Skema me të cilën paraqiten vizitat e personaliteteve të huaja në publik tashmë është konsoliduar në Shqipëri. Sekuencat filmike që tregojnë pritjen në aeroport, takimin me autoritetet kryesore të vendit, shtrëngimet e njëpasnjëshme të duarve, firmën e marrëveshjeve, koktejin përkatës, duket sikur ndjekin njëra tjetrën sipas të njëjtës regji monotone.
Siç e thamë edhe në shkrimin “Pamje pa fjalë“, në Shqipëri jemi mësuar t’i konsumojmë vizitat politike të personaliteteve të huaja kryesisht në planin ikonik e protokollar, ku fotografia klasike e shtrëngimit të duarve mishëron edhe vështrimin e publikut shqiptar. Rëndësi ka vizita vetë, nga pikëpamja fizike e mediatike. Eventi nis e mbaron në planin pamor, pak vetë merren me kuptimin, kontekstin, nënkuptimin, interpretimin, pasojat… Këto të fundit janë plane që kërkojnë një farë mundi për t’u zhbiruar, por kanë të njëjtin interes, në mos më shumë se të tjerat që rezultojnë më të dukshme.
Nënvizuam diku tjetër (Dëgjimi si shenjë nderimi) se vizita e Papës, pikërisht për pritshmërinë dhe rëndësinë e saj, rrezikon më shumë në këtë drejtim, sepse telekamerat do ta amplifikojnë pa masë vizitën, porse duke vënë në dukje kryesisht disa aspekte me karakter pamor. Tendenca për ta shndërruar në platformë spektakolare është pothuajse kulturore, pra që shkon përtej interesave mediatike dhe politike.
Dje mediat shqiptare përcollën projektin përfundimtar të skenës, në Sheshin Nënë Tereza, ku do të zhvillohen ceremonitë e vizitës së Papës Françesku në Tiranë. Lajmin e dha nëpërmjet Twitter-it vetë Kryeministri shqiptar. Bie në sy gjithsesi përdorimi i fjalës “skenë” për të shënjuar projektin e sheshit Nënë Tereza të përgatitur enkas për ngjarjen. E kotë të shtojmë se fjala “skenë” lidhet pazgjidhshmërisht me shfaqjen artistike në përgjithësi, por në veçanti me teatrin. Edhe kur përdoret figurativisht fjala nënkupton gjithnjë aspektin e shfaqjes.
Fjalori na i shpjegon kështu tre kuptimet e para:
SKENË f. 1. Pjesa e ngritur e teatrit ku luajnë aktorët a valltarët, ku këndojnë këngëtarët etj.
Skenë rrotulluese. Skena e Teatrit Popullor (e Operës). Hyri (u ngjit) në skenë. Prapa skenës.
2. Tërësia e dekoreve që paraqitin vendin ku zhvillohet veprimi i një pjese teatrale. Skena paraqet një pyll (një shesh).
3. fig. Veprimtaria në lëmin e artit dramatik, veprimtaria në teatër; teatri. Arti i skenës. Dashuria për skenën. Mjeshtrit e skenës. Në botën e skenës. E vuri në skenë e përgatiti një shfaqje dhe e dha. Përshtat për skenën.
Nuk dua ta ekzagjeroj, por duket sikur fjala është disi e sforcuar në kontekstin tonë, edhe pse nuk mund ta përjashtojmë a priori, për sa kohë ceremoni të tilla tejet të kodifikuara e kanë një aspekt “prej skene”, ose “spektakolare”. Shqipja ka edhe fjalë të tjera që mund të përdoren në kësi rastesh, si për shembull fjala “tribunë”
TRIBUNË f. 1. Vend i ngritur, zakonisht në krye të një salle, ku rri presidiumi dhe ku flet ai që mban para të tjerëve një fjalim, një raport etj. Tribunë e lartë. U ngjit (doli) në tribunë. Foli nga tribuna. 2. Vend i ngritur e i zbukuruar para një sheshi, ku rrinë udhëheqësit dhe të ftuarit gjatë parakalimit në ditët e festave zyrtare ose gjatë manifestimeve sportive, folklorike etj.; vend i ngritur në mes të një sheshi, ku japin shfaqje grupet artistike; pjesa qendrore për shikuesit në një stadium, zakonisht e mbuluar. Tribuna kryesore. Tribunë e hapur. Tribuna e stadiumit. Shkallët e tribunës. Hipi në tribunë.
Pak më i vështirë paraqitet përdorimi i fjalës podium, meqë kjo nuk e jep aq mirë madhështinë e ceremonive si kjo e shtatorit. Megjithatë, fjalori shpjegon se podium quhet një “vend i ngritur si skenë në një shesh, ku mund të jepen shfaqje përpara shumë njerëzve”.
Nga ana tjetër, të thuash se kemi përgatitur skenën për Papën sikur nuk shkon. Nuk vjen për shfaqje. Edhe përcjellja mediatike sikur e ka kapur një farë kontradikte në këtë drejtim. Ndërsa shumë prej tyre e përcollën imazhin me fjalën skenë, një tjetër e jepte lajmin me titullin: “Altari ku Papa Françesku do mbajë meshën e shenjtë“. Siç e dinë besimtarët, në pjesën e sipërme të tribunës vendoset altari, pa të cilin mesha nuk mund të kremtohet.
Dikush mund të thotë se as fjala tribunë nuk shkon, ngaqë na evokon tribunat e dikurshme të regjimit, me pamje të rrafshët, nga ku ngriheshin grushtet ose duart përpjetë, gjatë parakalimeve e kremtimeve të ndryshme. Edhe kjo është e vërtetë.
Personalisht nuk do të fosilizohesha në diskutimin për termin e saktë. Mund ta pranoj edhe fjalën e parë, me kusht që të pranojmë se tashmë ngjarje të tilla kanë edhe një efekt spektakolar, herë të natyrshëm, herë artificial. Mjafton që mesazhi i vizitës së Papës dhe fjalët e tij të mos humbasin në efektet spektakolare, sikurse ndodh me zërin që mbytet nga zhurma e fishekzjarrëve. Gëzimi nuk duhet të na e shpërqendrojë vëmendjen.
Fjala “tribune” nuk i shkon Papes. As “podium” nuk me duket fort e pershtatshme. Fjala “skene” ne kuptimin fizik, si “vend i ngritur etj.” eshte e vetmja mundesi qe na jep shqipja, edhe sepse ka nje strukture kuptimore te gjere, me kuptime edhe te figurshme.
Duke shmangur turqizmin “çardak” se edhe ky nuk i shkon Papes 🙂 si i do ta perktheje ti ne shqipe italishten “palco”, ne kuptimin e pergjithshem te struktures arkitektonike?
Meqe ne i themi skenë asaj qe italianet i thone scena, tribune asaj qe italianet i thone tribuna dhe podium atij qe italianet i thone podio, perse te mos i themi palk atij qe italianet i thone palco? Madje kam pershtypjen se palk eshte perdorur ne shqipen e shkruar, pavaresisht se nuk di te them a egziston ne fjalorin shqip apo jo.
Meqë e përmende italishten, le të kujtojmë se fjala “palco” është e ndryshme nga “palcoscenico”. Megjithatë, uroj që diskutimi të mos ngushtohet në rrafshin leksikor. Sepse mua më intereson më shumë çka qëndron pas fjalës “skenë”.
Edhe une tamam kete kisha parasyh, sepse nuk eshte e thene qe cdo palco eshte palcoscenico, ama cdo palcoscenico eshte palco dhe ma thote mendja qe ai qe po ngrihet per papen eshte palco dhe jo palcoscenico, pra mund t’i themi edhe palk ne shqip. Eh, po deshet, sigurisht….