SËRISH PËR PARISIN

Edhe një herë, për qëndrimin tim ndaj eventit të djeshëm, ku përfaqësues të komuniteteve fetare të Shqipërisë parakaluan në bulevard në Paris dhe u filmuan në video; meqë shkrimi im “Karnavalet e Parisit” u pasua nga shumë zhurmë, shtrembërime, sharje, fyerje dhe lapërdhi kundër meje personalisht, sikurse ngjalli edhe interes të paparë.

Masakra kundër gazetarëve të Charlie Hebdo, në mes të kryeqytetit francez, e kryer prej një grupi terrorist islamik fundamentalist nuk erdhi si pasojë e intolerancës ose dis-harmonisë fetare – në mos për gjë tjetër, të paktën ngaqë gazetarët e vrarë nuk e kishin identifikuar ndonjëherë veten si besimtarë, përkundrazi.

Përkundrazi, ishte goditje vrastare, nga ana e ekstremistëve fundamentalistë, kundër vlerave republikane të Francës dhe të drejtave të qytetarit, mes tyre sidomos ndaj lirisë së fjalës.

Shteti shqiptar vendosi të marrë pjesë në manifestimin e djeshëm për të shprehur solidaritet me qytetarët francezë dhe institucionet e atij vendi mik, jo për të përfushur e aq më keq shitur vlerat tona kombëtare, reale ose të dëshiruara ose të shtira qofshin.

Ekzibicioni i “harmonisë fetare” mes shqiptarëve, duke nxjerrë në bulevard dhe në video disa klerikë që ecin përkrahu në rrugë nuk i shërbeu këtij qëllimi, pavarësisht reagimit emocional që mund të ketë ngjallur te publiku në Shqipëri.

Kjo harmoni ose bashkëjetesë e mirë mes komuniteteve fetare në Shqipëri, edhe sikur të ishte tërësisht ashtu siç u paraqit, nuk i hyn sot shumë në punë Francës, as mund t’i shërbejë për të mbledhur veten, në këtë moment vështirësie; dhe kjo pavarësisht nga frazat diplomatike dhe rrahjet e shpatullave. Në përgjithësi, Shqipëria ka shumë pak çfarë t’i ofrojë Francës në këto momente, me përjashtim të solidaritetit të heshtur; dhe, në çdo rast, kurrsesi nuk mund t’i ofrojë mburrje.

Që klerikë të lartë ose krerë komunitetesh fetare mblidhen dhe kalojnë kohën së bashku mund të jetë gjë e mirë në vetvete, por nuk provon gjë se komunitetet përkatëse i kanë të mira e të harmonishme marrëdhëniet mes tyre. Historia e Shqipërisë ka treguar se prifti dhe hoxha kanë ditur të bëhen shpesh bashkë dhe jo gjithnjë në emër të së mirës publike. Ndoshta do të ishte më e dobishme që këta krerë komunitetesh të kalonin më shumë kohë në kontakt me besimtarët dhe problemet e tyre, dhe më pak kohë në kontakt me politikanët, donatorët e huaj dhe kolegët e tyre nga fe të tjera.

Parakalimi i katër klerikëve shqiptarë në bulevard ishte para së gjithash event televiziv, jo i filmuar nga televizioni francez, as i transmetuar nga Eurovizioni, por i krijuar nga një kamerë e një televizioni shqiptar, çka e bën event televiziv të destinuar për konsum të brendshëm në Shqipëri. Nuk besoj se gjen francez të kthjellët nga mendja që të kujtojë se problemet ndërfetare në Shqipëri qenkan zgjidhur ose kanë marrë rrugën e zgjidhjes meqë prifti dhe hoxha po ecin krah për krah në bulevard (pa qenë detyra e tyre, si klerikë, që ta bëjnë këtë). Ajo çfarë pamë në video ishte inskenim politik i pahijshëm për kontekstin dhe vetë skenën.

Mesazhi që duhej t’u kishim dhënë francezëve ishte: në këtë ditë të vështirë, ne shqiptarët jemi pranë jush. E përcollën këtë mesazh lapsat me ngjyrë në xhepin e kryeministrit Rama; por jo marshimi klerikal i të katërve – sepse lapsat ishin vendosur aty me Francën në mendje, ndërsa klerikët ishin bërë bashkë për të tërhequr vëmendjen e të tretëve drejt punëve fetare të shqiptarëve.

Nuk di nëse u impresionua kush në Francë nga ai gjest; por pashë se shumë shqiptarë u rrëmbushën dhe u ndien krenarë. Gjithsekush ndihet krenar me atë që dëshiron a përfytyron, por kjo nuk duhet të na bëjmë të harrojmë se shqiptarët shkuan dje në Paris jo për të marrë pjesë në olimpiadën e ping-pongut, as në festivalin europian të muzikës pop e as në panairin e rrobaqepësisë civile, por për të ndarë me francezët hidhërimin dhe indinjatën për një akt të rëndë terrorist.

Prandaj edhe e gjeta fare të papërshtatshëm, madje grotesk, këtë video-inskenim të klerikëve dhe veçanërisht mburrjet që e shoqëruan – meqë synonin të tërhiqnin vëmendjen e publikut ndaj Shqipërisë dhe “arritjeve” tona në fushën e bashkëjetesës kombëtare, në një kohë që duhej thjesht të tregonim respekt për vendin mikpritës dhe vëmendjen ta mbanim te viktimat e akteve të terrorit.

Shënim: ky shkrim doli më parë në Facebook. Ju kërkoj falje të gjithë atyre lexuesve në blog që e kanë parë tashmë, ose që do të gjejnë aty ide të rimarra. Jam i detyruar të veproj kështu dhe ta ripublikoj në blog duke e sqaruar edhe një herë pozicionin tim, për shkak të shpifjeve dhe të insinuatave të organizuara kundër meje ditët e fundit (dhe nuk e kam fjalën për komedinë e “trapit dhe fëlliqësirës”).

Nuk ka komente

  1. Plotesisht dakort me ju xhaxha. Mua biles, nga kundrimi/kqyrja qe po i beja 4 klerikeve tane qe leviznin me kembe ne bulevardin e Parisit me solli ndermen shprehjen “fshati digjet e kurva krihet”. Ndersa persa i perket mitit te bashkejeteses fetare apo harmonise midis feve ne Shqiperi, te trumbetuara aq shume jo vetem nga institucionet tona shteterore, por edhe nga bashkesia nderkombetare, e deri tek vete ati i shenjte Papa Francesko, mua me vjen per te qeshur pasi e quaj kete gjetje tejet te ekzagjeruar dhe shume pak reale. Them shume pak, pasi sipas meje vetem rreth 30% e popullsise madhore eshte besimtare, ndersa pjesa tjeter jane ose ateiste, ose indiferente ndaj fese ne pergjithesi. Pra nese do te flitet per tolerance apo harmoni kjo i takon vetem 1/3 te popullsise, shume pak per te qene nje dicka e qenesishme, apo vecori e popullit shqipetar.

  2. Ne makro, kam ndjesine e te gjendurit ne nje rreth vicioz…
    Nuk do shume mend qe te kuptosh se “the Paris parade” ishte nje inskenim i ideuar nga strukturat e propagandes qeveritare, ne mos qofte edhe i sponsorizuar financiarisht ashtu.
    Hipokrizi!!! – tha…
    Ide ne dukje mbreselenese, e cila me gjase ka ngazellyer se pari ideatorin vete, e me pas eshte brohoritur nga te mbresemarret – do thoshte nje tjeter…
    Epo mire, ja dakord me keta, xhaxhain, Lubonjen, Bushatin (Andi) e kozmopolite mit-shkatronjes qe kane alergji e reagojne ndaj cdo spektali te ngjashem butaforik.
    Dakord, pra. E dime: nuk ka tolerance fetare mes shqiptaresh; gjithecka eshte ne te vertete vecse produkt spontan i indiferencesh mes paganit Bajram qe ngrihet nga Shkodra te coje femijen epileptik ne Shna Ndo dhe paganit Kico, qe eshte martuar me Serveten dhe Ambren, vajzen e dyte, e kane te punesuar “te ca amerikane, qe levizin rrugeve te Tiranes e iu flasin robve per shkencen logjike”(!).
    Por dukja eshte e rendesishme. Imazhi shet dhe ne kemi nevoje te shesim. Dhe per momentin, bashkejetesa paqesore fetare eshte trade mark-u yne, e tha edhe Papa, apo jo.
    Nuk ka dilema per destinacionin tone, ai eshte Europa, si komunitet i vlerave perendimore. Perkundrazi, dilema ka, edhe te forta madje, ne lidhje me genuinitetin dhe pastertine e ketyre vlerave. Te drejta te njeriut, apo te drejta te qytetarit (fuck emigrantet, le te qelben gjysem te pangrene aty ne Lampeduza)? Vellazeri pa dallim feje, kombesie, gjinie, perkatesie sociale etj., apo vellazeri kristiane me ndonje moter hebre (dhe ngujoi ne geto magrebinet)? Bashkim ndereuropianesh si perkatesi gjeografike apo klub pasanikesh buzeholle qe qeshin mendueshem ndersa tregojne barcaleta per polish plumber a romenian thief?
    Ne duhet te shesim arome perendimi. Ata na kane identifikuar si shembull te tolerances nderfetare, ne duhet ta parakalojme shembulltyren ne mish e tyrbe e rase mu perpara tyre. Perpara parizienit te thjeshte? Oh jo, jo. Perpara medias, politikaneve perendimore po.
    Ne duam te ndihemi si ata, duam te behemi si ata, je suis Charlie nuk eshte identifikim-target si berballje shperfillese ndaj terroristit te radhes, jo, eshte deshire naive e induktuar prej vitesh per te qene francez, italian, amerikan…
    O sa mire me qen shqiptar-o hej n’stadium, mes vedi e kunder grekut e serbit, o hej.
    Perndryshe, ne aeroporte, ke ate linjen tende: NON EU CITIZENS, o hej.
    E pse ben keshtu ti xhaxhai, apo se vete je n’mes t’New York-ut, me pasaporte USA, s’te pyet kush “ku do shkosh, pse do shkosh, kush te pret?”.

    Hmmm. Dmth te genjejme?! Te shitemi ata qe s’jemi, meqe per aq sa jemi, s’jemi kurkund e kurgje s’kemi.
    Po c’te duam qe do te shkojme ne Be? Le qe nuk do shkojme gjekundi se prape ketu do jemi. Europa na magjeps e i kemi zili mireqenien ekonomike, cilesine e jetes ne kuptim te mbarevajtjes se jetes, reapektit te rregullave e stabilitetin pothuajse te garantuar, por edhe rruget e shtruara e peisazhin e pademtuar. Dhe keto nuk do ti kemi kurre…derisa ti kemi, e qe ti kemi duhet ti realizojme vete, askush nuk do na i jape te gatshme. Sa per asistence, europianet gati jane, eurot qe na akordojne, i marrin po vete.

    Pra edhe kjo pune nuk qenkerkesh gje.
    Por bota po behet gjithmone e me e rrezikshme. Drita atje pertej mund te jete edhe shkelqim atomik.
    Rusia, Kina, India…
    Terrorizmi…
    Mbarimi i rezervave te naftes, mbinxehja globale, miliardi i nente, i dhjete, brrrrr….

    Zot shyqyr qe jemi ne Europe. Perfytyroni sikur te ishim diku ne Azi apo Afrike.
    Ndaj te futemi ne pallton e celikte te perendimit, me hir a me pahir, qofte edhe me teater a karnavale pariziene.
    Vetem eshte frohte…

    1. “Ne duhet te shesim arome perendimi. Ata na kane identifikuar si shembull te tolerances nderfetare, ne duhet ta parakalojme shembulltyren ne mish e tyrbe e rase mu perpara tyre. Perpara parizienit te thjeshte? Oh jo, jo. Perpara medias, politikaneve perendimore po.”

      Tamam kështu! Si ariu në cirk, çfarë kërkon spektatori, bën ariu: ulu, ngreu, rri mbi dy këmbë, hidh valle. Në fakt , ne nuk jemi të parët në Ballkan, që bëjmë këtë spektakël para Evropës. Fqinjët tanë jugor kanë dekada, që i shesin Evropës “aromë antikiteti”… dhe ka funksionuar për bukuri! Të paktën deri në momentin kur perëndimorëve u ngeli në dorë fatura. 🙂

  3. PNH: “Dhe per momentin, bashkejetesa paqesore fetare eshte trade mark-u yne, e tha edhe Papa, apo jo.
    …Ata na kane identifikuar si shembull te tolerances nderfetare, ne duhet ta parakalojme shembulltyren ne mish e tyrbe e rase mu perpara tyre. Perpara parizienit te thjeshte? Oh jo, jo. Perpara medias, politikaneve perendimore po.”

    Po kush eshte PAPA? Po kush jane ata pariziene qe na duartrokiten dhe therrisnin “bravo”? Nje bravo franceze nga Parisi, hice gje,… fare gje. Le t’i hedhim prape rruges si ato fletet, fletushkat e reklamave, ofertave te genjeshtra, qe i merr era, qe na i ofrojne ne qoshkat e rrugeve ne metropole si Parisi, Londra e Nju Jorku.

  4. Une do ta shihja akoma me gjere ne kohe dhe hapesire problemin.
    Qeveritë e vendeve perëndimore, të ashtuquajturat vende të lira, në të cilët me krenari themi se bën pjesë edhe Shqipëria, identifikohen besnikërisht me të gjitha pikat e përkufizmit të një shteti terrorist. Afganistani, kryeqyteti i të cilit ne vitet ’70 lulëzonte nga baret luksoze dhe vajzat me mini, tani është kthyer në grumbull gërmadhash, jetohet në kasolle dhe femrat veshin thasë, e gjithë kjo në sajë të luftës për eksportim të demokracisë, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Iraku, deri dje dispononte një nga arkivat më të vjetra të trashgimisë kultutore botërore(ndoshta më i vjetri), dhe sot e vetmja gjë që ka mbetur janë Kurani dhe fjalimet e hoxhës së fshatit si i vetmi autoritet interpretimi i të vërtetës, e gjithë kjo në sajë të luftës për eksportim të demokracisë, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Prandaj unë, ti dhe kushdo që nuk foli një fjalë kundër terrorizmit që vendi ynë po bëhesh bashkëautor është po aq terrorist sa ata që vranë në Paris.
    Per me shume ju ftoj te lexoni opinionin tim ketu https://alboddity.wordpress.com/2015/01/16/je-suis-terroriste/

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin