ZOMBIES TË FJALËS SË LIRË

Këto ditë të gjithë po flasin për “portale” – sidomos pas një kritike që u bëri këtyre kryeministri Edi Rama.

Tani, se çfarë janë tamam këto “portale” të gjithë e dimë dhe askush nuk e di.

Në anglishten e Internetit, termi portal shënjon një lloj specifik uebsajti, e cila shërben si pikë unike aksesi për informacion. Portali ndihmon për të kërkuar në ueb, duke ofruar shërbime personalizimi dhe integrimi të informacionit.

Thelbi i portalit është të shërbejë si portë ose pikëhyrje në Internet, duke ofruar zakonisht një numër të madh lidhjesh (links) drejt sajteve të tjera.

Shembull i një portali që ka arritur të mbijetojë për shumë vjet është Yahoo!. Të tjera portale sot jo dhe aq të suksesshme do të ishin AOL, Excite dhe MSN. Ka edhe portale specifike, p.sh. për shërbimet e investimeve ose për shëndetin.

Të ngjashme me portalet janë agregatorët (aggregators), sajte që thjesht mbledhin dhe organizojnë informacion dhe materiale nga sajte të tjera.

Natyrisht, “portalet” tona nuk kanë gjë të përbashkët me shembujt dhe përkufizimet më lart – ata që i kanë quajtur portale kanë ndërmarrë një akt magjie, ose janë nisur nga dëshira për t’ua ngritur prestigjin nëpërmjet emërtimit.

“Portalet” në uebin shqip, dhe sidomos portalet e lajmeve dhe të informacionit politik, janë zakonisht faqe ku gërshetohen opinione të lirshme të pronarit të portalit, që shpesh është gazetar me emër, me gjithfarë materialesh të tjera nga të cilat do të veçoja:

(1) Lajme të rreme, të mbështetura në thashetheme ose provokime të planifikuara ose insinuata të dobëta ose sulme ad hominem ose sajesa që ndërtohen mbi pyetjet (“a do të rezistojë Rama deri në vjeshtën e tretë?”).

(2) Lajme që informojnë lexuesit se çfarë ka ndodhur një natë më parë në televizion, sidomos për çfarë është thënë në talk show-t.

(3) Lajme të marra të gatshme nga zyrat e propagandës dhe të PR të partive politike dhe të ministrive dhe të institucioneve të tjera të pushtetit.

(4) Lajme të përkthyera, si rregull keq, nga sajte të huaja, shpesh me reputacion të dyshimtë.

(5) Lajme në lidhje me gjithfarë krimesh, nga më të rëndat te më të parëndësishmet, të cilat rregullisht shkelin të drejtat e privatësisë së personave të implikuar.

(6) Lajme të marra verbatim nga statuse personazhesh publike në Facebook. Lajme të marra nga komentet që i shoqërojnë këto statuse në Facebook.

(7) Një mori marramendëse fotosh pak a shumë pornografike dhe thashethemesh për personazhe të show business-it, të cilat njihen ndryshe (kushedi pse?) edhe si V.I.P.-a.; një mori sërish marramendëse fotosh të politikanëve, duke pozuar si beautiful people; më në fund, një koleksion standard i fotove të së pasmeve të Kim Kardashian-it dhe kloneve të saj.

(8) Lajme që shkruajnë gazetarët për të mikluar shoku-shokun, të tipit “si reagoi sot Zheji kur i thanë që Bushati nuk ia kish dhënë dorën mbrëmë Fevziut në bulevard.”

(9) Video të marra nga Interneti, ku tregohen mace, ose njerëz që rrëzohen, ose makina që përplasen.

(10) Lajme për Cristiano Ronaldon.

(11) Horoskope të përditësuara.

(12) Të dhënat më të fundit për ushqimet afrodiziake ose për pozicionet që duhen marrë gjatë seksit.

Karakteristikë e “portalit” shqip është se të gjitha këto lajme dhe materiale qarkullojnë lirisht nga një “portal” në tjetrin, njëlloj si stafilokoku mes fëmijëve në një çerdhe publike të periferisë.

Po aq domethënëse do të ishte edhe një listë e shpejtë e çfarë zakonisht mungon në këto të ashtuquajtura “portale”:

(1) Të dhënat për burimin e lajmeve që sillen dhe përgjegjësia për lajmet e rreme ose pasaktësitë shpesh të qëllimshme dhe sulmet ad hominem ose edhe thjesht shpifjet.

(2) Lidhjet drejt materialeve që janë marrë pa leje (lexo: vjedhur) nga faqe të tjera, edhe kur këto mbrohen me të drejta autori.

(3) Hiper-lidhjet, ose referimet e tekstit të botuar drejt tekstesh të tjera në funksion shpjegues ose mbështetës.

(4) Në përgjithësi, respektimi i copyright-it.

(5) Përpjekjet për të prodhuar lajme nëpërmjet gazetarisë profesionale, ose investigimit serioz, në terren.

(6) Transparenca për fondet që ka marrë “portali” dhe të ardhurat e siguruara nga reklamat.

Çfarë do të thotë se, nga çdo anë që ta rrokësh këtë punë, “portalet” si media shqip nuk kanë gjë të përbashkët me portalet e Internetit në përgjithësi; dhe se bëhet fjalë thjesht për një lloj homonimie ose koincidence pështjelluese.

Ngaqë informacioni qarkullon lirisht nga një “portal” shqip në tjetrin, qoftë ngaqë kopjohet, qoftë ngaqë dërgohet atje nga i njëjti burim (zakonisht zyrë PR e një ministrie ose një partie), e vetmja mënyrë që këto “portale” të krijojnë ndonjë lloj identiteti të spikatur, është të asociohen me këtë apo atë figurë të njohur – një gazetar, një publicist ose një opinionist, i cili ka zgjedhur të fortifikohet aty.

Pavarësisht nga dinjiteti dhe integriteti personal i të gjithë atyre që angazhohen në këtë fenomen të Internetit shqip, është vetë modeli i “portalit” që nuk funksionon – sepse ia heq fjalës së shkruar edhe besueshmërinë, edhe përgjegjshmërinë, të cilat janë dy shtyllat mbi të cilat mbështetet misioni i shtypit.

Dhe nëse është kështu, atëherë “portali” do të funksiononte më mirë si faqe argëtuese për lexuesin pa pretendime, si palestër e egos për pronarin ose titullarin, si një mënyrë për të tërhequr fonde në emër të kultivimit të “fjalës së lirë” dhe, në rastin më të keq, si lavanderi e diskursit toksik, provokimeve dhe shantazhit.

“Portalet” në Internetin shqip duhen konsideruar, kështu, si simptomë madhore e sëmundjes që ka kapluar sot informacionin tek ne – dhe pikërisht, e papërgjegjshmërisë së fjalës publike në rrethanat e vështirësive të mëdha financiare që po përjeton media e shkruar.

Që shumë nga këto faqe sot po tregohen haptazi kritike nda ekzekutivit, pushtetit dhe elitës që drejton vendin, kjo nuk mjafton për t’i rehabilituar dhe as mund ta zëvendësojë një kod etik të cilin gazetarët vetë duhej tashmë ta kishin adoptuar dhe përvetësuar.

Në fakt, shumë nga këto “portale”, ose porta që nuk të çojnë gjëkundi, janë zgjatimi ose replikimi, në sferën e mediave, i të njëjtit diskurs publik destruktiv që mbizotëron sot në parlament dhe në krejt komunikimin mes palëve të politikës dhe grupeve të interesit.

2 Komente

  1. Nuk është kaq e keqe jeta me portalet e modelit alla shqiptar sa ç’e bëni ju, jo. Të paktën jeton. Ja, nisur nga modeli i “portalit” alla perëndimor që ju avokoni u nis edhe një aktiviste dhe lexoi, studioi dhe u ul dhe shkroi në mbrojtje të luginës së virgjër të Valbonës, kundër ndërtimit të HEC-eve atje. Dhe shteti i arrestoi të shoqin. Se shteti, ky i modelit alla shqiptar, pavarësisht se ç’i gënjen mendja njerëzit se në ç’vit jetojnë, të zhduk po të dojë. Të plas në burg e, po të dojë, edhe të vret. Arsyet gjenden pastaj. P.sh., s’ke paguar tatimin e jashtëzakonshëm, ke fshehur arin, ke vjedhur energjinë elektrike. Është shtet i fortë ky modeli alla shqiptar kur vjen puna për t’i zhdukur kundërshtarët, ndaj dhe ekzistojnë këto portalet po të modelit alla shqiptar.

  2. Portal, faqe interneti, bloger, browser, website (vebsajt), … nuk po me kujtohet edhe nje emertim tjeter, -te gjitha keto nga ti dime ne brezi i monizmit!? I perdorim ne menyre te gabuar sa here, por shyqyr qe na kuptojne! S.d.q., nje shkrim-sqarim per te gjitha keto nuk do te ishte i tepert nga nje qe i njeh funksionet dhe ndryshimet e tyre!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin