Ra fjala për shkrimtarin e njohur Damian Gjashta, fitues i çmimit “Buzuku” me romanin e vet Schengen, por vetëm për t’u akuzuar pastaj si mashtrues nga kritiku letrar Ledio Vuthi, për arsyen e mëposhtme: rrëfyesi në vetë të parë në roman, gazetar i një televizioni kombëtar, bisedonte kapitull pas kapitulli me mafiozin shqiptar të njohur si Beni i Xhikes, që vuante tani dënimin në një burg të Rotterdam-it, pasi kish drejtuar me vite trafikun e kokainës në Vendet e Ulëta.
Romani i Gjashtës kish krijuar kështu përshtypjen, ndër lexues, se mbështetej besnikërisht mbi ngjarje reale; edhe pse autori nuk e kish pohuar këtë gjëkundi, as brenda dhe as jashtë faqeve të librit; e megjithatë, akuza e kritikut Vuthi, se Damian Gjashta nuk kish qenë ndonjëherë në Rotterdam dhe aq më pak në ndonjë burg të këtij qyteti; dhe se ky Beni i Xhikes ish një personazh i sajuar krejt, u përjetua si skandal nga qarqet letrare të Tiranës.
“E patën kujtuar për ndonjë nga ata filmat ku ta lajmërojnë që në krye: mbështetet mbi një ngjarje të jetuar – based on a true story – dhe mbase prandaj edhe e pëlqyen; ndërsa tani që e morën vesh se Gjashta e kish shpikur personazhin e vet kryemafioz trafikant të kokainës mik të degjenerimit dhe të dhunës, menjëherë e damkosën Gjashtën si gënjeshtar, si impostor, aq sa e detyruan që ta hedhë në gjyq Vuthin për prishje të reputacionit, dëmtim të imazhit dhe të shitjeve të romanit, e kështu me radhë.”
Por në fakt ata filmat që ta thonë haptazi, që në krye, se janë mbështetur mbi një ngjarje të jetuar, se ç’kanë një gjë që i dallon nga të tjerët, thamë ne; bien erë jetë, jo myk biblioteke; se tek e fundit edhe prandaj e shpallin këtë, që t’i përçojnë publikut bindjen se nuk po bën kush shaka.
“Në qoftë se me këtë doni të më thoni se veprat që rrëfejnë ngjarje të jetuara janë më të vërteta se të tjerat, atëherë nuk jam dakord me ju,” tha z. Shyti. “Sepse letërsia thotë disa të vërteta që vetëm letërsisht mund të përcillen; madje ky është edhe misioni i këtij arti, që të flasë atje ku historia nuk flet dot më.”
Dhe këtu ne i kujtuam z. Shyti suksesin e disa veprave tani së fundi, të autorit norvegjez Karl Ove Knausgård, me titullin Min Kamp, që kushedi si do të jetë përkthyer në gjermanishte, por që në anglishte e kanë dhënë si My Struggle; 3,500 faqe ku ai autor rrëfen, pa mbajtur asgjë të fshehtë, jetën e vet private. Katërqind e pesëdhjetë mijë kopje ka shitur Knausgård-i në Norvegji, thamë ne; një vend me një popullsi prej pesë milionësh. Dhe mund të jetë stilist i hollë dhe në gjendje ta suvatojë mirë frazën e ta rrëfejë hirshëm një ngjarje qoftë kjo edhe aq banale sa tortura prej një guriçke zalli të futur tinëzisht në çizme, por meritën nuk mund t’ia ndash nga fakti që ai i ka jetuar këto gjëra, i ka provuar në lëkurën e vet; dhe jeta ia ka shkruar në kujtesë, para se ky t’i shkruante për ne të tjerët.
“Ju kuptoj,” tha z. Shyti, “por ky djali nga Norvegjia nuk është se përndryshe po habit kënd, përveçse për volumin e veprës së tij, të cilën kanë kohë ta lëçisin vetëm të ngeshmit ose voyeur-ët e pandreqshëm; meqë shkrimtarët kanë shkruar për veten ose, si me thënë, kanë soditur kërthizën qëkur zuri fill letërsia – madje edhe pa dalë ende shkrimtarët si të tillë, janë gjendur tipa që janë përballur me arushën në mal dhe pastaj, kur janë kthyer në shpellë, u kanë rrëfyer të tjerëve për incidentin, përfshi edhe demonstrimin me plagët ende të freskëta, që ua ka lënë arusha; sikurse janë gjendur pastaj tipa të tjerë, që janë ngritur mu në asamblenë e shpellës dhe i kanë akuzuar të parët se nuk ka qenë fjala për ndonjë takim me arusha a shtazë të tjera frikëndjellëse, por vetëm për një agresion seksual të mbetur në tentativë, dhe gjithsesi jo ndaj arushës.”
Dhe ne këtu kujtuam amerikanin Herman Melville, që kish jetuar ca kohë si marinar, në një balenierë, dhe pastaj i kish rrëfyer aventurat e veta te “Moby-Dick”; një roman të cilit lexuesi i beson, sepse e kupton që autori është parë në sy me balenat, në mos është kacafytur me to ballazi.
“Por nuk është e thënë, xhanëm, nuk është e thënë,” tha z. Shyti; “se ka edhe shkrimtarë që nuk shkruajnë dot për çfarë e kanë jetuar tashmë, por vetëm për çfarë nuk e kanë jetuar dot; duke e përdorur letërsinë për t’ia hapur dyert një universi tjetër, më të hapur, më të lirë, ku të plotësojnë dëshira të tjera dhe të përjetojnë eksperienca që përndryshe do t’u mungonin.”
Edhe këtu ka një farë logjike, thamë ne; sepse për piloten amerikane Amelia Earhart, bie fjala, mund ta qëndisë një roman edhe një pilot i sprovuar, që e ka kaluar gjysmën e jetës në hava; por edhe një mësuese shkolle femërore me syze të trasha miopeje dhe bindje feministe të paepura, që nuk është larguar kurrë nga qyteza e vet në Iowa; i pari admiron tek Amelia ato cilësi që kushedi i ka gjetur edhe te vetja, por e dyta veç e merr figurën dhe e vendos në qendër të një ëndrre kushedi të parealizuar që prej një jete.
“Tamam,” u entuziazmua z. Shyti; “dhe këtu më dolët në shteg, sepse më kujtuat shkrimtarin italian Emilio Salgari, i famshëm për serinë e romaneve me aventura kushtuar Sandokan-it, të mbiquajtur Tigri i Malajzisë, dhe që në të ri u pat mburr se nuk kish lënë xhungël të Lindjes së Largme pa shkelur, por që në fakt nuk kish lundruar kurrë më tutje se deti Adriatik; në kuptimin që biografitë e tij të hershme, që njëfarësoj synonin t’u blatonin besueshmëri romaneve të tij, janë më trillimtare se romanet vetë.”
Me një fjalë, thamë ne, i shkreti Salgari ish detyruar të gënjejë për jetën e vet, në mënyrë që lexuesi t’u besonte aventurave të Sandokan-it në Malajzi; çfarë mund të shërbejë për bukuri si argument për tezën tonë, se shkrimtari i mirë shkruan gjithnjë për gjëra që i ka jetuar vetë; sepse vetëm e vërteta faktike i jep besueshmëri veprës.
“Aspak, aspak,” na kundërshtoi zoti Shyti; “aq më tepër që letërsia e madhe shpesh i detyrohet një frustrimi të madh, në kuptimin që shkrimtari u jep personazheve të veta atë jetë që ai, si njeri, nuk arriti dot ta jetojë – por që edhe mund ta kish jetuar, në rrethana të tjera. Dhe mos harroni që për shkrimtarët thonë se jeta e tyre është e gjitha në veprën e tyre; dhe se përndryshe, ata që ua qëmtojnë biografitë, e kanë të vështirë të gjejnë ndonjë gjë me interes, larg kallamarit dhe penës, makinës së shkrimit, ose kompjuterit.”
Letërsia nuk është vetëm raportim, por edhe ëndërr, vazhdoi ai; ndonëse, në një kuptim, ëndrra nuk është veçse raportim nga një realitet që nuk ekziston njëkohësisht me këtë tonin.
“Por publiku i ka gjithnjë qejf ngjarjet e jetuara,” përfundoi zoti Shyti; “sidomos ajo pjesë e publikut që i qaset letërsisë me synimin për të shtrydhur a përfituar diçka nga leximi, për të nxjerrë një mësim që mund të hyjë në punë më pas – bie fjala, për të pasur parasysh se si duhet të veprojmë, kur të gjendemi ballë për ballë me arushën në mal; ose fundja edhe gjatë një agresioni seksual të mbetur në tentativë.
Dhe është kjo pjesë e publikut që e ndoqi me kërshëri të madhe gjyqin kundër Ledio Vuthit, pas akuzës që ia bëri këtij Damian Gjashta për prishje të reputacionit, dëmtim të imazhit dhe të shitjeve e kështu me radhë; madje kur gjykata e hodhi poshtë akuzën, me arsyetimin standard se një kritik letrar si Vuthi është i lirë të formulojë haptazi hipoteza pune, përfshi edhe hipoteza me natyrë thjesht biografike, për autorët e veprave që merr në shqyrtim, atëherë publiku sakaq e keqkuptoi këtë verdikt të urtë dhe përnjëmend filloi të besonte, që nga ajo kohë, se që Damian Gjashta s’paskësh qenë veçse mashtrues i rëndomtë, këtë e kish shpallur tashmë edhe një institucion i pacen si gjykata, që kultivon marrëdhënie të privilegjuar me të vërtetën.”
[botuar në nr. 16 të revistës Saras]