CHERCHEZ LA CHINE

Jo pa habi dhe kuriozitet, ndesha sot në një pasazh te libri Mosmarrëveshja, ku një autor imi i preferuar, Kadareja, kapet me një autor tjetër timin të preferuar, Roland Barthes-in.

Kadarenë e ka shqetësuar, edhe në kontekste të tjera, teoria – nëse mund ta quaj kështu – e vdekjes së autorit; e cila ndoshta e ka zanafillën te Foucault-i, por që i është bashkëlidhur Barthes-it për shkak të esesë “La mort de l’auteur” (e cila mund të lexohet këtu). Yni kish parë, dhe ndoshta me të drejtë, një lidhje në mos filiacioni të paktën konvergjence, midis kësaj teze të (post)strukturalizmit frëng dhe një teze të përfolur të ngjashme për heqjen e emrave të autorëve nga librat, të lindur në kuadrin e revolucionit kulturor kinez.

Edhe te pasazhi i tanishëm, Kadareja përmend “vdekjen e autorit”, pastaj për të vazhduar kështu:

Kjo [teori] u përhap me shumë zell nga semiologu Roland Barthes, i cili në pjesën kryesore të jetës së vet, përveç konferencave dhe leksioneve për “vdekjen e autorit” në dobi të tekstit, u shqua për dy gjëra: një roman, për të cilin u përpoq gati pesëmbëdhjetë vjet dhe arriti të shkruante më pak se dhjetë faqe, dhe një udhëtim në Kinë, më 1974, në kulmin e Revolucionit kulturor. Sipas detraktorëve të tij, Barthes, ithtar gjysmë nazik i maoizmit, mundi të shihte në Kinë atë për të cilën aq zellshëm kishte folur, e ndoshta turbullt edhe e kishte ëndërruar, vdekjen e autorit. Veç këtë herë vdekja s’ishte aspak në kuptimin metaforik, por tepër të rrokshëm të saj. Më e madhja hekatombë e shkrimtarëve në historinë e botës, dënimi, masakrimi, vrasja, poshtërimi, zvarritja nëpër orizore e dhjetëra-mijëra shkrimtarëve kinezë ndodhnin pikërisht në atë kohë, në sytë e maoistëve perëndimorë, të cilët haptas ose disi tinëzisht, si Barthes, e brohoritën.

[Mosmarrëveshja, botim i tretë përfundimtar, Onufri 2012, f. 235, shënimi 53.]

Për fat të keq, shumica e këtyre që thotë Kadareja për Barthes-i janë të paktën të debatueshme, me përjashtim të faktit që ky e bëri vërtet një udhëtim në Kinë. Por Barthes-i është një nga figurat kryesore të kulturës franceze madje europiane të Pasluftës, i cili ka lënë ndikim të pashlyeshëm në teorinë dhe praktikën e kritikës letrare dhe analizës së tekstit anembanë botës; prandaj të thuash për të se “u shqua për dy gjëra: një roman, për të cilin u përpoq gati pesëmbëdhjetë vjet dhe arriti të shkruante më pak se dhjetë faqe, dhe një udhëtim në Kinë, më 1974, në kulmin e Revolucionit kulturor” është si të thuash për Kadarenë se u shqua si shkrimtar me romanin “Dasma”; sa kohë që vepra e Barthes-it dhe idetë e teoritë e tij studiohen sot e kësaj dite kudo në universitetet. Romani i tij i papërfunduar mbetet një fusnotë, një aksident, një gjë fare e vogël, një kuriozitet për kompletistët; ndërsa vizita në Kinë një budallallëk në vetvete, por pa ndonjë lidhje organike me pjesën tjetër të veprimtarisë dhe sidomos të veprës së tij. Për më tepër, viti 1974 nuk shënjonte gjë “kulmin e revolucionit kulturor”, por fazën e tij përmbyllëse, ose periudhën pasi Maoja kish goditur Lin Biaon dhe grupin e tij “armiqësor” ndërkohë i kish shërbyer si mikpritës deri edhe Nixon-it; përkundrazi, të tjerë e patën vizituar Kinën në “kulmin e revolucionit kulturor”, mes tyre madje Kadareja vetë. Ky i fundit mund të citojë vërtet “detraktorët e Barthes-it”, që paskan spekuluar se mos ky ndoshta pati rast të shihte në Kinë “atë për të cilën aq zellshëm kishte folur, e ndoshta turbullt edhe e kishte ëndërruar, vdekjen e autorit” – dhe gjetja është me efekt; por nuk më duket se Barthes-i e meriton këtë, dhe as më rezulton të ketë shprehur gjëkundi, në shënimet e tij të udhëtimit, ndonjë simpati politike për Kinën e Maos.

Përkundrazi, kritikët e shumtë e ndoshta edhe detraktorët, qëndrimin e Barthes-it gjatë kësaj vizite dhe më pas, të shprehur në një artikull të tij të botuar në Le Monde menjëherë pas kthimit në Paris (“Alors, la Chine?”) dhe më tej, në shënimet e udhëtimit, të pabotuara në të gjallë të autorit, dhe që tani vonë ia kanë nxjerrë në trajtë libri, e kanë përçmuar atë autor për mendjelehtësinë filistine, pandjeshmërinë në mos indiferencën dhe obsesionin me “sipërfaqet” që tregoi gjatë asaj vizite.

Për shembull, Michael Sayeau në New Statesman, në një recension që ua bën këtyre shënimeve postume të udhëtimit në Kinë, shkruan:

Travels in China paraqet dramën e semiologut majtist, në një botë ku nuk duket të ketë mbetur më gjë për t’u interpretuar.

E megjithatë, edhe ai e citon Barthes-in kur ky vëren, te këto shënime, se:

Personalisht, unë nuk do të jetoja dot në këtë radikalizëm, në këtë monologjizëm fanatik, në këtë diskurs obsesiv, monomaniakal… Do të më duhej ta paguaja revolucionin me gjithçka që unë e kam të shtrenjtë: ligjërimin “e lirë”, të çliruar nga çdo lloj përsëritjeje; dhe imoralitetin.

Edhe unë besoj se çfarë e bashkonte Barthes-in me Kinën nuk ishte ndonjë lloj afiniteti ideologjik ose admirimi për totalitarizmin, por më shumë deliri për t’iu kundërvënë radikalisht, deri në paradoks, kanunit kulturor Perëndimor ose euro-centrik, ose eksperimentimi politik dhe social ekstrem.

Nga ana e vet, një njohës i mirë i Kinës dhe i maoizmit si Simon Leys, vë në dukje edhe ai tra-la-la-të e Barthes-it, përballë dramës që ndonjëherë i shpalosej mu përtej horizontit të tij vizual, ose fushëpamjes që ia lejonin shoqëruesit, vizitat e programuara dhe fshatrat Potjomkin. Vallë është e mundur, shkruan ai, që “spektakli i këtij vendi gjigand, të terrorizuar dhe të trullosur nga rinoceriti maoist, t’ia ketë anestetizuar Barthes-it krejt aftësitë për t’u indinjuar?” (Leys, Simon: “Roland Barthes in China”, The Hall of Uselessness, f. 375-378; në frëngjisht artikulli mund të lexohet këtu). Leys citon pastaj Orwell-in, për të ilustruar se çfarë mendon për shënimet e udhëtimit të Barthes-it:

Duhet të jesh intelektual, që t’i besosh këto: asnjë njeri i zakonshëm nuk mund të jetë kaq hajvan.

Në fakt, i vetmi pasazh i librit, ku Barthes-i revoltohet deri në atë pikë sa është gati të shkruajë një letër proteste, është kur i shërbejnë ushqim të keq në avionin e Air France…

Këtë farë obtuziteti tek intelektualët majtistë të shekullit XX e ndesh pak si tepër shpesh, për t’ia faturuar dezinformimit, dritëshkurtësisë ose edhe thjesht mirëbesimit: që nga vizitorët e shquar të Bashkimit Sovjetik të viteve të terrorit Stalinist, te miqtë e dashamirët e Shqipërisë enveriste të periudhës autarkike dhe te këta të tjerët, të organizuar në taborë, që lektiseshin pas “tjetërsisë” kineze dhe gjepurave të Maos, të gjithë këta manifestojnë të njëjtin lloj patologjie, dhe pikërisht gatishmërinë për të përqafuar Tjetrin, vetëm e vetëm si alternativë ndaj filistinizmit Perëndimor.

E megjithatë, identifikimi i Barthes-it me mendjelehtësinë e tij kineze nuk do të ishte i drejtë, përkundrazi. Sikur Barthes-i i atyre viteve të kish parapëlqyer Shqipërinë ndaj Kinës dhe të ish takuar, gjatë kësaj vizite kundërfaktuale, edhe me autorin e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” si përfaqësues të Realizmit Socialist në Tiranë, ndoshta Kadareja do t’ia kish kursyer tani karakteristikën e keqe. Aq më tepër që, po të nisemi nga pelegrinazhet në Kinë, këta të dy për pak sa nuk janë takuar me njëri-tjetrin; meqë edhe Kadareja e pat vizituar “Perandorinë e Mesit” aso kohe, madje pat shkruar edhe një libër me shënime udhëtimi mjaft të lexuar nga masat.

Krahasimi im çalon; dhe pikërisht sepse vizita e Kadaresë në Kinë ishte njëfarësoj e porositur dhe e komanduar nga udhëheqja shqiptare; sikurse gjërat që shkroi yni, pasi u kthye që andej, duhen lexuar në kontekstin politik të kohës dhe duke pasur parasysh pamundësinë e Kadaresë për t’u shmangur, sado pak, nga fryma e përgjithshme e marrëdhënieve vëllazërore të asaj kohe, midis Shqipërisë dhe Kinës së Maos. Aq më tepër, kur deri edhe Barthes-i, që nuk do të rrezikonte shumë, e gjithsesi nuk do të rrezikonte aq sa kolegu i tij shqiptar, po të denonconte farsën totale të fasadës së jetës së përditshme në Kinë dhe kontrollin kapilar të banalitetit, çfarë mund të prisnim nga shënimet e udhëtimit të Kadaresë, përveçse ndonjë arsye të papritur, për të pëlqyer diçka tek ai vend enigmatik, me të cilin ia kish lidhur fatet Shqipërisë sonë Hoxha? Kadareja i atyre viteve e kishte këtë efekt te lexuesi, duke ia bërë jetën më të pranueshme, duke e mësuar si të shihte dritë edhe në errësirë dhe duke e siguruar se jo gjithçka ishte e pashpresë.[1] Barthes-i, përkundrazi, iu qas Kinës dhe maoizmit nga pozitat e një majtizmi europian snob, kontrarian, anti-borgjez dhe anti-konformist, që shqetësohej më shumë për eroticizmin e kinezëve në rrugë dhe faktin që këta e këqyrnin vizitorin pa ndonjë interes seksual dhe dështimin e tij për t’ia parë penisin qoftë edhe një mashkulli të vetëm në Pekin, sesa – bie fjala – për faktin që shumë nga këta meshkuj simbolikisht të kastruar nuk kishin as për të ngrënë; dhe se shumë nga kolegët potencialë të Barthes-it, siç e vëren tani, ose nga lartësitë e së sotmes Kadareja, kishin përfunduar orizoreve.

Në analizë të fundit, ja çfarë më çudit te qasja e Kadaresë ndaj Barthes-it: pasaktësitë e njëpasnjëshme në detajet, analiza politike korrekte e miopisë së francezit ndaj padrejtësive të tmerrshme që konsumoheshin në Kinë, lënia mënjanë e faktit që ai vetë, Kadareja, ish ndodhur dikur në pozita të ngjashme me Barthes-in, sa i përket raportit paradoksal midis konformizmit dhe anti-konformizmit njëlloj konformist, pa çka se krahasimi do të kish qenë më se i mirëpritur, dhe më në fund qasja pa respekt ndaj një figure kaq të rëndësishme sa Barthes-i, prej një figure si Kadareja, i cili me plot arsye ka kërkuar dhe kërkon, nga Perëndimi, që ta trajtojnë me respekt dhe t’ia vlerësojnë veprën në tërësinë e vet artistike. Si admirues i Barthes-it kritik arti dhe semiolog, nuk mund ta gëlltit mënyrën si e trajton Kadareja; njëlloj nuk do të kisha gëlltitur, sikur një personalitet i kulturës franceze t’i ishte qasur kështu Kadaresë.

[1] Ironikisht, teoria dhe praktika e kritikës letrare mbështetur në tezën barthiane të “vdekjes së autorit” do t’i kishin ofruar Kadaresë një mbrojtje të shkëlqyer – dhe ndoshta edhe ia kanë ofruar – ndaj kritikave që iu bënë, nën totalitarizëm, se vepra e tij mund të lexohej dhe në fakt po lexohej si alegori e regjimit enverist në Shqipëri; meqë mund të argumentohej, pa vështirësi, se një autor si person juridik dhe qenie politike nuk mund të mbajë përgjegjësi për leximet që ia bëjnë të tjerët veprës së tij; dhe as për ato karakteristika të tekstit që Eco-ja më pas do t’i quante intentio operis dhe intentio lectoris; meqë çdo lexues është i lirë që të gjejë në një vepër letrare atë që dëshiron, madje edhe ta përdorë këtë vepër pa ia vënë veshin opinioneve dhe udhëzimeve të autorit.

 

11 Komente

  1. Duke lënë mënjanë ndonjë problem të natyrës etike, që gjithsesi nuk do ta trajtoja dot më mirë se sa ka bërë Vehbiu në këtë paraqitje, kam përshtypjen se Kadareja është ca viktimë e një keqinterpretimi të konceptit të « vdekjes së autorit ».

    Mëria e madhe me të cilën ai e ka marë këtë nocion që lindi kur bota intelektuale arsyetonte me terma strukturalistë, të krijon përshtypjen se beson se autori këtej e tutje do të eleminohet nga sheshi publik, për tu zevëndësuar nga masat, nga populli, puntoria, “kllasa puntore” që sikundër “dinë të bëjnë revolucionin ashtu janë në gjendje të bëjnë edhe letërsi e arte”.

    Në të vërtetë jemi fort larg kësaj. Revoltën e parë ndaj autorit, ashtu siç kuptohej nga lansenianet, por edhe nga vetë Sainte Beuve, e gjejmë që te Prusti. Është ai që ngrihet kundër asaj që quhet « kritikë e vjetër » e që thotë se ai vetë as që ka të bëjë fare me veprën e tij. Përkundrazi, këtu ka rol kujtesa e pavullnetshme, ndjenjat dhe jo inteligjenca. Kjo doktrinë është në bazë të monumentales Në kërkim të kohës së humbur.

    Në artikullin e famshëm të Barthes-it (1968) vdekja e autorit nuk duhet marë si zhdukje e autorit. Të largosh autorin nga zbërthimi i tekstit, siç ndodhte më parë do të thotë para se të gjithash t’i japësh tekstit mundësinë e interpretimeve të shumëfishta, dhe jo vetëm atë që i jep autori i tij.

    Kjo kuptohet më mirë kur ai analizon Mallarmé-në. Thotë për të se ai është i pari që pa e parashikoi në të gjithë gjerësinë e vet nevojën e zëvendësimit të asaj gjuhe që mendohej se ai (autori) ishte pronari saj me gjuhën në vetvete. Për të është gjuha që flet e jo autori.

    Edhe në rastin e analizës së Paul Velery-it thotë se ai gjithë jetën nuk reshti së talluri me autorin, këmbënguli në natyrën « linguistike » dhe kushtin thelbësisht verbal të letërsisë, ballë së cilës çdo kërkim në brendësi të shkrimtarit i dukej një bestutni.

    Kur shkrimtari thotë “unë” shpjegon Barthes, « uni » i narratorit, nuk është ai i shkrimtarit por është ai i gjuhës vetë që shfaqet me ndërmjetësinë e një subjekti që nuk ekziston.

    Është interesant edhe ky citim i tiji : “L’écriture, c’est ce neutre, ce composite, cet oblique où fuit notre sujet, le noir-et-blanc où vient se perdre toute identité, à commencer par celle là même du corps qui écrit.”
    “L’éloignement de l’auteur […] n’est pas seulement un fait historique ou un acte d’écriture : il
    transforme de fond en comble le texte moderne.”
    (E shkruara është ajo asnjanësi, ajo shumëfarësi, ajo tërthore ku shket subjekti ynë, ai (territor të themi) bardhë e zi (no man’s land do te qe një përkthim i guximshëm) ku humbet çdo identitet, duke filluar nga vetë trupi që shkruan »
    « Mënjanimi i autorit… nuk është vetëm një fakt historik apo një akt të shkruari : ai transformon fund e krye tekstin modern »)

    Dhe fraza e fundit e Barthes-it në artikullin e famshëm të botuar në të përtremuajshmen Manteia është : « …ne e dimë se për t’i kthyer të shkruarës të ardhmen e saj duhet përmbysur miti : lindja e lexuesit ka për çmim vdekjen e Autorit »

    Pra thotë F. Entrialgo (një prof i ri në Marsejë) « vdekja e autorit » është përmbysja e unitetit tekstual, nga uniteti krijues i autorit drejt lexuesit apo spektatorit / shikuesit (në artet vizuale)

    Ide të tilla që militojnë për një farë autonomie të tekstit bënë të mundur që disa vite më pas t’i hapet rruga interteksualitetit, si teori letrare e shk.XX.

    Pra asgjëkund nuk kemi kërkesa për zëvendësim të autorëve me gardistet e kuq.

  2. Kritikat qe i behen Kadarese,ne shumicen derrmuese te rasteve,kane te bejne me “pasaktesite” ne detajet.
    Nje fakt te tille e kam vene re tek Lubonja,Qosja,Feraj e sidomos tek zotni Vehbiu.
    Ne fakt,kushdo qe do joshej nga “antirryma” Kadare,do te bente pikerisht te njejten gje.Eshte shume e lehte.”Pasaktesite” jane te shumta.
    Por te gjithe ata qe e bejne nje gje te tille,harrojne nje detaj: kjo eshte tipike per mediokrit.
    Mediokrit kapen pas “pasaktesive”.Vdesin per to.Pervec te tjerash,mediokrit i kam imagjinuar perhere me lupe ne dore duke gjuajtur “pasaktesi”.
    Kete mendim e kam krijuar,jo duke lexuar kritikat e zoterinjeve te lartpermendur,por bash ato te kritikeve te medhenj te letersise…
    Duket si paradoks,por nuk eshte keshtu po te kemi parasysh nje rrethane: kritiket e medhenj te letersise,jane edhe deshtaket me te medhenj ne letersi.Pothuaj te gjithe kane tentuar te bejne letersi dhe kane deshtuar.Deshtimet ne artin,i kane kompensuar duke gjetur “pasaktesite” ne artin qe kane bere te tjeret,te suksesshmit.
    E kam fjalen per kritiket me te medhenj.Imagjinoni pak ata me pak te tille,sidomos te vegjlit fare…

    1. Këtë argument që ke sjellë ti, Timur, njëlloj mund ta kish sjellë edhe Barthes-i për kritikën që ia bëri Kadareja.

      Pa folur pastaj që, sikur të isha unë mediokri, çfarë të bën kjo ty, që po merresh rregullisht me mua?

      Por qetësohu: shkrimi im më lart nuk është kritikë kundër Kadaresë, por kritikë e ideve. Po ta lexosh pa syze të errëta, mbase edhe mëson ndonjë gjë.

  3. Per mua medioker eshte nje qe ka pretendime.Nje letrar,publicist,intelektual,profesor,akademik,studiues,filozof etj, eshte medioker kur ka pretendime.Perkundrazi,nje individ qe nuk ka njohurite e te larpermendurve,kokeulur ne profesionin e tij,nuk mund te quhet medioker.
    Ajo qe me ben te merrem me ju,zotni Vehbiu,eshte inati qe kam me ju.Jam nacionalist.Ndjeshmeria ime ne kete pike eshte si e merimanges qe, sapo ndjen edhe dridhjen me te vogel ne rrjeten e saj,reagon.Une jam merimanga ne kete rast.Ju me keni shkaktuar shume dridhje ne rrjeten time.
    “Mosmarreveshja” e Kadarese eshte sulmuar shume nga ata qe jane pozicionuar kunder nacionalizmit.Dhe kam pershtypjen se e kane bere me qejf te madh.Ka shume “pasaktesi” aty(edhe une po te isha ne vend te tyre,te njejten gje do te beja).
    Sipas kozmopoliteve te majte,ku beni pjese edhe ju,hallet e verteta jane ekonomia,politika,ceshtjet sociale,varferia etj etj qe i perserisni papushim ka dy a tre shekuj…
    Kadareja flet per nje hall pervec ketyre halleve.Eshte nje hall i madh.Eshte nje hall mbi hall.Eshte nje hall i tille,qe ne rrethana te caktuara dhe shume te ngjashme,eshte aq i madh sa ,jo vetem mund t’i lere ne hije keto halle te medha,por edhe mund t’i kushtezoje ato.
    E ky eshte halli i orientimit te shqiptareve.Eshte problemi me orientimin,qe na ka kushtuar jashtezakonisht shume si komb qe para nje shekulli,e mund te na kushtoje po kaq edhe sot e tutje.

    1. Po mirë, o Timur, unë edhe e kuptoj një “inat” si ky yti, se janë gjëra që u ndodhin edhe më të mirëve. Vetëm se rregullat elementare të debatit e kërkojnë që edhe ti të më prezantohesh, me emër e mbiemër, siç të jam prezantuar unë ty. Unë, si A.V., kur shkruaj gjëra si ky materiali më lart, jam i detyruar t’u dal zot deri në fund. Prandaj, kur më del ndonjë si ti dhe fillon të më lakojë emrin në publik, “Vehbiu kështu, Vehbiu ashtu”, besoj se kam të drejtë edhe unë ta di se me kë kam të bëj. Thua se je “kokulur në profesionin tënd” etj., dhe mbase ashtu je vërtet, por lërua të tjerëve të gjykojnë, mbasi të jesh prezantuar. Se nuk është e hijshme që të kërkosh të më marrësh mua, si A.V. në pyetje dhe të më vësh me shpatulla për muri, në një kohë që ti vetë të mbash maskë. Ti e kupton se kush e mban maskën, në situata të tilla konfrontimi: brigandi. Natyrisht, mund të kesh arsyet e tua pse të mos prezantohesh në publik – p.sh. mund të kesh qenë në burg për shfrytëzim prostitucioni dhe të vjen turp tani, ose të jesh ministër a deputet; por kjo të detyron që të mbash një qëndrim më të tërhequr në debatet ku futesh, pa u angazhuar drejtpërdrejt me të tjerët, ata që përdorin emrin e tyre.

      Tani, të kthehem te tema që ke për zemër: Kadareja. Siç të thashë, shkrimi im më lart nuk ka aq lidhje me këtë autor, sa ç’ka lidhje me qëndrimet e intelektualëve dje dhe sot, sidomos në lidhje me Kinën. Kjo, së bashku me temën e vdekjes së autorit, më intereson veçanërisht; po ta kesh parë me kujdes, është hera e tretë që i kthehem çështjes së fundit, dhe nuk kam mbaruar akoma. Brenda kësaj teme, unë kam cituar edhe “Mosmarrëveshjen”, të cilën përndryshe nuk e mbaj për ndonjë vepër të shquar të Kadaresë, përkundrazi. Ti thua që ky libër “është sulmuar shumë”, por harron edhe se sa shumë ka sulmuar atje të tjerët autori vetë. Kush sulmon, edhe do të sulmohet; dhe në lëmin e debatit publik, askush nuk vjen me ndonjë liçencë për të vrarë. Madje unë besoj – siç edhe e kam thënë më parë – që libra si “Mosmarrëveshja” e kanë dëmtuar rrugëtimin e veprës letrare të atij autori, sepse kanë imponuar një lloj leximi të caktuar, që ajo kushedi më parë nuk ua sugjeronte, të paktën nuk ua sugjeronte të gjithëve. Por këto janë tema që duhen diskutuar në vendin e tyre dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me çfarë shkruaj unë më lart. Simpatia e së majtës Perëndimore për Kinën është temë më me interes, për mua, se “Mosmarrëveshja” dhe mosmarrëveshjet e autorit të saj me të tjerët; edhe pse e kam të qartë se për ty mund të mos jetë. Nuk dua të të tund para fytyrës prioritetet e mia, por veç të lutem të sillesh mirë në këtë log – duke filluar nga respektimi i rregullave elementare të debatit; që nga momenti kur shqipton emrin tim, ndihu i detyruar që të prezantohesh edhe ti vetë. Ki parasysh që është hera e fundit që po ta kërkoj këtë në publik.

  4. Thoni: “Ju me keni shkaktuar shume dridhje ne rrjeten time…”

    Timur, eshte ca e nderlikuar, por nese ju ben mire kunder dridhjeve, shajeni Vehbiun. Nderkohe ky lloj vetemjekimi popullor, nuk jam i sigurt se ju ben mire ne fazen ku keni hyre.

    Nese nuk keni kunderindikacione ju keshilloj ndonje béta-bloquant (propanolol), ne mos duhet pare edhe mundesia e perdorimit te ilaçeve anticonvulsivantë (benzodiazépines, toxine botulique), te cilat ne raste te ngjashme jane perdorur me efektshmeri te mire. Gjithsesi mjekimi i asaj qe quhet tremblements essentiels nuk mbyllet ketu.

    Vetem se kemi nevoje te na mbash ne dijeni te evoluimit te metejme te gjendjes suaj shendetsore..

  5. A.V, ke te drejte kur thua se teoria e “vdekjes se autorit ” dhe qasja poststrukturaliste ne pergjithsi, do te ishte nje mbrojtje e shkelqyer per vepren e IK ,vecanerisht kundrejt qasjeve biografike. Ne fakt studimet doktoriale (kam lexuar disa) po orientohen nga kjo qasje(strukturat narrative, roli miteve ne pkazmimin e narratives etj.).Por duket se po kalohet ne ekstremin tjeter dhe , ne mos gaboj, vete IK ne nje interviste ka shprehur rezervat e tij per kete qasje e cila,duke u fokusua tek strukturat dhe teknikat narrative, e zhvesh tekstin nga fryma dhe konteksti historik.Lexojme Shekspirin dhe na magjeps fjala, teksti por sigurisht qe brenda tekstit refkektohet fryma e kohes se shkrimit dhe konfliktet e saj.Absolutizimi teorive se vdekjes se autorit , pertej avantazheve qe ka, kam pershtypjen se e sterilizon vepren,ja “merr frymen”. Po dhe pa pak ” biografi” si mund te lexohet Dimri, Pallati,Kronika etj. Gjithsesi mbetem ne pritje te leximit te hulumtimeve tuaja te metejshme rreth kesaj teme.

  6. Kam frike se “vdekjen e autorit” Kadare do ta kete marre ne kuptim te fjaleperfjalshem, ose do t’ia kene shpjeguar keq, pasi nuk besoj se e ka lexuar vete drejtperdrejt.

    Gjithsesi, eshte interesante marredhenia qe kane pergjithesisht shkrimtaret me kritiket dhe studiuesit e letersise. Te paret nuk i kane fort qejf te dytet, rreken t’i injorojne, u qasen atyre me komplekse inferioriteti, me droje, me ngerçe, u dersijne duart dhe u merret goja kur jane te detyruar t’i takojne. Ndersa te dytet, me gjithe dijen dhe kulturen qe kane, do te donin shume te ishin edhe ata shkrimtare. Te pakte jane ata fatlume qe bejne perjashtim, si Jean-Paul Sartre e Umberto Eco.

    Ne te vertete eshte nje marredhenie simbioze. Te dyja palet nuk bejne dot pa njeri-tjetrin.

    1. Në kohën e monizmit, kritiku i artit zakonisht funksiononte si një lloj qeni kufiri ose ruajtësi i rendit ideologjik, i cili i nuhaste veprat për kontrabandë idesh dhe ndikimesh të huaja; prandaj edhe tmerri i autorëve ndaj tyre përligjej, edhe kur manifestohej si neveri ose kompleks superioriteti. E megjithatë, shkrimtarët dhe artistët e asaj periudhe, si ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave punonjëse, nuk kishin nevojë për kritikën, që të shquheshin – mjaftonte përkrahja “nga lart”, simpatia e Enver Hoxhës & Co., bindja se vepra e këtij apo e atij “i shërbente çështjes.” Prandaj kritiku më shumë mund të bënte dëm, por nuk është se luante ndonjë rol promovues. Në Perëndim kjo nuk ndodh, sepse siç e thua edhe ti, Relapso, autorit të mirë i duhet kritiku i mirë, që t’ia shquajë veprën; sikurse autorit të keq i duhet kritiku i keq. Kritika shërben si bursë e vlerave kulturore – dhe nuk mund të imagjinosh dot që letërsia dhe artet të funksionojnë normalisht, pa një kritikë aktive.

  7. Me shpresen se mund te me lejohet,po marr mundimin te bej nje koment per te shprehur padakordesine time me dy gjera ne komentet e mesiperme.
    E para,Umberto Eko,te vetmet pjese me te vertete me vlere artistike ne kryevepren e tij,ka ato ku flitet per “Kengen e Kengeve” te Solomonit(nje kryeveper e vertete kjo),qe domethene i ka te huazuara,per te mos thene te vjedhura(me lezet) nga Bibla.Ajo qe e ben kryeveper kryevepren e tij eshte,ne fakt,erudicioni i tij i madh.Eshte pikerisht ky erudicion qe ka intimiduar,si lexuesit ashtu edhe kritiket letrare,duke i magjepsur ato.Erudicioni,sado i madh,i jashtezakonshem te jete,nuk te ben KURRE nje shkrimtar te madh.
    Umberto Eko ,i vetedijshem per kete cen te tij te madh,ka bere ate justifikimin e palavdishem ” duhet 10% talent,e 90% pune ne art”(ne mos gaboj per perqindjet,thelbi eshte ky).Arti nuk eshte pune hamalleku,zoterinj.Talenti eshte kryesori.Ai qe ka me te vertete talent,punon shume.Edhe pa ia thene kete kritiket.Te gjithe shkrimtaret e vertete,perfshire ketu edhe Kadarene tone,kane punuar shume,jashtezakonisht shume.
    Ja nje shembull nga boksi.Nje boksier i talentuar ka nje goditje te tijen.Te gjithe e dine.Rivalet dhe trajneret e tyre,me mire se kushdo tjeter.E studiojne me vemendje maksimale dhe ne te gjitha hollesite.Punojne e sterviten deri ne cfilitje per kete.Mundohen t’i ruhen ,por… nuk munden… perhere e hane ate goditje fatale…
    Ky eshte talenti,qe nuk mund te kompensohet as me 90% e as me 99% pune.
    E dyta :” Autorit te mire i duhet kritiku i mire,qe t’ia shquaje vepren; autorit te keq i duhet kritiku i keq”.Jam totalisht kunder kesaj.
    Kritiku,sado i afte dhe i ditur te jete,nuk mund te beje kurre nje kritike per ate qe nuk mund ta shohe dot,qe nuk mund ta kuptoje dot e qe nuk mund ta ndjeje dot.Dhuntia eshte e shkrimtarit.Bile edhe ata,sic thone vete shkrimtaret e medhenj,vetem sa mund ta ndjejne,porqe e kane te pamundur ta shpjegojne.
    Per mua,kritiket e vertete,qe ia vlen t’i lexosh ,jane vete shkrimtaret e medhenj.Ata e njohin njeri-tjetrin.Soji njeh sojin.
    Kadareja eshte kritiku me i mire i letersise shqiptare.Po te kisha mundesine,do tu rekomandoja te gjithe dashamiresve te letersise,qe te orientoheshin nga mendimet e Kadarese per letersine, dhe te mos e thartojne trurin me shkarrashkrime pafund,tmerresisht te merzitshme,te kritikeve te letersise.

  8. Domethene: autori i romanit më racist të letersise shqipe (“Koncerti”) akuzoka Roland Barthes për maoist!
    Hajde c’vete hajde

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin