SA E VEÇANTË ËSHTË DIASPORA E RE SHQIPTARE?

Vetëm ne shqiptarëve si diasporë na shqetëson çështja e atdheut dhe përpihemi ngatërrueshëm në lidhjet me të? [i] Vallë a merakosen për këtë çështje si puna jonë suedezët, francezët, gjermanët, amerikanët e ikur nga vendi i vet? Duket sikur as që duan t’ia dinë. A presin vendet prej ku largohen emigrantët, aq shumë dhe aq intensivisht sa pret Shqipëria prej të vetëve? …Pse vetëm ne? – pak a shumë këto ishin pyetjet përsiatëse të një lexuesi e kolegu të mençur kur shkrova para ca kohësh “Bijtë e bijve të emigracionit”. Pastaj ai vetë pohonte sinqerisht se në të vërtetë kjo s’kish rëndësi, kur ishte e padiskutueshme se për ne të ikurit e viteve ’90 e më pas, nga dheu ku na ra koka, dhe fëmijët tanë, e në disa raste edhe fëmijët e fëmijëve tanë, Shqipëria mbetet e rëndësishme në shumë kuptime. Dhe Shqipëria, ajo jo-zyrtare, edhe për dekadat në vazhdim do jetë sy e veshë e zemër drejt nesh. Dhe ndoshta edhe më e spikatur (sido që jo kaq masive) ka qenë gjendja edhe për ata emigrantë që ikën në kohët kur kombi ynë ende nuk ekzistonte apo qe në fillesat e veta.

I] Një diasporë “ndryshe”?

Do kaloj shpejt mbi baza të dhënash anekdotale dhe eksperiencash leximi, pikërisht grupet apo vendet që përmenden në pyetjen e kolegut më lart: suedezët? Merakosen, po! Një mikesha ime suedeze që jeton në Londër mezi pret të shkojë sa më shpesh në vendin e vet, shumë prej grupeve të miqve i ka nga vendlindja, dhe ndjek nga afër çfarë ndodh atje. Komunitetet suedeze në Shtetet e Bashkuara, edhe brezat që, prej distancës kohore, pak dinë për gjuhën, historinë apo gjeografinë suedeze, kanë një diskurs të qartë të origjinës. Një kolege dhe gjithë familja e saj prej rreth 30 personash të brezit të tretë e të katërt në shtator shkuan në Suedi për një takim familjeje, dhe shkuan në fshatin nga ku u ishin shpërngulur gjyshërit. Nuk e kishin bërë më parë. Asnjëri s’kish qenë kurrë më parë në Suedi.

Një parisiane 55-vjeçare në qytetin tim, sido që ka 30 vjet që jeton këtu me burrin e vet amerikan, të dy vajzat i ka me familjet përkatëse të rivendosura në Paris, pa ndonjë nxitim që të rikthehen. Dhe gjithë jetën ka bërë së paku një vizitë në vit në Francë. Në po atë shteg, mënyra se si Franca trajton frankofoninë është vetëm një përpjekje për të krijuar artificialisht për çështje sferash influence ndërkombëtare “kushërinjtë e vet” të diasporës, edhe atje ku kushërinj nuk ka (një prirje që rritet e përforcohet nga të gjitha institucionet e propagandës dhe proselitizmit gjuhësor për gjuhë të ndryshme perëndimore përfshirë edhe gjermanishten, italishten, anglishten etj).

Amerikanët jetojnë si amerikanë kudo që janë në Europë, krijojnë komunitete të ngushta e aktive dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me Amerikën apo shtetin nga vijnë. Por kanë një vetëdije për origjinat që shpesh ne ua anashkalojmë, që mendoj se i ka rezistuar cliché-së sipërfaqësore të “melting pot”: im shoq thotë se është amerikan kelt, sido që familja e tij (linja themelore) ka ardhur në Amerikë nga Wales në 1600-ën. Diasporat gjermane, do thoja më fort se të tjerat, ende vazhdojnë të shfaqen të dukshme e krenare në shumë prej shteteve të Europës qendrore e lindore, pa përmendur komunitetet e shumta e të njohura në Amerikë (shpesh referuar edhe si folës të “Dutch”, por që në fakt do të thotë gjermanisht) e pa iu futur aktivizmit dhe politizimit të jashtëzakonshëm lidhur me ta gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe një shembull i fundit që na rri më afër ne shqiptarëve: diasporat italiane të hershme e të reja kudo në botë, janë të lidhura me një mijë fije me tokën kërthizë, ashtu si Italia me ta.

Këtu lart përzjeva me shpejtësi diaspora të qëmotit dhe më të reja, sepse doja veç të hidhja dritë rrufe mbi “anën tjetër”, që ne shpesh s’ia dalim ta shohim, por që një vëzhgim i thjeshtë ta paraqet dukshëm.  Në fakt ne jetojmë me iluzionin se të tjerët janë ndryshe në lidhjet e veta me të kaluarën. Ka një arsye reale historike ky iluzion, faktin që, në këtë çast, lidhje të tilla ne po i jetojmë teksa flasim, me një intensitet të jashtëzakonshëm, dhe në një kontekst të veçantë. Ky intensitet dhe veçanti e momentit, na zë sytë, na bën të homogjenizojmë artificialisht çka është jashtë nesh dhe të mos kapim thelbin e njëjtë apo dinamikat historike të përbashkëta me realitetet e variueshme të së tjerëve.

Diasporat jetojnë në kohë, vende e dimensione shumë-planëshe, në shtresa, në lëvizje, ikin e vijnë, dhe shuhen shumë ngadalë. Natyrën komplekse të diasporave (asaj shqiptare në veçanti) dhe të qenët e saj prodhim shoqëror thellësisht rrethanor e historik, e kam diskutuar gjerë e gjatë në një artikull për Revistën Përpjekja 26-27[ii] me temë “Mërgimi shqiptar pas vitit 1990”. Përmbledhja sjell edhe mjaft këndvështrime nga studiues e poetë mbi të njëjtën temë. Në një tjetër shkrim timin më të hershëm, të 2003-shit[iii], sqaroj tiparet themelore që normalisht kushtëzojnë të qenët diasporë, si: të qenët grup jo-autokton në hapësirën ku ekziston, të qenët e qëndrueshme, të qenët minoritet në raport me grupin vendas që e rrethon, të qenët vullnetare në lëvizjen e kryer[iv], dhe të ruajturit (a të zhvilluarit) e disa karakteristikave origjinale që sjell me vete e që shndërrohen në simbole identifikimi. Pa dyshim që në këtë kuptim ne jemi po aq të normalizuar e të zakonshëm si diasporë, sa edhe çdo grup tjetër nëpër botë. Por ky është veç një vështrim i përgjithshëm dhe nga larg i dukurisë. Dua të kthehem në çështjen parësore të shkrimit: a ka gjë të veçantë diaspora e sotme shqiptare në lidhjen me Shqipërinë, në vetëperceptim dhe në të perceptuarin nga vendi amë, çka do e bënte atë të ndryshme nga grupe ikur, të themi, nga Franca, Gjermania apo Suedia? Përgjigja ime është “po”, një po me përmbajtje thellësisht lokale dhe historike që po e shpjegoj shkurtimisht.

II] Ku qëndron veçantia jonë?

  1. Pjesa më e spikatur në identitet – Brezi e parë i atyre që emigruan pas 90-ës dhe që u nguluan nëpër botë, vazhdojnë në tërësi të jenë thellësisht shqiptarë. Pavarësisht nga sa mirë janë integruar ose jo, ata identifikohen më rehat dhe më natyrshëm pas të qenit shqiptar sesa të qenit “grua”, “hidraulik”, “gazetar”, “mjek”, “homoseksual”, “newyorkez”, “durrsak”, “republikan”, etj. Shqiptarësia përbën pjesën më të mprehtë, më të dukshme, më qenësore e më të vetëdijshme në identitetin e tyre. Arsye për këtë ndjesi të fortë është një ikje jo edhe aq “vullnetare” sa ikjet normale të diasporave, ikje që ngjante më shumë me arratinë dhe me instinktin e shpëtimit drejt një toke të idealizuar pa material shqisor apo intelektual, në kushte mungese buke dhe lirie, një ikje drejt së panjohurës, ballafaqimi me situata të papritura e shpesh të pakëndshme në zbritjen në tokën e re, lidhjet e forta familjare si edhe fisnore e patriarkale me grupet nga ku u shkëputën të papërgatitur, mungesa e diasporës pararendëse kolektivisht të kujtueshme, qenia pa vazhdë eksperience, pa mjete zyrtare a psikologjike që ta lehtësojnë rënien e lirë drejt tokës ku shkon. Të gjitha këto, si edhe mungesa e një identiteti pjesëmarrës publik paralel me atë të shqiptarësisë që para se të linin Shqipërinë, për shumicën e emigrantëve mund të jenë disa shkaqe. Pas ikjes, kaviteti i parapërgatitur i shqiptarisë, herë i abuzuar nga strukturat e hershme patriotike komuniste, herë i boshatisur nga problemet e rrugëtimit, herë i ekzagjeruar nga nevojat për dinjitet e rehat të unit të përndjekur nga vështirësitë, mbushet dhe kompensohet duke i dhënë edhe më shumë vend rivlerësimit të shenjës “shqiptar” në identitet, vlerë që rritet ende sot, pas 26 vjetësh e pas shumë suksesesh materiale e përqafimesh me identitete të reja në Tokën e Re. Nuk kam dyshim që rikrijimi shoqëror i kësaj praktike ka bazë psikologjike dhe shpreh edhe rezistencë ndaj çfarë nuk pëlqehet, transformim traumash dhe racionalizim dhimbjesh.
  2. Afërsia në kohë – Shqipëria për të gjithë këtë grup të ikur pas 90-ës, është e gjallë diku dhe lidhjet me të sot janë të përditshme, sepse aty shpesh kanë ende (ose kanë pasur deri dje) njerëzit më të afërt të familjes, një pjesë të mirë të jetës së vet, asaj jete kur ishin fëmijë, kur kishin krijuar familje të reja, kur hallet e pleqërisë nuk kishin nisur aq fort e që kujtohet gjithnjë me mall, sepse aty kanë miq e shokë që janë ende aty fizikisht ose si kujtime. Politika, ekonomia, arti e kultura, shkollimi, përmbytjet, temperaturat, zhvillimet gjuhësore në Shqipëri, sjellin ndjesi të drejtpërdrejta (e të shumëfishuara) ndër të ikurit.
  3. Masa e grupit – Grupi i të ikurve nga Shqipëria (që për fat të keq është një rrjedhë në vazhdim) nuk është i vogël, por gjysma e së gjithës. Pesha e grupit të ikur është me pasoja vepruese, dhe bën që sensi për ekzistencën e grupit dhe fuqinë e tij të jetë i fortë si vetëperceptim dhe si perceptim nga toka amë. Për këtë shkrim pyeta amerikanë të rastësishëm përreth se sa amerikanë të tjerë njohin që kanë emigruar: asnjë për be! Provo të gjesh një shqiptar të vetëm që nuk ka dhjetëra e qindra njerëz “shumë të njohur” që janë jashtë tani.
  4. Varfëria e thellë – Varësitë e ngushta mes diasporës së re dhe atyre që qëndruan apo mbetën në Shqipëri janë të tilla edhe pse të tilla qenë pa nisur mërgimi, dhe në shumicën e rasteve vazhdojnë të jenë në tokën amë. Njësitë familjare dhe lidhjet farefisnore apo miqësore të dikurshme ishin të gjitha të formësuara nga varfëria e thellë e shqiptarëve që i kish intensifikuar e bërë shumë komplekse lidhjet apo ndërvarësitë mes tyre. Kjo kulturë jetese u mor me vete nga diaspora, dhe jetoi për shumë kohë në formën e prurjeve të vazhdueshme në kapital financiar, mallra dhe ndihmesa ndërhyrëse. Sot ka plot shqiptarë brenda Shqipërie që janë pasuruar, por numri i tyre është i pallogaritshëm në raport me masën dërrmuese të popullsisë që jeton në varfëri e pa ide si i bëhet nesër. Prurjet materiale nga emigracioni kanë rënë, por gjithsesi vazhdojnë, dhe vazhdon sidomos kultura e lidhjeve tipike mes pjesëtarëve të komuniteteve që kanë nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit.
  5. Ndryshimi i shpejtë cilësor i të ikurve dhe rritja e hendekut – Diaspora e sotme është rritur shpejt dhe e ka bazuar rritjen e vet në edukim dhe punë intensive e të ndershme.[v] Tamam dy drejtime që i mungojnë thellësisht zhvillimeve të këtij çerek-shekulli në tokën amë ku brezi i ri noton në det universitetesh por nuk mund të edukohet, dhe ku politika, ekonomia e kultura rriten për inerci, për sy e faqe ose në terren thellësisht korruptiv; jo mbi baza merite profesionale. Shqipërisë i mungojnë pikërisht eksperti, burokrati i mirë, punëtori i ndershëm. Ne na kanë munguar kanalet institucionale që këto lidhje të kryheshin natyrshëm, por ndjesia e hendekut të madh, dhe nevoja për to është e qartë si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërie. Pritmëritë nga popullsia amë për të kthyer në vendlindje njohje, dashuri, parà, ndershmëri, rezistencë ndaj ryshfetit e korrupsionit, leadership ekonomik e politik, kapital çfarëdollojësh, po aq sa vetë-pritmëritë e të ikurve për të “larë një borxh” a për të kryer një akt mirënjohjeje apo një akt avancimi profesional në terren të favorshëm e të pazënë, janë të mëdha e në rritje; janë të pakrahasueshme, për vetë pakrahasueshmërinë në kërkesë dhe ofertë, me ato të një suedezi të ikur nga Suedia apo një gjermani të ikur nga Gjermania.
  6. Frika e shkëputjes së Madhe – Edhe kur të edukuar apo të ndikuar nga shoqëritë ku emancipimi dhe individualizmi zor të ndahen, jeta me ritme të ngadalshme dhe primitive e çuar dikur në Shqipëri, me ditë e net njëlloj, me njerëz që lindnin e vdisnin në të njëjtën lagje dhe sa herë i doje (apo nuk i doje) i kishe përreth, me punë monotone, të shkurtra e të sigurta që s’të linin të vdisje urie, me një lloj besimi tradicional tek fjala, tek mbështetja e tjetrit, mbetet pjesë e fortë e të ndjerit shqiptar sot, edhe kur personat kanë forcë t’ia shohin anën e keqe e ta kritikojnë. Është kjo një ndër udhët kryesore që ndjek “malli” i emigrantit.  Por Shqipëria ndryshon shumë shpejt, shpesh jo sa e si duan ata që ikën. Ka një lloj frike herë të drejtë e të përgjegjshme, herë egoiste tek emigranti që të mos e lerë lëvizjen pa kontroll të vendit që e quan të vetin po aq sa edhe vendin e ri. Ndoshta, më shumë! Kjo frikë e çon edhe më me forcë drejt mëtimit e rimëtimit të vendit të vet dhe të së shkuarës. Francezit që ikën sot nga Lille e Francës se gjen punë në Oakland të Kalifornisë, sigurisht që i ndryshojnë plot rrethana, por më sipërfaqësore se ato të shqiptarit të ikur. E sidomos, pak i ndryshon Lille e origjinës, ose së paku me një shpejtësi shumë të vogël, thuajse të padukshme.

III] Përfundime

Nëse do bënim një kërkim të shpejtë të grupeve të diasporës nga çfarëdo cepi në botë, që ndajnë karakteristika të ngjashme me tonat, do garantoja falë logjikës historike ekonomike e kulturore të sjelljes njerëzore, që edhe për ta lidhjet e dyanshme me qendrën janë ashtu si për ne, shpesh emocionalisht e simbolikisht të çartura apo të dala jashtë kornizave te sjelljes së arsyeshme, lidhje që shprehin mungesë, më shumë se prani.

Ky brez gjigant që priu diasporën tonë të re, natyrshëm, i përcjell këto veçanti të vetat në brezin e fëmijëve të vet dhe në atë që ndjek, ndaj edhe një-ngjyrëson me shënjuesin e shqiptarësisë së fortë gjithë “diasporën e sotme” shqiptare. Por ato vijnë e zbehen si për këdo. Janë po këto tipare që analizova më lart, ndoshta edhe më të spikatura në drejtime të caktuara, që e kanë bërë diasporën e vjetër shqiptare të ishte në fillim të shekullit XX zemra dhe udhërrëfyesja e krijimit të kombit dhe e modernizimit të tij, apo atë greke të ishte krijuesja e Greqisë.

Unë besoj se Shqipëria është dyqendërshe sot dhe nuk është detyrimisht ajo gjeografikja dhe shtetërorja qendra, siç mund të themi se ishte në 10-vjeçarin e parë të emigracionit. Diaspora e re nuk paraqet qendrorësi institucionale, por është në fakt, sot për sot, qendra në rritje për nga fuqia dhe rrezatimi. Tirana ndjek. Qendrorësia e Tiranës është më e lehtë të shihet, sepse ka njësim e masë të vogël hapësinore dhe pajisje institucionale. Ndërsa diaspora është një qendër “shumëqendrore” e shqiptarësisë. Nuk dihet si do jetë nesër, por logjika e do që këtë rol ta marrë Tirana. Veçse Tirana në gjendjen e varfërisë dhe korrupsionit të sotëm nuk e luan dot këtë rol, se diaspora nuk e njeh në gjendjen që ajo ka. Ndaj edhe njësimi i diasporës dhe shqiptarëve të Shqipërisë nën një çati politike, nuk mund të ndodhë shpejt. Dhe nëse Shqipëria ndryshon me kohë, emigracioni do ketë humbur shqiptarësinë e fortë që sot ka. Diaspora ndihet afër Shqipërisë për gjithë arsyet që thashë më lart, por ajo nuk i njeh qendrorësi institucionale Shqipërisë. Afërsia është identitare, private, individuale e kolektive, por jo institucionale e politike. Duket se këto cilësi diaspora jonë do i ketë edhe për disa dekada në vazhdim. Edhe shumë hebrenj nëpër botë pak vlera e qendrorësi i njohin Izraelit, por ata kanë ekzistuar si diasporë shumë më parë se shteti i tyre të krijohej. Diaspora e tyre është e fuqishme jo se ndan një gjuhë, por sepse bazohet në një kulturë, fe e traditë më jetëgjatë se koha vetë, një kujtesë kolektive bazuar në shkrim, aq të vjetër sa krijimi. Ndërsa ne na mbledh bashkë veç gjuha; vetëm atë kemi. Pa qendër, të paktë në numër dhe të shpërndarë si jemi, nuk do ia dalim “të jemi” me këtë “veçantinë tonë” trajtuar në shkrim, po s’ruajtëm shqipen. Kujtesa e kulturës, dashurive, njohjes dhe traditave tona do jenë gjallë, aq sa të flasim shqip. Pas asaj pike do bëhemi si gjithë të tjerët, do kujtojmë, do përdëllehemi ndonjëherë, një herë në jetët tona do vizitojmë Mekën tonë, Tiranën, e do themi se dikur diku na ishte një herë… Dhe ndoshta, edhe ashtu s’do ketë asgjë të keqe.


[i] U lutem lexuesve të mos kërkojnë në këtë shkrim përgjigje për zellin e fanatizmin nacionalist shpesh të ndërthurur me etnicizëm e racizëm të hasur në ideologjitë pas-socialiste në Shqipëri e mes emigracionit tonë. Këtu diskutoj vetëm çështjen që përcaktoj në paragrafin e parë të shkrimit. Megjithatë, nuk përjashtoj që ky zell i shkaktuar nga komplekse dhe padrejtësi historike dhe nga mungesa e një kulture vetëpërgjegjësimi dhe reflektimi, të mund të jetë një faktor i shtatë, ai i paanalizuar ende në shkrim.

[ii] Revista Përpjekja Nr. 26-27, “Mërgimi shqiptar pas vitit 1990” Tiranë, 2011.

[iii] “New Albanian immigrants in the old Albanian diaspora” në “Journal of Ethnic and Migration Studies”, 2003, V. 29, Nr 6. (f. 1015-1033)

[iv] Në këtë pikë ka vend për diskutim në nuancat që ndajnë “exile” dhe “migration”, por kjo nuk është çështje e këtij shkrimi.

[v] Nuk ka dyshim që procesi i rritjes ka prodhuar edhe llum dhe kriminalitet, por në lartësinë e 26 vjetëve kjo nuk është themelorja.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin