Pjesën e dytë të serialit Narcos, në Netflix, e ndoqa me një farë ankthi që vinte duke m’u shtuar episod pas episodi – sepse imazhit të Kolombisë në vitet e Pablo Escobar-it, të sfilitur nga lufërat e drogës, në mendjen time i mbivendosej imazhi i një Shqipërie hipotetike të së nesërmes, njëlloj të shkatërruar e të djegur për shkak të parasë së drogës. Edhe pse nuk jam në gjendje të gjykoj sa po kultivohet vërtet hashashi në Shqipërinë e sotme dhe sa i pazoti (ose i çinteresuar) është vërtet shteti për të kontrolluar territorin, sërish kam frikë se dukuria vështirë se mund të trajtohet më si problem i rendit publik – meqë nuk më duket punë e denjë për policinë, që të shkatërrojë parcelat e mbjella me hashash dita-ditës. Nga ana tjetër, legalizimi i kësaj droge të butë, për të cilin flitet herë pas here, nuk më duket se mund të zgjidhë gjë, sa kohë që hashashi në Shqipëri nuk kultivohet për konsum të brendshëm, por për eksport; prandaj shtetin e sfidon jo vetëm bujqësia e paligjshme, por edhe kontrabanda e produktit përkatës, madje sidomos kontrabanda e produktit përkatës, sa kohë që paranë e madhe e gjeneron tregtia, jo terreni. Prandaj vetëm legalizimi i hashashit në mbarë Europën do të mund t’i qetësonte gjakrat, gjë që pak gjasa ka të ndodhë. Të gjithë ata që ende besojnë se ekonomia e drogës në Shqipëri tani për tani është e vetmja që arrin të maskojë disi krizën ekonomike dhe varfërimin masiv, duhet të mendojnë edhe për momentin e pashmangshëm, kur të nisë lufta mes karteleve të hashashit, e cila mund të përshkallëzohet keqas dhe të përhapë dhunë dhe tmerr anembanë vendit. Këtë trajektore ma solli në mend seria Narcos 2; ku një pjesë të krimit dhe të terrorit në Kolombi e krijuan vetë shërbimet e fshehta, përfshi këtu edhe CIA-n, të cilat i ndërsyen kartelet kundër njëri-tjetrit. Ngaqë këto kartele kishin edhe veprimtari të tjera ekonomike dhe tregtare, lufta mes tyre përfshiu edhe segmente të popullsisë që nuk kishin fare të bënin as me përpunimin, as me tregtinë e kokainës; çfarë do të thotë, për mua, se diçka e ngjashme i kërcënohet edhe Shqipërisë, në qoftë se paraja e drogës investohet në veprimtari të tjera ekonomike. Problem këtu nuk është hashashi në vetvete dhe as përdorimi i tij; në një botë të administruar nga arsyeja, kjo drogë e lehtë do të duhej të tregtohej lirisht, sipas të njëjtave rregulla dhe kufizime që zbatohen ndaj duhanit dhe alkoolit. Problem është paligjshmëria masive, e cila sa më masive që të jetë, aq më e pamundur është të trajtohet si çështje e rendit publik; problem është edhe bindja se hashash-i është e vetmja bimë që ia vlen të kultivohet, çfarë do ta gjunjëzojë edhe atë pak ekonomi bujqësore që i ka mbetur Shqipërisë (kush do të marrë mundimin të mbjellë më tranguj? Ç’do të bëhet me trangulus albanicus?); problem është ajo shtresë kriminale që po pasurohet shpejt nëpërmjet administrimit të kultivimit dhe të kontrabandës së hashashit drejt Europës; problem edhe më i madh është, kur këta “baronë” të drogës të blejnë shtetin (në mos e kanë blerë tashmë), të blejnë zgjedhjet dhe të fillojnë të qeverisin ata vetë; ose, përkundrazi, të hyjnë në luftë mes tyre ose t’i shpallin seriozisht luftë policisë. Ndoshta ka ardhur koha për të organizuar me urgjencë një shfaqje zyrtare të serialit Narcos në COD.
1 Comment
Comments are closed.
Endrrat ndonjëherë dalin. Ankthi është i justifikueshëm. Mund të na qetësojë fakti që policia sekuestroi bimën e akuzuar në studion e gazetares Eni Vasili. Pra, sapo hashashi nxjerr kokën ia presin menjëherë…