DIGITALBANICA

Herë pas here kërkohet publikisht që libri shqip të promovohet edhe në formatin elektronik, edhe pse deri më tash ka pasur rezistencë – të mirëkuptueshme – nga ana e botuesve, për arsye të copyright-it. Sfida është më shumë teknologjike dhe juridike, se kulturore, edhe pse shumë lexues në Shqipëri nuk “e quajnë” si të mirëfilltë leximin në ekran. E megjithatë, platforma dixhitale për librin nuk mund të shmanget duke e shpërfillur, herët a vonë do të arrijë; dhe në këtë rast është mirë që të zgjidhet një platformë sa më e kolauduar, e sigurt, e thjeshtë për t’u përdorur, lehtësisht e enkriptueshme dhe po aq lehtësisht e adaptueshme, çfarë nuk mund ta bëjnë dot vetë as botuesit, as librashitësit. Sa kohë që çështja e copyright-it është larg zgjidhjes edhe juridike edhe praktike, mund të fillohet me botimin dhe promovimin e të gjitha atyre teksteve që nuk mbrohen me të drejta autori, për shembull veprave të letërsisë së traditës, dokumenteve historike dhe kështu me radhë. Punë e bukur është bërë me disa revista dhe botime të tjera nga Biblioteka Kombëtare, edhe pse sajti i tyre është primitiv ndërsa serveri i ngadalshëm, dhe formati PDF nuk është më i volitshmi për t’u përdorur nga studiuesit dhe të interesuarit e tjerë; dhe botimet origjinale të riprodhuara vizualisht duhen shoqëruar me botime kritike, të paktën me alfabet të përditësuar. Përndryshe, botime të tjera të ngjashme të nivelit amatorial, të përgatitura nga dashamirës, nuk është se mungojnë poshtë e lart në ueb; por ato janë praktikisht të pavlefshme për studiuesit, madje edhe për shkollat, për shkak se përmbajnë gabime gjithfarësh. Në këto rrethana besoj se mund të nxiten dhe të angazhohen për t’i përgatitur të gjitha këto tekste studentët e degëve të mësuesisë për gjuhë-letërsi, histori etj. të universiteteve publike dhe private, madje edhe t’u lejohet në mos t’u kërkohet që të mbrojnë diplomat me tekste të gatshme për dixhitalizim të përgatitura në mënyrë kompetente ose pa gabime, në bazë të botimeve kritike të cilat nuk është se mungojnë; çfarë do t’i vlente më shumë kulturës dhe atyre vetë, se punime diplomash rutinë, të cilat nuk do t’i lexojë askush më. Ashtu mund t’i hapej rruga edhe botimit të teksteve gjuhësisht dhe tipografikisht më komplekse, si ato të autorëve të vjetër të Veriut, autorëve të letërsisë arbëreshe në bashkëpunim me Katedrat e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Universiteteve në Itali të cilat kanë avancuar mjaft në këtë fushë, por edhe autorëve të letërsisë shqipe me alfabet arab (tekste të transliteruara dhe origjinale); si dhe, nga ana tjetër, të materialeve me natyrë folklorike, që nga Eposi i Veriut te Përrallat Popullore. Biblioteka kombëtare në Tiranë mund ta konsolidonte kështu një fond sa më të plotë të shqipes së shkruar të traditës, të një formati teknologjikisht modern dhe lehtësisht të përdorshëm jo vetëm nga studiuesit dhe studentët, por edhe nga të gjithë lexuesit e interesuar; dhe sidomos, me materiale të shkarkueshme. Idealisht, e gjithë letërsia shqipe e traditës duhej të vihej falas në dispozicion në linjë, në format të kërkueshëm dhe në botime së paku të transliteruara: materiali është relativisht i pakët, por vlera e tij për kulturën tonë e paçmuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin