ARTI I TË VOTUARIT

Nga Read Me

Vjen një ditë për gjithçka. Ky është edhe rasti kur në domenin e politikës shqiptare, shprehja më e lakuar e ditës është maksima e famshme: “Politika është arti i të pamundshmes”. Për dikë si unë, semantikisht i lind dyshimi e dyzimi. A ka kuptim në politikën shqiptare kjo shprehje? Maksimën e famshme ia mveshin Otto von Bismarck-ut, kancelarit gjerman të “realpolitik-ës”, jo fort simpatizues ndaj shqiptarëve, duke mos parë aspak histori në këtë popull, por veçse një lloj vendndodhje gjeografike.

Ngjan që Bismarkun duhet ta kenë keqkuptuar, të paktën ky është një opinion i imi. Politika është arti i të mundshmes. Heqja e “pa-së” e vendos shprehjen në një terren semantik të mundshëm, të realizueshëm, duke e bërë krejt të prekshme shprehjen që “në politikë shkon gjithçka”.

Shqipëria akoma mbetet vendi i diktatorëve të vegjël. Turma, populli (shqiptar), ndoshta duke përmbushur profetikisht vizionin e Bismarkut për të, nuk ka bërë histori, nuk e ka parë akoma veten “në shalën e kalit”. Udhëheqësit e këtij populli fatkeq, gjithmonë i kanë marrë frenat e fatit të kombit duke e mbështjellë veten me flamujt, ëndrrat e turmës. Por fatkeqësisht, siç edhe është provuar herë pas here, politikanët shqiptarë nuk ka përqafuar vërtetë ëndrrat shqiptare, për të bërë “realpolitik-ë” duke ia zbritur turmave ëndrrat në tokë.

Populli është ushqyer me iluzionin e bërjes të një “realpolitik-e”, ndërkohë, kur udhëheqja i ka mikluar turmave vetëm ëndrrat, e duke bërë veçse një politike ëndrrash. Ëndrrat janë pjesë e një realiteti imagjinar, por nuk janë vetë realiteti. Kur imagjinata, si stacion të parë e të fundit, ka vetëm  ngjyrat dhe flamujt, mbetet veçse në kufijtë e një politikë ëndrrash.

Udhëheqësit shqiptarë të sotëm janë veçse miniatura të mjeshtërve të mëdhenj të diktaturave. Njëlloj si dikur mjeshtrit, politikanët e ditës, evokojnë imagjinatën që krijohet veçse në domenin e ëndrrës: nga një lavdi e dikurshme, në një të tashme për ta ndryshuar, që duhet të kulmojë me ëndrrën dhe shpresën, drejt një të ardhshme të ndritshme.

Kjo teknikë nuk është aspak e re; diktatorët kanë mundur që popuj të tërë dhe për një kohë, t’i bëjnë të jetojnë në një ëndërr të tillë të madhe, si në një tullumbace shumëngjyrëshe gjigande, por krejt bosh. Brenda një flluske të tillë të madhe ka jetuar (e akoma jeton) edhe populli shqiptar. në një përgjumje letargjike dhe vetëkënaqje me lugën bosh.

Walter Lippmann (Uallter Lipman), një komentator politik amerikan i shekullit të XX-të, në librin e tij Opinioni Publik (1922), e quan këtë situatë si “prodhuese efikase e po-së, të marrjes së aprovimit” mbarëpopullor. Të marrët e aprovimit, lejes, votës, është një proces i thjeshtë. Politikanët e sërës, i kanë në gjen, ose zhvillojnë disa instinkte djallëzisht të zgjuara. Vënë në punë simbole me të cilat turmat shpesh identifikojnë veten. Sa më gjithëpërfshirës e bosh simboli, aq më i suksesshëm politikani.

Si shembull, simboli i të keqes të Shqipërisë, armiku numër një i politikanëve, sidomos i të majtës shqiptare, është figura e Sali Berishës, që trumbetohet me të madhe si i tillë nga të gjitha fraksionet e të majtës, por jo vetëm të majtës. Ky emër, është emëruesi i përbashkët, një lloj casus belli, që i bashkon nën çadrën më të madhe të mundshme, të gjithë majtistët e të tjerë antiberishë, duke shpërfytyruar ëndrrën e të majtës shqiptare, në një ëndërr të degraduar, që ka për kryefjalë veçse një frymor. Një ëndërr e krijuar nga hiçgjëja, nga e paqena: shpëtimi i Shqipërisë vjen duke hequr Sali Berishën. Gjithçka reduktohet në të ushqyerit e një urrejtje gati-gati patologjike për një person të vetëm, Sali Berishën, të cilit nuk janë në gjendje t’ia marrin pushtetin me një votim bindës mbarëpopullor.

Lippmann shpjegon hilenë që përdorin udhëheqësit e kësaj sëre. Ata i tufëzojnë emocionet njerëzore të ushqyera nga ide të mirëfillta shoqërore, duke i kanalizuar në një emocion të vetëm, që shërben si simboli bashkues për shumicën. Këtë simbol, së toku me të gjithë njerëzit që i bashkon nën të njëjtën çadër, e lidhin djallëzisht me programin, platformën e partisë, që për kulm ka vetë liderin e partisë. Lideri i partisë, duke bërë të vetën simbolin, zotëron imagjinatën, ëndrrën e njerëzve të turmës. Duke u bërë pronari i ëndrrës, fiton edhe aprovimin e turmës, votën e tyre.

Politika shqiptare ka qenë e mbetet “arti i të mundshmes” dhe jo “arti i të pamundshmes”. Qëllimi i maksimës shqiptare është t’i bëjë njerëzit të besojnë se çfarëdo aleance, qoftë edhe me djallin, është e mundshme, për aq kohë sa si simbol bashkues është heqja e pengesës për të marrë apo mbajtur pushtetin, në rastin tonë, të identifikuar veçse me rrëzimin e bajlozit Berisha. Me heqjen e Berishës, mundësitë janë të pafundme. Pa Berishën, e keqja mbaron, do të ketë një fillim të ri për Shqipërinë. Ndërkohë, asgjë nga kjo rrëfenjë nuk i qaset të vërtetës. Por oferta e një politike ëndrrash, i krijon njerëzve një ndjesi të gënjeshtërt të së mundshmes, iluzionin e ardhjes të mundshme të drejtësisë, progresit e qetësisë kaq të munguar si komb.

Në të vërtetë, mundësia, perspektiva e vetme që hapet është një rotacion i shpifur, një kalim nga një patologji politike e njerëzore berishiste, e cila kërkon me çdo kusht për të mbajtur pushtetin, në një patologji të re ramiste që lakmon të marrë pushtetin, gjë kaq e pritshme dhe lehtësisht e lexueshme. Ndryshimet në të shumtën, janë të natyrës stilistike dhe energjetike, duke këmbyer nivelin intelektual të një doktori prej bjeshkëve të periferisë, të zbritur në kryeqendrën shqiptare në rininë e tij të brishtë, me nivelin intelektual të një artisti të lindur si kryeqytetas, që ndoshta angazhimet e hershme në politikë, nuk i dhanë mundësinë të dëshmojë ndonjëherë pjekuri e nivel artistik, veçse të hedhë veten në kthesa eksperimentesh ekscentrike prej tribunave të politikës të paprinciptë.

Shqiptarët kanë dekada të tëra që jetojnë, hanë, pinë e flenë në domenin e politikës, si skenë e përhershme teatri. Është një teatër që ka thithur, përpirë një komb të tërë në të jetuarin e një iluzioni,  hipnoze, ku ëndërrohet, përjetohet, ëndrra e dikujt tjetër, liderit të partisë. Hipnoza politike e ushqyer nga një traditë  nënshtrimi ndaj liderit nuk “shock-on” askënd në Shqipëri tashmë. Ëndrra e dikujt tjetër, e mban shumicën e shqiptarëve spektatorë, votues pasive, që “demokratikisht” prodhojnë po-në të ushqyer prej mitologjive fashisto-komuniste.

Teknika teatrale brehtiane, kultura e “shock-ut”, që ka si zgjidhje dramatike distancimin, “ftohjen” (alienation), çlirimin e spektatorëve prej hipnozës të aktorëve të teatrit tradicional (e njohur si “V-effect” e përdorur suksesshëm nga Bertolt Brecht) ka provuar të jetë efikase edhe me audiencën shqiptare. Shembull ishte mënyra e futjes në politikë e Edvin Ramës. Por për zhgënjimin e shumicës, pas surprizës së fillimit, nuk prodhoi atë lloj politikani që pritej, të paktën prej audiencës së majtë.

Por a duhet hequr dorë nga Bertolt Brehti dhe efekti “distancim” i spektatorëve? Jo, aspak. Duhet që populli vetë, të rrëzojë murin e padukshëm midis teatrit si aktrim politik dhe publikun si popull, turmë. Brehti, efektet shokuese në teatrin e tij, i arrinte duke e distancuar publikun nga loja teatrale, duke mos i lënë njerëzit të përpiheshin nga iluzioni që i ofrohej, duke i kujtuar atyre në çdo skenë, se ishin thjesht duke parë teatër in extremis.

Cila mund të jetë një nga teknikat që mund t’i japë një rol më aktiv dhe transformues publikut? Copëzimi i mëtejshëm i formacioneve ekzistuese politike, ku domosdoshmëria e aleancave politike dhe nevoja e kompromiseve të vazhdueshme për të pasur sadopak rol në skenën politike, i vetëdemaskon aktorët politikë, i kthen në klounë politikë të parëndësishëm.

Një art i tillë i përdorimit të votës, dobëson vetvetiu rolin e skifterëve dhe ujqërve të politikës, duke i nxjerrë në fund jashtë loje. Kjo arrihet nëpërmjet shumëllojshmërisë të votës, reagimit të ndryshëm, të shumëllojshëm të njerëzve, që më në fund kuptojnë se teatri që luhet nga liderët politike, nuk është çfarëdo teatri për të zbavitur një publik të nëpërkëmbur, por në fakt ka efekt të drejtpërdrejte në jetët e tyre.

Akti politik më i pamundur është të bindet, të ndërgjegjësohet, të emancipohet një popull i tërë. Populli shqiptar nëse kërkon ndryshim, nuk duhet ta presë atë nga “arti i të mundshmes” që i bashkon lehtësisht ujqërit e politikës, apo nga loja e politikanëve skifterë, por nga votat e tyre, që nuk do t’i lejojnë politikanët të bëjnë lojën e skifterëve apo të ujqërve, por para së gjithash të kryejnë misionin për të cilën janë votuar.

Nuk ka komente

  1. Cila mund të jetë një nga teknikat që mund t’i japë një rol më aktiv dhe transformues publikut? Copëzimi i mëtejshëm i formacioneve ekzistuese politike, ku domosdoshmëria e aleancave politike i vetëdemaskon aktorët politikë, i kthen në klounë politikë të parëndësishëm.

    Atje eshte gjithe populli per cirk, e ti thua qe t’u japim ca kloune me shume?

  2. Ne fakt Bismarck-u ka thene “politika eshte arti i se mundshmes”.
    “Die Politik ist die Lehre vom Möglichen”
    Keshtu edhe citohet nga te gjithe. “Arti i se pamundshmes” nuk me duket ta kete thene kush.

    1. Natyrisht, Read Me do ta ketë ngatërruar – por ka edhe një “The Art of the Impossible”, që është titulli i një libri të Havelit.

      Titulli, me sa kuptoj, vjen nga një pasazh i famshëm i një fjalimi të Havelit kur sapo ky kish ardhur në pushtet, në 1990:

      “Le t’i mësojmë vetes se politika mund të jetë jo thjesht arti i së mundshmes, sidomos nëse kjo ka kuptimin art i spekulimit, kalkulimeve, intrigës, marrëveshjeve të fshehta dhe manovrimit pragmatik, por edhe art i së pamundshmes, d.m.th. arti i të përmirësuarit të vetes dhe botës.”

  3. Hyrja në shkrimin tim duket pak si paradoks(ale). Thënia e vërtetë e Bismarkut eshtë një adaptim i pashtjelluar (i një thënie më të vjetër), i idesë që politika e ka bazën në konfliktualen, konflikti është zemra e politikës, është kushti për të bërë politikë.

    Në Shqipëri nuk ka konflikt politik të mirefilltë, nuk bëhet politikë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dikush atë që ndodh në Shqipëri e karakterizon thjesht si luftë pazaresh e kolltuqesh. Që kjo të ndodhë, të mbajturit e pushtetit është një kusht i domosdoshëm, conditio sine qua non. Politika e për pasojë pushteti në Shqiperi, në këtë vështrim, nuk është arti i të mundshmes, por është krijuesja e mundësive.

    Vetëm atëherë, kur bëhet politikë e mirëfilltë, qartësohet thënia e Bismarkut..…politika është arti që bën të mundur atë çfarë njerëzit mendojnë se është e pamundur.

    Fillimi im ka një ton ironik, është një inversion post-bismarkian për të dëshmuar oportunizmin materialist, pakufi, që e karakterizon parinë aktuale shqiptare. Është një aluzion për atë shumicë që mendonte ose vazhdon të mendoje se një aleance Meta-Rama është moralisht e pamundur për partinë socialiste dhe lëvizjen socialiste(politika si akti i pamundësisë për një aleance “kaq të pamundur”). E mundshmja(e çfarëdoshme) në politikën shqiptare është si një lloj aksiome, krejt e pritëshme.

    Me këtë fillim, inversionin e thënies të Bismarkut(të kthyer në proverbiale), shkrimi në tërësi kërkon të provokojë me idenë që ndryshimi i konstelacionit të korruptuar politik shqiptar, (duke patur parasysh edhe thenien e Havelit të sjellur nga Xhaxhai) është akti më i pamundur sot për sot në Shqipëri.

    Kjo klasë nuk mund të ndryshojë, të përmirsojë veten pa ndërhyrjen e votës. Me fuqinë e votës, populli mund të ndryshojë konstelacionin politik që jemi mesuar të na sodisë e ta sodisim në mërziti.

    1. ne fakt eshte pikerisht institucioni i votes ne shqiperi qe perligj kete klase politike, shperndarja e saj nga zgjedhesit humb efektet ne perqendrimin e saj ne parlament, ku deputetet jane bere placke kembimi per te kontrolluar magjoranca

      Perse? sepse eshte pikerisht mungesa e “konfliktit” te paster politik (te pandyte nga interesat konkrete materialiste e imediate te lojtareve kryesore). Idealisht konflikti ekziston ne alterantivat kundershtuese qe paraqiten per zgjidhjen dhe perkufizimin e problemeve sociale, ekonomike e politike.

      Atehere a kemi nje politik si art i te mundshmes?

      Ne konstelacionin aktual nuk kemi “art” (Kunst) ne formen e artistikes, xhonglimit te hijshem te njerezve per te arritur te bukuren (paqen), te moralshmen, te miren e pergjithshme (te bukur sipas idealizmit gjerman te asaj kohe), por artifica (kuenstliche), njerez te shpifur (te shpikur nga prijes se stisur vete neper grepa te sigurimit famekeq te shtetit apo te mafies) qe arrijne pushtetin. Ne rastin shqiptar, e mundshmja, zgjidhja e problemit social/ekonomik me eficience, drejtesi dhe efikasitet (perkufizuar keto sipas grupeve sociale dhe konsensusit), nuk sheshon nje konflikt te pozicioneve te ndryshme politike/ideologjike, por perkundrazi synon te paqetoje interesat per vjedhjen e shqiperise, per te zhvendosur blloqet me nje lloj automatizimi cuditerisht te pranuar nga te gjithe “boll vodhet ju 8 vjete, tani e kemi rradhen ne”.

      koalicioni i ri premton pikerisht kete: paqetimin e “konfliktit” qe ne fakt nuk ka ekzistuar asnjehere (mjafton te shihni komisionet parlamentare per te pare se te gjithe jane kukulla te biznesve e deputet rrobaqepes qe presin ligje sipas mases se njerit apo tjetrit biznes). Paqetimi/zhdukja e konfliktit politik realizohet me Ilir Meten qe ofron sigurine per PD kur te largohet nga pushteti. Eshte garancia qe rotacioni do te jete i paqte. I paqte per ke? per te korruptuarit, sikur edhe pas rotacionit te Fatos Nanos. Na rrofte pra vota!

      1. Kapedani: Ne konstelacionin aktual nuk kemi “art” (Kunst) …per te arritur te bukuren (paqen), te moralshmen, te miren e pergjithshme (te bukur sipas idealizmit gjerman te asaj kohe), por artifica (kuenstliche), njerez te …stisur vete neper grepa te sigurimit famekeq te shtetit apo te mafies qe arrijne pushtetin.

        Kjo eshte shume e gjetur.

        Si atehere kur u hodhen ne politike dhe sot qe e kane konsoliduar rolin dhe vendin e tyre, fatkeqesisht mbeten pjese e te priteshmes. Eshte pjese e “determinizmit historik”. Sa me e eger diktatura, aq me e veshtire largimi prej saj.

        E vetmja menyre per t’ia zvogeluar influencen mbetet fragmentalizimi i autoritetit qofte ne parti, qofte ne pushtet. Pra shperndarja e votes midis opcioneve te mundeshme duke mos lejuar maxhoranca ku udheheqesit historike te diktojne.

        Udheheqesit ” historike” te ketij lloji e gjejne fundin vetem nga zullumet e tyre dhe nga kelyshet qe rrisin rreth vetes.

        Si shembull deri diku mund te sherbeje Italia e dikurshme e Kraksit, Berlinguerit, Andreotit e trashiguar pastaj nga Berluskoni dhe Pepe Grillo…

        Nuk do te kete shpetim kollaj…

  4. Shkrimi eshte mjaft interesant, dhe propozimi gjithashtu, sidomos ne perpjekjen qe ben per te qene sa dinak e strategjik, aq edhe talles.
    Por cfare keni me saktesisht parasysh me shumellojshmerine e votes? Keni parasysh vota PD, PS, LSI, FRD, AK, PDIU, PBDNJ, PSD, etj etj, DHE vota te bera te vlefshme ne menyra te ndryshme, por te qellimta? Apo vetem shumellojshmeri zgjedhjeje brenda opsioneve qe do te jene ne fleten e votimit?

    Faleminderit!

    1. Adela, ne Shqiperi si kudo ne bote, shumica e njerezve votojne sepse e shohin si detyre qytetare te votuarin. Te dy formacionet kryesore PD dhe PS, e marrin kryesisht voten nga votuesit e tyre “tradicionale”(votues qe kane deri diku, ne mase te matshme, nje busull normale kulturore, politiko-ideologjike tradicionale) qofshin votues te majte, qofshin te djathte.

      Votuesi “tradicional” eshte ndryshe nga votuesi “militant”. Me “tradicionalin” mund te flasesh, te besh debat, te shkembesh ide, te biesh edhe dakord e te marresh aprovime. Kurse me “militantin”, i cili eshte nje minorance nga te dyja krahet, cdo alternative, qofte edhe nje shkembim ideshe i pare si nje mundesi teorike, eshte krejt e pamundur.

      Nga votuesi “tradicional” une pres ndryshimin prej konfigurimit absolut politik te kontrolluar nga te dy partite kryesore. Tradicionali mund te ndikoje edhe ate votues potencial, por qe nuk voton fare.

      Partia e Metes eshte nje formacion qe ka pasues, ndjekes qe gezuan te mirat materiale e te qenurit ne pushtet, ne menyre joproporcionale me numrin e votes. Sipas llogarive te mija, kater votat e Metes kane gezuar rreth 30%(ndoshta edhe me shume) te totalit te pushtetit (administrativ) ne koalicion me Berishen. Kjo tregon shume per Berishen, Meten dhe tani se fundi edhe per Ramen.

      Ne rrethane te tjera Meta and Co. nuk do t’i gezonin keto te mira. Prandaj si parti nuk do te kete rrjedhje, ky eshte nje bllok qe do te vazhdoje te qendroje solid, sepse ndryshe nuk ka akses ne ndarjen e tortes materialiste shqiptare, si ne kater vitet e shkuara. Ky paradoks krijohet nga fakti qe jane keto pak vota qe vendosin maxhorancen matematike.

      Une nuk e di se si do te votohet: ne bllok si aleance apo si parti te ndryshme vec e vec. Ne Shqiperi ka parti te treta, te katerta,… dhe fare marxhinale ne nivelin e 0.00…. Nese do te votohet njelloj si kater vjet te shkuara, do te kemi perseri ujqit Berisha, Rama dhe skifterin Meta.

      Por nese votuesi “tradicional” do ta mendoje voten e vet si vote proteste, qe do te thyeje kete “kapje per fyti” qe i ka bere pushtetit ne Shqiperi kjo skakiere politike, atehere te gjitha hezitimet, pikepyetjet, zhgenjimet, do ta shtyjne, do t’i japin aq force qe ta shohe votimin si nje “shumellojshmeri zgjedhjeje brenda opsioneve qe do te jene ne fleten e votimit”.

      Tradicionali ne kete menyre shnderrohet ne votues indipendent, duke votuar, por jo per partite tradicionale.

      Ne vazhde te kesaj ideje, ndoshta eshte me e mira qe votuesi ta shikoje fleten e votimit si nje flete llotarie, por me nje ndryshim. Te mos votoje me duke u udhehequr nga e njejte tradite te menduari, i njejti supersticiozitet, psh te njejtat numra sic jane numrat e datelindjes te familjareve dhe te veten, adresen e shtepise, numrin e telefonit, apo te njejta “numra fati”(duke menduar se jane te tille, psh mua me eshte mbushur mendja se kam si numer fati 13-ten) qe i jane kthyer ne obsesion, duke menduar se nje dite do t’i hapin rrugen e milionave. Kjo si nje analogji me faktin, qe votohen te njejtat parti, ne vazhden e te mbeturit ne guaskes, zhgunes, cadren tradicionale, me shpresen se nje dite do te vije ndryshimi i shumepritur.

      Votuesi duhet t’i largohet sa me shume numrave tashme te konsumuar (te votuarit per te njejta parti politike). Te provoje numra te tjere(parti te tjera), ndoshta vetem keshtu mund t’i ndryshoje fatin vetes. Se si votuesi t’i zgjedhe numrat, per kete duhet te therrase ne ndihme, intuiten, zerin e brendeshem, etj.

      Ne kete menyre, vota e tij/saj e protestes mbetet perseri e vlefshme, me te njejtin probabilitet per te fituar llotarine. Nderkohe, vota e tij/saj vendos raporte te reja ne politiken shqiptare. Vetem keshtu fillon edhe ndryshimi.

      Per ate qe nuk voton prej zhgenjimit, lodhjes, apo nuk beson fatin, por megjithate brenda vetes e deshiron ndryshimin, kam nje si barcalete. Ky eshte varianti qe di une.

      Ishte nje Rabi, klerik hebre i varfer, i keputur fare, me nje familje te madhe; kishte shume femije. Rabite e tjere e shikonin mjerimin e tij e iu vinte shume keq. Donin ta ndihmonin.

      Nje dite vendosen qe t’i luteshin Zotit ne nje lutje paksa te vecante e te perbashket. Ne kor: “O Zot i madherishem, ndihmoje kete shokun tone, pershembull, bej te mundur qe te fitoje llotarine”.

      Pas pak degjohet nje ze si oshetime nga lart, si i ardhur prej thellesise te qiellit.

      “Dakord. Por thuaji te shkretit Rabi qe te pakten ta luaje llotarine. Perndryshe, si do te mundem ta ndihmoj qe ta fitoje?”

      Te me falesh per pergjigjen e gjate… 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin