-ut dhe estradës, është pauza e reflektimit, ose përmasa e tretë e politikës, si mishërim i nevojës për të kuptuar se çfarë po ndodh; sa kohë që edhe mediat, të tabloidizuara dhe të portalizuara, kanë hequr dorë nga përpjekjet për artikulim të një diskursi më refleksiv, që ta vendosë politikën në kontekst, duke e nxjerrë nga kurthi aksion-reaksion dhe rrethi vicioz i “kundërpërgjigjeve.”

Kjo urgjencë e përditshme, rraskapitëse, po shërben kështu si alibia kryesore e statu quo-së.

Protagonistët e fushatës e kanë bërë të tyrin argumentin moral, me ndihmën edhe të mediave; këto të fundit tashmë ka kohë që janë vënë të shkatërrojnë sistematikisht çdo iluzion që mund të ketë publiku për këtë apo atë politikan, pa u shqetësuar shumë se kështu po e lënë publikun pa një autoritet moral. Në fakt, një nga politikanët më të përqeshur dhe të përgojuar këto vitet e fundit ka qenë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani; ose pikërisht personi që duhej ta mishëronte këtë autoritet moral, të paktën si institucion.

Situata priret drejt paradoksit – nga njëra anë publiku bindet, me ndihmën e pakursyer të mediave, se vetëm njerëzit e paskrupullt dhe batakçinjtë mund të çajnë në politikë; nga ana tjetër, protagonistët e politikës i prezantohen publikut nëpërmjet një diskursi kryesisht moral në mos moralizues, sepse nuk kanë ç’të thonë tjetër (çdo muhabet për programe, ide dhe vizione do të tingëllonte ose i mërzitshëm ose i pabesueshëm).

Këtë paradoks nuk mund ta shpjegosh vetëm duke sjellë në vështrim hipokrizinë. Madje edhe duke pranuar se një pjesë e madhe e protagonistëve të jetës politike po e konsiderojnë hipokrizinë si alfën dhe omegën e artit për t’iu prezantuar publikut.

Në fakt, edhe shtirjet, edhe sentimentalizmi, edhe histeria shpesh vetëm sa kompensojnë për inkompetencën mirëfilli politike të elitave që drejtojnë sot shtetin.

Për këto elita, edhe vetë qëndrimi moral artikulohet sipas kontekstit, ose në mënyrë pragmatike: kemi akuzat ndaj kundërshtarit, ku ky paraqitet si gënjeshtar, i korruptuar dhe mafioz; kemi përligjjet dhe apologjitë për veten, shpesh në kufi të megalomanisë; kemi pozat e dala boje të tipit “ne jemi në shërbimin tuaj,” dhe më në fund kemi imponimin brutal të parimit moral të luajalitetit (besnikërisë) brenda grupit – i cili është edhe varri i përfaqësimtarisë politike, edhe themeli i partitokracisë dhe i autoritarizmit të shefit.

Kjo e luajalitetit shërben madje si provë se etika, në vetvete, është tejet thjeshtëzuese për të shërbyer si strumbullar i sjelljes politike: çfarë të themi për një deputet, i cili kurrë nuk ngurron, kur i duhet të zgjedhë midis interesave të komunitetit që i dhënë votën dhe interesave të partisë së vet? Pa shtuar pastaj se virtytin e besnikërisë e gjen të kultivohet me kujdes të madh edhe brenda organizatave mafioze dhe të gjitha atyre grupeve të themeluara mbi nënshtrimin ndaj vullnetit dhe arbitraritetit të leader-it.

Shumëçka duket sikur provon se kushtetueshmëria nuk është veçse një gjethe fiku, për të mbuluar etjen për pushtet dhe legaliteti veçse një sistem për të seleksionuar shkelësit e ligjit; dhe se brenda kësaj hapësire politike çdo lloj etike dhe moraliteti nuk e kapërcejnë dot fazën primitive të moralizimit.

2 Komente

  1. Per mua e ke zgjidhur paradoksin me besnikerine.
    Diskursi qe quan moral ne mos moralizues, ka vetem paraqitjen te tille fale perdorimit te kategorive morale mire-keq. Por hiq tek-tuk ndonje te lodhur fare, askush nuk beson me tek politikanet si e mira publike, e mira e Shqiperise.
    Nqs fut konceptin e besnikerise, atehere leximi i se mires behet me i kuptueshem, sepse e mira eshte e besnikeve, dmth elektoratet perkatese nuk mund te presin veçse keq nqs fiton pala tjeter dhe kane hipotetikisht mundesine e se mires nqs tregohen besnike ndaj partive perkatese.
    Ata socialiste qe nuk fituar gje ne keto 4 vjet, kane mundesi qe ne katervjeçarin tjeter te perfitojne ndonje gje, sidomos ne perspektiven e nje qeverisjeje pa LSI-ne. Keshtu te lekundurit socialiste futen ne nje kurth arsyetimi, ku ruajtja e besnikerise se votes mund te paguaje mandatin tjeter.

    Cfare i duhet Rames eshte qe ai 41% i 2013 te ruhet, mos te rrjedhin vota e normalisht cdo i majte i partive te vogla te votoje per PS-ne tani qe pa koalicione vota e tyre iken dem. Pra kerkohet besnikeri ndaj te majtes, si e vetmja monedhe shkembimi per te miren e tyre, gjithnje potenciale.
    Natyrisht nje pritmeri e tille eshte me probabilitet shume te vogel perfitimi, po shqiptaret jane populli ku nje çdo dy kafene eshte edhe lloto sporti.

    Pra e mira ketu kryen nje funksion bastuni ne komunikimin teoriko-politik (se kembet e komunikimit kane merdhifur me kohe) dhe nje funksion kyç ne komunikimin praktik-politik, pasi e mira e majtistit eshte vetem PS-ja dhe qe te kete mundesi per te arritur kete te mire duhet te jete besnik ne vote ndaj te majtes me probabilitet pushteti PS-se.
    Nqs PS-ja arrin te mbaje elektoratin e 2013-s , nepermjet eliminimit te koalicioneve ka shance te kape si tha Rama 68-72 deputete.

    E njejta gje vlen edhe per Bashen, ketu kemi normalisht objektivin e 2009-s, rikthimin tek vota te te djathteve historike, normalisht kerkohet nje ”bese e re” me te larguarit e te lekundurit. Kjo ”bese e re” eshte ”Republika e re”. Po ashtu nepermjet lenies jashte koalicioneve te LSI-ja, shpresohet qe te djathtet qe jane larguar drejt saj ta kuptojne qe vetem besa e re eshte shpresa per pushtet.
    Nqs ekziston numerikisht hipoteza e PS-se pa LSI-ne eshte e pamundur hipoteza e nje PD-je ne pushtet pa LSI-ne. Kjo ia veshtireson diskursin e besnikerise me pedeistet e larguar drejt LSI-se.

    Besoj se gjasat e nje bojkoti konsistent jane shume te uleta dhe kjo lloj fushate eshte me e favorshme per PS-ne sesa PD-ne, e cila vertet u fut ne loje me daljen e LSI-ne me vete, por nuk ka mundesi te rimbledhe ish-djathtistet aq me teper kur ky spastrim i listave mund te sjelle edhe bojkotin e sejmeneve e çifçinjve te bejlereve te hequr.

  2. Paragrafi i fundit i shkrimit e permbledh bukur dhe sakte te gjithe situaten social-politike shqiptare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin