MANDELA NË NDIHMË TË NOLIT

Shumë nga ne do të kenë ndeshur, të cituar pjesërisht ose të riprodhuar të plotë, një vjershë me titullin “Merr e zgjidh”, ku karakterizohen e qesëndisen banorët e krahinave të ndryshme shqiptare; dhe që i atribuohet Fan Nolit.

Në një artikull të botuar në 17 korrik të vitit 2016 në Dita, studiuesi Nasho Jorgaqi – i cili e ka ndjekur dhe studiuar Fan Nolin gjithë jetën – e cilëson këtë vjershë “apokrife” dhe “thurje vjershërore” sipas stilit të një poeti model; duke përjashtuar mundësinë që të jetë vërtet e Fan Nolit.

Të përmbledhura, argumentet e Jorgaqit janë: ky krijim nuk gjendet në arkivin e Nolit, as rezulton të jetë botuar gjëkundi në shtypin e kohës dhe më vonë; bie ndesh me etosin e krijimtarisë së Nolit; dhe nuk i shfaq tiparet stilistike të ligjërimit poetik të këtij autori kaq të njohur.

Vetë statusi i këtij teksti – që nuk rezulton i botuar gjëkundi nën emrin e Nolit, por që megjithatë është publikuar gjerësisht dhe ka qarkulluar dhe vazhdon të qarkullojë në Internetin shqip – tërheq vëmendjen.

Dhe jo sepse këtë vjershë e ka shkruar ose nuk e ka shkruar Noli; por sepse kaq shumë lexues, me kompetenca letrare të ndryshme, e kanë pranuar tashmë si të atij poeti, aq sa kushedi ka përfunduar si më e cituara prej atij poeti në tekstet shqip sot.

Interneti njihet tashmë për misatribuime të tilla: kemi shkruar për një poemë që deri edhe kryeministri italian Matteo Renzi ia pat atribuar Borges-it (Punë etiketash); dhe pështjellime të ngjashme kanë ndodhur dhe vijojnë të ndodhin me krijime që i janë mveshur Marquez-it ose Neruda-s; pa folur pastaj për citatet dhe aforizmat e paqena (Kundera kundër); nuk po i përsëritim ato argumente këtu.

Sa për vjershën e Nolit, kaq i madh duket të jetë numri i atyre që e besojnë si autentike – ose që nuk marrin mundimin ta verifikojnë – sa mund të flitet për një “efekt Mandela”, ose atë dukuri të psikologjisë kolektive, kur segmente të gjëra të popullatës bashkëndajnë një kujtesë për ngjarje e trivia që nuk përkojnë me realitetin.

I përshkruar dhe i emërtuar nga studiuesja e kulturës pop Fiona Broom, efekti i referohet në emër besimit të rrejshëm të një shumice njerëzish anembanë botës se Nelson Mandela pat vdekur në burg dikur në vitet 1980.

Efektin e kanë krahasuar, për nga funksioni që përmbush, me teoritë konspirative; të tjerë përdorin teori konspirative për ta shpjeguar (thjesht kërkoni “Mandela Effect” në YouTube).

Pa u futur në hollësi, po mjaftohemi të sugjerojmë këtu se efekti Mandela ka të bëjë me “korrigjimin” e kujtesës kolektive për ngjarje ose trivia veçanërisht të njohura, në mënyrë të tillë që këto t’i përshtaten vizionit kolektiv për realitetin që kultivohet në fshatin global.

Në rastin tonë, të kësaj vjershe që i atribuohet me këmbëngulje Fan Nolit, edhe pse nuk duket të ketë ndonjë provë çfarëdo për këtë autorësi, dukuria ndoshta ka të bëjë me dëshirën tonë për të legjitimuar shkaqet dhe shtysat e konflikteve që ndodhin, kur shqiptarë nga krahina të ndryshme papritur e gjejnë veten së bashku, si kurrë ndonjëherë më parë, në mjediset virtuale të Internetit.

Edhe pse filologët mund të ngulin këmbë se vjershën në fjalë nuk mund ta ketë shkruar Noli, fakti që një numër kaq i madh njerëzish besojnë të kundërtën mjafton për ta përmbysur raportin vepër-autor, dhe për të identifikuar bindjen tashmë kolektive se një nga tiparet konstitutive të Fan Nolit, si vatër referimesh kulturore pop, është që ta ketë shkruar këtë vjershë.

Madje një ditë mund të zbulonim se e vetmja vjershë që njeh dhe mban mend nga Fan Noli pjesa më e madhe e lexuesve të sotëm shqiptarë qenka pikërisht kjo apokrifja, e cila qarkullon gjerësisht në Internet.

Aq është përhapur ky misatribuim, sa e gjen deri edhe në tekste ku gjithsesi nuk duhej të ish shfaqur, si për shembull te ky status në FB i Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila e përdor një nga strofat e vjershës, ku lëvdohen kolonjarët, si hyrje mikluese në një njoftim të saj për një ekspozitë fotografish të vjetra në Ersekë.

Vështirë të thuash se Kumbaro do të kish përdorur strofën përkatëse nga vjersha, me rastin e ndonjë eventi bie fjala në Pukë: “A të duhen budallenj/Ca gomerë e ca kopukë/Hajdut, kaçak e batakçinj/Shko e merri mu në Pukë”; ose në Kavajë: “Po kërkove kokëpalarë/Kryengritës dhe gomarë…”; ose në Elbasan: “Po qejflinj a të duhen/Që me jevga dinë të kruhen/Zonja që pjellin çdo vit/Veç Elbasani i rrit.”

Në të vërtetë, vetë suksesi i kësaj vjershe apokrife, që tashmë ka hedhur mirë rrënjë në mjediset aq dypërmasore të rrjeteve sociale dhe të Internetit shqip, dëshmon nevojën e pjesëmarrësve në këtë kakarisje kolektive në rrjetet virtuale, për t’i legjitimuar realitetet e sotme përgjithësisht banale, duke i ankoruar në kyltyr.

Pa çka se kjo nevojë për legjitimim e ka shndërruar Nolin në poetin qesëndisës të frymës që sundon sot në mjediset publike në Shqipëri, duke filluar nga parlamenti dhe nga komentet në mediat dhe nga vetë mediat online, ku debatet ndërtohen jo mbi konfliktet e ideve, por mbi gjeografinë dhe stereotipet folklorike.

Dhe kush mund të pritej që ta bënte këtë më mirë se Noli, i cili aq famshëm i ka qesëndisur, në kohën e vet, bëmat dhe komeditë në parlamentin e fundviteve 1920:

Fyt’ i Floqit po pëllet/Top’ i Krosit po kërcet:/Ç’është ky sheqer-kësmet?/Hallvaxhin’ e pamë mbret!

 

1 Koment

  1. E njejta gje ka ndodhur edhe me poezine erotike “Kandari” qe i atribuohet rendom Çajupit:

    Grua ç’na u prish kandari
    S’eshte me ai i pari …
    etj.

    Sipas studiuesit Jorgo Bulo nuk ka asnje prove apo deshmi qe ta kete shkruar Çajupi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin