SHPJEGIM POSTSOCIALIST APO POSTKOLONIAL?

“Ku je, Nanni?” Pse nuk indinjohesh më, ngulmon gazetari i majtë pa kompromis nga tribuna e Il fatto quotidiano, duke u qarë e lypur shpjegim por edhe duke e akuzuar intelektualin kineast italian Nanni Moretti, që pas fitores së “të majtës”, është zhdukur nga skena e aktivizmit politik antiqeveritar. Gazetari emocionalisht, por qartë, shpreh nevojën që skena politike italiane, ku e majta e tanishme veç e majtë nuk është dhe ndreqja që kryen veç e drejtë nuk është, të ketë rishtazi zërat “e indinjuar”, artistët shpuza me kurajo e zell politik si Moretti e Benigni. Por ata nuk janë më… tani që e majta “e tyre” ka marrë pushtetin, ata kanë rënë squkë. Çfarë të kenë thua: mendojnë që është tradhti të kritikosh të majtën që kanë mbrojtur e aspiruar, tani që ajo (farë e majte) ka pushtetin? Pas Berluskonit, asgjë tjetër s’ka të sharë, apo jo?! Mendojnë që duke u indinjuar tani ndaj së majtës, fuqizojnë të djathtën (së cilës në fakt e majta italiane, pa pritur hiç për Nannin, i ka dhuruar krah në shtrat)? Po presin që “e majta” e Renzit më në fund, pasi hap rrugën me mënyra joortodokse të pamajta, në çastin kur ka fuqinë e duhur, të nisë aplikimin e shumëpritur të mënyrave ortodokse të majta?

Filmat dhe vizitat në Cannes nuk e kishin penguar më parë të ishte shpirt protestash Nanni Morettin. Përkundrazi! Por Nanni që kish premtuar (dhe jam e sigurtë që edhe kish besuar) se në çfarëdo shoqërie sado deçente, ai “do gjendej në krahun e pakicës”, duket se për ca kohë ka vendosur të jetë me shumicën. Ose ka harruar çfarë tha. Ose i krijon vetes skrupuj moralë që çdo njeri që urren profesionin e qeverisësit do i krijonte vetes: “Unë vetë këtë punë s’do e bëja kurrë! Me ç’të drejtë kritikoj pra punën e atij ministrit që po e bën, dhe po e bën më mirë se i djathti para tij, por që unë nga karrigia ime intelektuale e shoh si të mangët, të papastër, zhgënjyese?” Unë nuk e di hallin e Nannit, dhe e kam të vështirë të shpjegoj edhe hallin e atyre që kam më afër e që kanë bërë po fundin e Nannit. Por jam e sigurtë se zëri i indinjuar ndaj pushtetit, i majtë a i djathtë ky në emër, nuk mund të jetë kurrë zë negativ kur është jo institucional, lokal dhe individual.

Do ishte optimale që Renzi vetë, ministrat dhe punëtorët e tij mediatikë, të mos i sulmonin zërat kritikë nga palët jo-pushtetore që s’u vijnë pas midesë, e së paku në këtë pikë, t’u jepnin një shembull të mirë të majtëve flirtues përtej Adriatikut, që prej kohësh që s’mbahen mend i mbajnë sytë nga Italia. Do doja që “të majtët” e Renzit në këtë pikë të ishin ndryshe nga Berlusconi, që mua së paku më irritonte e turpëronte sa herë u vërsulej kritikëve në media apo aktivistëve popullorë.

Por nuk është kështu! Renzi për fat të keq, jo më mirë se Berlusconi, jo veç nuk e duron dot kritikën, por edhe tallet me të. Ka dy vjet rresht që i thotë Roberto Savianos se boll u qa për Jugun Italian (i cili edhe pa indinjatën e Savianos fundoset me shpejtësi), “smettetelo con il piagnisteo sul Mezzogiorno”, boll u qatë që punët nuk ecin mirë! Vërjuni punës si ne, edhe ju që qaheni edhe ju jugorët që duhet të punoni më shumë t’i nxirrni vetë gështenjat nga zjarri… e nëse nuk keni bukë, hani tortë, e mori djalli! E mos u qani që italianët kanë rinisur emigrimin masiv drejt perëndimit si në 1900, se e bëjnë ngaqë më në fund po hapen e po ndahen nga kërthiza e mamasë!! Është interesante që Saviano vetë, në një prej fjalimeve kritike ndaj qeverisë së majtë, përmend si provë të gjendjes fatale të Italisë, faktin që italianët po emigrojnë drejt Shqipërisë, kur shqiptarët vetë s’lenë gur pa luajtur të ikin që aty. Kujtohuni me këtë rast që ka opinione institucionale shqiptare që propozojnë që emigracioni të shihet si dukuri që s’duhet të skandalizojë njeri se është thjesht lëvizje globale drejt një zgjedhjeje më të mire e një zgjidhjeje në kushte të tjera. Kështu i bie të tallesh me njerëzit veç që të mos kritikohet qeveria.

Po pse i bini në qafë Renzit ju kritikë të të gjitha llojeve me Savianon a Travaglion në krye: kur ka qenë më mirë Jugu italian në 100 vjetët e fundit?! Ju doni që Renzi ta ndryshojë kaq shpejt Italinë? Boll, o vajtojca kënduat si kukuvajkat se Renzi është i vetmi që në këto 30 vjet të fundit ia ka dalë të kalojë reformat e punës e të shkollës! Boll u ankuat! Va tutto bene! Ju ankoheni, ne punojmë! Mjaft me thashetheme e shpifje! Gjeni fakte dhe mos bëni sikur i dini të gjitha sepse nuk jeni ekspertë! Tuttologi me bojëra, jeni! Në fakt është vështirë të ndash strategjitë diskursive institucionale që synojnë t’u mbyllin gojën kritikëve të vegjël por irritues në Itali e Shqipëri.

Ndaj, kur Lubonja proteston ndaj politikave të Edi Ramës, edhe sikur protesta e tij të jetë totalisht mohuese, të mos u bindet rregulloreve, të mos sjellë alternativë pozitive, të jetë zgjatim haqesh e lidhjesh të vjetra personale mes tyre, të mos sjellë provë për akuza të bëra bazuar në ndjesi e raportime të pjesshme… prapë se prapë, jam me të për të vetmen arsye se Rama ka pushtetin, ndërsa Lubonja jo. Ashtu siç nuk mund t’u vërsulem atyre që protestojnë për mosprishjen e parkut të Liqenit për shesh lodrash apo tjetër gjë, edhe sikur betoni që kundërshtojnë ata të ishte betoni i hedhur më me mend e të bëhej flori nesër. Nuk do t’i kërkoja kurrë Lubonjës apo protestuesve të vinin gojëza e të mos flisnin pa fakte dhe si jo-ekspertë, se kështu po cenonin politikanët e ndershëm e të pafajshëm, dashamirë e punëtorë të paepur të qeverisë. Nëse kritika ndaj kritikës do vinte nga qeveria vetë, do ishte keq, por do ish e kuptueshme; por kur ata që bërtasin për t’u vënë gojëz kritikuesve të qeverisë vijnë nga radhët e aktivistëve, shoqërisë civile, anti-establishmentistëve dhe anti-institucionalistëve të djeshëm, nga radikalët dhe avant-guardistët, puna është keq.

Ne jemi një vend me një histori të fuqishme socialiste ku partia dhe qeveria ishin një dhe demokracia parakuptonte militantizëm pa kushte e pa nuanca për një pjesë të mirë të njerëzve besimtarë apo të manipuluar ende gjallë e aktivë sot; me patriarkalizëm që shfaqet në forma të papritura si p.sh. besnikëri me çdo kusht ndaj mikut jo veç në pozitën e marrëdhënieve private por edhe atyre publike apo si adhurim pa kushte ndaj prijësash kontrollues, spontanë e unikë; me legasi, varësi e simpati ndaj Italisë shfaqur (e pashfaqur) në kulturë e politikë, edhe pse marrëdhëniet tona më shumë do t’u afroheshin atyre post-koloniale, sesa kanë qenë ndonjëherë koloniale. Ka shumë forca, ndërgjegjshëm të pranishme ose jo, që bëjnë të ngatërrohen vetiu shprehitë etike ndonjëherë duke i kthyer përmbys nga vlera progresive demokratike në regres autoritarist. Dhe jam e bindur që s’ka histori me eksperienca revolucionare dhe as sakrifica aktive në emër të një bote më të mirë që të të mbrojnë nga vorbulla e autoritarizmit pa sy që rrjedh nga kontrolli e fuqia absolute.

Ndaj është mirë që të reflektojmë syhapur e pa indulgjencë para se t’u mbyllim gojën apo t’u ulim vlerat atyre që na duken si tradhtarë bukëshkalë, kritikues obsesivë apo protestues pa arsye. Nuk e kam fjalën këtu për ata që kritikojnë qeverinë nga froni opozitar, sepse në fakt të dy palët janë pjesë e së njëjtës elitë politike dhe, duke e kaluar pushtetin nga njëra palë në tjetrën, në fakt thjesht presin radhën të marrin të njëjtin timon edhe kur manovrime të caktuara kryhen me ndryshime taktike. Flas për kritikën nga poshtë prej individësh apo grupesh pa pushtet që nuk janë pjesë e establishmentit; është kjo lloj kritike pjesa më e shenjtë e demokracisë. Kur duam t’i presim krahët, ta anashkalojmë si çalltisje rastësore dhe e paditur, apo t’i vemë gojëz, i prishim themelet pikërisht demokracisë, pa harruar edhe se estetika politike dhe morale e aktit lë thellësisht për të dëshiruar.

Gazetari italian që “qahet” se Nanni na la shëndenë politikisht e mbyll kështu shkrimin e vet: “Pa dashur të të fyej, Nanni i dashur, … e ta them si një prej të shumtëve që shumë të detyrohet e fort të vlerëson… ti ishe më mirë kur humbisje (zgjedhjet – E.D.) Ti thoshje: ‘edhe në një shoqëri më të mirë se kjo e sotmja, do jem gjithnjë me pakicën.’ Sot ama, je pjesë e shumicës në një shoqëri të turpshme. Indinjata jote sot do kish shërbyer si bukë, por me sa duket, ti tani je tepër i zënë duke luajtur lojën “ish-zjarrvënësi që u kthye në zjarr-fikës”. Mëkat!” Nanni Italisë do i duhej shumë; por Shqipërisë nannët i vlejnë dhe i mungojnë edhë më tepër!

Unë t’i bëj analizën për t’i gjetur defektet rezistencës individuale qytetare ndaj qeverisë?! Mos e dhëntë Zoti, edhe kur kjo më duket e drejtë edhe kur më duket përdoruese apo jotransparente! Edhe po qe e çalë, shyqyr që është! Kush përfaqëson a njehësohet me qeveritë, duhet të jetojë e të lerë njerëzit të jetojnë me gojën hapur sa duan. Sidomos në shoqëri ku demokracitë janë buzëqumësht e ku shoqëria civile ndjek në fakt vijën e Partisë. Kush kritikon pushtetet institucionale që ikin, janë apo vijnë, ta hapë gojën sa do e t’u krijojë ferrin vetë me pyetje, investigime, akuza, kritika e dyshime, se kjo na bën mirë e na mbron të gjithëve nga sisteme absolute. Kur një forcë institucionale merr fuqinë, ajo inicion njëkohësisht edhe mbrojtjen e vet prej shumë muresh e institucionesh shërbyese, që nga ato ligjore, ushtarake e ekonomike, tek ato mediatike, kulturore apo akademike, që janë herë të qarta si dielli, herë të komplikuara si mendja njerëzore. Mos ia qani hallin qeverisë! Dhe, siç e shohim për ditë, çdo qeveritar di e do të reklamojë pozitivisht veten dhe e bën këtë me pasion të veçantë. E nëse ka qeveritarë që punojnë natë e ditë, mirë e bëjnë, dhe s’ka pse të na vijë keq e t’i mbrojmë nga kritika. Duhen mbrojtur veç nga ngurtësimi qeveritar. 1000 lëvdata e 1000 kritika për ta le të lulëzojnë lirshëm; por sidomos kritikat. Ato e kemi për detyrë morale e qytetare t’i mbrojmë e kurrsesi t’i shtypim.

U-ri
Ti-ri
Po ku je, o moj liri?! …
Njerëzit në varfëri
E vërteta s’ka më si!

(vargje nga polifonia jonë përfshirë në Biennale – Venezia 2016)

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin