KONTEKSTE

Ka qenë orientim madhor i politikës kulturore të qeverisë së shkuar në Tiranë, dhe gjasat janë që të mbetet ashtu edhe pas këtyre zgjedhjeve, që arti dhe letërsia bashkëkohore shqipe të promovohen në skenën ndërkombëtare – me anë ekspozitash, turnesh, përkthimesh, pjesëmarrjesh në festivale dhe formash të ngjashme.

Aq e vërtetë është kjo, sa publiku jo rrallë ka krijuar bindjen se vlerën e vërtetë të një vepre e tregon miratimi ose, më mirë akoma, suksesi i saj jashtë Shqipërisë, mundësisht në Perëndim; një automatizëm ky që do t’i shkonte më shumë pjesëmarrjes së një ekipi futbolli shqiptar në Champions League, por jo krijimtarisë letrare dhe artistike. E megjithatë, edhe vetë krijuesit, shkrimtarë dhe artistë dhe regjisorë, këmbëngulin për të arritur “fitore” ndërkombëtare, dhe jo gjithnjë, madje shpesh jo për arsye financiare.

Disa vepra eksportohen më lehtë se disa të tjera: letërsia duhet përkthyer, ndërsa muzika instrumentale jo; e megjithatë, çdo vepër merr jetë në një kontekst artistik dhe social të vetin, i cili shpesh përkon me komunitetin ku është përftuar dhe jeton autori. Edhe një vepër muzikore i referohet një tradite dhe inercie të caktuar dhe një marrëdhënieje specifike me çfarë i ka paraprirë dhe me çfarë e shoqëron; filmi artistik shpesh merr jetë edhe nga raporti që vendos me realitetin përkatës jashtë filmit, të cilin realitet publiku i huaj si rregull nuk e njeh; një pjesë teatrale në gjuhë të huaj përjetohet ndryshe nga publiku që nuk e di gjuhën, e kështu me radhë; në kuptimin që familjariteti brenda Shqipërisë përthyhet si tëhuajzim (estrangement) jashtë Shqipërisë, dhe efektet subversive ose provokuese të një vepre ndaj publikut “nativ” degjenerojnë në efekte ekzotifikuese.

Për këtë arsye, ose më mirë edhe për këtë arsye, është mirë që arti të eksportohet së bashku me të paktën një pjesë të kontekstit, për t’u siguruar se çfarë po gjen atje publiku i huaj e ruan ndonjëfarë ngjashmërie me çfarë pat gjetur publiku vendës i së njëjtës vepër. Kështu, një roman i përkthyer anembanë botës, si Lehtësia e papërballueshme e qenies, i M. Kunderës, kërkon nga lexuesi disa njohuri jo thjesht për kampin socialist, Pranverën e Pragës, jetën nën një regjim totalitar të majtë, antikonformizmin dhe/ose konformimin e intelektualit ndaj këtij regjimi, por edhe për historinë e Europës Lindore gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX; pa folur për rrymat e nëndheshme të Mittel-Europës që e përshkojnë tekstin, duke e përfshirë në një gjeografi kulturore tjetër nga ajo e Traktatit të Varshavës dhe e yllit udhërrëfyes të Moskës.

Kanë thënë, për Procesin e Kafkës, se është lexuar në Lindje si një roman alegorik kundër terrorit totalitar – por ky lexim, ndoshta i sugjeruar nga vepra, me siguri nuk ka qenë në mendjen e autorit të romanit; për të njëjtën arsye, mund të pyetet spekulativisht se si do të lexohej, në Arabinë Saudite sot, një roman si Pallati i ëndrrave, i I. Kadaresë; veçanërisht po të mbahet në mendje se për më shumë se një brez lexuesish të rinj në Shqipërinë e viteve 1960-1970, ka qenë e mundur që Ditari i Ana Frankut të lexohej jashtë çdo reference ndaj anti-semitizmit nazist.

Dhe meqë përmend I. Kadareja, autori shqiptar më i sukssesshëm i të gjitha kohërave në Perëndim, ia vlen ndoshta të krahasohet pritja që iu bë nga publiku dhe kritika në Francë romanit të tij të parë të përkthyer në frëngjisht, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, me pritjen që i ishte rezervuar romanit nga publiku dhe kritika në Shqipëri. Le të kemi parasysh se çdo lexues i afrohet veprës me mjetet që ka, pa çka se edhe vepra vetë e modifikon lexuesin në mënyrë të tillë, që t’i “jepet” atij më efektshëm. Në çdo rast, në Francë Gjenerali ishte një vepër e një letërsie praktikisht të panjohur, me të vetmet referenca kulturore ato të Luftës së Ftohtë dhe të Luftës II Botërore; dhe bisedat aq karakteristike, në roman, midis gjeneralit dhe priftit krijonin një kontekst leximi të pafajshëm, me gjithë informacionin për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përkundrazi, lexuesi në Shqipëri ishte i nginjur me informacion për Luftën II Botërore, Luftën Na-Çl dhe pushtuesit italianë, jo vetëm nga versioni zyrtar i historisë që përpunohej në ofiçinat ideologjike të regjimit, por edhe nga vetë letërsia shqipe e Realizmit Socialist; nëse Gjenerali u përshëndet, kjo ndodhi për shkak se ofroi mundësinë e një leximi të kithët të asaj historie, nga perspektiva e humbësve; por edhe nën një lente zmadhuese që përftonte mite, mistifikime dhe ekzotifikim. Vetë udhëtimi nëpër Shqipëri i këtij çifti të çuditshëm dhe llafazan ishte diçka e jashtëzakonshme për lexuesin shqiptar, që në vitet autarkike 1960 nuk ish mësuar të shihte të huaj përreth dhe aq më pak të ndërvepronte me ta; në një kohë që për lexuesin francez misioni i gjeneralit dhe i priftit do të jetë interpretuar, para së gjithash, si burokratik.

E kështu me radhë. I përkthyer shkëlqyeshëm nga I. Vrioni, ky roman i Kadaresë do të bënte një jetë të vetën në duart e publikut Perëndimor, aq sa t’i japë gjasë hipotezës për dy vepra të ngjashme, por të ndryshme. Fati dhe merita e Gjeneralit ishte që arriti të krijojë një kontekst të vetin edhe pasi u përkthye, ose në duart e një publiku tjetër; gjë që nuk duhet menduar se ndodh automatikisht dhe as se varet krejt nga fibra artistike e origjinalit. Aq më tepër që suksesi i romanit në Francë erdhi dhe u pasyrua pastaj, në mënyrë pak paradoksale, te gradimi i statusit të këtij romani në Shqipëri dhe përfshirja e tij në programet shkollore, ose shndërrimi i tij në pjesë të kanonit.

E njëjta vështirësi kontekstuale shfaqet edhe me vepra nga arte të tjera, të tilla si vizatimet e Edi Ramës, që kohët e fundit janë ekspozuar në galeri të kalibrit më të lartë botëror dhe kanë marrë pjesë në evente të tilla si Bienalja e Venezia-s. Kur iu dhanë publikut fillimisht, këto vepra u vlerësuan jo aq për cilësinë “piktorike” ose “vizuale”, sesa si gjurmët koloristike të një artisti të frustruar prej burokracisë; meqë autori i kish ekzekutuar vizatimet mbi dokumente zyrtare të Bashkisë së Tiranës, kur kur punonte atje si kryebashkiak; dhe, siç e kish pohuar edhe vetë, në intervista që erdhën dhe u bënë pjesë e kontekstit të atyre veprave, i kish krijuar veprat e veta gjatë kohës që ushtronte detyrën e vet në krye të pushtetit lokal. Ishte kjo përplasje mes artit dhe burokracisë, individualitetit dhe rutinës, që ua shtonte vlerën vizatimeve.

Përkundrazi, në sytë e publikut në Perëndim, raporti mes vizatimit tip “doodle” dhe dokumentit zyrtar me “uniformë” përçudnohet, sa kohë që vizitori i galerisë prestigjioze në New York ose në Venezia, edhe kur mëson se veprat janë ekzekutuar mbi dokumente zyrtare, nuk e kap dot vetvetiu natyrën e këtyre dokumenteve dhe ndërveprimin e tyre me njollën koloristike, sikurse nuk e përjeton konfliktin midis diskursit burokratik dhe lirisë të arritur nëpërmjet lirisë së linjës dhe shpërthimit kombinativ të ngjyrave. Ndoshta për këtë arsye, këto dy vjetët e fundit ka pasur një lëvizje drejt ornamentalizimit të vizatimeve vetë, të cilat janë përdorur më parë si letër muri dhe më pas në etiketa verërash, logo trastash prej kartoni ose operacione të ngjashme “branding”-u. Kësisoj, vepra arti tejet context-dependent janë nxjerrë nga konteksti, kryesisht për hir të marketing-ut.

Rreziqet e operacioneve të tilla lidhen edhe me çfarë kërkon pikërisht të arrijë autori duke ia dhënë veprën e vet një publiku tjetër – meqë këtu thjesht “suksesi” nuk mjafton: faktorët që hyjnë në veprim janë kaq të shumtë dhe të pakontrollueshëm, sa edhe vetë suksesi do të vijë si rezultat i një balancimi të detyruar. Shto këtu edhe ndërhyrjen ndonjëherë me dorë të rëndë të institucioneve shtetërore të Tiranës në promovimin e këtyre “ambasadorëve” të kulturës shqiptare, për t’u bindur se autorët vetë vihen përpara dilemës, nëse do të pranojnë që veprat e tyre të përfundojnë të përdorura politikisht, ose për të promovuar “brandin” kombëtar. Në rastin e vizatimeve të Ramës, kjo ndoshta nuk vlen; përveçse po të mbahet parasysh që autori i tyre rregullisht i prezantohet publikut si kryeministri i Shqipërisë; dhe një kryeministër i një vendi të vogël që gjen kohë të merret edhe me “pikturë”, përtej krahasimeve politikisht jokorrekte, do të këqyret nga publiku perëndimor si një lloj kurioziteti, ose edhe ai vetë si një mishërim shëtitës i një performance art-i të pazakontë.

7 Komente

  1. Lexova dikur një shkrim të një akademikeje kanadeze Michelle LeBaron, që fliste për ndikimin që kishte niveli i kontekstit në komunikimin e përditshëm. Ishte më shumë një shkrim mbi ndikimin që ka mënyra e të komunikuarit në marrëdhëniet sociale që ndërtohen. Sipas saj, ka një dallim të rëndësishëm, me pasoja sociale, midis vendeve të Lindjes dhe atyre të Perëndimit dhe ky dallim është niveli i kontekstit që përdoret në komunikim. Vendet e Lindjes përdorin më shumë kontekst në komunikimin e tyre të përditshem (ajo e quan high-context communication) ndërkohë që të Perëndimit më pak (low context). Sapo lexova shkrimin tuaj më erdhi ndërmend, dhe deri diku më duket një vëzhgim i saktë sado që patjetër ka përjashtime dhe një ndarje arbitrare nuk mund të bëhet. Sa më shumë drejt Lindjes të shkohet aq më i thellë bëhet hendeku midis niveleve të kontekstit. Prsh. në Shqipëri është një shprehje “humor kinez” që zakonisht thuhet për një shaka që është shumë formale ose kontekstuale dhe jo për të qeshur.

    Tëhuajzimi që vuajnë veprat shqiptare (dhe ato lindore në përgjithësi) në skenën Perëndimore, të cilën ju ia faturoni deri diku mungesës së kontekstit, nuk i ndodh vetëm veprave por edhe njerëzve për të njejtën arsye. Është e ditur vështirësia që kanë në komunikim, që sjell edhe vështirësi në integrim, emigrantët lindor në vendet e Perëndimit. Nuk ka vetëm barriera gjuhësore por edhe të mënyrës së të komunikuarit, thënë më saktë të nivelit të kontekstit që përdoret në komunikim. Si i lindur e rritur ne Shqipëri që tani jeton në Kanada mund të them se këtë hendek kontekstual e kam dalluar. Disa shembuj fjalish në shqip: “Hë më, ca bërë për atë muhabetin?” (duke iu referuar një dickaje që është folur dikur), “Si ia kalove atje, mirë?” (kur dikush kthehet nga pushimet). Të parën nuk e përkthen dot me sens në anglisht pa ditur për cfarë “muhabeti” bëhet fjalë. Një përkthim “What did you do about that thing you told me” duket si një fjali filmash aksion kur bëhet fjalë për marrëveshje droge. Ndërsa e dyta do ishte “How was your vacation?” ose “Did you have fun in Cuba?” duke e specifikuar ku dhe cfare “atje” është. Një tjetër shembull është gjuha kineze, në të cilën koha e foljes nuk ndryshon, dhe koha e veprimit mund të kuptohet vetëm nga vazhdimi i fjalisë ose nga nënteksti. Është pikërisht kjo që e bën gjuhën kineze shumë kriptike dhe krijon vështiërësitë më të mëdha të komunikimit të kinezve në Perëndim.

    LeBaron këtë hendek e shpjegon duke bërë një dallim tjetër në komunikim në të cilin prapë mund të shihet një ndryshim nga Lindja në Perëndim. Sipas saj komunikimi mund të jetë “individualist” ose “komunitar”. Në vendet e lindjes, thotë ajo, vihet re një karakter shumë më komunitar i komunikimit, që do të thotë që njerëzit në Lindje nuk identifikohen si vetvetja kur komunikojnë, por si vetvetja parë si pjesë e komunitetit nga ku vijnë ose ku bëjnë pjesë. Ajo vazhdon më tutje duke justifikuar se karakteri high-context i komunikimit vjen si përpjekje për të ruajtur këto komunitete, këto marrëdhënie me të cilat identifikojnë vetveten, nga të tjerët. Më erdhi ndërmend një rresht nga një film: “I am Marko from Tropoja”. Në anën tjetër në Perëndim shihet një karakter më individualist, ku njerëzit komunikojnë si vetja e tyre, ndarë nga rrethet shoqërore në të cilat bëjnë pjesë, kjo i bënë të jenë më të hapur e të komunikojnë me më pak kontekst. Jam i mendimit se mungesa e kontekstit që vendet perëndimore kanë kur lexojnë një libër shqiptar (ose lindor në përgjithësi) shkon përtej prizmit artistik ose kulturor dhe ka të bëjë pikërisht me një hendek të përgjithshëm në komunikim.

    1. Me shume sesa çeshtje gjuhe apo kontekstesh gjuhesore, eshte pune kontekstesh jashtegjuhesore, kulturore dhe mjedisore. Problemet ne komunikim rrjedhin nga dallimet botekuptimore qe kane folesit qe vijne nga kultura te ndryshme, pavaresisht nga gjuha qe perdorin per te komunikuar mes tyre. Ne nivel tekstesh, veprash te shkruara, si ato te Kadarese qe ben objekt autori, luan rol edhe parametri “kohe”. Ndryshe e kane lexuar Danten ose Shekspirin bashkekohesit e tyre italiane apo angleze, ndryshe i lexojne italianet dhe anglezet e sotem. Ndryshe e kemi lexuar ne Kadarene kur ishim gjimnaziste, ndryshe e lexojne gjimnazistet e sotem. Madje edhe une vete, ndryshe e kam lexuar kur kam qene i ri e ndryshe e lexoj sot te njejten veper. Teksti eshte po ai, ajo qe ka ndryshuar nderkohe eshte botekuptimi dhe mjedisi kulturor i lexuesit.

      1. Disa vepra janë më të varura nga konteksti se disa të tjera; disa vepra e sjellin kontekstin me vete, të tjera kanë nevojë për bashkëpunim intensiv nga lexuesi. Për shembull, një roman mjaft i lexuar në Shqipëri në vitet 1970-1980 ka qenë “Ishulli i pinguinëve”, i Anatole France-it: pa çka se romani rimerr, në formë parodike dhe satirike, çështjen Dreyfus, e cila njihej fare pak nga lexuesi tipik shqiptar i asaj kohe. Megjithatë, kjo nuk e pengoi romanin që të lexohej dhe të pëlqehej – por në një mënyrë që do të largohej nga “intentio operis” dhe konteksti i Francës së cilës i referohej autori. Po ashtu, një tjetër roman super i suksesshëm, si “Tre shokë” i Remarque-ut, u lexua jashtë kontekstit të Republikës së Weimar-it dhe të fillimeve të nazizmit në Gjermani, kryesisht ngaqë lexuesi në Shqipëri nuk i kish njohuritë e duhura për t’ia dhënë këtë kontekst. Në të njëjtën mënyrë, shumë proza të I.Kadaresë me temë fanta-historike janë konstruksione herë alegorike, herë parodike, ku preokupimet metafizike të autorit marrin trajtë rrëfimesh historike; mirëpo kur romane të tilla përkthehen dhe lexohen në Perëndim, shpesh lexuesi i merr si kontekst të historisë së shqiptarëve, ose të Perandorisë Osmane. Romani “Kështjella” ka edhe strukturën e një romani historik “klasik”, e megjithatë nuk i përket zhanrit letrar historik; ose i përket po aq sa, të themi, “Emri i trëndafilit” i Eco-s. Nga ana tjetër, disa vepra të letërsisë së shekullit XIX janë më pak të varura nga konteksti jashtë-letrar, meqë i japin kohë lexuesit që të natyralizohet me kontekstin brenda veprës, gati-gati duke e “trajnuar” – për shembull “Katedralja e Parisit” ose edhe “Të mjerët” e Hugo-it; ose “Lufta dhe paqja” e Tolstoit. E njëjta gjë vlen edhe për arte të tjera: simfonia V e Beethoven-it është më pak e varur nga konteksti se, të themi, simfonia V e Mahler-it; dhe pikturat e Caravaggio-s ose të Rembrandt-it janë më “të hapura” ndaj publikut se veprat e ekspresionizmit abstrakt. Për t’u kthyer te letërsia, botuesit e përkthimeve janë të vetëdijshëm për këto “humbje” të kontekstit, të cilat i kompensojnë – ose të paktën rreken t’i kompensojnë – me parathënie të fuqishme: po kush i lexon parathëniet?

  2. Besoj se rrjedhja e kontekstit eshte nje normalitet qe buron prej faktit qe njerezit jane me te interesuar per universalen e vepres sesa per partikularen, dmth partikularja zhvishet prej kontekstit qe te dale universalja, nqs ekziston. Kadareja ne shume vepra , Keshtjella qe u permend, ate nis e ben vete, ndihmon lexuesin te zhveshe kontekstin per te arritur sa me pare te universalja, rezistenca, qendresa,sakrifica, liria e te tjera si keto.

    Konteksti eshte nje element i pashmangshem i partikulares, e verteta do te linde pashmangshem si kontekstuale e mandej nepermjet zhvendosjes se saj ne kontekste te tjera, do te shihet nqs ka vlere apo vlera universale.
    Nqs nje autor i kundervihet diktatures naziste e bie ne duart e nje lexuesi qe jeton ne diktature komuniste, ky i dyti mund te kerkoje fare mire elementin universal te lirise politike e ta dekontekstualizoje fare autorin. Lexuesi i shek 22, qe mund te jetoje ne nje oligarki te paster multinacionalesh do e dekontekstualizoje edhe ai.

    Ne kete kuptim, eksporti i vepres artistike, pertej broçkullave tregtariste çiliste te konkurrences se lire, eshte vertete nje test per vleren universale te vepres dhe por ne radhe te pare nje lakmues per te vertetat kontekstuale shqiptare.
    Nqs nje autor shqiptar, po flas per letrat shqipe, rrok te verteta kontekstuale shqiptare, te cilat jane ”sui generis”, nuk eksporton dot, se nuk e kupton kush. Nqs autori merret me te verteta universale apo perendimore me mire dhe perpiqet te gjeje me çdo kusht ekuivalencen ne kontekstin shqiptar duke genjyer ne radhe te pare veten, prape nuk eksporton dot.
    Nqs autori arrin te lidhe partikularen me universalen, por s’ka nivel artistik apo gjuhe e stil te sofistikuar eseistik, prape nuk eksporton dot, nqs nuk ka mbeshtetje financiare e me radhe, prape nuk eksporton dot.

    Mendoj se ne Shqiperi kemi problemin e pare me realitetin ”sui generis”,kemi mjaft fenomene universale (perendimore me mire), por te gjitha kane hyre keq, dmth nuk jane te lidhura ne forme logjike si ne Perendim,nuk krijojne nje orkester; mbizoteron kaosi, ca marrin violinen, ca flautin, njeri del si drejtues orkestre, po s’e ndjek njeri, te gjithe te veshur e kuruar, duket sikur ekziston orkestra po ne fakt ka vetem nje grupim qe prodhon zhurme.

    Ne kohet e komunizmit megjithe veçorite tona, realiteti ishte me pak sui generis se ç’eshte sot, e nqs kemi autore qe eksportojne ndonje gje, ata merren me te vertetat e realitetit komunist.

    Ne kete kuptim, po mund edhe te gabohem rendshem, problemi kryesor eshte qe kush merret me te verteten kontekstuale shqiptare, per shkak se konteksti eshte sui generis, nuk rrok dot te verteta universale (perendimore-saktesim perhere i detyrueshem ), nderkaq ata qe nisen nga universalja/perendimorja per te gjetur te verteten partikulare e vepruar ne kontekstin shqiptar, sforcohen aq shume saqe shnatyrohet vepra. Te paret mund te bejne nje veper te shkelqyer por qe s’i kalon dot kufijte per shkak te ligjit te universales, te dytet perfundojne qe prodhojne nje mediokritet i cili mund edhe te financohet prej ideologjise sunduese, por thjesht kalojne kufijte e ngelen ne kampet e refugjateve (jane ne ndonje librari por s’i blen kush).

    Per ta perfunduar me politikat qeveritare, keto si politika te ideologjise sunduese favorizojne te dytet, sepse japin jashte imazhin e nje realiteti perendimor ne Shqiperi, me problematika tipike perendimore e zgjidhje po aq perendimore. Nqs ka ndonje investim shteteror edhe tek autore me elemente folklorike kjo lidhet me nevojat per turizem kulturor. Ne kushtet kur autoret e mire jane te denuar prej realitetit, nqs duan te pakten te dallohen thjesht per vlerat artistike apo eseistike, u ngelet si rruge te genjejne veten dhe te tjeret e te prodhojne nje mashtrim etik, keshtu mund te shohin per fonde nga qeveria apo donatore te ndryshem te ideologjise sunduese.

    p.s persa i perket arteve , vete artistet kane kaluar nga natyralja tek shpirterorja, pa futur shume mendjen ne pune, ndersa populli eshte thellesisht natyral/estetik. Shqiptari mesatar me i dashuruar me Ramen, kur vjen puna tek vizatimet e pikturat e tij, ngaqe vete shqiptari mesatar eshte thellesisht natyral/estetik, sheh vetem zhgarravina e thote , me mire te merret me politike. Prej kohesh se kush ka thene qe arti eshte nje ene qe nuk rrok dot esencen e qenies keshtu qe esenca sperkatet ngado, nuk e di nese ka thene te verteten apo artistet u binden qe ka thene te verteten e nuk bejne dot me as dy drejteza paralele. Nje gje eshte e sigurte, shqiptaret si popull jane ende tek dy drejtezat paralele.

  3. Une mendoj se elementet e kontekstit jashteletrar, d.m.th. te botes reale, jane vetem nje pretekst per nje autor qe shkruan nje veper letrare. Autori ne veper krijon nje kontekst te brendshem, qe nuk perkon dhe nuk duhet te perkoje me ate jashteletrar, perndryshe nuk kemi veper letrare, por nje fotografi banale te realitetit, nje tekst te dobet qe askush nuk do ta zinte me dore. Letersia nuk e pasqyron realitetin, por krijon nje bote tjeter, te ndryshme nga ajo reale. Nje veper letrare me kontekstin e saj te brendshem i mjafton vetvetes. Nuk na duhet nje kontekst i jashtem per ta lexuar ate. Dallimet ne receptimin e nje vepre nga lexues te ndryshem nuk varen nga konteksti jashteletrar i vepres, i cili nuk ka pike rendesie, por nga shijet, nga pritshmerite estetike dhe nga kontekstet kulturore dhe botekuptimore te lexuesve. Per te mbetur te Kadareja, qe te mos zgjatem me shembuj, romani “Prilli i thyer” ka pasur sukses qofte ne Shqiperi, qofte ne Perendim. Ne kete roman autori merr shkas nga disa elemente te kontekstit jashteletrar qe i sherbejne si pretekst per te krijuar nje bote e cila nuk perkon doemos me realitetin e Veriut ne vitet ’30 ose me normat e se drejtes zakonore shqiptare. Madje shume elemente te botes se brendshme te romanit u bien ndesh realitetit, normave dhe zbatimit praktik te Kanunit. Kjo sepse autori nuk mori persiper te shkruaje nje veper sociologjike, antropologjike apo juridike mbi malesoret e Veriut, por nje veper letrare, qe ne rastin konkret afrohet shume me realizmin magjik. Nese lexuesit i qasen asaj si nje lloj pershkrimi besnik i realitetit social apo i dukurise se gjakmarrjes, ky eshte nje problem i tyre.

    1. Mendoj se një vepër letrare nuk është asgjë më tepër se shuma e leximeve që i bëhen – dhe se lexuesin mund ta bëjë me faj vetëm një lexues tjetër i të njëjtit tekst.

      Për “Prillin e thyer” mund dhe duhet të bëhet kjo pyetje: a lejon vepra një lexim të tillë ku teksti të merret si dëshmi e zakoneve të malësorit shqiptar?

      Sepse, gjithnjë besoj unë, po të pretendosh se vepra duhet lexuar në një mënyrë të caktuar (qoftë edhe siç e dikton “teksti”), atëherë ia kemi dorëzuar autoritetin “certifikues” të vlerave letrare një elite.

      Po sjell një shembull tjetër: poezitë me temë biblike tek “Albumi” i Nolit. E kuptoj që një lexues, ta zëmë në Portugali, mund t’i lexojë dhe kushedi t’i shijojë vetëm në bazë të enciklopedisë së vet biblike, por pa ditur asgjë për Nolin vetë; në një kohë që ne këndej “e dimë” që Noli aty u referohet – ndonjëherë rëndshëm – ngjarjeve historike në Shqipërinë e viteve 1920.

      A mund t’i krahasojmë mes tyre këto dy lexime, dhe të themi se cili është më “autentik” se tjetri? Jo, nuk besoj se mund madje as edhe se duhet. Por a do të ishte i lumtur Noli vetë, që ato vjersha që në fakt përshkruajnë dhe shprehin gjithë dramën e tij politike, të lexohen dhe të interpretohen si ilustrime të Biblës?

      Në fakt, peripecitë personale të Nolit nuk i interesojnë kujt sot, me përjashtim të pak historianëve dhe amatorëve të letërsisë në Shqipëri; në një kohë që vjershat e tij janë pjesë e “kanonit” letrar shqip. Por sa do ta përballonin testin e eksportit drejt një kulture tjetër?

      Sa më lart, gjithnjë duke pasur parasysh dallimin midis “interpretimit” dhe “përdorimit” të veprës, që kujdeset shpesh ta bëjë Eco-ja, por kjo është çështje tjetër.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin