MEDIA RRËFEN MEDIAN

Pamë një video që është mëkat ta quash amatoriale, dhe ku një grua (e luajtur nga Mirela Topulli) kërkon të rrahë një burrë (i luajtur nga Genci Angjellari): gruaja prezantohet si pronare e një firme, burri si gazetar. Dy homines sapientes në kacafytje të trishtuar.

U tha se ky gazetari po bënte një “investigim” për një punë të pistë të kompanisë që drejtonte agresorja, dhe se kjo e fundit deshi t’i tregojë vendin. U shtua se Topulli “e dhunoi kafshërisht” Angjellarin.

Më pas u kundër-tha, nga pala tjetër, se videoja i ish dhënë publikut e edituar rëndë, dhe aty ish lënë jashtë fakti që gazetari në fjalë, i paraqitur si viktimë, e kish nisur “investigimin” duke e fyer atë gruan dhe duke e qëlluar në mjekër me mikrofon.

Pamë edhe hematomat në mjekrën e viktimës tjetër. Tashmë jemi mësuar me këto gjurmë që ia lëmë njëri-tjetrit në trup, kur duam të komunikojmë me zor: ia shkruajmë tjetrit dhunën në lëkurë, si të thuash.

Vështirë të thuash se çfarë ka ndodhur; ose më mirë, shumë e lehtë të thuash se çfarë ka ndodhur: kemi parë median në veprim.

Publiku i përfytyron këta guerrilas të medias si “syrin dhe veshin” e vet; nëpërmjet tyre, shpreson të marrë vesh se çfarë ndodh.

Këtij publiku i duhet uruar, megjithatë, mirëseardhja në raportimin post-modern të realitetit, ku mediat nuk mjaftohen me kronikën e ngjarjes, por e krijojnë këtë ngjarje vetë.

Nuk është hera e parë, që gazetaria “investigative” paraqitet kështu – një gazetar kamikaze, që i vërsulet dikujt me pyetje të tipit: “kur do të hiqni dorë nga vjedhja e popullit?” dhe një kamerë dore, që regjistron në video reagimet e tjetrit.

Ky farë zhurnalizmi e përdor mikrofonin si armë të ftohtë: çfarë e bën ironik pretendimin e administratores Topulli, se Angjellari e kish goditur në mjekër me mikrofon.

(Po sikur ta kish goditur me kamera?)

Konfliktet në vijën e frontit mediatik ndonjëherë përfundojnë edhe kështu; çfarë është e re, në historinë e trishtuar të medias shqip, është se këto konflikte tashmë u zënë vendin lajmeve.

Po të jetë i vërtetë pretendimi i Topullit (dhe i mjekrës së saj të lënduar), atëherë kemi një gazetar që mësyn qytetarin dhe pastaj reagimin e këtij të fundit e paraqet si lajm.

Dhe meqë lajmin e rrëfen gazetari vetë, ndonëse i “agresuar” në krye të detyrës, atëherë kemi të bëjmë me atë që, në narratologji, e quajnë unreliable narrator – ose në rrëfimtar që nuk i zihet besë.

Prandaj fola më lart për gazetari post-moderne.

Do të pyetet: po cili është lajmi këtu, sa kohë që palët kanë dhënë versione të kundërta? E kam përgjigjen gati: lajmi është që ky lajm është dhënë; nuk duhet pretenduar për më tepër.

Dhe një investigim i një çështjeje aq serioze sa eliminimi abuziv i mbetjeve spitalore, dëshmon më shumë nevojën që vetë gazetarisë “investigative” (këtë fjalë do ta shkruaj gjithnjë në thonjëza), në Shqipëri, i duhet të eliminojë mbetjet trash në stilin me të cilin u qaset temave të mëdha.

Thelbi i këtij skandali – nëse mund ta përdor ende një fjalë si prej GABI – është prova e sjellë nëpërmjet videos; meqë publiku ende e ka ruajtur besimin tek imazhi, si më afër së vërtetës se fjala.

Por që publiku e ka ruajtur besimin tek imazhi, kjo veç do të thotë se sot përpjekjet më të mëdha për ta mashtruar po bëhen nëpërmjet imazhit.

Tek e fundit, hetimi dhe raportimi i çështjeve me interes kushton më shumë se inskenimi i një videoje çfarëdo, të filmuar me kamera dore, e cila sakaq merr vlera dokumentare dhe përhapet më shpejt se fruthi.

Sa kohë që është pranuar roli i mediave si teatër për dëfrimin e publikut dhe kur infotainment-i ka zënë kryet e vendit në portalet dhe vend-grumbullimet e tjera të plehrave, çfarë do të pengojë që edhe lajmi t’i nënshtrohet produksionit?

Kjo do të ishte edhe ana e përkundërt e lektisjes pas reality shows, edhe pse pjesë e së njëjtës prirjeje madhore për t’i shkrirë kufijtë midis raportimit dhe realitetit.

