FREE READING ZONE

Mbase nuk jam i vetmi që do të kishte vështirësi të besojë menjëherë se i pari vend në botë ku mund të lexosh pa paguar gjendet në Ballkan. Gabim i madh. Ai vend gjendet tamam në Ballkan dhe quhet Kroaci.

Në origjinë të këtij projekti unik botëror që po e kthen Kroacinë në një Free Reading Zone është bashkëpunimi i një siti interneti të quajtur No Shelf Required dhe i një tjetri të specializuar në ebooks, TotalBoox.

Të kuptohemi, ideatorët e tij kanë gjetur edhe mënyrën për të paguar autorët. Por që të lexosh pa paguar librat e mirë që botohen sot, vërtet duket e pabesueshme.

Aplikacioni Croatia Reads gjendet në iOS dhe Android.

Projekti cilësohet si historik dhe atij i janë bashkuar mbi 250 botues e midis tyre shihen edhe emra të mëdhenj si Lonely Planet për udhëzuesit turistikë apo edhe Oxford University Press.

Si për fillim, biblioteka që ai ofron përbëhet prej rreth 100 mijë titujsh, të cilët janë në gjuhë të ndryshme, anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, italisht, pa folur për librat në gjuhën e vendit. Edhe fushat që përfshijnë janë nga më të ndryshmet, krijimtari artistike (dhe jo të tillë), libra mbi shëndetin, udhëtimet etj., dhe kjo nga të gjitha vendet e botës dhe, siç thamë, në gjuhët nga më të ndryshme.

Kjo, theksohet veçanërisht shumë, sepse nga ky projekt leximi pa pagesë përfitojnë jo vetëm vendasit, por edhe të huajt që sapo hyjnë në kufijtë e Kroacisë.

Duket, ideatorët e projektit i kanë paraprirë me kohë shpenzimeve të rastit për përpunuesit e librave apo edhe autorët e tyre,. Këtë e merr përsipër Total Boox i cili gjen sponsorët e nevojshëm për të ushqyer aplikacionin me tituj të rinj.

Përvoja ia vlente te vihej ne dukje edhe po te mos vinte nga Ballkani, por kur qëllon qe vjen prej andej, ajo nuk ka si të mos na sjellë ndërmend frazën e parë të një libri të famshëm : të gjithë ballkanasit, janë të barabartë, por disa ballkanas janë më pak të babarartë se të tjerët…

4 Comments

  1. Mendoj se per ne idiotet e internetit ky shkrim ka nevoje edhe per disa sqarime te metejshme, si p.sh, ku eshte ndryshimi i ebooksit nga totalboxi, cfare d.t.th. iOS dhe Androit? Biles, meqe me kane zene syte edhe libra shqiptare (me duket se edhe te huaj te perkthyer ne shqip) te hedhur ne disa faqe interneti shqiptare, do i kerkoja autorit te mesiperm te jepte (ndoshta ne nje shkrim te vecante) edhe dicka per librat shqip ne internet, si hidhen, ku hidhen, te drejtat, detyrime (nese ka), a lejohet te hidhet vetem gjysma e librit, etj. probleme me kete teme, qe nje idiot dhe i paditur si une nuk i njeh!

  2. Me duket se e nenvleftesoni ca veten, megjithate nderhyrja juaj ka interes per çeljen e nje debati mbi qarkullimin e librit ne format elektronik. Sot platformat per pergatitjen dhe shperndarjen e tij jane falas dhe di qe ka botues shqiptare qe jane familjarizuar me te, por nuk jam interesuar ndonjëhere per te kuptuar shtrirjen e vertete.
    Persa i perket sistemeve operative (iOS apo Androit), pak rendesi ka emri, kush ka nje telefon ne dore, e di si funksionojne ato.

    1. Jo-jo, panvarsisht se me ca shaka ofendimi ndaj vetvetes, nuk ka pse te me vije turp (apo nuk ka pse te na vij turp) qe nuk i njohim problemet teknike te kompjuterit. Per disa njerez eshte me kollaj shpjegimi i imperativit kategorik te Kantit, se hedhja e nje libri, apo gjysmes se tij, diku neper faqe interneti. Natyrisht praktika te meson, por edhe disa udhezime teorike ketu, nga ata qe e njohin mire kompjuterin, vlen per ne qe pak dime nga kjo teknike. Flm.

  3. E kisha nje shprese te dobet qe deri ne fund te vitit nje lajm te mire do ta degjoja… Sidoqofte, me vjen keq qe lajme te tilla nuk i degjon a lexon gjekundi, sikur i fshehin.

Comments are closed.