DY TË DJATHTA

Të shtunën më qëlloi të lexoj dy analiza të kundërta, nga pikëvështrimi i së majtës, të rezultateve të referendumit BREXIT: një palë e lëvdonin votën si shprehje të vullnetit popullor anti-teknokratik, të një elektorati që e refuzoi Bashkimin Europian, sepse ky po funksionon tani vetëm si një vegël e financës së madhe ndërkombëtare dhe për rregullimin e tregjeve; një palë tjetër, e denonconin votën britanike si shprehje të populizmit, të ksenofobisë dhe deri të fashizmit, ose si hap mbrapa për Mbretërinë e Bashkuar. Vështirë të mos u japësh të dyja palëve të drejtë: Bashkimi Europian vërtet është shndërruar në një makinë burokratike që nuk ndien ndonjë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve të vet; por nga ana tjetër, nuk do të ishte hera e parë që reagimi ndaj këtyre makinave të financës dhe të kapitalit të madh shumëkombësh të merrte trajtat dhe ngjyrat e para-fashizmit. Megjithatë, po të kemi parasysh se kush po e përshëndet shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Europa – që nga Rusia e Putinit deri tek e djathta në ShBA – atëherë ndoshta do të kuptojmë edhe se lëvizjet centrifugale, brenda Bashkimit Europian, mund të çojnë në realitete gjeopolitike më të padëshirueshme, të paktën nga pikëpamja e së majtës, se i sotmi. Çështja mund të formulohet edhe kështu: Bashkimi Europian po u shërben vërtet interesave të lobeve financiare globale dhe elitave shumë-kombëshe, por as alternativa e tij aktuale, në trajtën e nacionalizmit dhe, eventualisht, shteteve me bazë dhe motivime etnike, nuk është e përtypshme për të majtën. Kjo aq më e vërtetë, po të kihet parasysh se një arsye madhore e krizës së sotme të Schengen-it dhe të vetë BE-së ka të bëjë me politikat e mikpritjes dhe të trajtimit të refugjatëve dhe, në përgjithësi, me qëndrimin ndaj dukurive multikulturore, duke filluar nga Islami; në kuptimin edhe që prania masive e imigrantëve të huaj, veçanërisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika, i ka jetërsuar prej së majtës ato shtresa që tradicionalisht i janë referuar asaj, dhe pikërisht të paprivilegjuarit dhe të papunët vendës; duke rrezikuar ta shndërrojnë të majtën në një atribut të studentëve, imigrantëve të natyralizuar, ithtarëve të politikave identitare, profesorëve të universitetit dhe elitave snobe multi-kulturore. Cila do të ishte rrugëdalja për këtë të majtë të kapur midis Shilës së globalizmit financiar dhe Haribdit të nacionalizmit para-fashist? Ndoshta decentralizimi progresiv i Europës së Bashkuar – nëpërmjet deglobalizimit; por kjo do të kërkonte një ripërkufizim të krejt bazës sociale të së majtës.