Brenda këtij produksioni, “gazetari” do të zërë vend qendror – meqë lajmi jo vetëm do të rrëfehet në vetën e parë, por edhe vetë rrëfimtari imponohet si personazhi kryesor i rrëfimit.

Madje jo vetëm: misioni i këtij personazhi, a i këtij heroi në daçim, do të ishte ai i ndëshkuesit – ose një version soft i inkuizicionit.

Le ta quajmë këtë funksionalitet të papritur ana e pasme e vetting-ut, të paktën për nga efektet populiste të garantuara.

Dikur media totalitare ruante monopolin ndaj përzgjedhjes së lajmit dhe sidomos ndaj interpretimit të tij – sipas filozofisë se “kuptimi” a “domethënia” e një ngjarjeje kish përparësi ndaj rrëfimit vetë, sa kohë që ishte “kuptimi” dhe “domethënia” që vërtetonin drejtësinë e vijës ideologjike, etj.

Sot media post-totalitare nuk ka më fuqi të interpretojë; e ka më të lehtë ta sendërtojë realitetin, ashtu siç kujton se ia kërkon publiku.

Media është mesazhi, thoshte McLuhan-i. Tashmë i rrëfyer në vetën e parë nga një unreliable narrator, do të shtoja.

2 Komente

  1. Mediat sidomos te ketij lloji ecin me parimin ne mos qofte u sajofte. Mirepo zonja (zonja eshte fjale e madhe ne kuptimin shqiptar, po le te themi formalisht zonja) nuk mund te mbrohet ndryshe, se per ate qe treguan pamjet, prokuroria duhet te levize vete per ta denoncuar e ajo duhet ta mbroje veten ne njefare menyre. Gazetari dukej qe ishte i gezuar nga reagimi i zonjes, mori shume me teper se c’priste.

    Une besoj se bindja popullore mbi te cilin meshon rasti ne fjale nuk eshte thjesht abuzimi i bizneseve, por se gjithe keta biznemene, pasanike, jane jo vetem maskarenj ne kuptimin e abuzimeve gjithfaresh por edhe harbute kalibri, te dhunshem, pra se pasanike ne Shqiperi u be llumi moral i shoqerise.
    Kjo eshte bindje e thelle popullore, sepse kushdo qe punon ne privat eshte i detyruar te duroje ulerima kafshesh e sharje gjithfaresh nga shefat e biznesmenet, po kjo eshte tematike te cilen nuk e gervish njeri ne Shqiperi.
    Nuk eshte se ne shtet ndryshon shume, sa me lart shkon ne shtet deri tek kryeministri aq me kafshe jane ne sjellje me vartesit.

    Prandaj edhe zonjes mire t’i behet, te haje edhe ca muaj burg nuk do i bente keq, do i zbuste ca prirjet e dhunshme.
    Gazetari ta provokoje me pyetje sa t’i doje qejfi, Hardtalk puro le te beje, por nuk duhet ta preke as me majen e thoit.

  2. “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, gjaja shqiptare”, duhet të kish shkruar dikur një miku im i shpirtit duke na e lënë ne ushtrimin në formë loje të gjetjes së “gjasë”. Media do ishte një kandidate serioze për t’u bërë “gjaja”, edhe pse dyshoj se atë luks do ia lejonte politika, qoftë edhe për një ditë. S’më besoni? Shihni c’do kish shkruar më tej miku im për “gjanë”:

    “Gjaja gjithashtu len dhe në trashigim
    -jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
    por eshtnat e shtrembta e në mjekërr ndoj dhimbë,
    mund që t’len kujtim ditën e dikurshme,
    kur pullaz’ i mikrofonit u shkëput edhe ra…”

    E kuptoni tani se është shkruar keq dikur. Nuk e dinte i gjori Migjen se s’do ishte vetëm mjerimi i mjeruar, por edhe media e politika. Po ta dinte kështu ndoshta duhet të kishte shkruar:

    “dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
    mbushet got’ e helmit në trashigim brezninash.
    gjaja ka motër ngushulluese gjanë tjetër.
    në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale,
    të neveritshme, shpirti me etje derdh gjanë,
    n’fyt për me harrue nandhetenand’ halle”

    Tani është e qartë: ka shkruar keq Migjeni! Palo burrë, mendonte se populli kishte nevojë për alkol për të harruar “nandhetenand hallet”. Se dinte ai se populli do media, dhe jo media dosido po nga ajo e sojit më të mirë. Të krahasueshme me ndonjë Courvoisier vintage, lajmet për: gjokse, fustane, politkanë e sherre janë ato c’ka populli do. Parë kështu është e qartë pse gazetari e priti mirë, ose thënë më saktë mezi e priti dhunën e gruas. Ishte ajo c’ka duhej për t’u kthyer nga Courvoisier në Remy Martin Louis XIII, për t’i dhënë popullit pak “gja” cilësore për të harruar “gjanë” që s’kapërdihet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin