MOS MA NDANI APARATIN

4500639265_5c4e849b04_zDisa pushtetarë, të vëmendshëm ndaj marrëdhënieve me publikun, po e bëjnë zakon të shoqërohen, hap pas hapi, nga fotografët e tyre, që u shërbejnë si bodyguards të imazhit ose anti-paparazzi dhe ua përjetësojnë gjestet dhe buzëqeshjet në fotografi, të cilat pastaj përfundojnë në rrjetet sociale dhe, që andej, e gjejnë rrugën në mass mediat online, si albume ose fotoseri me ekran të gjerë.

E megjithatë, fotografi të tilla nuk kanë shumë të bëjnë me gazetarinë dhe aq më pak me lajmin: sepse janë gjithnjë poza të studiuara, këtu me një vogëlushe, atje me një nënë, këtu në spital, atje në shtëpinë e fëmijës, këtu me Obamën, atje me Papën; herë duke folur në celular, herë me shpinën të kthyer nga një mega-ekran në një mega-kongres; këtu në një forum trans-nacional për qytetet orbitale, atje në një simpozium për meta-arkitekturën e politikës; këtu buzë detit, atje në majë të shkëmbit; herë në mes të anonimëve, herë në vetmi meditative; këtu duke u pjekur në diell, atje duke u qullur në shi; tani duke mbjellë një pemë, më vonë duke ndërtuar një mur…

Teknika propagandistike që ishim mësuar t’i shoqëronim mendërisht me Kinën e Maos dhe Korenë e Veriut, por tani i kanë përqafuar edhe të tjerë këndej nga Perëndimi dhe këta tanët nuk kanë mbetur prapa.

Element i ri në këtë konstelacion banalitetesh do të ishte fotoja selfie, mundësisht me një mur dhëmbësh të denjë për posterin e higjienës dentare në studion e një stomatologu elitar; selfie sot zëvendëson autografin e dikurshëm, por ndryshe nga autografi, duket sikur po u shërben më shumë atyre që “e japin” se atyre të tjerëve që “e marrin.” Gjithsesi, të gjitha këto operacione fotografike dhe fotozhenike janë të studiuara mirë, në të gjitha dritat dhe hijet e tyre; dhe nuk janë për t’u qortuar, sa kohë që mbeten brenda funksionit të tyre, për t’i shërbyer arkivimit të veprimtarive rutinë të pushtetarëve, ose edhe albumeve të tyre familjare, fanzine-ve dhe projekteve të tjera vanitoze. Çfarë nuk gëlltitet dot, është përdorimi i tyre si foto-lajme; ose dëshira e kombinuar e zyrave të propagandës të institucioneve dhe redaktorëve të mediave, për ta paraqitur teatrin e pozave si të ishte ndonjë lloj informacioni për të cilin duhet informuar publiku in real time – për shembull, që aksh politikan mori në krahë një fëmijë anonim në rrugë, ose që aksh politikan tjetër vizitoi një zjarrfikës në spital dhe ia rregulloi në fytyrë maskën e oksigjenit.

Në të tilla raste, propaganda koreano-veriore përzihet me sentimentalizmin bajat dhe pozat e skriptuara dhe inskenimet e qepura me penj të bardhë ndjekin një estetikë prej reklame (pse gjithnjë kërkojnë të shesin diçka) dhe showbiz-i (pse gjithnjë këmbëngulin për të mbetur në sipërfaqe, ose në dukjen e personazhit); jo logjikën dhe deontologjinë e gazetarisë. E njëjta gjë ndodh, në thelb, me gra të suksesshme në politikë, që pranojnë të trajtohen, prej fotografëve të tyre dhe pastaj mass mediave, si të ishin fotomodele a tregtare mobiljesh të modës.

Edhe pse gazetaria fotografike në Shqipëri nuk ka ndonjë traditë për t’u mburrur, për shkak të fiksimit gjysmë-shekullor me shkëlqimin e Enver Hoxhës, kjo traditë për fat të mirë sot nuk mirëmbahet as studiohet gjëkundi; në një kohë që qasja e re ndaj pushtetarëve, sikur këta të ishin edhe beautiful people, nuk ka lidhje aq me estetikën e diktaturës dhe të forcës, sa me logjikën e mbrapshtë të marrëdhënieve me publikun, por in very bad taste.

Do të më thonë që këto teknika funksionojnë, në kuptimin që rritin mbështetjen dhe votat; dhe ndoshta kështu është vërtet – por të paktën mediat duhej të ishin distancuar në mënyrë kritike nga ky karusel infantil imazhesh, nëse nuk u pëlqen të etiketohen si media të oborrit. [A.V.]

1 Koment

  1. Kur pata fatin e madh të rrëmoja nëpër të brendshmet (sepse më pëlqen ta quaj “intestin”) të komjuterit tim të parë, u mahnita me clip art-et. Mundësitë thuajse të pakufizuara për të përdorur clip art-et si ilustrime të thuajse çdo situate njerëzore, më dalldisën dhe më kthyen pas në kohë kur përdorja kukullat për të simuluar situata.
    Tani s’kam nevojë as për kukulla e as për clip art-e.
    Tani më mjafton një xhiro interneti që të shkarkoj ekzemplarë të absolutisht çdo situate njerëzore: me make up apo pa make up; me dhëmbë të rregullt apo me stërdhëmbsha; me flokë të krehur apo pa flokë fare; në punë apo në timon të Bentley-t; me bikini apo me qyrk; me kazëm apo me i-phone; në Kala të Dodës apo në Kala të Neuschwanstein…
    Rrofte selfie-a!
    P.S. një miku im selfie-s i thotë Zylfie

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin