MIKROBIOGRAFI (VI)

Aleks Aleksi

U duk sikur historia e dosjeve u harrua, gjer mësoi që qe në listë.

Pagoi, të mos ia nxirrnin emrin me qindëshen e parë.

Kish radhë te fallxhorja Mereme dhe falli që i hodhi qe i gjatë dhe i ndërlikuar.

Në fund i dolën 4 fanta.

“Harroje zhdukjen fizike të dosjeve”, i tha, “përdor mënyrën e kundërt: riprodhoje imazhin tënd si në pasqyrë, si fantat e dyzuar”.

Tani në Tiranë qarkullojnë plot 27 dosje ku ai del rregullisht bashkëpunëtor i Sigurimit.

Sa i përket atij, s’e merr më vesh qeni të zotin.

 

Andi Llaço

Nga nxitimi për t’ia kaluar konkurrentëve hodhi pa dashje në furrën e gatimit macen.

 

Arianít Çela

Në degët e lisave pranë vendeve ku ish ndjerë i lumtur, lidhte një gur.

Që, i vdekur, të kthehej përsëri.

 

Asdreni

Ia kërkuan vjershëtorit të dëgjuar kombëtar ta shkruante.

Anëtarët e korit thërrisnin:

“Rroftë Asdreni!”

“Asdren!”

“Asdren!”

“Himnin, Asdren!”

Pa u turbulluar prej zhurmës së shokëve u nis në një qoshe.

Dikush i shkeli këmbën.

Dikush kish fëndur nga emocioni dhe era e zorrëve të kalbura përhapej nëpër sallën Transilvania.

Pati vetëm pak vështirësi për vargun e parë, pastaj vazhdoi, si në trance:

Rreth flamurit të përbashkuar,

me një dëshir’ e një qëllim,

të gjith’ atij duk’ ju betuar…

Me të në gojë u mbllaçitën nëpër vite heronjtë, pushtët, dhe një kategori e ndërmjetme: tifozët.

 

Benc Gashi

Kur e merrte malli, priste me zarf në dorë te zyra postale.

Njëri nga punonjësit aty ishte kopje e Bencit.

Rrinte 20 minuta – gjysmë ore, kujtonte histori të vjetra me shokun që tani banonte në hemisferën tjetër, dilte këmbëzvarrë.

Zarfin nuk e postonte.

Bule Naipi

Fëmijë, kishte parë njerëz të varur dhe i qe ngulitur shëmtia e tyre, sidomos gjuha përjashta.

Kur torturat mbaruan dhe bashkë me Persefonin u dënua me varje, veç një gjë mendonte: të vdiste me dinjitet.

Vigjilien e kaluan duke u stërvitur në kafshim gjuhe, që të mos u varej një pashë kur litari t’i mbyste.

Por i patën rezervuar një të papritur: e vunë të shihte ekzekutimin e shoqes, si lëkundej e pajetë, kurse të sajin ia shtynë ca ditë.

E përsosi kafshimin.

Mëngjesin fatal shtrëngoi nofullat, kafshoi gjuhën fort dhe e shtyu stolin vetë.

 

Candido Malagò

Kur iriqi u shfaq në pallat, gjithë kalamajtë nga ishin e nga s’ishin u dyndën për ta parë.

E ushqenin me fletë sallate dhe merimanga të ngordhura; e përkëdhelnin me doreza boksi.

Dukej qartë që iriqi kish humbur orientimin, vërtitej rrotull pallatit, por, për lumturinë e kalamajve, mënonte të ikte.

Pastaj Candido, komshiu i katit të dytë, keq me reumatizëm, e zjeu dhe i piu lëngun.

 

Gaxhie Goxha

Nga frika mos të burgosurat e tjera, për hakmarrje të vjetra a për vetëmburrje, i ngulnin ndonjë gërshërë në gjoks, nuk dilte kurrë nga qelia.

Djemtë e pajisën me oturak dhe sapllake.

 

Gjon Markagjoni

Miqtë në fshatin malor ishin aq të rrallë, sa kullat qenë në gjak me njera-tjetrën kush t’i bunte më parë.

 

Ivona Staller

Kishte atë mënyrë ledhatare të çapituri rrugës që qe për një ortoped me përvojë shenja e një luksacioni femoral ende të largët në kohë.

Kishte atë mënyrë hokatare të pari në sy që qe për një okulist me përvojë shenja e një miopie të lehtë, të pamjekuar.

Ishte vajza më e bukur e Tiranës.

 

Mark Kakarriqi

Në fotografitë historike të periudhës së Pavarësisë botuar gjatë komunizmit, ky çifut shëtitës, me pak retush, u bë në tre raste Isa Boletin dhe në pesë Luigj Gurakuq.

 

Mary Edith Durham

Kokrra e rrufesë që mbante në xhep e mbrojti nga turqit.

 

Mehmet Shpendi

Hyri në historinë e Shqipërisë kur në kulmin e luftërave për Pavarësi, i shpëtoi jetën një qengji humbur në dëborë.

Ia zgjati të shoqes, që e ngrohu në gji e i dha sisë.

 

Mërgime Hishtja

Sot ende s’e themi dot me siguri si migrojnë sendet në organizmin njerëzor, ç’busull ndjekin t’u dalë e tyrja.

Gëlltit, në mëri me të shoqin, njërën nga thikat e servisit: një thikëz ëmbëlsirash nga ato që përdoren për glikonë, e re trëng, pra, meqë të gjithë janë të prirur ta hanë glikonë me duar.

Pas tre vjetësh kjo thikë i preket tashmë nën lëkurën e krahut të djathtë.

Kirurgu që ia heq do ta provojë këtë shkencërisht: gëlltit bisturinë.

Ka tash 10 vjet që s’e gjen gjëkundi.

 

Milto Doraci

Llagapi i kish ngelur nga ndonjë katragjysh dorëkëputur.

Vetë qe i rëndomtë nga duart.

 

Mina Peza

E zbërtheu protezën e këmbës dhe ua hodhi qenve, që të fitonte, të paktën, 30 sekonda jetë kur, atë çast, mina plasi.

 

Muho Azgani

Okulisti, rrobaqepësi, diabetologu, kasapi, kardiologu, roja personale, dermatologu, sekretari, këpucari, dentisti, dadoja e fëmijëve, krushka, bahçevani, shitësja e ushqimeve, shoferi, qilimshkundësi, elektriçisti, të gjithë botuan libra ose dhanë intervista shteruese me kujtimet e tyre rreth Diktatorit.

Mbeti vetëm berberi, që mbi të tjerë ia kish pasur jetën në dorë, tek e rruante me brisk.

Thosh librin e kish gati, veç priste ankandin (thikë më thikë) midis shtëpive botuese.

 

Mumtaz Dhamo

Pastronte gjithë monumentet dhe bustet e bronzta të Tiranës.

Kish një shtupëz të posaçme për vrimat e hundës të Mbretit Zog, një sfungjer të bollshëm për bolet e kalit të Skënderbeut.

Çdo vepre në bronz ia dinte pikat e dobta: për shembull, monumenti i Nënë Terezës kishte prirjen të zinte pezhishka.

Bustet e poetëve i linte pa larë.

 

Musine Kokalari

I mbështollën qytat e automatikëve me pecet e këmbëve dhe filluan të më godisin.

Nuk mbetej shenjë në trup, por thellë në kujtesë.

 

Pashk Bardhi

– ç’i ka ngecur ashtu nga pas atij Benz-it që na parakaloi?

– Si bukë peshku më ngjan…

– Hmmm, shih si po zgjaten, qenkan zorrë; dikë paska shtypur, më duket.

 

Petrit Dume

Shumë nyje lidhi në krifë, përpara se të kalëronte drejt fatit tragjik.

 

Përparim Xhixha

Në fjalorthin latinisht-labërisht të një guide të bregdetit përpiluar për turistët, Pecunia non olet e kish dhënë me korrektesë si: Xhixhat s’vijnë erë.

 

Tobias Schmidt

Ky është teli im

më i akorduar:

metali që prek mishin.

 

Ymer Pampuri

Ende kujtonte, si krejt Kombi, që e kish fituar medaljen.

 

Zijafet Zhulali

Nuk e dinte që i kishin ngelur vetëm dy orë jetë mbas dasmës së mbesollës, ndaj shkoi atje gjithë mallëngjim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin